Mbrojtja 2027: Rritja e financimit, prova e fizibilitetit dhe sfida e industrisë ushtarake
Rritja e buxhetit të mbrojtjes në Shqipëri është një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës buxhetore afatmesme. Ajo pasqyron ndryshimin e mjedisit të sigurisë në Europë, angazhimet e vendit në NATO dhe synimin për modernizimin e Forcave të Armatosura. Në të njëjtën kohë, shënon një zgjerim të konsiderueshëm të rolit të shtetit në financimin e kapaciteteve ushtarake dhe në krijimin e një industrie vendase të mbrojtjes.
Megjithatë, madhësia e financimit nuk është, në vetvete, provë e cilësisë së politikës së mbrojtjes. Përtej përmbushjes së objektivave të shpenzimeve ndaj NATO-s, mbetet e nevojshme të provohet se burimet publike po përkthehen në kapacitete reale, se projektet janë të argumentuara dhe financiarisht të përballueshme, si dhe se përfitimi strategjik dhe ekonomik justifikon angazhimet shumëvjeçare.
Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme kur përballen dy zhvillime, ku nga njëra anë, rritja e ndjeshme e financimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nga ana tjetër, konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në Raportin mbi Zbatimin e Buxhetit 2025 për mangësi në argumentimin e kërkesave buxhetore të kësaj ministrie gjatë procesit të hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2025–2027.
Për këtë arsye, analiza e ALTAX Observatory nuk e trajton rritjen e buxhetit të mbrojtjes si një zgjedhje që duhet kundërshtuar apo miratuar apriori. Ajo e trajton si një politikë publike që duhet të provojë fizibilitetin, transparencën dhe rezultatet e saj.
Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe faktorët që e shpjegojnë
Përmasat e ndryshimit kuptohen më mirë kur shpenzimet krahasohen me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sipas serisë së vlerësimeve të NATO-s të përdorur në këtë analizë, shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë ishin rreth 1.70% e PBB-së në vitin 2024 dhe 2.01% në vitin 2025. Për vitin 2027, projektbuxheti parashikon një nivel prej 2.6% të PBB-së.
Kjo trajektore tregon një rritje të konsiderueshme të angazhimit financiar të vendit. Por për ta kuptuar atë duhet të dallojmë disa faktorë që veprojnë njëkohësisht.
Faktori i parë lidhet me angazhimet e Shqipërisë në NATO dhe me nevojën për të përshtatur kapacitetet ushtarake me kërkesat e mbrojtjes kolektive. Mjedisi i ri i sigurisë europiane ka rritur rëndësinë e gatishmërisë ushtarake, ndërveprueshmërisë me aleatët, mbrojtjes ajrore, sigurisë detare dhe aftësive për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja. Në këtë kuptim, rritja e financimit ka një bazë strategjike të kuptueshme.
Megjithatë, përmbushja e një objektivi financiar të NATO-s nuk duhet të shndërrohet në justifikim për çdo projekt apo për çdo nivel shpenzimi. Objektivi i shpenzimeve përcakton një angazhim të përgjithshëm, ndërsa qeveria duhet të argumentojë se si ky angazhim përkthehet në kapacitete konkrete dhe të përdorshme për mbrojtjen kombëtare dhe kolektive.
Faktori i dytë është modernizimi i Forcave të Armatosura. Relacioni i projektbuxhetit parashikon investime në armatimin e Forcave Tokësore, mbrojtjen ajrore me rreze të mesme, sistemet kundër dronëve, anijet patrulluese, infrastrukturën ushtarake dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit. Këto janë fusha që mund të përfaqësojnë nevoja reale të modernizimit. Por arsyetimi i tyre duhet të shkojë përtej emërtimit të pajisjeve dhe projekteve. Për secilin investim nevojitet të përcaktohet mangësia operacionale që synon të mbulojë, kapaciteti i ri që krijon, koha kur bëhet funksional dhe kostoja e mirëmbajtjes gjatë gjithë ciklit të përdorimit.
Faktori i tretë është ambicia për të zhvilluar industrinë ushtarake vendase. Krijimi i KAYO-s dhe partneritetet e parashikuara me kompani private shënojnë një orientim të ri të politikës së mbrojtjes: nga mbështetja kryesisht te blerjet nga jashtë drejt krijimit të kapaciteteve të prodhimit, riparimit dhe tregtimit të produkteve ushtarake në vend. Ky orientim mund të sjellë përfitime strategjike dhe ekonomike, por kërkon një analizë të veçantë të investimeve, teknologjisë, pronësisë publike, kontratave, tregut të garantuar dhe kthimit ekonomik.
Faktori i katërt lidhet me rritjen e peshës së investimeve kapitale në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas të dhënave të prezantuara për vitin 2027, rreth 43.6–43.7 miliardë lekë janë parashikuar për investime dhe shpenzime kapitale, një peshë e konsiderueshme në buxhetin e ministrisë. Kjo tregon se zgjerimi financiar nuk lidhet vetëm me shpenzimet e personelit dhe funksionimit, por edhe me një program të madh prokurimesh dhe projektesh shumëvjeçare. Për rrjedhojë, kërkesa për kontroll të fizibilitetit, të kostove dhe të rezultateve bëhet edhe më e rëndësishme.
Konstatimet e KLSH-së për 2025 dhe cilësia e planifikimit buxhetor
Një element që duhet të zërë vend qendror në vlerësimin e rritjes së buxhetit të mbrojtjes është konstatimi i KLSH-së në raportin për zbatimin e Buxhetit 2025.
Nga verifikimi i procesit të dorëzimit, shqyrtimit dhe konsolidimit të kërkesave buxhetore për PBA-në 2025–2027, KLSH evidenton se në dy nga nëntë ministritë e përzgjedhura, konkretisht në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kërkesat shtesë nuk rezultuan të argumentuara plotësisht nëpërmjet analizës së nevojave, lidhjes me objektivat dhe produktet e programeve, si dhe përllogaritjeve financiare përkatëse.
Sipas KLSH-së, kjo ishte në kundërshtim me kërkesat e pikës 8 të Udhëzimit Plotësues nr. 4, datë 28.02.2024, “Për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm 2025–2027”.
Ky konstatim nuk do të thotë se KLSH ka deklaruar të panevojshme shpenzimet e mbrojtjes apo të pavlefshme të gjitha investimet e ministrisë. Përkundrazi, gjetjet e KLSH lidhen me cilësinë e argumentimit dhe dokumentimit të kërkesave shtesë në një proces të caktuar planifikimi. Ky dallim është i rëndësishëm për të mos i dhënë gjetjes një kuptim më të gjerë nga sa mbështet raporti.
Megjithatë, vendosja e këtij konstatimi përballë rritjes së mëtejshme të financimit ngre një çështje serioze të qeverisjes buxhetore lidhur me rritjen financimi jo në të njëjtën masë me cilësinë e planifikimit, transparencën dhe aftësinë e institucioneve për të provuar rezultatet.
Nëse ministria kërkon dhe po merr burime gjithnjë e më të mëdha, atëherë duhet të rritet paralelisht edhe standardi i argumentimit të nevojave. Për investimet ushtarake, kjo kërkesë është veçanërisht e rëndësishme, sepse projektet kanë shpesh vlera të larta, afate të gjata, teknologji të specializuar dhe kosto mirëmbajtjeje që vazhdojnë shumë vite pas blerjes.
Në këtë kuptim, gjetja e KLSH-së është një sinjal për nevojën e forcimit të lidhjes midis kërkesës strategjike, planifikimit financiar, vendimmarrjes për prokurimin dhe rezultateve operacionale.
Samiti i NATO-s dhe rishikimi i argumenteve për vitin 2027
Një zhvillim i ri që duhet marrë në konsideratë është shtyrja e samitit të NATO-s që ishte parashikuar të zhvillohej në Shqipëri në vitin 2027.
Në nëntor 2026 u konfirmua se Samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027 dhe se Shqipëria mund të jetë mikpritëse në vitin 2028. Kjo duhet interpretuar si shtyrje e afatit dhe jo si heqje e Shqipërisë nga roli i vendit pritës.
Ky ndryshim ka rëndësi për analizën buxhetore, veçanërisht nëse një pjesë e shpenzimeve ose investimeve të vitit 2027 është argumentuar, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me nevojën për të qenë në lartësinë buxhetore si e kërkon standarti i Samitit.
Gjithsesi, nëse tashmë ekzistojnë investime të lidhura me infrastrukturën, sigurinë, logjistikën apo organizimin e aktivitetit, ato duhet të identifikohen dhe të rivlerësohen sipas afateve të reja. Nga ana tjetër, investimet që lidhen me kapacitete afatgjata ushtarake nuk e humbasin domosdoshmërisht arsyetimin e tyre për shkak të shtyrjes së samitit.
Prandaj, është e nevojshme të bëhet një ndarje e qartë midis shpenzimeve që i shërbejnë mbrojtjes kombëtare dhe kolektive dhe kostove të organizimit të një aktiviteti diplomatik ndërkombëtar. Shtyrja e samitit nuk përbën arsye për të kërkuar automatikisht uljen e buxhetit të mbrojtjes, por është një arsye shtesë për të rishikuar çdo argument buxhetor që mund të jetë mbështetur në kalendarin e mëparshëm të këtij aktiviteti.
KAYO dhe ambicia për krijimin e industrisë ushtarake vendase
Zhvillimi i KAYO-s përfaqëson një dimension të ri të politikës së mbrojtjes, sepse e zgjeron atë përtej financimit të Forcave të Armatosura dhe e lidh me krijimin e një baze prodhuese në vend.
Ligji nr. 88/2024 i jep shoqërisë shtetërore një objekt të gjerë veprimtarie në prodhimin, riparimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake. Ndërkohë, vendimet e qeverisë për partneritetet me kompani private parashikojnë pjesëmarrje të KAYO-s jo më të ulët se 20% në shoqëritë e përbashkëta.
Për rastin e prodhimit të municioneve, kushtet e negociimit përfshijnë investim privat prej të paktën 60 milionë eurosh në tre vjet, punësim të të paktën 80 personave dhe kontribut të KAYO-s me pasuri të paluajtshme.
Në parim, një industri e tillë mund të sjellë përfitime të rëndësishme për vendin. Ajo mund të krijojë kapacitete prodhuese dhe riparuese, të mundësojë transferim teknologjie, të gjenerojë vende pune dhe të krijojë mundësi për eksporte. Gjithashtu, mund të ulë një pjesë të varësisë nga importet dhe të rrisë sigurinë e furnizimit të Forcave të Armatosura.
Por këto përfitime nuk duhet të konsiderohen të realizuara vetëm sepse janë parashikuar në marrëveshje ose në objektivat e politikës industriale. Ato duhet të provohen përmes rezultateve konkrete.
Çështja e parë është vlera e kontributit publik. Kur KAYO vë në dispozicion toka, ndërtesa, asete ose infrastrukturë, duhet të përcaktohet vlera ekonomike e tyre dhe mënyra se si kjo vlerë reflektohet në kapitalin dhe të drejtat e shtetit në shoqëritë e përbashkëta.
Çështja e dytë lidhet me përzgjedhjen e partnerëve privatë dhe besueshmërisë së tyre. Negociatat dhe marrëveshjet duhet të mbështeten në kritere të verifikueshme, konkurrencë të përshtatshme dhe transparencë mbi detyrimet e secilës palë.
Çështja e tretë është shpërndarja e rrezikut financiar, për të qenë të qartë se kush i financon investimet, kush i mban humbjet, çfarë garancish ofron shteti dhe nëse krijohen detyrime të drejtpërdrejta ose të kushtëzuara për buxhetin publik.
Një element po aq i rëndësishëm është marrëdhënia midis KAYO-s dhe prokurimeve të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse Forcat e Armatosura do të jenë blerësi kryesor ose i garantuar i produkteve të këtyre shoqërive, duhet të përcaktohen mekanizmat për çmimet, cilësinë, konkurrueshmërinë dhe kontrollin e kostove.
Këtu duhet bërë një dallim thelbësor, që investimi privat i premtuar për KAYO-n nuk është investim publik dhe as pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai duhet analizuar veçmas, por edhe në lidhje me mënyrën se si prokurimet publike mund të krijojnë treg për prodhimin vendas.
Rreziku që duhet shmangur është që politika e industrializimit ushtarak të kthehet në një kanal të ri angazhimesh publike pa transparencë të mjaftueshme mbi vlerën e aseteve, kontratat, çmimet dhe përfitimin real të shtetit.
Çfarë tregojnë investimet e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027?
Të dhënat e përpunuara nga ALTAX për investimet e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë një program të konsiderueshëm kapital, me projekte që shtrihen përtej një viti buxhetor.
| Treguesi | Vlerësimi |
|---|---|
| Buxheti total i Mbrojtjes 2027 | 76.284 mld lekë |
| Pesha ndaj PBB-së | 2.6% |
| Investimet kapitale | rreth 43.7 mld lekë |
| Pesha në investimet kapitale të buxhetit | 21.8% |
| Projekte gjithsej | 279 |
| Projekte të financuara në 2027 | 99 |
| Pesha e projekteve në vazhdim në fondet e vitit 2027 | 87% |
| Vlera totale e portofolit të projekteve | 259.2 mld lekë |
| Vlera që mbetet pas vitit 2029 | 35.3 mld lekë |
Vlera totale e portofolit të projekteve dhe angazhimet që mbeten pas vitit 2029 duhen lexuar si tregues të ndryshëm: e para paraqet vlerën e përgjithshme të projekteve, ndërsa e dyta pjesën e financimit që mbetet përtej horizontit të vitit 2029.
Në aspektin e trajektores financiare, financimi i brendshëm rritet nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2026 në 29.2 miliardë në vitin 2027, 36.9 miliardë në vitin 2028 dhe 44.0 miliardë në vitin 2029. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 51% nga viti 2027 në vitin 2029. Financimi i huaj parashikohet në rreth 14.5 miliardë lekë në vit.
Portofoli përfshin projekte të rëndësishme për modernizimin e Forcave të Armatosura. Ndër to veçohen armatimi i lehtë, municioni dhe makineritë për Forcat Tokësore, me vlerë totale 57.9 miliardë lekë që nga viti 2014, nga të cilat 6.7 miliardë parashikohen për vitin 2027; anijet patrulluese luftarake, me vlerë 15 miliardë lekë dhe 5.4 miliardë në vitin 2027; mbrojtja ajrore me rreze të mesme, me vlerë 14 miliardë lekë për periudhën 2027–2031 dhe 4.5 miliardë në vitin 2027; sistemi anti-dron, me vlerë 3 miliardë lekë; si dhe shkolla e aviacionit, me vlerë 4.8 miliardë lekë.
Këto projekte kanë rëndësi strategjike, por vlera e tyre duhet të lidhet me rezultate të përcaktuara. Për shembull, investimi në mbrojtjen ajrore duhet të shoqërohet me tregues për mbulimin e territorit, gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë për të reaguar. Investimet në Forcat Tokësore duhet të tregojnë se çfarë niveli të ri kapaciteti dhe gatishmërie krijojnë. Po kështu, investimet në aviacion dhe në infrastrukturë duhet të kenë afate të qarta për përfundimin dhe vënien në funksion.
Një çështje e veçantë është financimi i huaj. Sipas analizës së ALTAX, 12.5 miliardë lekë në vit paraqiten si kredi për “kapacitete të ofruara në modernizim”, me vlerë kumulative 48.5 miliardë lekë deri në vitin 2029. Ky financim përbën rreth 25.8% të financimit të huaj të vitit 2027, por kreditori nuk identifikohet në mënyrë të mjaftueshme në materialin e analizuar.
Mungesa e identifikimit të kreditorit dhe e kushteve financiare nuk lejon një vlerësim të plotë të kostos së këtij financimi. Për këtë arsye, duhet të bëhen të ditura kreditori, norma e interesit, maturimi, garancitë, kushtet e disbursimit dhe projektet konkrete që financohen.
Nga këndvështrimi i ALTAX, këto të dhëna tregojnë një program investimesh të siguruar dhe në rritje, por jo domosdoshmërisht një program me efektivitet të provuar. Në mungesë të treguesve sasiorë të kapaciteteve të krijuara, vlerësimi i efektivitetit mbetet i kufizuar.
Fizibiliteti fiskal dhe ekonomik i rritjes së financimit
Rritja e buxhetit të mbrojtjes duhet parë edhe në raport me hapësirën fiskale të vendit. Shpenzimet për mbrojtjen konkurrojnë për burime me nevoja të tjera publike, si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, bujqësia dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik. Kjo nuk do të thotë se këto fusha duhet të vendosen në kundërshti me njëra-tjetrën, por se çdo vendim për shpërndarjen e burimeve duhet të mbështetet në një vlerësim të qartë të përfitimit publik.
Në rastin e mbrojtjes, fizibiliteti nuk përfundon me sigurimin e financimit për blerjen e pajisjeve, pasi përfshin edhe kostot e trajnimit, personelit të specializuar, mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit, infrastrukturës mbështetëse dhe zëvendësimit të pajisjeve në të ardhmen.
Një sistem i ri ushtarak mund të ketë një çmim fillestar të konsiderueshëm, por kostoja e tij reale shtrihet përgjatë gjithë ciklit të përdorimit. Nëse këto shpenzime nuk parashikohen që në fazën e projektimit, rritja e investimeve kapitale mund të krijojë presione të reja mbi buxhetet e ardhshme.
Po kështu, financimi me kredi duhet vlerësuar jo vetëm nga shuma që siguron në momentin e blerjes, por edhe nga kostoja e shërbimit të borxhit dhe ndikimi në detyrimet publike afatmesme. Në këtë pikë, transparenca e financimit të huaj dhe e angazhimeve shumëvjeçare është kusht për të vlerësuar qëndrueshmërinë fiskale.
Për industrinë ushtarake vendase, fizibiliteti ekonomik duhet të mbështetet në një analizë të tregut. Duhet të provohet se ekziston kërkesë e qëndrueshme, se produktet mund të prodhohen me kosto konkurruese dhe se partneritetet mund të gjenerojnë vlerë të shtuar përtej kontratave me institucionet publike.
Nëse prodhimi vendas mbështetet vetëm te porositë publike pa konkurrueshmëri, teknologji dhe mundësi eksporti, atëherë përfitimi ekonomik mund të jetë më i kufizuar nga sa premton ambicia industriale.
Gjashtë testet e ALTAX për vlerësimin e politikës së mbrojtjes
Për të vlerësuar në mënyrë të strukturuar cilësinë e rritjes së financimit, ALTAX propozon gjashtë teste që lidhin dimensionin strategjik me atë financiar, institucional, operacional, industrial dhe publik.
| Testi | Pyetja kryesore |
|---|---|
| Strategjik | A mbulon investimi një nevojë reale të mbrojtjes? |
| Financiar | A është e qartë kostoja totale dhe burimi i financimit? |
| Institucional | A është dokumentuar dhe argumentuar kërkesa, sipas gjetjeve të KLSH-së? |
| Operacional | A krijon investimi kapacitet të ri, të përdorshëm dhe të mirëmbajtshëm? |
| Industrial | A gjeneron KAYO prodhim, teknologji, punësim dhe eksporte të verifikueshme? |
| Publik | A ka transparencë dhe kontroll të mjaftueshëm mbi përdorimin e burimeve publike? |
Testi strategjik kërkon që çdo investim të lidhet me një nevojë të identifikuar të mbrojtjes dhe me objektiva të përcaktuara të gatishmërisë. Testi financiar kërkon transparencë mbi koston e plotë, financimin, kushtet e kredive dhe angazhimet e ardhshme. Testi institucional lidhet drejtpërdrejt me konstatimet e KLSH-së dhe kërkon që kërkesat buxhetore të jenë të argumentuara, të dokumentuara dhe të lidhura me produktet e programeve.
Testi operacional shqyrton nëse investimet krijojnë kapacitete realisht të përdorshme dhe nëse janë të shoqëruara me trajnim, mirëmbajtje dhe infrastrukturë mbështetëse. Testi industrial vlerëson nëse zhvillimi i KAYO-s prodhon vlerë të shtuar të matshme për ekonominë. Ndërsa testi publik shqyrton nëse përdorimi i burimeve publike është i kontrollueshëm dhe nëse ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm llogaridhënieje.
Transparenca në këtë sektor nuk duhet ngatërruar me publikimin e informacionit që mund të cenojë sigurinë kombëtare. Ajo nënkupton publikimin e të dhënave financiare, kontraktuale dhe të performancës që nuk përbëjnë informacion sensitiv operacional. Në këtë mënyrë mund të ruhet sekreti i nevojshëm ushtarak, pa e përjashtuar përdorimin e burimeve publike nga kontrolli institucional.
Rritja e buxhetit të mbrojtjes mund të ketë një justifikim strategjik të fortë.
Ndryshimi i mjedisit të sigurisë europiane, angazhimet e Shqipërisë në NATO dhe nevoja për modernizimin e Forcave të Armatosura e bëjnë të kuptueshme rritjen e burimeve të dedikuara për këtë sektor.
Megjithatë, justifikimi strategjik nuk është i barabartë me fizibilitetin e provuar të çdo investimi. Konstatimet e KLSH-së për mangësitë në argumentimin e kërkesave buxhetore, pesha e konsiderueshme e Ministrisë së Mbrojtjes në investimet kapitale, financimi i huaj me kreditor të paidentifikuar në materialin e analizuar dhe angazhimet shumëvjeçare kërkojnë një standard më të lartë transparence dhe llogaridhënieje.
Po kështu, zhvillimi i KAYO-s mund të jetë një mundësi për të krijuar një bazë industriale me rëndësi strategjike dhe ekonomike, por suksesi i tij nuk duhet të matet nga numri i marrëveshjeve apo vlera e investimeve të shpallura. Ai duhet të matet nga prodhimi real, teknologjia, punësimi, eksportet, konkurrueshmëria dhe kthimi ekonomik për shtetin.
Shtyrja e samitit të NATO-s nga viti 2027 nuk e rrëzon arsyetimin strategjik të rritjes së buxhetit, por e bën edhe më të rëndësishme ndarjen e nevojave afatgjata ushtarake nga kostot e organizimit të një aktiviteti ndërkombëtar.
Në fund, çështja nuk është nëse Shqipëria duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen. Në kushtet e sotme, nevoja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse është e kuptueshme. Çështja është nëse çdo rritje e financimit po prodhon siguri më të madhe, kapacitete më të forta, një industri vendase të qëndrueshme dhe vlerë ekonomike të verifikueshme për vendin.
Për ALTAX Observatory, suksesi i Buxhetit të Mbrojtjes 2027 nuk duhet të matet vetëm me përqindjen e PBB-së që i dedikohet sektorit, por me raportin midis burimeve të angazhuara, kapaciteteve të krijuara, transparencës së vendimmarrjes dhe përfitimit të qëndrueshëm për sigurinë kombëtare dhe ekonominë shqiptare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.