Çfarë fshihet pas performancës fiskale të qeverisë dhe gjetjeve të KLSH-së për vitin 2025?

Çfarë fshihet pas performancës fiskale të qeverisë dhe gjetjeve të KLSH-së për vitin 2025?

Stabiliteti fiskal mbështetet te më shumë kolona se borxhi publik dhe deficiti. Kolonat më të qëndrueshme janë mënyra se si mblidhen të ardhurat, si planifikohen investimet, si kryhen pagesat dhe sa përgjegjësi mbajnë institucionet për përdorimin e parave publike.

Viti 2025 sipas statistikave rezulton me tregues që mund të interpretohen si shenjë e një pozicioni makroekonomik relativisht të qëndrueshëm. Borxhi publik, zbriti në 52.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe treguesit e transparencës buxhetore paraqesin një përmirësim krahasues me disa vende të rajonit. Këtë situatë e konfirmon edhe FMN me misionet e veta monitoruese.

Por këto numra tregojnë vetëm një pjesë të historisë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e Buxhetit të vitit 2025, i shqyrtuar në këndvështrimin e analizës ALTAX, e zhvendos vëmendjen nga madhësia e balancave fiskale te cilësia e administrimit të tyre. Problemi që del në pah nuk është mungesa e burimeve, por mënyra se si ato planifikohen, angazhohen, paguhen dhe kontrollohen, pra detyrat e përditshme të institucioneve publike.

KLSH dokumenton mangësi në hallka të ndryshme të ciklit buxhetor. ALTAX, përmes interpretimit ekonomik dhe fiskal, ngre pyetjen se çfarë mekanizmash i prodhojnë dhe i përsërisin këto probleme.
Gjetja e auditimit është provë institucionale, por shpjegimi i shkaqeve është analizë që duhet të verifikohet më tej.

Raporti i KLSH-së paraqet të ardhura faktike prej 754.6 miliardë lekësh, kundrejt planit të rishikuar prej 770.1 miliardë lekësh, ndërsa shpenzimet arritën në 801.7 miliardë lekë, kundrejt planit të rishikuar prej 831.8 miliardë lekësh. Deficiti faktik rezultoi 47.1 miliardë lekë, më i ulët se plani i rishikuar prej 61.6 miliardë lekësh, por më i lartë se deficiti i vitit 2024. Këto shifra tregojnë se një deficit më i ulët se parashikimi nuk do të thotë automatikisht se buxheti është zbatuar me efikasitet.

Një nga sinjalet më shqetësuese të raportit është rritja e borxhit tatimor dhe doganor, e shoqëruar me vjetërimin e tij dhe dobësi në ndjekjen e debitorëve.

Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor arriti në 194.43 miliardë lekë, me rritje 19.6% kundrejt vitit të mëparshëm. Borxhi doganor arriti në 61.83 miliardë lekë, duke u rritur me 25.9%. Në total, detyrimet e papaguara ndaj administratës tatimore dhe doganore arritën në 256.27 miliardë lekë, ose 44.61 miliardë lekë më shumë brenda një viti.

Përmasat e problemit bëhen edhe më të dukshme kur shikohet mosha e detyrimeve. Rreth 60% e borxhit tatimor dhe 77% e borxhit doganor rezultojnë më të vjetra se pesë vjet. Kjo nuk është thjesht një çështje kontabiliteti. Borxhi që mbetet i paarkëtuar për shumë vite humbet gradualisht mundësinë e rikuperimit, ndërsa në të njëjtën kohë dobëson besimin e tatimpaguesve që i paguajnë detyrimet në kohë.

KLSH evidenton ndjekje të pamjaftueshme të debitorëve, vonesa në zbatimin e masave shtrënguese dhe 793 kontrolle tatimore të papërfunduara në fund të vitit 2025. Këto gjetje tregojnë se administrimi i borxhit nuk po funksionon me ritmin dhe efektivitetin që kërkon një sistem fiskal modern.

Një pjesë e konsiderueshme e stokut lidhet me subjekte pasive. Kjo mund të shpjegohet nga falimentimi, mbyllja e aktivitetit ose pamundësia reale e pagesës. Por statusi pasiv nuk mund të përdoret si shpjegim i plotë për problemin. Nëse një biznes kalon në pasivitet pasi detyrimet janë grumbulluar për vite pa ndjekje efektive, atëherë vetë administrimi i dobët mund të ketë kontribuar në krijimin e borxhit të pakthyeshëm.

Në këtë pikë, analiza ALTAX analizon faktin nëse po trajtohet borxhi tatimor si një detyrim që duhet mbledhur, apo si një stok që periodikisht pastrohet përmes faljeve.

Pas shfuqizimit të gjobave administrative për periudhën 2015–nëntor 2024 me ligjin nr. 127/2024, mekanizmi i faljes u vijua me ligjin nr. 86/2025. Sipas të dhënave të paraqitura në materialin e ALTAX, deri më fund të 10-mujorit 2026 janë fshirë rreth 453 milionë euro detyrime për 220.4 mijë përfitues.

Kjo shumë është e konsiderueshme, por duhet interpretuar saktë, që fshirja e detyrimeve nuk është e barabartë me arkëtimin e të ardhurave. Një pjesë e borxhit mund të ketë qenë e pamundur për t’u mbledhur, por një pjesë tjetër mund të jetë fshirë pa pagesë, duke krijuar një kosto fiskale dhe institucionale.

Për ekonominë, problemi është jo shuma e falur, por mesazhi që i jepet tatimpaguesit, ku pagesa në kohë perceptohet si një sjellje më pak e favorshme sesa pritja e një skeme të ardhshme lehtësimi.

Ky është dhe risku i madh për disiplinën fiskale, pa hyrë ende te efektet që për ti vërtetuar, duhet që Ministria e Financave të krahasojë sjelljen e përfituesve të faljes me atë të tatimpaguesve të tjerë në vitet pas saj.

Nëse borxhi tatimor tregon dobësi në mbledhjen e të ardhurave, investimet publike tregojnë dobësi në planifikimin dhe përdorimin e tyre.

Raporti i KLSH-së evidenton 28,412 ndryshime në zërat buxhetorë, të cilat lidhen me 3,106 rishikime unike gjatë vitit 2025. Rreth 17% e rishikimeve janë kryer në dhjetor. Po ashtu, ka pasur ndryshime të planit buxhetor edhe pas përfundimit të vitit, deri në shkurt 2026.

Këto të dhëna ngrenë problemin e rëndësishëm të qeverisjes fiskale, se sa i besueshëm është buxheti që ndryshon në mënyrë të përsëritur gjatë vitit dhe I cili rishikohet edhe pasi periudha buxhetore ka përfunduar.

Buxheti nuk është vetëm një tabelë financiare, por instrumenti përmes të cilit institucionet duhet të planifikojnë shërbimet, investimet dhe detyrimet e tyre. Kur fondet rishpërndahen me vonesë, projektet përfshihen gjatë vitit pa qenë pjesë e planifikimit afatmesëm, ose çelen fonde pa u lidhur me projekte konkrete, rrezikohet të humbasë lidhja ndërmjet planifikimit dhe rezultatit real.

KLSH evidenton, ndër të tjera:

  • 32 kontrata në vazhdim nga vitet e mëparshme pa fonde të çelura në buxhetin fillestar 2025;
  • 17 projekte me vlerë kontratash 2.445 miliardë lekë, të përfshira gjatë vitit pa qenë pjesë e PBA-së;
  • 5.256 miliardë lekë fonde investimi të çelura pa u detajuar në projekte konkrete;
  • 188 projekte me 3.588 miliardë lekë fonde të planifikuara, por pa realizim në fund të vitit.

Këto gjetje tregojnë se problemi nuk është vetëm vonesa e një procedure apo e një kontrate. Më së shumti vërehet mungesa e një lidhjeje të qëndrueshme mes planit, financimit, zbatimit dhe vlerës së krijuar për qytetarët.

Në dhjetor 2025, shpenzimet e buxhetit arritën në 162.54 miliardë lekë, rreth 20.3% të shpenzimeve vjetore. Gjatë këtij muaji u paguan edhe 14.96 miliardë lekë fatura investimesh të lëshuara gjatë periudhës janar–nëntor, si dhe 8.9 miliardë lekë fatura operative të periudhës së mëparshme.

Kjo do të thotë se një pjesë e vrullit të dhjetorit lidhet me shlyerjen e faturave të mëparshme. Por ky shpjegim nuk e mbyll çështjen.

Kur një pjesë e madhe e pagesave kryhet në muajin e fundit, lind nevoja për të dalluar tri situata:

  1. Pagesa të vonuara për punime të realizuara dhe të pranuara më herët.
  2. Pagesa për projekte që janë përshpejtuar në fund të vitit për shkak të planifikimit të dobët.
  3. Pagesa që lidhen me angazhime, dokumentacion apo procese prokurimi të kryera në mënyrë të parregullt.

KLSH ka evidentuar raste ku procedurat e prokurimit janë nisur për vlera më të larta se fondet në dispozicion, si dhe vonesa në regjistrimin e kontratave dhe faturave. Në 40 raste, me vlerë faturash 3.26 miliardë lekë, nuk është respektuar radha kronologjike e pagesave.

Raporti evidenton gjithashtu kontrata të lidhura pas afatit ligjor të 15 tetorit 2025, me vlerë 25.24 miliardë lekë. Këto shifra nuk provojnë vetvetiu korrupsion, por përbëjnë sinjale të rëndësishme për riskun e integritetit, konkurrencën dhe cilësinë e kontrollit të shpenzimeve.

Buxheti e bën vit pas viti përqendrimin e pagesave në fund të vitit. Nga ana kontabël konsiderohet objektiv i përmbushur, por faktikisht nuk garantohet cilësia e investimit, kostoja më e mirë për publikun dhe transparenca e procesit.

Një tjetër dimension i performancës fiskale lidhet me ekspozimin e buxhetit ndaj ndërmarrjeve publike dhe përfituesve të garancive shtetërore.

Në aspektin formal, garancia shtetërore nuk është shpenzim i drejtpërdrejtë buxhetor, por detyrim potencial, ku nëse përfituesi nuk paguan, shteti mund të detyrohet të ndërhyjë.

Në fakt, kjo është arsyeja pse rritja e detyrimeve të përfituesve të garancive, shtimi i nënhuave dhe dhënia e garancive të reja në kushtet e vështirësive financiare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm.

KLSH evidenton rritje të detyrimeve të përfituesve të garancive shtetërore, si dhe shtim të nënhuasë për KESH-in me 3.3 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, OSHEE ka përfituar garanci të re shtetërore, ndërkohë që për sektorin energjetik raportohen detyrime të pashlyera dhe humbje në shpërndarje prej 16.9%.

Këto të dhëna duan llogaridhënies nëse po përdoren garancitë shtetërore për të financuar një tranzicion të qëndrueshëm financiar, apo po shërbejnë për të shtyrë problemet e ndërmarrjeve publike drejt buxheteve të ardhshme.

Nëse ndërmarrjet publike marrin garanci të reja pa një plan të besueshëm për uljen e humbjeve, përmirësimin e arkëtimeve dhe shlyerjen e detyrimeve, atëherë garancia ka mbuluar dhe shtyrë në kohë problemin strukturor. Ajo vetëm e zhvendos riskun nga bilanci i ndërmarrjes te bilanci potencial i shtetit.

Për këtë arsye, vlerësimi i garancive duhet të shkojë përtej shumës së miratuar. Ai duhet të përfshijë aftësinë paguese të përfituesit, ecurinë e detyrimeve, kushtet e kontratës dhe mundësinë reale të rikuperimit të fondeve publike.

Një nga gjetjet që meriton vëmendje të veçantë është gjendja e sistemeve informatike financiare.

KLSH raporton se sistemi i menaxhimit financiar ka funksionuar pa mbështetje teknike që prej korrikut 2024, ndërsa SIFQ ka mbetur pa mirëmbajtje dhe mbështetje funksionale të jashtme pas përfundimit të kontratës në tetor 2025. Në këto kushte, një pjesë e ekzekutimit të buxhetit ka vijuar përmes dorëzimit fizik të dokumentacionit pranë degëve të Thesarit.

Sistemet financiare, si pjesë e kontrollit të brendshëm të shtetit duhet të garantojnë që çdo angazhim, kontratë, faturë dhe pagesë të regjistrohet në kohë, të jetë e gjurmueshme dhe të mund të kontrollohet. Mirëpo, kur proceset elektronike dobësohen dhe dokumentacioni kalon në mënyrë fizike, atëherë rritet risku i vonesave, i mospërputhjeve dhe i humbjes së kontrollit të plotë mbi ciklin e shpenzimeve.

Raporti evidenton se 748 njësi shpenzuese kanë dorëzuar jashtë afatit ligjor 25,793 fatura, me vlerë 64.24 miliardë lekë. Po ashtu, 5,868 kontrata, me vlerë 119.55 miliardë lekë, janë regjistruar përtej afatit pesëditor.

Këto të dhëna tregojnë se administrimi financiar nuk mund të vlerësohet vetëm nga fakti nëse pagesa është kryer. Duhet të vlerësohet edhe nëse ajo është kryer në kohë, me dokumentacion të plotë, sipas radhës dhe brenda kufijve të miratuar.

Çfarë na thotë raporti për efektivitetin e qeverisjes fiskale?

Nëse gjetjet e KLSH-së lexohen së bashku, krijohet një tablo më e gjerë se sa ajo e shkeljeve të veçanta.

Në anën e të ardhurave, borxhi tatimor dhe doganor rritet dhe vjetrohet.
Në anën e shpenzimeve, investimet planifikohen dhe rishikohen me vonesa, ndërsa pagesat përqendrohen në fund të vitit.
Në anën e detyrimeve potenciale, ndërmarrjet publike vazhdojnë të ekspozojnë buxhetin ndaj risqeve financiare.
Në anën e kontrollit, sistemet dhe procedurat nuk garantojnë gjithmonë administrim në kohë dhe gjurmueshmëri të plotë.

Këto probleme nuk janë të gjitha të njëjta dhe nuk kanë të njëjtin shkak. Por ato bashkohen në një pikë që lidhet tek efektiviteti i administrimit fiskal, i cili nuk matet vetëm me realizimin e të ardhurave apo me nivelin e deficitit, por me aftësinë e institucioneve për të parandaluar humbjet, për të respektuar rregullat dhe për të prodhuar vlerë publike.

KLSH ka evidentuar 171.9 milionë lekë dëm ekonomik dhe 12.3 miliardë lekë efekte financiare negative. Këto kategori duhen mbajtur të ndara, sepse nuk përfaqësojnë të njëjtin lloj humbjeje apo të njëjtën mënyrë ndikimi në buxhet. Raporti ka dhënë gjithashtu një konkluzion të kualifikuar për përputhshmërinë e zbatimit të Buxhetit 2025 me kërkesat ligjore.

Ky konkluzion është më domethënës sesa një listë e gjatë parregullsish. Ai tregon se problematikat janë të shpërndara në procesin e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit.

Nga gjetjet te përgjegjësia dhe pesë teste që duhet të kryhen

Për të kaluar nga evidentimi i problematikave te shpjegimi i plotë i shkaqeve dhe pasojave, nevojiten auditime të thelluara dhe të orientuara drejt rezultateve.

1. Testi i rikuperueshmërisë së borxhit tatimor. Vlen që të analizohet një kampion prej rreth 300 dosjesh debitorësh, së bashku me 100 debitorët më të mëdhenj, për të përcaktuar:

  • sa nga borxhi është realisht i arkëtueshëm;
  • sa është arkëtuar gjatë pesë viteve të fundit;
  • sa detyrime janë krijuar përpara kalimit në status pasiv;
  • sa ka kushtuar ndjekja administrative dhe ligjore e borxhit.

Rezultati duhet të jetë një ndarje e qartë mes borxhit të rikuperueshëm, borxhit të vështirë për t’u mbledhur dhe borxhit praktikisht të pakthyeshëm.

2. Testi i kontratave të fundvitit. Në lidhje me këtë duhet të verifikohen rreth 120 kontrata: 60 me vlerë të lartë dhe 60 të përzgjedhura rastësisht nga projektet e mbyllura në dhjetor.

Kontrolli duhet të krahasojë datën e kërkesës, fondin e disponueshëm, preventivin, numrin e ofertuesve, aktet e pranimit, faturat dhe pagesat.

Qëllimi nuk është të supozohet se çdo kontratë e dhjetorit është e parregullt, por të identifikohen rastet kur përshpejtimi i procedurave ka cenuar konkurrencën, dokumentimin ose cilësinë e punimeve.

3. Testi i kalendarit mujor të pagesave. Po kështu duhet të analizohet i gjithë buxheti qendror i vitit 2025 përmes të dhënave të SIFQ-së, duke ndarë:

  • faturat e lëshuara dhe të paguara brenda muajit;
  • faturat e periudhës janar–nëntor të paguara në dhjetor;
  • faturat e mbartura nga vitet e mëparshme;
  • pagesat për kontrata të reja të realizuara në fund të vitit.

Ky test do të tregojë se sa nga përqendrimi i dhjetorit është rezultat i detyrimeve të prapambetura dhe sa lidhet me planifikimin e dobët apo përshpejtimin e shpenzimeve.

4. Testi i garancive dhe nënhuave. L:idhur me këtë duhet të vlerësohet aftësia paguese e të gjithë përfituesve të garancive dhe nënhuave, duke përfshirë KESH-in, OSHEE-në dhe ndërmarrjet e tjera publike.

Për çdo përfitues duhet të publikohet një raport që përmban detyrimet, humbjet, arkëtimet, garancitë aktive, pagesat e kryera nga shteti dhe planin e rikuperimit.

5. Testi i sjelljes pas faljes fiskale. Ky test i forte kërkon detyrimish të krahasohet sjellja e përfituesve të faljes me atë të tatimpaguesve jo-përfitues gjatë 12 dhe 24 muajve pas faljes.

Treguesit kryesorë duhet të jenë:

  • krijimi i borxhit të ri;
  • pagesa e detyrimeve aktuale në afat;
  • ndryshimi i statusit të aktivitetit;
  • rikthimi në pasivitet;
  • raporti mes detyrimeve të reja dhe pagesave të kryera.

Ky test do të ndihmonte në vlerësimin nëse faljet fiskale kanë qenë një instrument i dobishëm për formalizimin dhe rikuperimin e aktivitetit, apo kanë krijuar risk për dobësimin e disiplinës së pagesës.

Raporti i KLSH-së për zbatimin e Buxhetit 2025, i interpretuar përmes qasjes ALTAX, sjell një mesazh që shkon përtej treguesve makroekonomikë.

Shqipëria mund të ketë një nivel borxhi publik më të favorshëm, të mbajë deficitin brenda objektivave dhe të përmirësojë disa tregues të transparencës. Por këto arritje nuk e përjashtojnë nevojën për të adresuar dobësitë në administrimin e të ardhurave, planifikimin e investimeve, ekzekutimin e pagesave dhe kontrollin e detyrimeve potenciale.

Prandaj, vlerësimi i performancës fiskale të qeverisë nuk e kalon provimin vetëm sa të ardhura mblidhen dhe sa deficit u realizua. Provimi i administrimit fiskal konsiderohet i kaluar bindshëm kur krijohet vlerë publike e qartë për çdo lek të mbledhur dhe të shpenzuar? Nëse kjo ndodh, qeveria ka të drejtë të mburret dhe të shpallë buxhetet që miraton pa transparencë si suksese makroekonomik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.