Një rritje ekonomike pa rritje për 2024, nëse nuk bazohet te gjithpërfshirja

Një rritje ekonomike pa rritje për 2024, nëse nuk bazohet te gjithpërfshirja

Siç tregohet në Perspektivën Ekonomike Botërore disa ditë më parë, ndërsa bota ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, rimëkëmbja nga goditjet e viteve të fundit është e ngadaltë, nën potencialet e saj dhe e pabarabartë.

Rritja është e ngadalshme, sepse me 3-4 për qind, rritja është aktualisht në mesataren e viteve të dobësimit ekonomik. Perspektivat e rritjes afatmesme janë gjithashtu të dobëta dhe nën potencialin e nevojshëm për të ngushtuar diferencat me vendet pararojë të rajonit ballkanik, por sidomos të BE-së.

Por, mbi të gjitha rritja ekonomike shqiptare është edhe e pabarabartë, sepse “vraga” ekonomike nga goditjet e fundit është shumë e ndryshme në rajone të ndryshme të vendit[1] dhe me mjaft diferenca me rajonin e Tiranës dhe rajoneve përreth kryeqytetit.

Pas një periudhe të gjatë “konvergjence” ekonomike[2], është shfaqur një divergjencë e rrezikshme midis rajoneve brenda vendit, por edhe me vendet fqinje me Shqipërinë. Përkeqësuar nga fragmentimi, ndryshimet strukturore dhe brishtësia e reformave, duket se ka shumë procese në një pikë të thyer.

Procesi i Berlinit, por jo vetëm ai janë veçanërisht të duhurit pasi nëse politikanët me qasje mediokre arrijnë ti ndjekin do të orientonin ekonomitë drejt zhvillimeve me qëndrueshmëri në mbylljen e hendekut të të ardhurave me ekonomitë e përparuara dhe gjenerimin e rritjes së vendeve të punës.

Të gjitha këto duhet ti bëjnë duke konsideruar kriteret e punës së denjë, ndikimet klimatike dhe mjedisore, si dhe respektimin e zërit kritik dhe ekspertizës vendase duke hequr dorë nga injorimi dhe në vend të kësaj të forcojnë parimet e gjithëpërfshirjes.

Shkrimi i një historie më të mirë për shqiptarët e Ballkanit është i mundur vetëm duke kuptuar se bashkëpunimi mes tyre është i njëjtë me funksionim e një trupi me të gjitha gjymtyrët. Në këtë moment pasigurie dhe paqartësie, e ndikuar nga krizat mikse që rrethojnë edhe Ballkanin Perëndimor janë të nevojshme të futen në jetën e përditshme investimet në baza të forta ekonomike dhe rritja e forcës së ekonomisë nëpërmjet bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendeve. E njëjta tendencë vlen edhe për shtetet shqiptare, si dhe ato ku prania e popullsisë shqiptare është element shtetformues.

Në një mjedis me perspektiva të vakëta rritjeje afatmesme, politikat dhe reformat e duhura janë thelbësore duke konsideruar se do luftohet pa kompromis malinjiteti i korrupsionit dhe patronazhimi/ndërhyrjet politike në proceset e shtetit të së drejtës.

Politikëbërësit duhet të mendojnë si të mobilizohen burimet dhe të përforcojnë themelet e forta ekonomike përmes politikave të shëndosha.

Në kuptimin e politikave afatshkurtra, nevojitet që stabiliteti i çmimeve të mos jetë i vetmi qëllim duke çfokusuar politikat e miratuara të zhvillimeve dhe kërkesave për ndryshim. Edhe pse ulja e inflacionit është një parakusht për rritjen e ekonomisë dhe i mbron njerëzit, veçanërisht të varfërit nga varfërimi më tej është e nevojshme që qeveria dhe Banka e Shqipërisë mos ta kalojnë masën dhe të jenë vigjilentë për të plotësuar shumë detyra të tjera që respektivisht i kanë lënë në mes të rrugës apo nuk kanë patur fuqi për ti realizuar ashtu si janë zotuar. Megjithatë, lufta kundër inflacionit mbetet parësore ende.

Por edhe ruajtja e shëndetit financiar është po aq e rëndësishme. Ndikimet në treg dhe në financat publike janë në nivele të larta. Është e qartë se po përballemi me një shtrëngim të fortë të mëtejshëm të gjendjes financiare dhe kjo mund të godasë tregjet, bankat dhe jobankat. Mbikëqyrja e fortë është thelbësore.

Duke plotësuar politikat themelore, reformat transformuese janë pjesa thelbësore për të nxitur rritjen afatmesme.

Por, që të ecin reformat nevojitet si domosdoshmëri përmirësimi i qeverisjes duke ndihmuar në luftimin e korrupsionit. Efekti zinxhir janë përshtatjet e politikave të thjeshta, të qarta, jo peng i ndryshimeve të shpeshta duke e bërë më të lehtë hapjen, drejtimin dhe forcimin e bizneseve. Objektivi kryesor është që të ketë një numër shumë të lartë të bizneseve të mesme, pasi ato janë realisht motorri që gjeneron produktivitetin dhe konkurueshmërinë e nevojshme për të zgjeruar tregun jashtë vendit. Nëse nuk zgjerohet segmenti i bizneseve të mesme, atëherë do të kemi po të njëjtën situatë problematike të të bërit biznes, por edhe biznese me dinamizëm të ulët.

Një qasje e re vlen për gjithë proceset aktuale dhe të reja, të cilat duhet të mendojnë që kostoja për mbrojtjen e mjedisit dhe për ti shërbyer vetvetes janë tashmë nevojë që nuk duhet anashkaluar. Pasojat e ndryshimeve të klimës dhe shkatërrimit të mjedisit po i ndjejnë sot shumë biznese dhe qytetarë, por nesër do ti ndjejë edhe turizmi, por sidomos brezi i ri. Ndërkohë, adresimi i pabarazisë në rritje dhe lehtësimi i tranzicionit të gjelbër janë thelbësore për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, politikanët nuk duhet të vetëkënaqen me atë që është arritur, por duhet vullnet i ri në drejtim të vijimësisë dhe konsolidimit të reformave për të nxitur ekonominë prodhuese dhe për të përmirësuar aksesin në kapital.

Kthimi më i lartë nga të gjitha vjen nga investimi në njerëz: veçanërisht arsimimi për të përgatitur të rinjtë për punët e së sotmes dhe të nesërmes.

Për të bërë investimet në sektorët që kanë këtë kthim të lartë të kapitalit të investuar duhet menduar përtej turizmit dhe shërbimeve të ndërlidhura me të. Arritja më e madhe e pritshme nga reformimi i ekonomisë dhe mendësisë së politikanëve është mobilizimi i burimeve vendase që janë ende një potencial i madh.

Ndërsa, fondet që nevojiten për këto investime në fusha dhe aktivitete që përfaqësojnë të ardhmen nuk duhen bazuar te investimi i jashtëm, më shumë se te investimi i brendshëm.

Financimi i jashtëm, natyrisht, ruan ende rol kritik, por gjithsesi krijon ato vonesa dhe varësi në projektet që vijnë, sa barra e kohës bashkë me atë të borxhit është pengesë shumë e madhe për të avancuar me reformimin e ekonomisë me faza.

Një vëmendje e kujdesshme nevojitet për stimujt që do të përdoren për rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë duke orientuar edhe ekonominë me bizneset e reja pikërisht në ato kërkesa që këto grupime kanë kërkesat për punë dhe dinjitet.

Paketa e duhur e reformave e futur në modelin e integruar me të gjithë elementët si më lart mund të rrisë nivelet e prodhimit deri në 10 përqind në katër vjet.

Në këtë drejtim, me aktivizimin dhe përdorimin e kapaciteteve intelektuale vendase në funksion të studimeve dhe nisjes së një diskutimi të madh mbi mënyrat e funksionimit të ndërlidhur me njeri-tjetrin, si dhe krijimit të një koalicioni të madh për transformimin do të arrihen potenciale që munden të transformojnë në pak kohë mendësinë dhe ekonominë bazuar te ndryshimi i mentalitetit aktual.

Pra, krahas dhe bashkë me politikat strukturore për të rritur produktivitetin duhet një plan i dedikuar për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh brenda shoqërisë shqiptare.

[1] https://altax.al/product/ekonomia-e-rajoneve-shqiptare-larg-perspektives-se-zhvillimit-te-qendrueshem/

[2] një proces në të cilin ekonomitë e vendeve/rajoneve të ndryshme bëhen më të ngjashme me njëra-tjetrën. Konvergjenca ekonomike ekziston kur dy ose më shumë ekonomi priren të arrijnë një nivel të ngjashëm zhvillimi dhe pasurie.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: