Pabarazia e të ardhurave dhe faktorët ndikuesë në Ballkanin Perëndimor

Pabarazia e të ardhurave dhe faktorët ndikuesë në Ballkanin Perëndimor

Nga analiza jonë rezulton se pabarazia e të ardhurave prej punës është kontribues kryesor i shpërndarjes në të ardhurat e familjeve, por jo në shpërndarjen e drejtë të pasurisë në zotërim dhe mirëqenies.

Kjo vërehet në rastin e zotërimit të pasurisë në disponim, ku ka ndikim direkt e ardhura nga kapitali, si dhe të ardhurat informale nga burime të ndryshme (krimi, evazioni, korrupsioni).

Paga minimale dhe mesatare mujore në BP6, 2014  dhe 2024 Euro
Vendet 2014 2024 Rritja mesatare 2014 2024 Rritja mesatare
Serbia 235 544 131% 524 1,011 93%
Mali i Zi 288 532 85% 723 987 37%
Shqipëria 157 385 145% 325 694 114%
Maqedonia e Veriut 214 360 68% 510 892 75%
Kosova 170 264 55% 482 610 27%
Bosnjë-Hercegovina 210 304 45% 659 995 51%
Source: Eurostat, statistikat zyrtare

 

Nga kryqëzimi i treguesve  të shpërndarjes së pasurisë me treguesit e pagës minimale dhe mesatare (Tabela më lart) ka një mospërkim midis nivelit të pagës për secilin vend dhe shpërndarjes së pasurisë sipas vlerës në zotërim[1].

Marrim rastin e Shqipërisë, ku paga minimale dhe paga mesatare në 10 vitet e fundit është në vendet e fundit në Ballkanin Perëndimor (BP6). Ndërkohë, kjo shpërndarje e të ardhurave nga puna nuk përkon me zotërimin e pasurisë midis 2014 – 2022. Në 2022 ka një ulje të madhe të numrit të individëve me pasuri deri 10.000 US.D dhe ka rritje të madhe të numrit të individëve me pasuri midis 10.000 US.D deri 100.000 US.D dhe po kështu edhe për individët me pasuri mbi 100.000 US.D.

Në rastin e pagës minimale, por veçanërisht të pagës mesatare shihet  (Grafiku më poshtë) se ndikimi i saj në masë të madhe për 9 vitet e fundit shihet në uljen e numrit të individëve me pasuri në zotërim deri 10.000 US.D. Ndryshimin më të madh e shikojmë në Serbi (36.2% më pak) dhe në Shqipëri (31.1% më pak).

Ndërkohë, ne shikojmë rritjen e numrit të individëve me pasuri nga 10.000 US.D deri 100.000 US.D. Rritja më e madhe është në Serbi (30.9% më shumë individë) dhe në Shqipëri (25.4% më shumë individë) dhe në BiH (17.3% më shumë individë).

Ndërsa Mali i Zi ka një rritje më të vogël të individëve që përkojnë me këtë grup (5.5% më shumë individë), por ka një rritje shumë të ndjeshme dhe më të madhen në vendet e BP6 të numrit të individëve që zotërojnë pasuri nga 100.000 US.D deri 1 milion US.D (16.7% më shumë individë). Vendet e tjera kanë rritje tre herë më të vogël të numrit të individëve me pasuri në nivelin e grupit që tenton të bëhen të pasur.

Në shumicën e vendeve të BP6 ka një ndikim e ardhura nga paga, por jo vetëm, pasi rasti i Shqipërisë me pagat e ulta nuk e mbështet bindshëm këtë argument. Nëse mund të shtrihemi më tej me analizën, shihet se dukshëm. Ndikime të tjera që vijnë në lidhje me rishpërndarjen e mirëqenies nëpërmjet politikës fiskale është edhe ndikimi nga niveli i korrupsionit dhe informalitetit.

    Indeksi korrupsionit dhe niveli informalitetit, 2023
Vendet Indeksi Korrupsionit Niveli informalitetit
Pikë Renditje barra tatimore
Mali i Zi 46 63 31 36.2
Maqedonia e Veriut 42 76 30 28.5
Kosova 41 83 35 25.7
Shqipëria 37 98 35 25.8
Serbia 36 104 37 37.1
Bosnjë-Hercegovina 35 108 34 36.1
Burimi: EU, Sciendo,

Gjatë vitit 2023, niveli i perceptuar i korrupsionit është në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë (Tabela më lart).

Po kështu është renditja edhe për nivelin e informalitetit, por në këtë grup vendin e Kosovës e mban Bosnjë-Hercegovina.

Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina perceptohen nga qytetarët dhe bizneset si më të korruptuara.

Vendet më lart përfshirë edhe Kosovën (e cila është 1% më shumë informale se BiH) kanë nivel më të lartë informaliteti.

Nisur nga treguesit e korrupsionit dhe informalitetit në vendet e BP6, si rregull korrupsioni jo vetëm që ul raportin e barrës tatimore, por gjithashtu shkakton dëm afatgjatë në ekonomi duke ulur investimet, duke rritur madhësinë e ekonomisë informale, si dhe duke shtrembëruar strukturat tatimore dhe gërryer moralin tatimor të taksapaguesve.

Nën këto efekte të korrupsionit në vendet e BP6, shikojmë se:

  • në Malin e Zi, korrupsioni është më i ulëti[2] dhe ka një barrë tatimore më të lartë se vendet e tjera, por edhe një informalitet më të ulët.
  • në Maqedoninë e Veriut, korrupsioni është më i ulët se katër vendet e tjera, por ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë informalitetin e ka më të ulët.
  • në Kosovë, korrupsioni është më i ulët se tre vendet e tjera, por ka barrën tatimore më të ulët, por ka edhe një nivel informaliteti që është te nivelet e larta të rajonit.
  • në Shqipëri, korrupsioni është më i lartë se tre vendet fqinje dhe ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë informalitetin e ka më të lartë.
  • në Serbi, korrupsioni është më i lartë se vendet fqinje, por ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë e ka më të lartë edhe informalitetin.
  • në BiH, korrupsioni është më i larti ndër vendet e rajonit, por ka një barrë tatimore të lartë, si dhe nivel informaliteti më të lartë.

Nga situata dhe ndikimi i faktorëve si më lart, shihet se ndikimet e korrupsionit janë përgjithësisht të dukshme në secilin vend, por ndërkohë barra tatimore dhe informaliteti janë të lidhur edhe me nivelin e kulturës fiskale, rishpërndarjen e shpenzimeve nga buxheti dhe tregues të tjerë. Në varësi të mënyrës se kush nga faktorët ka më shumë ndikim, rrjedhimisht jep edhe efektin në nivelin e informalitetit dhe të barrës tatimore.

Niveli i lartë në rritje i pabarazisë në të ardhura në Ballkan vazhdon të marrë vëmendje në rritje nga qeveritë, por duket se ky fokus i tyre nuk po adreson dot zgjidhjet e duhura. Nga qeveritë tentohet të adresohet fenomeni i pabarazisë, si një sfidë që secili vend duhet të bëjë veprimet e duhura. Por tashmë është domosdoshmëri që rishpërndarja e të ardhurave të adresohet qartësisht nëpërmjet politikës dhe rishpërndarjes së shpenzimeve.

Transfertat e parave në vitin 2023 nga buxheti në grupet e ndryshme të popullsisë, siç janë pensionistët, të papunët, shtresat e paafta për punë dhe në nevojë etj. përbëjnë një peshë sa 11.1% deri te 15.7% e PBB-së të shpenzimeve buxhetore. Shumica e vendeve të BP6 i kanë ulur transfertat sociale krahasuar me 2022, përveç Maqedonisë së veriut me një rritje sa 0.2% e PBB-së dhe Malit të Zi me rritje sa 0.8% e PBB-së.

Këto transferta, kryesisht kanë për qëllim rishpërndarjen e të ardhurave gjatë gjithë jetës së individëve për të përmbushur nevojat në rritje për shpenzime, por që nuk është ende një formulë me funksione të plota, veçanërisht nëse e krahasojmë me nivelin mesatar në vendet e BE-së që arrin sa 27.2% e PBB-së në vitin 2022[3]. Edhe pse vlerat e këtyre transfertave për individ përfaqësojnë shuma parash të vogla në raport me konsumin individual, ato mbeten një instrument permanent i rishpërndarjes së të ardhurës për periudha afatgjata apo të përhershme.

Ndërsa transfertat e mbrojtjes sociale të qeverive në vendet e BE kanë një mesatare prej 27.2%, vendet e BP6 kanë një mesatare sa 13.2% e PBB-së, apo më pak se gjysme e BE-së.

Në veçanti, sa më e ulët të jetë barra fiskale, aq më i lartë është Indeksi Gini. Sipas informacionit të përmbledhur për indeksin Gini në vendet e BP6[4], rezulton se pabarazia është e lidhur me barrën tatimore. Këtë e shikojmë të dukshme në rastin e Shqipërisë, ku barra tatimore është e ulët dhe në vend të parafundit në rajon, por ndërkohë indeksi GINI tregon pabarazi më të vogël se vendet e tjera duke e renditur Shqipërinë në vend të dytë.

Ndërsa, Mali i Zi apo Serbia dhe BiH që kanë barrë të lartë tatimore kanë indeks korrupsioni që tregon pabarazi të lartë në rajon.

Ashtu si spjeguam më lart, barra tatimore është e lidhur dhe është ndikuese te niveli i pabarazisë së të ardhurave. Por, ndikim të madh në këtë shpërndarje nuk jep vetëm barra tatimore, por edhe paratë informale që hyjnë në BP6 nga burime të evazionit, korrupsionit dhe kriminalitetit.

Disa nga shkaqet e pabarazisë ekonomike janë dallimet në produktin margjinal[5], dallimet në barrën tatimore, në kapitalin njerëzor, në kapitalin social[6], në trashëgiminë, në diskriminim dhe në fuqinë negociuese brenda njësive ekonomike dhe sociale.

Megjithatë, pabarazia ishte e dobishme (si një e keqe e domosdoshme) në këtë dekadë të fundit për vendet e BP6, pasi mendohet të ketë nxitur rritjen ekonomike duke rritur investimet kapitale fizike.

Por, nisur nga realiteti aktual, kur nivelet e të ardhurave janë rritur, atëherë pabarazisë duhet ti mbyllen rrugët dhe mundësitë për tu rritur më tej, pasi duke qenë se kapitali njerëzor po bëhet më i rëndësishëm se kapitali fizik, atëherë pabarazia tenton të pengojë rritjen ekonomike duke ndikuar në akumulimin e kapitalit njerëzor.

Studimet e kryera[7] tregojnë se një rritje prej 1% e nivelit të pabarazisë e ul PBB-në me 0.6% deri në 1.1% për vendet me të ardhura të mesme. Pra, të paktën në vendet e BP6, nivelet më të larta të pabarazisë mund të ndikojnë në një stanjacion deri në ulje të PBB për frymë.

Ky konkluzion i studiuar për vendet e zhvilluara duket se provohet nga treguesi i të ardhurave mesatare për frymë përgjatë viteve 2021-2023 në vendet e BP6.

Mali i Zi është me rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë dhe me pabarazinë më të ulët në rajon.

Serbia ka një rritje të moderuar të të ardhurave për frymë dhe duket se ndikimi i rritjes së pabarazisë ka dhënë efektin edhe në rritjen ekonomike.

BiH me rritje të moderuar të të ardhurave mesatare për frymë ka një nivel më të madh të pabarazisë dhe duket se kjo është një ndikim në rritjen e ekonomisë.

Edhe Shqipëria, me një nivel të njëjtë të të ardhurave për frymë si në BiH, duket se pabarazia më e ulët ka ndikuar në rritjen e të ardhurave për frymë. Ndërkohë, për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos patur të dhëna të azhornuara nuk mundemi të arrijmë në një analizë të saktë.

Kjo analizë krahasuese është në fakt treguesi më i dukshëm i produktivitetit të ekonomisë, politikave dhe strategjive për zhvillim, si dhe nivelin e duhur të adresimit të modeleve ekonomike drejt rritjes së mirëqenies së taksapaguesve edhe duke u bazuar te niveli i pabarazisë në të ardhura të individëve

[1] aktive në zotërim në para apo pasuri të paluajtshme

[2] Pikët e larta tregojnë renditje më të ulët për korrupsionin

[3]https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Social_protection_statistics_-_early_estimates&oldid=620050

[4] https://www.ubs.com/global/en/family-office-uhnw/reports/global-wealth-report-2023.html

[5] ndryshimi i prodhimit si rezultat i një njësie shtesë të inputit që i shtohet prodhimit

[6] një grup vlerash ose burimesh të përbashkëta që i lejon individët të punojnë së bashku në një grup për të arritur në mënyrë efektive një qëllim të përbashkët

[7] https://ourworldindata.org/grapher/gdp-per-capita-vs-economic-inequality

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: