Analizë strategjike e demografisë së bizneseve në Shqipëri 2022-2024
Në vitin 2024, ekonomia shqiptare regjistron 127.634 ndërmarrje aktive, me 15.521 ndërmarrje të reja dhe 975 mbyllje. Edhe pse numri i ndërmarrjeve po rritet gradualisht, ekonomia mbetet e dominuar nga mikro-ndërmarrje (50,9% pa punësuar me pagesë), tregti me vlerë të ulët të shtuar dhe shërbime[1]
Kjo strukturë tregon një ekonomi “të gjerë por të cekët”, me vitalitet në hyrje por me vështirësi në shkallëzim, inovacion dhe krijim punësimi cilësor.
Nga këndvështrimi i ALTAX Observatory, ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga një model i mbështetur te mijëra biznese të vogla tregtare dhe shërbimesh me produktivitet të ulët (“House of Small Shops & Services”), drejt një strukture ku ndërmarrjet krijojnë markë, shkallë, inovacion dhe kapacitet eksportues (“House of Impact Brands”). Kjo do të thotë më pak fragmentim ekonomik dhe më shumë kompani që prodhojnë vlerë të shtuar, punësim cilësor dhe ndikim afatgjatë në ekonomi. ç
Baza e ekonomisë tregon stabilitet numerik
Rritja e numrit të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, nga 120.587 në vitin 2022 në 127.634 në vitin 2024, tregon një zgjerim gradual të bazës sipërmarrëse dhe një gjallërim të aktivitetit ekonomik.
Tabela 1: Evolucioni i ndërmarrjeve sipas statusit (2022–2024)
| Statusi i Ndërmarrjes | 2022 | 2023 | 2024 | Ndryshimi 2023–2024 |
| Ndërmarrje aktive | 120.587 | 125.736 | 127.634 | +1.51% |
| Ndërmarrje të reja | 15.261 | 13.346 | 15.521 | +16.3% |
| Ndërmarrje të mbyllura | 565 | 810 | 975 | +20.4% |
Ky zhvillim mbështetet edhe nga rritja e numrit të ndërmarrjeve të reja, të cilat arritën në 15.521 në vitin 2024, krahasuar me 13.346 në vitin 2023, duke sinjalizuar rikthim të iniciativës private pas ngadalësimit të mëparshëm. Në pamje të parë, këto tregues krijojnë perceptimin e një ekonomie që po fiton densitet dhe dinamizëm në strukturën e saj prodhuese dhe tregtare.

Megjithatë, paralelisht me zgjerimin e bazës, po rritet edhe numri i ndërmarrjeve që mbyllen. Në vitin 2024 u regjistruan 975 mbyllje, krahasuar me 565 në vitin 2022, çka tregon një rritje të dukshme të presionit konkurrues dhe të vështirësive operacionale për mbijetesë në treg. Ky fenomen sugjeron se një pjesë e sipërmarrjeve të reja nuk arrijnë të konsolidohen përtej fazës fillestare, duke reflektuar dobësi në aksesin në financim, kapacitetet menaxheriale, klimën konkurruese ose mbështetjen institucionale.
Në këtë kuptim, baza e ekonomisë shqiptare mbetet pozitive në aspektin e zgjerimit numerik, por ende e brishtë në aspektin e qëndrueshmërisë.
Sfida nuk lidhet më vetëm me nxitjen e regjistrimeve të reja, por me krijimin e një ekosistemi që garanton mbijetesën, rritjen dhe formalizimin afatgjatë të ndërmarrjeve. Rritja e ritmit të hyrje-daljeve nga tregu sinjalizon nevojën për politika më inteligjente mbështetëse, të fokusuara te produktiviteti, qasja në treg, inovacioni dhe ulja e kostove të operimit, në mënyrë që zgjerimi i bazës sipërmarrëse të mos mbetet vetëm statistikë numerike, por të përkthehet në stabilitet ekonomik real.
Struktura sektoriale – Cilat “marka” dominojnë Shtëpinë?
Struktura aktuale e ndërmarrjeve në Shqipëri tregon një ekonomi të dominuar nga aktivitetet tregtare dhe shërbimet me hyrje të lehtë në treg, por me kapacitet relativisht të kufizuar për të gjeneruar produktivitet dhe vlerë të shtuar afatgjatë.

Tregtia përfaqëson 34.8% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2024, duke qenë sektori më i madh në numër, por kontribuon vetëm me 22.3% të punësimit total. Ky disproporcion sinjalizon një model ekonomik të mbështetur mbi marzhe të ulëta fitimi, aktivitet të fragmentuar dhe produktivitet të kufizuar, ku shumica e bizneseve operojnë në funksione shpërndarjeje dhe konsumi dhe pak në krijim vlere.
Në të kundërt, industria përpunuese edhe pse përbën vetëm 6.3% të ndërmarrjeve aktive ka një peshë shumë më të lartë në punësim, me 14.6% të vendeve të punës.
Kjo tregon se sektoret prodhues kanë efekt shumë më të madh multiplikues për ekonominë, pasi krijojnë më shumë punësim, zinxhirë furnizimi dhe potencial eksportues.
Edhe ndërtimi me 9.5% të punësimit, dëshmon se sektorët që kërkojnë kapital, organizim dhe fuqi punëtore të strukturuar gjenerojnë ndikim më të gjerë ekonomik sesa aktivitetet tregtare të fragmentuara.
Ndërkohë, sektori i turizmit dhe ushqimit përfaqëson 14% të ndërmarrjeve aktive dhe mbetet një nga motorët më të dukshëm të sipërmarrjes së re.
Aktivitetet profesionale dhe shkencore zënë 7.6%, duke përfaqësuar një segment me potencial të lartë për transformim cilësor të ekonomisë.
Tabela 2: Struktura e ndërmarrjeve aktive dhe punësimit (2024)
| Aktiviteti Ekonomik (NVE) | % Ndërmarrje Aktive | % Punësimi | Dallimi (Punësim – Ndërmarrje) |
| G – Tregtia me shumicë/pakicë | 34,8% | 22,3% | –12,5 pikë |
| I – Akomodimi & shërbim ushqimor | 14,0% | 8,3% | –5,7 pikë |
| C – Industria përpunuese | 6,3% | 14,6% | +8,3 pikë |
| F – Ndërtimi | 5,9% | 9,5% | +3,6 pikë |
| M – Aktivitete profesionale & teknike | 7,6% | 4,1% | –3,5 pikë |
Megjithatë, ritmi i krijimit të ndërmarrjeve të reja tregon se ekonomia vazhdon të orientohet drejt sektorëve me barriera të ulëta hyrjeje dhe kthim të shpejtë.
Tregtia përbën 28% të bizneseve të reja, turizmi 14.3% dhe shërbimet administrative 8.5%. Kjo sugjeron se sipërmarrja po kanalizohet më shumë drejt aktiviteteve të konsumit dhe ndërmjetësimit sesa drejt inovacionit, teknologjisë apo prodhimit.
Tabela 3: Ndërmarrjet e reja sipas aktivitetit (2024)
| Aktiviteti Ekonomik | % Ndërmarrje të Reja | % Punësim në të Reja |
| G – Tregtia | 28,0% | 22,4% |
| I – Turizëm & Ushqim | 14,3% | 14,8% |
| N – Shërbime administrative | 8,5% | 8,4% |
| F – Ndërtimi | 7,8% | 11,4% |
Në perspektivën e “Ekosistemit të markave me ndikim” (House of Impact Brands), kjo strukturë përfaqëson një portofol ekonomik të mbingarkuar me marka konsumatore dhe tregtare, por të nënzhvilluar në industri prodhuese, teknologji dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar.
Si rezultat, ekonomia shqiptare mbetet e orientuar më shumë drejt konsumit dhe importeve sesa drejt prodhimit dhe eksporteve.

Kjo krijon varësi më të madhe nga kërkesa e brendshme, remitancat dhe flukset e jashtme, duke kufizuar aftësinë për rritje të qëndrueshme dhe konkurrueshmëri rajonale. Për të ndryshuar këtë trajektore, nevojitet një zhvendosje strategjike drejt politikave që favorizojnë prodhimin, inovacionin, teknologjinë dhe ndërtimin e markave me kapacitet eksportues dhe ndikim afatgjatë në ekonomi.
Madhësia dhe qëndrueshmëria
Struktura e ndërmarrjeve në Shqipëri nxjerr në pah një ekonomi me bazë të gjerë numerike, por me kapacitet të kufizuar për të gjeneruar shkallë, qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Në vitin 2024, mbi gjysma e ndërmarrjeve aktive (50,9%) funksionojnë pa asnjë të punësuar me pagesë, ndërsa 37,1% kanë vetëm 1 deri në 4 të punësuar.
Vetëm 6,3% e bizneseve arrijnë të kenë më shumë se 10 të punësuar, duke treguar mungesën e një shtrese të gjerë ndërmarrjesh të mesme dhe të mëdha që mund të shërbejnë si motorë të produktivitetit, inovacionit dhe punësimit të qëndrueshëm.

Situata bëhet edhe më shqetësuese te bizneset e reja, ku 56,9% krijohen pa asnjë të punësuar me pagesë dhe vetëm 1,8% arrijnë menjëherë një strukturë me mbi 10 punonjës.
Kjo tregon se shumica e sipërmarrjeve hyjnë në treg si aktivitete mikro-familjare dhe kanë probabilitet të lartë të mbeten të vogla përgjithmonë.
Në terma ekonomikë, kjo strukturë përfaqëson një ekosistem të mbushur me aktivitete të vogla tregtare, dyqane dhe restorante, por me pak “shtëpi të mëdha” (kompani të konsoliduara), që krijojnë punësim cilësor, investim afatgjatë dhe kapacitete inovative.
Për pasojë, edhe pse numri i ndërmarrjeve rritet vazhdimisht, ndikimi real në punësim dhe produktivitet mbetet relativisht i kufizuar. Dominimi i mikro-bizneseve krijon një ekonomi me elasticitet të ulët ndaj krizave, me kapacitete të dobëta eksporti dhe me bazë fiskale të fragmentuar.
Tabela 4: Struktura sipas madhësisë (2024)
| Madhësia (të punësuar me pagesë) | % Ndërmarrje Aktive | % Ndërmarrje të Reja |
| 0 të punësuar | 50,9% | 56,9% |
| 1–4 të punësuar | 37,1% | 38,2% |
| 5–9 të punësuar | 5,7% | 3,0% |
| 10+ të punësuar | 6,3% | 1,8% |
Sektoret me potencial ndikimi
Megjithatë, brenda kësaj strukture ekzistojnë edhe sektorë me potencial të lartë ndikimi dhe transformimi ekonomik.
Turizmi, ndërtimi dhe shërbimet profesionale po tregojnë rritje natyrale dhe mund të shërbejnë si baza për zgjerim ekonomik më cilësor. Industria përpunuese, edhe pse në rënie relative në numër, mbetet një nga sektorët me efektin më të madh në punësim dhe në krijimin e zinxhirëve të vlerës. Po ashtu, sektorët e bazuar në dije, si teknologjia, shërbimet profesionale dhe energjia e rinovueshme paraqesin potencial të lartë për rritje produktiviteti, eksportesh dhe modernizim ekonomik.
Ekonomia vijon të karakterizohet nga mbizotërimi i tregtisë importuese, që kufizon prodhimin vendas dhe krijimin e vlerës së shtuar. Sfida kryesore për ekonominë shqiptare nuk është më krijimi i bizneseve të reja, por transformimi i tyre në ndërmarrje që rriten, punësojnë dhe eksportojnë. Për këtë arsye, politika ekonomike duhet të transformohet nga logjika e “start-up economy” drejt një modeli “scale-up economy” (shkallë zhvillimi).
Kjo kërkon incentiva fiskale dhe financiare të lidhura drejtpërdrejt me krijimin e vendeve të punës me pagesë, investimet produktive dhe orientimin drejt eksporteve. Një strategji kombëtare për diversifikimin sektorial duhet të favorizojë industrinë përpunuese, agro-përpunimin, teknologjinë, energjinë e gjelbër dhe shërbimet me intensitet dijeje, në mënyrë që ekonomia të largohet gradualisht nga varësia ndaj tregtisë importuese dhe konsumit.
Njëkohësisht, nevojitet krijimi i mekanizmave më fleksibël për mbylljen ose ristrukturimin e bizneseve joefikase, duke lehtësuar rialokimin e kapitalit dhe burimeve njerëzore drejt aktiviteteve më produktive.
Po aq e rëndësishme është edhe zhvillimi i instrumenteve të reja të matjes së ndikimit ekonomik, si një“Business Impact Score”, që të mos fokusohet vetëm te numri i ndërmarrjeve, por te kontributi i tyre real në punësim cilësor, inovacion, eksporte dhe zhvillim rajonal.
Në perspektivën e modelit të“Ekosistemit të markave me ndikim” (House of Impact Brands), vendi ka nevojë të kalojë nga një ekonomi me shumë marka të vogla të fragmentuara drejt një strukture më të integruar dhe bashkëpunuese.
ALTAX Observatory vlerëson se kjo mund të realizohet përmes krijimit të rrjeteve ose grupimeve të bizneseve të vogla nën ombrella të përbashkëta për branding, eksport, marketing dhe inovacion, duke ndjekur modele të ngjashme me “house of brands” ndërkombëtare.
[1] https://www.instat.gov.al/media/fd5dehjy/statistika-mbi-ngjarjet-demografike-të-ndërmarrjeve-2022-2024.pdf .
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.