Korrupsioni po i kushton Shqipërisë deri në €1.1 miliard në vit, zbulon studimi i ri i ALTAX
Një model i ri dinamik vlerëson humbjet ekonomike dhe sociale deri në €1.1 miliard në vit
ALTAX ka publikuar studimin më të ri kërkimor me titull “Kostoja e Korrupsionit në Shqipëri 2025 – Një model i ri dinamik për matjen e humbjeve fiskale, ekonomike dhe sociale”, një analizë e avancuar që mat për herë të parë në mënyrë të integruar ndikimin fiskal, ekonomik dhe social të korrupsionit në Shqipëri.
Studimi arrin në përfundimin se korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025 rreth €852 milion deri në €1.115 miliard, ose 3.1%–4.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas analizës, këto humbje nuk kufizohen vetëm te abuzimet financiare dhe evazioni fiskal, por shtrihen edhe në uljen e rritjes ekonomike, dobësimin e investimeve, rënien e besimit institucional dhe përkeqësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Raporti evidenton se:
- humbjet direkte fiskale arrijnë në €650–810 milion në vit;
- ekonomia humbet çdo vit deri në 1.1 pikë përqindjeje të rritjes reale për shkak të korrupsionit;
- deri në 29% e efektivitetit të shpenzimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore zbehet nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
Studimi paralajmëron se, nëse niveli aktual i korrupsionit mbetet i pandryshuar, Shqipëria mund të humbasë në mënyrë kumulative €2.8–4.8 miliard deri në vitin 2030. Në të kundërt, një ulje me 25–30% e korrupsionit do të mund të sillte deri në €7 miliard shtesë në ekonomi gjatë pesë viteve të ardhshme.
Analiza e re e vendos Shqipërinë ndjeshëm poshtë mesatares së Bashkimit Evropian për perceptimin e korrupsionit dhe nënvizon se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një detyrim politik apo etik, por një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin dhe integrimin europian të vendit.
Raporti propozon një paketë reformash prioritare që përfshin:
- digjitalizimin e plotë të prokurimeve publike;
- forcimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe të ndjekjes penale;
- rritjen e transparencës fiskale;
- reduktimin e evazionit tatimor;
- objektiva konkrete për përmirësimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit deri në vitin 2030.
Sipas autorëve të studimit, korrupsioni funksionon si një “taksë e fshehtë” mbi qytetarët dhe biznesin, duke reduktuar mundësitë për pensione më të larta, arsim dhe shëndetësi më cilësore, si dhe investime më produktive për ekonominë shqiptare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.