Kriza ekonomike mund të jetë jo shumë larg

Kriza ekonomike mund të jetë jo shumë larg

Çmimet e pronave të paluajtshme janë rritur më shpejt se të ardhurat në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera.

Ato po vijojnë të rriten edhe në 2024, por jo me ritmet e larta të viteve të fundit.

Fred Harrison argumenton se çmimet e rritura janë treguesi kyç për çdo krizë. Ato vazhdojnë të rriten deri në pikën kur fillon të ndihet se rritja nuk ndodh më. Më pas ato fillojnë e bien ndjeshëm.

Harrison beson se është e gabuar të përdoret toka dhe pasuritë e paluajtshme si shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike. Ideja e tij themelore është se ekonomistët gabimisht supozojnë se gjendja e tregut të pasurive të paluajtshme varet nga kushtet e pjesës tjetër të ekonomisë. Në fakt, pronësia është faktori kyç që formon ciklin e biznesit, ndërsa anasjelltas është e gabuar dhe e pamundur.

Nisur nga fakti se shitjet e pasurive të paluajtshme kanë një ngecje mes normave ende të larta të interesave dhe çmimeve të banesave, në 6-mujorin e parë 2024 është shfaqur një nismë ligjore për taksimin e shitjeve të tyre me një normë të reduktuar (5%) me 2 herë më të ulët nga sa është tani (15%)

Kjo nismë e qeverisë duket se më shumë do të stimulojë rishitjen sesa shitjet e reja në treg, pas sinjaleve të tregut që ka nisur të ushtrojë presion me rënien e ritmit te rritjes së çmimit të banesave.

Ekspertët thonë se tregu i banesave do të shohë një ripërtëritje vetëm pasi normat e interesave të bien mjaftueshëm për të lehtësuar përballueshmërinë e blerjeve, si dhe për të nxitur pronarët e shtëpive të mbyllura/bosh për të lëvizur, pas miratimit të ligjit normës të ulëta të tatimit të shitjes së tyre.

Në një treg që funksionon mirë, rritja e kërkesës plotësohet me rritje të ofertës që moderon rritjen e çmimeve. Në vitet kur kërkesa për pasuri të paluajtshme ishte e lartë, megjithë rritjen e çmimeve, blerja e tyre ishte disi e përballueshme,
Por, furnizuesit e rinj të pasurive të paluajtshme, të cilët u shfaqën për të furnizuar ndërtime shtesë, nuk ndikuan në ulje të çmimeve.

Kjo dukuri është treguesi i qartë i deformimit të kërkesës dhe ofertës, nga faktori i informalitetit. Në terma afatgjatë, çmimet u vendosën në një ekuilibër të ri, më të lartë, por që nuk reflekton më tej rregullat e tregut të lirë.

Në shumë raste, rritja e ofertës nuk plotësohet nga rritja e kërkesës. Kjo do të thotë se qiratë dhe çmimet e shtëpive rriten shumë më shpejt se të ardhurat.

Shumë prej nesh do të kuptonin se çmimet e shtëpive janë kaq të larta sepse ka shumë njerëz dhe nuk ka shtëpi mjaftueshëm. Mirëpo, Censi 2023 e kundërshton këtë logjikë.

Realiteti është se çmimet e banesave u rritën masivisht për arsye të informalitetit.

Po pse ndikon kjo tendencë e çmimeve të pasurive të paluajtshme në zhvillimin ekonomik?

Pikë së pari, ndërtimi dhe tregtimi i pasurive të paluajtshme kanë një peshë direkte mbi 1/6 e ekonomisë, por të ndërlidhur me sektorë të tjerë pesha e tyre arrin deri në 1/3 e ekonomisë sonë.

Së dyti shtrojmë pyetjen:

– A është një shtëpi për të jetuar, diçka që të gjithë kanë nevojë? Apo është me të vërtetë një pasuri që të gjithë duhet të synojnë ta zotërojnë?

Mund të thuash se mund të jenë të dyja.

Një pasojë e të gjithëve që përpiqen të kenë një banesë ka qenë se çmimet e shtëpive janë rritur shumë më shpejt se pagat/të ardhurat, që do të thotë se shtëpitë bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme. Kushdo që nuk kishte një shtëpi përpara se të fillonte të rriteshin çmimet është duke hequr dorë gjithnjë e më shumë nga kursimi nga paga e tyre thjesht që të paguajnë një vend për të jetuar.

Dhe nuk janë vetëm blerësit mesatarë të shtëpive ata që preken, pasi edhe qiratë po rriten shpejt.
Kjo rritje e çmimeve çoi në një rritje masive të sasisë së parave që blerësit për herë të parë shpenzuan për shlyerjet e kredive.

Çmimet e larta të banesave veprojnë gjithashtu si një mekanizëm për transferimin e pasurisë nga të rinjtë dhe të varfërit tek të pasurit, pra ata që kanë më shumë se një apo dy pasuri të paluajtshme.

Edhe ata që zotërojnë banesa nuk përfitojnë masivisht nga çmimet më të larta të shtëpive, pasi në fund të fundit, të gjithë kanë nevojë për një vend për të jetuar dhe kushdo që shet shtëpinë e tij do të zbulojë se mesatarisht çmimet e tjera të shtëpive do të jenë rritur me të njëjtën shumë, duke mos i lënë ata në gjendje më të mirë.
Në realitet, vetëm bankat dhe ato me shumë prona përfitojnë nga çmimet e larta të banesave.

Çmimet e larta do të thotë që njerëzit do të duhet të marrin kredi më të mëdha për periudha më të gjata kohore, që do të thotë më shumë para në pagesa interesi për bankat.

Bankat japin hua duke krijuar njëkohësisht një aktiv kredie dhe një detyrim depozite në bilancin e tyre.

Me shlyerjen e kredisë, paratë dalin nga ekonomia e përditshme, ndërsa bankat e mbajnë interesin si fitim.

Dhe meqenëse një kredi për një shtëpi sigurohet nga vetë shtëpia dhe mund të arrihet një fitim i konsiderueshëm nga interesi i kredisë, kjo është një situatë e favorshme për bankën.

Por a është një situatë e favorshme për dikë tjetër?

Njerëzit që vendosën të bëhen pronarë të shtëpive të shumta janë përfituesë.

Por në realitet i gjithë ky financim që shkon në një grup aktivesh joproduktive është ndikues kryesor për krizën financiare.

Nëse këto para do të përdoreshin për diçka më të dobishme, çmimet e shtëpive do të kishin qëndruar më të ulëta.

Rezultati i kësaj qasje: më pak njerëz do të zotëronin shtëpi të shumta, dhe po më pak njerëz do të kishin shtëpi.

Ne të gjithë do të kishim më shumë të ardhura të disponueshme sepse pagesat e qirasë dhe kredisë do të ishin më të ulëta, do të kishte më pak borxhe familjare dhe do të ishim të gjithë më mirë.

Qeveria ka nisur një skemë lehtësimi tatimor, për shitjet e shtëpive duke shërbyer kjo politikë, si mbështetje financiare për të ndihmuar njerëzit të blejnë shtëpi.

Por a i tejkalojnë përfitimet afatshkurtra të më shumë pronarëve të shtëpive problemet e shkaktuara nga shmangia e një strategjie afatgjatë për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme?

Ne nuk mendojmë kështu.

Për arsyet e përshkruara më lart, ne mendojmë se nuk është një ide e mirë të aplikohen modele të faljes fiskale, për disa të ardhura tatimore afatshkurtra më shumë, si dhe për të stimuluar shfryrjen e stokut të pasurive të paluajtshme në kushtet e informalitetit të lartë dhe transparences fiskale të ulët.
Qeveria në këtë model të testuar edhe më parë po i bën njerëzit të mendojnë se mund të blejnë një pronë tjetër me kredi, të cilën thjesht nuk mund ta përballojnë në periudha afatgjata.

Këto çmime do të bien në një moment.
Arsyeja është e thjeshtë: çmimet janë artificiale dhe nuk mund të mbahen gjatë me të njëjtën model operimi ekonomik si deri më sot. Të ardhurat e njerëzve po bien në terma realë dhe e kanë duruar këtë situatë për më shumë se pesë vite.

Ne kemi nevojë për paga/të ardhura më të larta për të kapur me rrogat vlerën e qirave dhe pagesat e kredive, dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është të ketë hapësira në ekonomi për të krijuar vende pune me vlerë të lartë dhe jo për të fryrë çmimet e shtëpive.

Prandaj duhet të ndryshojmë rregullat e lojës ekonomike.

Nëse kemi njerëz që duan të punojnë dhe punë që duhet të bëjnë, pse nuk mund të krijojmë një sistem që i arrin këto gjëra?

Në jo pak raste ne kemi sugjeruar me argumenta, që Banka e Shqipërisë dhe Qeveria të krijojnë mundësi për para të reja që mund të hyjnë në ekonomi nëpërmjet qeverisë.

Kjo mund të bëhet në tre mënyra: (a) rritja e shpenzimeve qeveritare për ekonominë prodhuese dhe qytetarët më të prekur nga inflacioni dhe goditjet nga ekonomia, (b) menaxhimi dhe politika profesionale dhe jo politik i taksave dhe tatimeve; (c) bërja e pagesave direkte për qytetarët nëpërmjet shtypjes së një sasie parash që mund të qëndrojnë në qarkullim përkohësisht.

Edhe pse secila prej opsioneve ka nevojë për analizën e vet, ne mendojmë se për shkak se duhet të reduktohet papunësia te moshat e reja dhe frenimi i largimit të tyre, përfitimi më i madh për shoqërinë do të ishte rritja e shpenzimeve qeveritare për të krijuar vende të reja pune në sektorët që aspirojnë të rinjtë dhe ekonomia e të nesërmes.

Në një vend me fuqi punëtore të vogël ka shumë pak punë të mira për të qenë.

Mundësitë për të krijuar vende pune dhe për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme qëndrojnë në infrastrukturën e energjisë së gjelbër, ndërtimin e politikës së banesave të përballueshme, fuqizimin e sistemit shëndetësor bazuar te cilësia e shërbimit dhe një arsimimi të orientuar nga tregu dhe, si dhe zhvillimin e transportit publik më të mirë.

Nuk është se ne nuk mund t’i përballojmë këto gjëra.

Në fakt, ne nuk kemi një ekonomi që funksionon ashtu si kërkon qytetari dhe perspektiva ekonomike e vendit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: