SHQIPËRIA NË NDËRTIM – EDICIONI 2

SHQIPËRIA NË NDËRTIM – EDICIONI 2

ALTAX Insight, në bashkëpunim me ALTAX Observatory, publikon Edicionin e dytë të studimit “Shqipëria në Ndërtim”, një analizë e përditësuar e zhvillimeve në tregun e ndërtimit dhe banesave, e cila zgjeron serinë historike të lejeve të ndërtimit 1995–2024 me të dhënat e vitit 2025 dhe gjashtëmujorit të parë 2026.

Ky edicion shkon përtej matjes së aktivitetit të ndërtimit dhe shqyrton lidhjen ndërmjet zhvillimit urban, zbatimit të ligjit, kapaciteteve infrastrukturore, përballueshmërisë së banesave, informalitetit, të ardhurave publike dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

Gjetjet kryesore tregojnë se sfida e tregut shqiptar të ndërtimit nuk është thjesht sa ndërtohet, por ku, me çfarë kushtesh, për kë dhe me çfarë kostoje publike e afatgjatë zhvillohet ndërtimi.

Analiza evidenton dhjetë gjetje kryesore, si më poshtë:

1. Intensiteti urban. Intensiteti ligjor i zhvillimit dhe intensiteti efektiv i stokut janë dy tregues të ndryshëm. Ky i fundit vlerësohet në rreth 31% në nivel kombëtar dhe 42–50% në qarkun e Tiranës. Të dhënat agregate nuk provojnë tejkalim të normave ligjore zonale, çka kërkon auditim të përputhshmërisë përmes hartave dhe të dhënave GIS.

2. Përqendrimi në Tiranë. Rreth 81% e sipërfaqes së banimit të lejuar gjatë viteve 2016–2024 është përqendruar në Tiranë, duke shtuar presionin mbi infrastrukturën, strehimin dhe shërbimet publike.

3. Kapaciteti infrastrukturor. Furnizimi me ujë, kanalizimet dhe infrastruktura mbështetëse përbëjnë një nga pikat më të ekspozuara të zbatimit të kushteve ligjore për zhvillimin e ri.

4. Transparenca e lejeve. Nga viti 2025, INSTAT raporton vetëm lejet e bashkive, duke lënë jashtë një pjesë të rëndësishme të lejeve të KKTU-së. Për këtë arsye, rënia e sipërfaqes së raportuar nga 2.50 milionë m² në vitin 2024 në 1.30 milionë m² në vitin 2025 nuk mund të interpretohet si tkurrje reale e tregut.

5. Cikli i ndërtimit. Dy valët kryesore të zhvillimit, 2002–2011 dhe 2017–2024, përfaqësojnë rreth 82% të sipërfaqes së lejuar gjatë periudhës 1996–2024. Rritja e përmasave mesatare të projekteve shton ekspozimin financiar të zhvilluesve, bankave dhe blerësve.

6. Sinjali fiskal. Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë japin një sinjal që kërkon rakordim me statistikat e lejeve dhe transparencë më të madhe mbi përdorimin e këtyre të ardhurave.

7. Përballueshmëria e banesave. Çmimet mbeten të larta dhe problemi i strehimit lidhet gjithnjë e më shumë me përputhjen midis stokut ekzistues, vendndodhjes, kërkesës dhe mundësive ekonomike të familjeve. Rreth 32.9% e banesave të regjistruara në Censusin 2023 rezultojnë të pabanuara.

8. Informaliteti, mbetet shkelja më e gjerë e dokumentuar. Në qershor 2026 rezultonin ende rreth 130 mijë deklarata në pritje për trajtim, ndërsa ritmi aktual i legalizimeve është vetëm 67% e ritmit të nevojshëm për përfundimin e procesit deri në vitin 2028.

9. Bregdeti dhe turizmi. Presioni është kryesisht lokal dhe lidhet me përqendrimin e zhvillimit dhe transparencën e vendimmarrjes, jo me mungesën e kapaciteteve akomoduese në nivel kombëtar.

10. Mjedisi dhe energjia. Pjesa më e madhe e barrës mjedisore të ndërtimit lidhet me materialet dhe fazën e ndërtimit, duke e bërë të domosdoshëm vlerësimin e ndikimit përgjatë gjithë ciklit të jetës së ndërtesave.

Një kontribut i rëndësishëm i këtij edicioni është dallimi i qartë ndërmjet shkeljeve të dokumentuara, rreziqeve të mundshme të shkeljes dhe boshllëqeve në raportim apo zbatim institucional. Ky dallim shmang përgjithësimet dhe e lidh çdo problem me bazën ligjore, nivelin e evidencës dhe instrumentin përkatës të ndërhyrjes.

Studimi propozon një paketë masash prioritare për 36 muaj, me kosto të vlerësuar 105–185 milionë euro për paketën e plotë P1+P2, që përfshin nëntë masa. Ndër pesë masat kryesore të përmbledhura në raport janë:

  1. Unifikimi dhe publikimi i raportimit kombëtar të lejeve të ndërtimit.
  2. Auditimi GIS i intensitetit dhe përputhshmërisë së zhvillimeve me planet vendore.
  3. Zbatimi real i kushtit të kapacitetit të infrastrukturës përpara miratimit të lejeve.
  4. Veçimi dhe orientimi i të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë drejt investimeve përkatëse.
  5. Përshpejtimi dhe përfundimi i procesit të trajtimit të ndërtimeve informale dhe legalizimeve.

Kostoja e pesë masave të përmbledhura në Seksionin 1 është 89.5–149.3 milionë euro, ndërsa rakordimi me paketën e plotë jepet në Seksionin 13.3 të studimit.

“Shqipëria në Ndërtim – Edicioni 2” synon të kontribuojë në një debat publik më të informuar, ku ndërtimi të vlerësohet jo vetëm si burim investimesh dhe rritjeje ekonomike, por edhe përmes cilësisë së zhvillimit urban, përballueshmërisë së strehimit, respektimit të ligjit, kapaciteteve infrastrukturore dhe kostove që i lë ekonomisë e shoqërisë.

Studimi është pjesë e qasjes së integruar të ALTAX për kërkim, evidencë, monitorim dhe interpretim, me synimin për ta kthyer informacionin ekonomik dhe institucional në kuptim publik dhe në alternativa konkrete politikash.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.