Rritja ekonomike e tremujorit të parë në 2024 dhe të 10 viteve që kaluan
Performanca ekonomike ndryshon ndjeshëm midis tremujorëve të parë të 10 viteve të fundit (2015 -2024).
Në një shikim krahasues të prodhimit të brendshëm bruto (kolona e fundit), sipas tremujorëve mes njeri – tjetrit shihet viti 2020 tregon rënie të vlerës së shtuar të ekonomisë me -2.24% dhe në 2015 ka një rritje modeste me 1.82%. Të dy këto periudha përbëjnë specifika të zhvillimit të ekonomisë për arsye se në 2020 filloi bllokimi i shumicës së veprimtarive ekonomike, ndërsa në 2015 ekonomia tregonte një çorientim të përgjithshëm për arsye të konsumit të ulët të popullatës dhe qeverisë, investimeve private të ulta si dhe rënies së vlerës së eksporteve neto dhe importeve të mallrave dhe shërbimeve
Por pse disa tremujorë janë më konkurrues se të tjerët?
Krahasimi i rritjes së PBB-së sipas tremujorëve të parë 2016 – 2019 prezanton një kurbë në rritje, ku nga 3.69% rritje ekonomike në tremujorin e parë 2016 vijohet me 4.29% rritje në 2017, 4.06% rritje në 2018 dhe ulje e ritmeve rritëse në 2.14% në 2019, që është pak më lart se në tremujorin e parë 2015.
Pas vitit 2020 me rënie ekonomike me -2.24%, tremujori i parë 2021 shënoi rritje të lartë me 5.33%, krahasuar me periudhat e 6 viteve të mëparshme. Ritmet rritëse vijuan edhe gjatë tremujorit të parë 2022 me 7.22% dhe vetëm një vit më vonë kemi përsëri ulje të ritmeve rritëse me 2.6 herë më poshtë duke regjistruar një rritje me vetëm 2.81%, pak më e lartë se rritja ekonomike e tremujorit të parë 2019.
Ndërkohë, tremujori i parë 2024 regjistron një rritje me një tendencë të lehtë rritëse me 3.63%.
Rritja e PBB-së mund të konsiderohet si rezultat i përbashkët i disa faktorëve. Së pari, performanca e sektorëve/industrive ndikohet ndjeshëm nga faktorët specifikë të vendit, si: politikat zhvillimore dhe cikli i biznesit. Së dyti, varet nga faktorë specifikë, si: tendencat demografike dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe nga aftësia për të rritur produktivitetin, për të ndryshuar specializimin e industrisë për të kapur mundësitë e reja të tregut, për të rritur efikasitetin e tregut lokal të punës dhe për të investuar në aftësi dhe në inovacion.
Në këndvështrimin retrospektiv duket se pak nga faktorët ndikuesë[1] kanë arritur të përmbushen për të nxitur edhe rritjen ekonomike më të lartë.
Secili prej komponentëve mund të shihet si një tregues i përcaktuesve të performancës ekonomike. Produktiviteti mesatar i punës, si një tregues për produktivitetin e prodhimit është në nivele të ulëta[2], specializimi i industrisë/ekonomisë, që bazohet në kontributin e industrive prioritare me vlerë të lartë të shtuar është ende e varur te agro-bujqësia dhe jo te sektorët që vërtet e gjenerojnë mundësinë e rritjes së zgjuar.
Normat e punësimit, që matin efikasitetin e tregut të punës pasqyrojnë një situatë në rritje të pjesëmarrjes së popullsisë në ekonomi, por po me ritme të larta është edhe niveli i informalitetit në punës.
Nëse shikojmë normat e pjesëmarrjes, që përmbledhin karakteristikat e fuqisë punëtore bashkë me normat e aktivitetit të moshës ne shikojmë një situatë të njëjtë dhe me prezantim jo pozitiv për ta konsideruar përballjen me sfidat e ekonomisë, kryesisht nga niveli i ulët i pjesëmarrjes së moshave të reja dhe një diferencim i barazisë gjinore në punë dhe shtimit të pjesëmarrjes së moshës së tretë në tregun e punës, për arsye ekonomike.
Në këtë analizë të shkurtër të faktorëve ndikuesë shikojmë se kontrolli i popullsisë për zhvillime specifike në punë dhe rënia e përgjithshme demografike e kemi në një situatë jo pozitive, e prezantuar nga Censi2023 me plakje të popullsisë me mbi 7 vite krahasuar me 13 vite më parë.
Por, nëse shikojmë faktorë të brendshëm të lidhur me politikat zhvillimore sektoriale (strategjitë), ato janë të përmbushura deri në gjysmën e objektivave të tyre (përfshirë reformat sektoriale). Po ashtu, cikli i bizneseve prodhuese me ndikim në rritjen ekonomike nga sa do paraqitet më poshtë ka arritur në një pikë fundore me pak potenciale për specializime për të rritur konkurueshmërinë nëpërmjet produktivitetit dhe për të dalë në tregje të reja.
Në një kuptim zhvillimor, ekonomia shqiptare duhet të kishte rritje më të lartë nëse konsiderojmë pasuritë natyrore dhe kapitalin e krijuar dhe të mbartur pas viteve ‘90. Pasuritë natyrore si një rezervë që duhet të shfrytëzoheshin vetëm në vizione afatgjata duket se tashmë janë të shteruara në masë të madhe. Ndërkohë, rikrijimi i mjedisit urban dhe rural janë orientuar jo nga tendencat demografike për tu përdorur si asete ekonomike, por nga qasje politike-elektorale, jovizionare dhe të dëmshme.
Në një masë të caktuar, burimet që mund të përdoren dhe ndahen në mënyrë më efikase për të gjeneruar një nivel më të lartë të PBB-së për frymë, si: transporti, infrastruktura e përgjithshme, objektet e orientuara nga turizmi, kushtet e tregut të punës dhe kapitali njerëzor dhe social janë pak të mobilizuara dhe harmonizuara përmes politikave të përshtatshme për qëllime të rritjes dhe shtimit të kapitalit vendas dhe mirëqenies.
Krahasimi mes rritjeve ekonomike tremujore për këtë periudhë nënkupton krahasimin e shkallës së rritjes së ekonomisë shqiptar, e cila duket se për sa kohë ka ritme rritëse kjo është tregues i rishpërndarajes së buxhetit, e shoqëruar edhe me ecuri të mbarë të reformave të ndërmarra dhe një nivel korrupsioni më të ulët. Kjo qasje përkon me periudhën 2016 – 2018.
Në këto vite shihet se bujqësia dhe nënsektorët e saj kanë rritje së bashku me prodhimin dhe aktivitetet profesionale dhe shkencore, ashtu si dhe aktivitetet çlodhëse.
Pas vitit 2020 ritmet rritëse dy vitet pasuese (2021 dhe 2022) më vonë vijnë si inerci e mbushjes së boshllëkut të krijuar në konsumin e popullatës dhe investimeve private të krijuara nga viti 2020 dhe fundi i vitit 2019.
Ritmet më të larta të rritjes me disa herë më shumë se përpara i mban ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe sipas sezonalitetit edhe industria energjetike.
Një rritje e shpejtë e PBB-së për sektorin energjetik, të ndërtimit dhe aktivitetet profesionale në raport me normën e rritjes së vendit vjen për shkak të transaksioneve sezonale apo një ndryshimi në specializim drejt sektorëve me rritje dhe shfrytëzim më të mirë të infrastrukturës, si dhe nivele më të larta aftësish më efikase për aktivitete që lidhen me shërbimet dhe tregtinë, përfshirë edhe një pjesë të agroturizmit dhe prodhimeve të kontraktuara nga tregjet e huaja.
Meqenëse rritja e industrisë nxjerrëse udhëhiqet nga avantazhi krahasues, pjesa e rritjes së produktivitetit që është për shkak të inputeve të papërsëritshme (p.sh. mineralet, nafta) mund të shihet si i atribuar pasurive natyrore dhe jo domosdoshmërisht efekteve të politikave zhvillimore. Në masën që infrastruktura, teknologjia dhe aftësitë janë burime të riprodhueshme, pjesa tjetër e rritjes së produktivitetit mund të konsiderohet si funksion i politikave të qeverive, por që gjithsesi kanë mbetur të kufizuara në efektet gjithpërfshirëse të tyre.
Rritja e e normave të punësimit mund të jetë për shkak të niveleve më të larta të efikasitetit më të madh të tregut të punës, si dhe formalizimit në vite, nisur nga trashëgimnia e mëparshme.
Edhe rritja relative e pjesëmarrjes në aktivitete ekonomike mund të jetë rezultat i rritjeje të normave të pjesëmarrjes në të gjitha grupmoshat, por me një ndryshim për grupmoshat e reja që preferojnë (sezonalisht apo me kohëzgjatje) tregun e huaj të punës në krahasim me tregun vendas.
Duke qenë se individët e rinj priren të kenë përqindje më të ulëta pjesëmarrjeje, diferenca në normat e aktivitetit për shkak të profilit të moshës së popullsisë mund të shihet si rrjedhojë e menaxhimit të dobët të burimeve dhe aseteve të vendit.
Rritja e PBB-së, Tremujori parë 2015 – 2024 (%) | |||||||||||||||
VITI | Tr. | Bujqësia | Industria nxjerrëse, energjia , UK, Mbetjet | Ndërtimi | Tregtia, transporti, hotelet, restorantet | Informacioni / komunikacioni | Financiare / Siguracionet | Pasuritë e paluajtshme | Shkencore, profesionale, administrative | Administrata publike | Arte, argëtim, prodhime familjare | Vlera e shtuar bruto | Taksa neto mbi produktet | Prodhimi brëndshëm bruto | |
Total | Vetëm Prodhimi | ||||||||||||||
2015 | T1 | 1.11 | 5.89 | 0.75 | -6.18 | 1.11 | -0.41 | 14.27 | -3.76 | 15.84 | -0.22 | -2.13 | 1.63 | 3.19 | 1.82 |
2016 | 2.96 | 3.47 | 15.44 | 4.03 | 1.30 | 14.83 | 1.07 | 2.96 | 6.81 | 3.57 | 10.96 | 3.69 | 3.71 | 3.69 | |
2017 | 2.06 | -2.00 | 8.54 | 10.10 | 3.03 | 5.73 | 14.94 | 1.47 | 11.86 | 5.72 | 2.89 | 3.75 | 8.13 | 4.29 | |
2018 | 1.59 | 17.76 | 9.61 | 2.40 | 2.26 | -5.99 | -1.18 | -1.27 | 9.81 | 2.98 | 7.14 | 4.29 | 2.43 | 4.06 | |
2019 | 1.55 | -5.64 | 5.87 | 8.63 | 4.25 | 9.09 | 0.68 | 7.52 | 7.14 | 3.55 | -11.56 | 2.35 | 0.69 | 2.14 | |
2020 | 2.97 | -6.55 | -6.08 | -17.10 | -0.77 | -7.82 | 0.36 | -0.27 | -7.25 | 1.74 | 5.91 | -2.26 | -2.11 | -2.24 | |
2021 | 1.32 | 10.71 | 11.19 | 20.29 | -1.45 | 9.32 | 17.01 | 3.96 | -1.87 | 7.63 | 5.43 | 5.08 | 6.99 | 5.33 | |
2022 | -0.06 | 7.47 | 13.08 | 25.29 | 12.13 | 12.74 | 7.89 | 12.31 | 15.04 | -0.45 | -15.86 | 7.23 | 7.13 | 7.22 | |
2023 | 0.01 | 3.21 | 0.82 | 5.20 | 3.72 | 5.49 | 1.36 | 10.99 | -0.65 | 3.10 | 30.29 | 3.68 | -2.78 | 2.81 | |
2024 | -1.73 | -1.05 | -6.75 | 14.04 | 4.63 | 2.14 | 2.83 | 5.91 | 5.54 | 7.71 | 1.97 | 3.74 | 2.80 | 3.63 | |
https://www.instat.gov.al/media/13612/web_tab1-t1-24-prodhim.xlsx |
Në sqarim të ritmeve ekonomike të tremujorëve të parë, por edhe rritjeve vjetore ekonomike shihet se vlerësimi për një rritje të qëndrueshme për Shqipërinë mund të konsiderohet i paqëndrueshëm, pasi nuk është ruajtur norma e rritjes konsistente përgjatë viteve. Nga ana tjetër rritja ekonomike kryesisht pas vitit 2020 e bazuar te ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ka shkaktuar probleme të tjera ekonomike kryesisht te bujqësia dhe industria përpunuese (pa energjinë dhe industrinë nxjerrëse).
Të dhënat dhe analizat pasqyrojnë fakte se rritja ekonomike është e pabarabartë midis sektorëve të ekonomisë, por edhe midis sektorëve që konsiderohen prioritarë (me kthim të lartë të investimeve) duke mos gjeneruar mirëqenie për të gjithë, por duke ndikuar në shumë raste edhe në dëmtimin dhe ndotjen e mjedisit.
Ndërkohë, një rritje e qëndrueshme ekonomike i referohet aktiviteteve që mbështesin rritjen ekonomike afatgjatë pa ndikuar negativisht në aspektet sociale dhe kulturore të komuniteteve.
Përmbledhtazi, ne mendojmë se nuk konstatohet e shëndetshme për vendin kur një rritje ekonomike afatgjatë varfëron burimet natyrore, kapitale dhe njerëzore dhe ndikimi i saj duhet të shihet në standardet e jetesës dhe mbrojtjen dhe pasurimin e mjedisit ku jetojmë.
[1] Produktiviteti, Specializimi i industrisë, Normat e punësimit, Normat e pjesëmarrjes, Normat e aktivitetit të moshës, Popullsia
[2] https://www.ceicdata.com/en/indicator/albania/labour-productivity-growth
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.