ALTAX Observatory prezanton Analizën e Pavarur të Parafizibilitetit për Planin Sektorial të Turizmit 2026
Qendra e Kërkimeve Fiskale dhe Ekonomike ALTAX ka publikuar Policy Brief-in e ri të titulluar “Plani Sektorial për Turizmin 2026 – Zbatueshmëria Reale dhe Reforma DAC7”. Ky raport i pavarur analizon në detaje mundësinë reale të zbatimit të Planit Sektorial të Administratës Tatimore për Turizmin gjatë vitit 2026.
Sipas vlerësimit të ALTAX, Indeksi i Parafizibilitetit Real të planit mbetet i pandryshuar në 68/100, pra në nivel mesatar, njësoj si vitin e kaluar.
Edhe pse cilësia konceptuale dhe cilësia e dokumentit të planit është përmirësuar ndjeshëm duke arritur 82/100, kjo nuk është shoqëruar me rritje të kapacitetit real të zbatimit në terren. Hendeku fiskal i parashikuar për vitin 2026 arrin 45 deri në 65 milionë euro, ku pjesa më e madhe, rreth 55-60 për qind vjen nga short-term rentals që operojnë përmes platformave si Airbnb dhe Booking.com.
Aktualisht, 65 deri në 75 për qind e stokut kombëtar të akomodimeve short-term rentals vazhdon të operojë jashtë sistemit formal tatimor.
Raporti nënvizon se Plani 2026 paraqet disa avancime të rëndësishme, sidomos në drejtim të integrimit të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale si mjet monitorimi fiskal. Megjithatë, ALTAX shpreh shqetësim serioz sepse përdorimi i AI-së po propozohet pa një kuadër ligjor, etik dhe procedural të qartë. Kjo gjë mund të krijojë rreziqe institucionale, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR) dhe të drejtat e tatimpaguesve.
Analiza identifikon tri sfida strukturore kryesore që po pengojnë suksesin e planit: (a) kapacitetet institucionale të dobëta sidomos në bregdet gjatë sezonit turistik, (b) informaliteti kompleks dhe rezistenca e lartë e operatorëve të short-term rentals, si dhe (c) mungesa e integrimit të detyrueshëm me platformat dixhitale ndërkombëtare.
Për të përmirësuar situatën, ALTAX propozon një sërë masash konkrete me prioritet të qartë.
Rekomandimi më i rëndësishëm është transpozimi i menjëhershëm i Fazës I të Direktivës DAC7, që do të detyrojë platformat dixhitale të raportojnë automatikisht të dhënat. Ky hap mundëson që masat e tjera si krijimi i një Task Force Kombëtare Bregdetare, pilotët dixhitalë në Vlorë-Durrës-Sarandë, regjistri kombëtar i STR, paketa e incentivave, amnistia fiskale vullnetare dhe rekrutimi i inspektorëve sezonalë të mos kenë efekt të kufizuar.
Në skenarin pa zbatim të DAC7, mbyllja e hendekut fiskal pritet të jetë vetëm 25-35 për qind. Ndërsa me transpozimin e DAC7, mbyllja e hendekut mund të arrijë 40-55 për qind, duke sjellë të ardhura shtesë prej 18 deri në 30 milionë euro.
Një shqetësim i ri që ALTAX nxjerr në pah është rreziku i përdorimit të Inteligjencës Artificiale pa rregulla të qarta. Pa bazë ligjore solide, mbikëqyrje njerëzore dhe auditim algoritmik, ekziston mundësia e krijimit të “black box taxation”, false positives dhe dëmtimit të besimit të biznesit ndaj administratës tatimore.
Mesazhi thelbësor i ALTAX Observatory është, se “Suksesi i Planit Sektorial të Turizmit 2026 nuk varet nga numri i kontrolleve në terren, por nga kalimi i shpejtë nga një sistem manual në një sistem automatik dixhital. Direktiva DAC7 duhet të bëhet shtylla qendrore e planit, jo një masë plotësuese.”
Shkarkoni falas Këtu
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.