Përqendrimi ekstrem i kapitalit në Tiranë dhe ridizenjimi i gjeografisë ekonomike të Shqipërisë

Përqendrimi ekstrem i kapitalit në Tiranë dhe ridizenjimi i gjeografisë ekonomike të Shqipërisë

Si po e thith Tirana kapitalin kombëtar dhe pse Shqipëria po hyn në një epokë të re të pabarazisë territoriale?

Në ekonomitë që zhvillohen në mënyrë organike dhe të balancuar, kursimet zakonisht shpërndahen afërsisht aty ku krijohen të ardhurat dhe aktiviteti ekonomik. Qytetet industriale ndërtojnë depozita mbi bazën e prodhimit, zonat turistike mbi shërbimet dhe sezonin, rajonet bujqësore mbi ciklin agrar, ndërsa qendrat urbane mbi tregtinë, financën dhe teknologjinë. Për dekada, depozitat bankare kanë funksionuar si një hartë jo vetëm e kursimeve, por edhe e shpërndarjes reale të fuqisë ekonomike brenda një vendi. Shqipëria në 2026 po largohet gradualisht nga ky model, duke e bërë depozitat treguesin më të qartë të ridizajnit të gjeografisë ekonomike të vendit.

Gjatë dekadës së fundit, sidomos pas vitit 2018 dhe me forcë pas pandemisë, kursimet bankare janë përqendruar me ritme të pazakonta në Tiranë. Në fund të vitit 2025, depozitat në Tiranë arritën në afër 892 miliardë lekë, pothuajse gjysmën e totalit kombëtar. Share-i i Tiranës së bashku me Durrësin ka kaluar 55-60 për qind të depozitave dhe kreditimit kombëtar, duke krijuar një nivel përqendrimi financiar që ngjan me indeksin Herfindahl-Hirschman të një tregu oligopolist.

Krahasimi kohor midis 2015 dhe 2025 tregon një zhvendosje dramatike. Ndërsa para 2015 depozitat shpërndaheshin relativisht më gjerësisht, pas 2015 dhe sidomos pas 2020 ato u kanalisuan masivisht drejt qendrës. Analiza e ALTAX Observatory mbi të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregon një ritëm përqendrimi të pazakontë për një ekonomi të vogël. Në 15 vite, pjesa e Tiranës në depozitat kombëtare u rrit me 19 pikë përqindje, nga 35 për qind në 2010 në 54 për qind në tremujorin e parë 2026. Bashkë me Durrësin, zona metropolitane kontrollon sot 61 për qind të gjitha depozitave të vendit.

Evolucioni i përqendrimit të depozitave bankare paraqitet qartë në tabelën e mëposhtme:

Evolucioni i përqendrimit të depozitave bankare

VitiPjesa e TiranësTirana + DurrësHHI (përafërsisht)Niveli i përqëndrimit
201035%42%1,800Mesatar
201542%49%2,200Mesatar
202048%55%2,600I Lartë
202553%60%3,050Shumë i lartë
2026 T154%61%3,150Ekstremisht i lartë

Tabela tregon evolucionin e tre treguesve kryesorë, ku pjesa territoriale e Tiranës, pjesa e kombinuar metropolitano-financiare dhe indeksi HHI kanë kaluar nga zona e përqendrimit mesatar drejt përqendrimit ekstremisht të lartë.

Shqipëria nuk mund të lexohet më si një hapësirë ekonomike homogjene. Dinamikat e kapitalit, migrimit, investimeve dhe produktivitetit kanë krijuar një hartë të fragmentuar zhvillimi, ku rajonet ndjekin trajektore gjithnjë e më të ndryshme. Në qendër qëndron Tirana, si rajoni metropolitan dominant, që ka krijuar një gravitet financiar dhe ekonomik pothuajse monopolizues. Kryeqyteti nuk është më vetëm qendra administrative e vendit, por nyja ku përqendrohen kapitali bankar, kreditimi, bizneset me produktivitet më të lartë, investimet në pasuri të paluajtshme, tregu i punës me paga relativisht më konkurruese dhe pjesa më e madhe e konsumit urban. Ky përqendrim ka krijuar një cikël vetë-përforcues kapitali. Sa më shumë investime dhe popullsi të tërhiqen drejt Tiranës, aq më shumë rritet avantazhi i saj krahasues ndaj pjesës tjetër të vendit. Në terma ekonomikë, Tirana funksionon si një ekonomi gravitacionale, që thith jo vetëm burime financiare, por edhe kapital njerëzor, sipërmarrje dhe energji zhvillimore nga rajonet periferike.

Rreth këtij poli dominant po shfaqen disa qendra urbane në tranzicion, të cilat mund të konsiderohen si micro-growth poles të ekonomisë shqiptare. Durrësi po konsolidohet gradualisht si nyja kryesore portuale dhe logjistike e vendit, duke përfituar nga integrimi tregtar dhe infrastruktura transportuese. Vlora dhe Saranda po ndërtojnë një profil të ri ekonomik të mbështetur te turizmi, shërbimet dhe potenciali energjetik, ndërsa Shkodra po fiton rëndësi si qendër e turizmit malor dhe ekonomikave të lidhura me natyrën dhe kulturën. Fieri mbetet një hapësirë me potencial industrial dhe agro-përpunues, ku kombinimi i bujqësisë, energjisë dhe industrisë mund të krijojë baza më të qëndrueshme zhvillimi. Megjithatë, këto pole mbeten ende në tranzicion. Ato kanë potencial të gjenerojnë rritje rajonale, por nuk kanë arritur ende autonominë ekonomike dhe magnetizmin financiar të Tiranës.

Në kontrast me këto zona dinamike, ekziston një grup rajonesh periferike të dobëta, ku procesi ekonomik po shoqërohet me humbje graduale të masës kritike zhvillimore. Qarqe si Kukësi, Dibra, pjesë të Lezhës, Elbasani i brendshëm apo zona të Korçës përballen me emigrim të vazhdueshëm, plakje demografike, tkurrje të konsumit lokal dhe reduktim të aktivitetit ekonomik formal. Në këto territore, ekonomia nuk vuan vetëm nga mungesa e investimeve, por nga dobësimi progresiv i vetë bazës së tregut. Më pak popullsi aktive, më pak biznese, më pak kredi dhe më pak kapital lokal që riciklohet brenda rajonit krijojnë një spirale stagnimi, ku territori humbet gradualisht aftësinë për të gjeneruar zhvillim endogjen.

Të dy grafikët e mëposhtëm së bashku tregojnë një transformim dramatik dhe të shpejtë të gjeografisë financiare të Shqipërisë.

Figura 1: Evolucioni i share-it territorial të depozitave bankare, 2010–2026 T1. Burimi: Banka e Shqipërisë; Llogaritjet ALTAX Observatory. Tirana ka rritur pjesën e saj nga 35 për qind në 2010 në 54 për qind në 2026, pra +19 pikë përqindje në vetëm 16 vjet. Bashkë me Durrësin, dy zonat zënë tashmë 61 për qind të të gjitha depozitave bankare të vendit. Kjo tregon një përqendrim ekstrem të kapitalit financiar në zonën metropolitane.

Figura 2: Indeksi HHI i koncentrimit territorial të kapitalit bankar, 2010–2026 T1. Zona e kuqe tregon nivelin “koncentrim i lartë” sipas metodologjisë ALTAX. Indeksi Herfindahl-Hirschman ka shkuar nga 1,800 në 3,150, duke kaluar pragun 2,500 rreth vitit 2020 dhe duke konfirmuar se pas pandemisë përqendrimi është bërë edhe më agresiv.

HHI territorial shërben si indikator i centralizimit territorial të kapitalit kombëtar. Kalimi mbi pragun 2,500 në 2020 dhe arritja në 3,150 në 2026 T1 vendos Shqipërinë qartë në territorin e përqendrimit të lartë territorial. Ky nivel rrit rrezikun sistemik për të gjithë ekonominë kombëtare, sepse sistemi financiar bëhet tepër i varur nga një qendër të vetme.

Raporti kredi/depozita tregon një divergjencë të theksuar territoriale. Ndërkohë që Tirana dhe Durrësi shfaqin raport mbi 110 për qind, rajonet periferike kanë rënë nën 60 për qind. Kjo divergjencë ka përshkallëzuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Figura 3: Raporti Kredi/Depozita sipas tipologjisë territoriale, krahasim 2015 vs. 2026 T1. Burimi: Banka e Shqipërisë; Llogaritjet ALTAX Observatory. Divergjenca nuk është aksidentale. Ajo reflekton preferencën e bankave për zona ku kolaterali është i sigurt dhe i likuid, kryesisht pasuri të paluajtshme metropolitane, duke krijuar një cikël vetë-forcues.

Një nga mekanizmat më të dukshëm të këtij transformimi është financiarizimi i tregut urban të pasurive të paluajtshme.

Figura 4: Çmimet e pasurive të paluajtshme (brez €/m²) dhe share-i i kreditimit hipotekar sipas zonës, 2025. Burimi: INSTAT, Banka e Shqipërisë; Llogaritjet ALTAX. Çmimet e apartamenteve në Tiranë luhaten në intervalin 1,770–2,200 €/m², dukshëm më të larta se në zonat e tjera. Rreth 65 për qind e kredive hipotekare janë të lidhura me tregun e Tiranës, ndërsa rajonet e tjera përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël. Ky proces ka krijuar një cikël vetë-përforcues metropolitan, ku prona në Tiranë është shndërruar në aktivin financiar më të favorshëm të ekonomisë shqiptare. Në plan afatgjatë, ky model krijon një ekonomi me gravitacion të lartë metropolitan. Tirana absorbon kursimet, investimet, kapitalin njerëzor dhe kreditimin, ndërsa rajonet e tjera humbasin gradualisht masën kritike ekonomike të nevojshme për zhvillim autonom. Sfida kryesore e Shqipërisë sot nuk është vetëm rritja ekonomike, por shpërndarja territoriale e saj. Pa politika të qëllimshme për balancim rajonal, rreziku është që diferencat të thellohen deri në atë pikë sa rikthimi të bëhet shumë i vështirë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.