Falja fiskale 2026 dhe borxhi që nuk mblidhet
Problemi nuk është vetëm borxhi i vjetër, por mënyra si krijohet dhe administrohet ai
Falja fiskale e vitit 2026 u paraqit si një mundësi për të pastruar bilancet e administratës tatimore dhe doganore, për të lehtësuar subjektet me detyrime të akumuluara dhe për të nxitur pagesën e një pjese të borxhit të mbetur. Kjo ndërhyrje mund të duket si një zgjidhje pragmatike për një problem të trashëguar.
Por raporti i ALTAX Observatory, “Paratë e qytetarëve sipas KLSH – Zbatimi i Buxhetit 2025”, evidenton një problem më të thellë, që nuk mund të zgjidhet vetëm me fshirjen e detyrimeve të vjetra dhe lidhet me dobësinë e vazhdueshme të administrimit të të ardhurave publike dhe moszbatimin në kohë të procedurave ligjore për mbledhjen e tyre.
Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor dhe doganor arriti në rreth 256.3 miliardë lekë. Kjo shumë është tregues i një marrëdhënieje të çrregulluar ndërmjet detyrimit ligjor të tatimpaguesit, përgjegjësisë së administratës për ta mbledhur atë dhe aftësisë së shtetit për të garantuar zbatimin e njëjtë të ligjit.
Në këtë kuptim, shprehim shqetësimin publik se pse një pjesë kaq e madhe e detyrimeve publike ka mbetur e pambledhur për vite dhe pse procedurat ligjore nuk kanë prodhuar rezultat në kohën kur ato kishin ende mundësi reale arkëtimi.
FMN rikthen vëmendjen te cilësia e politikës fiskale dhe përgjegjësia institucionale
Deklarata përmbyllëse e misionit të FMN-së për Shqipërinë, e datës 20 nëntor 2026, jep një sinjal të rëndësishëm për drejtimin e politikës fiskale.
FMN vlerëson nevojën për mobilizim të qëndrueshëm të të ardhurave, forcim të përmbushjes tatimore dhe përmirësim të kapaciteteve administrative për të luftuar informalitetin. Në lidhje me nismën e Paqes Fiskale, ajo kërkon që ndikimi i saj të monitorohet nga afër, në mënyrë që të mos dobësohet efektiviteti i kuadrit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Duhet bërë një dallim i rëndësishëm, sepse FMN nuk e shpall shprehimisht të papërshtatshëm ligjin nr. 86/2025 për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore. Megjithatë, paralajmërimi i saj për Paqen Fiskale, së bashku me kërkesën për forcimin e përmbushjes tatimore, e vendos këtë politikë përballëfaktit se sa po e ndihmon ajo formalizimin dhe disiplinën fiskale, si dhe sa po krijon rreziqe për besueshmërinë e sistemit.
Ky shqetësim nuk është i ri. Në vlerësimin e saj të mëparshëm për Shqipërinë, FMN kishte paralajmëruar se marrëveshjet e gjera të faljes dhe lehtësimit fiskal mund të dobësojnë përmbushjen tatimore, të cenojnë barazinë e sistemit dhe të krijojnë shqetësime për transparencën e origjinës së pasurive dhe fondeve.
Në këtë kontekst, FMN rekomandon që trajtimi i borxhit të paarkëtueshëm të mbështetet në rregulla të përhershme, transparente dhe të parashikueshme, në vend që të varet nga ndërhyrje të jashtëzakonshme periodike.
Politika fiskale në vend të përfitimeve afatshkurtra në bilancet e administrates e ka më të rëndësishme të mos krijojë kosto afatgjata në sjelljen e tatimpaguesve.
Borxhi tatimor dhe doganor ishte 256.3 miliardë lekë në fund të 2025 dhe tregon një problem strukturor shqetësues.
Të dhënat e raportit të KLSH për zbatimin e Buxhetit 2025, të analizuara nga ALTAX, paraqesin një tablo shqetësuese të rritjes së detyrimeve të pambledhura.
| Treguesi | Fundi i vitit 2025 |
| Borxhi tatimor | 194.4 mld lekë |
| Rritja vjetore e borxhit tatimor | 31.9 mld lekë |
| Rritja relative | 19.6% |
| Borxhi doganor | 61.8 mld lekë |
| Rritja vjetore e borxhit doganor | 12.7 mld lekë |
| Rritja relative | 25.9% |
| Borxhi total tatimor dhe doganor | 256.3 mld lekë |
| Rritja totale vjetore | 44.6 mld lekë |
Rritja e borxhit tatimor dhe doganor gjatë vitit 2025 është veçanërisht domethënëse. Në një vit kur administrata duhet të kishte përqendruar përpjekjet te përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe disiplinimi i detyrimeve, stoku i borxhit u rrit me rreth 44.6 miliardë lekë.
Por shqetësues është edhe profili kohor i këtij borxhi. Rreth 60% e detyrimeve tatimore janë më të vjetra se pesë vjet, ndërsa për detyrimet doganore kjo peshë arrin rreth 77%.
Kjo strukturë tregon se problemi nuk lidhet vetëm me vështirësitë financiare të disa bizneseve. Ai lidhet edhe me mënyrën se si dy administratat identifikojnë debitorët, ndjekin detyrimet, zbatojnë masat e mbledhjes me forcë dhe monitorojnë detyrimet e vjetra.
Sa më gjatë të qëndrojë një detyrim i pambledhur, aq më e vogël bëhet mundësia që ai të arkëtohet. Subjekti mund të pushojë aktivitetin, të humbasë asetet, të kalojë në procedura likuidimi ose falimentimi, ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat vazhdojnë të rrisin vlerën nominale të borxhit.
Nëse detyrimi nuk ndiqet kur është i ri, kur subjekti është aktiv dhe kur ekzistojnë ende mundësi reale për arkëtim, pas disa vitesh ai shndërrohet në një problem shumë më të vështirë, shpesh të pakthyeshëm.
Për të kuptuar më mirë problemin, duhet parë jo vetëm madhësia e borxhit, por edhe mënyra se si administratat kanë vepruar për ta administruar atë.
Raporti i KLSH evidenton mangësi në ndjekjen e debitorëve, vonesa në zbatimin e procedurave të mbledhjes me forcë dhe dobësi në monitorimin e detyrimeve të akumuluara. Krahas këtyre, auditimi evidenton edhe probleme të tjera në proceset e administrimit tatimor dhe doganor.
Në administratën tatimore, në fund të vitit 2025 rezultonin 793 kontrolle të papërfunduara. Në 280 raste të rimbursimit të TVSH-së ishte tejkaluar afati ligjor 60-ditor, ndërsa në 160 raste nuk ishte respektuar radha kronologjike e trajtimit të kërkesave.
Në administratën doganore evidentohen mangësi në kontrollet e bazuara në analizën e riskut, dokumentimin e hetimeve, vlerësimin doganor dhe ndjekjen e detyrimeve.
Këto gjetje krijojnë një kontrast institucional, ku nga njëra anë, administrata kërkon që biznesi të respektojë me përpikëri afatet e deklarimit, pagesës, dokumentimit dhe procedurat tatimore. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për detyrimin e vet për të ndjekur debitorët, për të përfunduar kontrollet ose për të rimbursuar kreditë e ligjshme të TVSH-së, auditimi evidenton vonesa dhe mangësi.
Kjo nuk do të thotë se çdo detyrim i pambledhur është përgjegjësi e administratës. Realisht ka biznese që nuk paguajnë për shkak të pamundësisë financiare, subjekte që përdorin procedurat për të shmangur detyrimet dhe raste që kërkojnë zgjidhje gjyqësore.
Por pikërisht për këtë arsye administrata duhet të ketë një sistem funksional për të dalluar debitorin e pamundur nga ai që shmang me qëllim pagesën.
Kur ky dallim nuk bëhet në kohë, humbet mundësia për të arkëtuar dhe krijohet hapësira që detyrimi të përfundojë në një falje të ardhshme.
Falja si instrument administrativ apo si politikë fiskale periodike?
Falja e detyrimeve nuk është në vetvete një instrument i papranueshëm. Në çdo sistem tatimor ekziston nevoja për të fshirë detyrime që janë objektivisht të paarkëtueshme, për shkak të mbylljes së subjekteve, mungesës së aseteve, përfundimit të procedurave ligjore ose kostove joproporcionale të mbledhjes.
Problemi fillon kur fshirja e borxhit shndërrohet nga një procedurë administrative e bazuar në kritere objektive në një instrument të përsëritur të politikës fiskale.
Ligji nr. 86/2025 parashikoi trajtime të ndryshme sipas periudhës së krijimit të detyrimeve.
| Periudha e detyrimit | Trajtimi kryesor | Kushti |
| Deri më 31.12.2014 | Fshirje e principalit, gjobave dhe kamatëvonesave, me përjashtim të principalit të kontributeve | Automatikisht |
| 2015–2019 | Fshirje e 50% të principalit ose 25% të tij, sipas opsionit | Pagesë e 50% ose 75% të principalit |
| 2020–2024 | Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave | Pagesë e plotë e principalit |
Skema krijon një mundësi për pastrimin e detyrimeve të vjetra dhe për arkëtimin e një pjese të principalit. Por ajo krijon njëkohësisht një pyetje për sjelljen e ardhshme të tatimpaguesve: çfarë pritshmërie krijohet kur bizneset përballen me një ndërhyrje të dytë të rëndësishme faljeje brenda një periudhe relativisht të shkurtër?
Nëse tatimpaguesit arrijnë në përfundimin se mosshlyerja e detyrimeve mund të pasohet nga një falje tjetër, atëherë incentiva për pagesën në kohë dobësohet. Në të kundërt, bizneset që paguajnë rregullisht mund të ndihen të penalizuara përballë atyre që përfitojnë nga lehtësimet e përsëritura.
Ky është një problem i barazisë fiskale dhe jo vetëm i mbledhjes së të ardhurave.
Çfarë tregon analiza e ALTAX për efektin real të faljes së vitit 2026?
Analiza e ALTAX Observatory e ndan stokun nominal të borxhit nga pjesa që mund të arkëtohet realisht. Kjo është e domosdoshme, sepse 256.3 miliardë lekë borxh nuk do të thotë se shteti mund të arkëtojë 256.3 miliardë lekë.
Në fund të vitit 2025, 125,564 subjekte pasive mbanin rreth 127.7 miliardë lekë detyrime tatimore, ose 65.6% të stokut tatimor. Rreth 60% e borxhit tatimor ishte më i vjetër se pesë vjet dhe rreth 77% e borxhit doganor kishte të njëjtën vjetërsi.
Për këtë arsye, ALTAX ndërtoi tre skenarë të arkëtueshmërisë, duke përdorur vjetërsinë e borxhit, statusin e debitorëve dhe vlerësimet mbi mundësinë reale të rikuperimit.
Vlerësimi i arkëtueshmërisë para faljes
| Skenari | Arkëtimi i mundshëm | Pesha ndaj stokut |
| I ulët | 33.5 mld lekë | 13% |
| Qendror | 56.4 mld lekë | 22% |
| I lartë | 78.4 mld lekë | 31% |
Vlerësimi pas faljes automatike dhe skemave të kushtëzuara
| Skenari | Arkëtimi i mundshëm | Pesha ndaj stokut të mbetur |
| I ulët | 33.4 mld lekë | 17.5% |
| Qendror | 54.7 mld lekë | 28.6% |
| I lartë | 75.2 mld lekë | 39.4% |
Burimi: Llogaritje ALTAX Observatory. Vlerësime të arkëtimeve të akumuluara në disa vite, jo arkëtime të pritshme brenda një viti. Normat janë supozime analitike dhe jo të dhëna të matura për secilin debitor.
Rezultati është domethënës. Në skenarin qendror, pjesa e arkëtueshme vlerësohet rreth 56.4 miliardë lekë para faljes dhe 54.7 miliardë lekë pas saj.
Pra, stoku nominal zvogëlohet ndjeshëm, por arkëtimi potencial nuk rritet. Përkundrazi, në modelin e ALTAX ai ulet lehtë.
Kjo nuk është provë se falja ka dështuar financiarisht, sepse modeli nuk përdor të dhëna individuale për çdo debitor dhe nuk mat arkëtimet përfundimtare të vitit 2026. Por është një sinjal që duhet marrë seriozisht: ulja e borxhit të regjistruar nuk është automatikisht rritje e të ardhurave publike.
Edhe të dhënat e raportuara nga Administrata Tatimore deri më 23 tetor 2026, sipas të cilave ishin fshirë ose shuar rreth 453 milionë euro detyrime për 220.4 mijë tatimpagues, duhen interpretuar në këtë mënyrë. Ato tregojnë madhësinë e ndërhyrjes administrative, jo domosdoshmërisht përmirësimin e arkëtimit.
Një pjesë e madhe e kësaj shume lidhet me detyrime të vjetra, gjoba dhe interesa, të cilat nuk do të përktheheshin në të ardhura të arkëtueshme në të njëjtën masë.
Gjithsesi, pastrimi i stokut të borxhit nuk garanton ndalimin e krijimit të borxhit të ri
Këtu qëndron kontradikta më e rëndësishme e politikës së ndjekur.
Nëse në fund të vitit 2025 borxhi tatimor u rrit me 31.9 miliardë lekë dhe borxhi doganor me 12.7 miliardë lekë, atëherë kemi një rritje të kombinuar prej 44.6 miliardë lekësh brenda një viti.
Edhe nëse një pjesë e këtij shtimi përfaqëson detyrime të diskutueshme, gjoba, interesa ose detyrime që nuk mund të arkëtohen, ritmi i krijimit të stokut është një tregues që kërkon ndërhyrje institucionale.
<text> </text>
Stoku i borxhit kundrejt efektit të fshirjes
| Madhësia | Vlera |
| Stoku tatimor dhe doganor në fund të 2025 | 256.3 mld lekë |
| Rritja e borxhit gjatë 2025 | 44.6 mld lekë |
| Fshirja automatike e vlerësuar nga ALTAX | 65.2 mld lekë |
| Stoku pas fshirjes automatike | 191.1 mld lekë |
Llogaritje ALTAX. Shifrat e fshirjes përfshijnë edhe një vlerësim për pjesën doganore dhe nuk përfaqësojnë regjistrin përfundimtar të fshirjeve.
Edhe pas kësaj ndërhyrjeje, nëse stoku neto i borxhit do të rritej gjatë vitit 2026 me të njëjtën shumë si në vitin 2025, ai do të arrinte rreth 216 miliardë lekë, sipas simulimit ilustrues të ALTAX. Ky nuk është parashikim, por një test që tregon se sa shpejt mund të rikthehet problemi nëse nuk ndryshon mënyra e administrimit.
Cikli që duhet ndërprerë është i qartë: detyrimi krijohet, administrata vonon ndjekjen, borxhi plaket, mundësia e arkëtimit bie, miratohet falja, stoku pastrohet dhe borxhi i ri fillon të grumbullohet përsëri.
Ky cikël ka një kosto që nuk shfaqet vetëm në buxhet. Ai ndikon edhe në konkurrencën e tregut, sepse biznesi që paguan rregullisht tatimet dhe detyrimet doganore përballet me një kosto reale që konkurrenti debitor mund ta shtyjë ose ta shmangë.
Në këtë mënyrë, falja e përsëritur mund të kthehet në një avantazh të padrejtë për mosrespektimin e ligjit.
Problemi nuk zgjidhet duke kërkuar vetëm më shumë kontrolle ose duke rritur masat ndëshkuese.
Nevojitet një model i ri i menaxhimit të detyrimeve, i cili të dallojë qartë borxhin e arkëtueshëm nga ai i paarkëtueshëm dhe të vendosë përgjegjësi për vonesat institucionale.
Në radhë të parë, administrata duhet të zbatojë një regjistër të ndarë sipas mundësisë reale të arkëtimit.
Njëkohësisht, ndjekja e detyrimit duhet të nisë që në momentin e krijimit të tij. Për borxhin e ri, ndërhyrja duhet të ndodhë përpara se detyrimi të kthehet në një problem shumëvjeçar. Sistemet e paralajmërimit, marrëveshjet e ligjshme të pagesës dhe identifikimi i debitorëve me risk të lartë duhet të kenë përparësi.
Një tjetër element është përgjegjësia administrative. Duhet të matet jo vetëm sa borxh ka administrata në regjistër, por edhe sa detyrime janë ndjekur në kohë, sa urdhra ekzekutimi janë zbatuar dhe përse procedurat kanë mbetur pezull. Vonesat e pajustifikuara duhet të kenë përgjegjësi të identifikueshme.
Kjo duhet të shoqërohet me trajtim të barabartë të tatimpaguesve. Një biznes që paguan rregullisht nuk duhet të vendoset në disavantazh ndaj atij që nuk paguan dhe pret një falje të ardhshme. Lehtësimi duhet të bazohet në kritere objektive, të verifikueshme dhe transparente.
Së fundi, fshirja e borxhit të paarkëtueshëm duhet të bëhet pjesë e një procedure të përhershme administrative, jo një ngjarje politike e përsëritur. Çdo fshirje duhet të dokumentojë pse detyrimi është i paarkëtueshëm, çfarë masash janë ndërmarrë dhe nëse ka pasur vonesa ose mosveprime institucionale.
Në këtë proces, një rol të rëndësishëm duhet të ketë edhe Këshilli Fiskal, i cili mund të vlerësojë ndikimin e faljeve në të ardhurat afatgjata, disiplinën fiskale dhe besueshmërinë e treguesve buxhetorë.
Falja fiskale e vitit 2026 mund të ketë një efekt pozitiv në pastrimin e një pjese të stokut të vjetër dhe në mbylljen e detyrimeve që nuk kanë më perspektivë reale arkëtimi. Por ky efekt nuk duhet ngatërruar me suksesin e administrimit tatimor dhe doganor.
Raporti i KLSH për zbatimin e Buxhetit 2025 dhe analiza e ALTAX tregojnë se problemi është më i gjerë dhe borxhi i vjetër është produkt i një kombinimi faktorësh ekonomikë, juridikë dhe administrativë, ndërsa vonesat në zbatimin e procedurave kanë kontribuar në humbjen e mundësisë për arkëtim.
FMN e kishte identifikuar që më parë rrezikun që Paqja Fiskale të dobësonte përmbushjen tatimore dhe besueshmërinë e sistemit. Në vlerësimin e saj të nëntorit 2026, ajo e rikthen vëmendjen te nevoja për të mbrojtur integritetin e kuadrit kundër pastrimit të parave dhe për të forcuar mbledhjen e qëndrueshme të të ardhurave.
Këto vlerësime nuk duhen lexuar si një kundërshtim ndaj lehtësimit të çdo biznesi në vështirësi. Ato duhen kuptuar si kërkesë për një shtet që të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë, të mos i lërë detyrimet të plaken deri në pikën e humbjes së vlerës dhe të mos e përdorë faljen si zëvendësim të përgjegjësisë institucionale.
Burimet kryesore: KLSH, Raporti për zbatimin e Buxhetit 2025; ALTAX Observatory, “Paratë e qytetarëve sipas KLSH – Zbatimi i Buxhetit 2025”; Ligji nr. 86/2025 dhe Udhëzimi nr. 11/2026; FMN, konsultimi i Nenit IV për Shqipërinë dhe deklarata përmbyllëse e misionit të 20 nëntorit 2026.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.