Eksportet e korrikut tregojnë rikuperim, por transformimi ende nuk ka ardhur

Eksportet e korrikut tregojnë rikuperim, por transformimi ende nuk ka ardhur

Të dhënat e publikuara nga INSTAT për korrikun 2026 sjellin një lajm pozitiv, pasi eksportet shqiptare u rritën me 10,6% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, duke arritur në 33,7 miliardë lekë. Pas një periudhe të gjatë dobësimi të eksporteve gjatë vitit 2025, kjo ecuri meriton të evidentohet.

Por, për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një përmirësim real të ekonomisë eksportuese, nuk mjafton të shohim vetëm shifrën prej +10,6%. Në të dhënat statsitikore duhet të shikojmë se cilat eksporte janë rritur, pse janë rritur dhe çfarë na tregojnë ato për strukturën e ekonomisë shqiptare?

Pikërisht këtu leximi i të dhënave bëhet më shumë strukturor.

Sipas INSTAT, rritja e korrikut nuk është shpërndarë në mënyrë të gjerë në të gjithë ekonominë eksportuese. Përkundrazi, ajo është mbështetur kryesisht në dy grupe: “Materiale ndërtimi dhe metale”, që kanë dhënë kontributin më të madh në rritje me +8,9 pikë përqindje, dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me një kontribut prej +5,3 pikë përqindje. Një ndikim pozitiv, por shumë më i kufizuar, ka ardhur nga grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me +0,9 pikë përqindje.

Në anën tjetër të bilancit, një nga sektorët tradicionalisht më të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, tekstilet dhe këpucët, kanë dhënë një kontribut negativ prej -4,3 pikë përqindje. Edhe produktet kimike dhe plastike kanë ndikuar negativisht, me -0,6 pikë përqindje. Kjo do të thotë se rritja e përgjithshme prej 10,6% është prodhuar kryesisht nga performanca e sektorëve të lidhur me mineralet, energjinë, metalet dhe materialet e ndërtimit, ndërsa një pjesë e industrisë përpunuese vijon të jetë nën presion.

Ky është dallimi thelbësor mes rritjes së eksporteve në vlerë dhe përmirësimit të strukturës eksportuese. Shqipëria mund të eksportojë më shumë në një muaj dhe njëkohësisht, të mos ketë përmirësuar domosdoshmërisht aftësinë e saj afatgjatë për të prodhuar, konkurruar dhe depërtuar në tregje të reja me produkte me vlerë të shtuar më të lartë.

Korriku pozitiv duhet lexuar edhe në raport me vitin 2025

Rritja prej 10,6% e korrikut është padyshim reale, por duhet parë edhe përballë bazës së krahasimit. Në korrik 2025 eksportet kishin rënë me 6,9% krahasuar me një vit më parë. Në fakt, viti 2025 u mbyll me një rënie vjetore të eksporteve prej 6,1%, ndërsa vlera totale e eksporteve zbriti në rreth 346 miliardë lekë.

Viti 2026 ka sjellë një kthesë graduale.

Pas një janari ende negativ, me rënie prej 4,5%, eksportet kaluan në territor pozitiv në shkurt, mars dhe maj me ritme relativisht të moderuara, ndërsa në prill u rritën me 16,9%, në qershor me 13,6% dhe në korrik me 10,6%.

Pra, tabloja e 7-mujorit të parë nuk është ajo e një rikthimi të menjëhershëm dhe të njëtrajtshëm të të gjithë sektorëve eksportues. Ajo tregon më shumë një rikuperim të nxitur nga disa sektorë të veçantë, të cilët kanë aftësinë të ndryshojnë ndjeshëm rezultatin total të eksporteve nga muaji në muaj.

Vetë korriku e tregon këtë, ku megjithëse eksportet ishin 10,6% më të larta se një vit më parë, ato ishin 5% më të ulëta se në qershor 2026. Kjo luhatje mujore tregon gjithashtu ndjeshmërinë e strukturës eksportuese ndaj disa kategorive dominuese dhe faktorëve të tyre specifikë.

Çfarë po e shtyn rritjen?

Pesha e lartë e mineraleve, energjisë, metaleve dhe materialeve të ndërtimit tregon se eksportet shqiptare vazhdojnë të varen ndjeshëm nga sektorë ciklikë dhe nga faktorë që nuk kontrollohen plotësisht nga ekonomia shqiptare.

Në rastin e mineraleve dhe lëndëve djegëse, rezultati ndikohet nga kombinimi i prodhimit, çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe kërkesës së jashtme. Energjia elektrike, nga ana tjetër, mbetet e lidhur ngushtë me kushtet hidrike dhe kapacitetin e prodhimit. Një vit i favorshëm nga pikëpamja e prodhimit energjetik mund të përmirësojë ndjeshëm eksportet, ndërsa një situatë e kundërt mund ta përmbysë shpejt këtë rezultat.

Edhe materialet e ndërtimit dhe metalet kanë një natyrë të fortë ciklike. Performanca e tyre lidhet me kërkesën për ndërtim, projekte infrastrukturore dhe zhvillimet ekonomike në tregjet ku Shqipëria eksporton. Në këtë kuptim, një rritje e fortë e tyre është lajm pozitiv për prodhuesit dhe për bilancin tregtar, por nuk duhet ngatërruar automatikisht me një transformim të ekonomisë drejt produkteve më komplekse, më teknologjike dhe me vlerë të shtuar më të lartë.

Të dhënat sugjerojnë se rritja aktuale lidhet kryesisht me vazhdimin e ciklit të mineraleve, energjisë dhe materialeve të ndërtimit. Këto sektorë mund të prodhojnë rritje të shpejtë të vlerës së eksporteve, por zakonisht nuk kanë të njëjtin efekt strukturor në punësim, inovacion dhe rritjen e produktivitetit që do të pritej nga një zgjerim i qëndrueshëm i industrive përpunuese dhe eksporteve me intensitet më të lartë teknologjik.

Sinjali më shqetësues mbetet fasoni

Nëse rritja e mineraleve dhe materialeve të ndërtimit shpjegon anën pozitive të korrikut, rënia e tekstileve dhe këpucëve shpjegon dobësinë strukturore që vazhdon të jetë e pranishme në eksportet shqiptare.

Në korrik 2026, ky grup dha një kontribut negativ prej 4,3 pikë përqindje në ndryshimin e eksporteve. Kjo nuk është thjesht një kategori statistikore që ka rënë. Bëhet fjalë për një sektor që historikisht ka pasur rëndësi të veçantë për punësimin dhe për lidhjen e ekonomisë shqiptare me zinxhirët europianë të prodhimit.

Dobësimi i tij ka disa shpjegime. Një ndër faktorët që ka ushtruar presion mbi konkurrueshmërinë është kursi i këmbimit. Prodhuesit që realizojnë të ardhurat kryesisht në euro, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kostove të tyre kryhet në lekë, përballen me një reduktim të marzhit kur monedha europiane zhvlerësohet ndaj lekut. Kjo godet veçanërisht sektorët fason, ku marzhet janë tradicionalisht të kufizuara dhe konkurrenca me vendet e tjera me kosto të ulët është e fortë.

Por problemi nuk reduktohet vetëm te kursi i këmbimit. Rënia e fasonit ngre edhe një çështje më të thellë, që duhet të reflektohet lidhur me sa shpejt po arrin industria shqiptare të kalojë nga modeli i prodhimit me kosto të ulët drejt produkteve me dizajn, markë, teknologji dhe vlerë më të lartë të krijuar në vend?

Për sa kohë që ky transformim nuk ecën me ritmin e nevojshëm, ekonomia eksportuese do të mbetet e ekspozuar, nga njëra anë ndaj konkurrencës së vendeve me paga më të ulëta dhe, nga ana tjetër, ndaj presionit të kostove dhe kursit të këmbimit.

Edhe harta e tregjeve tregon kufijtë e kësaj rritjeje

Në korrik, rritja më e madhe e eksporteve sipas vendeve partnere u regjistrua me Greqinë, me 19%, ndërsa me Gjermaninë rritja ishte 2,5%. Ndërkohë, eksportet ranë drejt Italisë me 2% dhe drejt Kosovës me 2,4%.

Bashkimi Europian vazhdon të mbetet qendra kryesore e eksporteve shqiptare: 68,4% e eksporteve totale në korrik 2026 shkuan drejt vendeve të BE-së. Kjo është një avantazh për shkak të afërsisë gjeografike dhe integrimit tregtar, por njëkohësisht tregon edhe përqendrimin e lartë të eksporteve në tregjet tradicionale.

Rritja me Greqinë është pozitive, por ajo duhet lexuar së bashku me strukturën e produkteve që kanë shtyrë eksportet. Kur dinamika vjen kryesisht nga materialet e ndërtimit, metalet, mineralet apo energjia, kemi të bëjmë më shumë me zgjerim të kërkesës për kategori ekzistuese sesa me një depërtim të ri të ekonomisë shqiptare në tregje të largëta apo në segmente më komplekse të zinxhirëve globalë të vlerës.

Në këtë aspekt, një rritje më e qëndrueshme do të kërkonte jo vetëm shitjen e më shumë produkteve ekzistuese në tregjet tradicionale, por edhe zgjerimin e gamës së produkteve, rritjen e përmbajtjes teknologjike dhe depërtimin në tregje të reja.

Pra, a është kjo një rritje e shëndetshme?

Në fakt, jo plotësisht. Është një rritje pozitive dhe e rëndësishme në vlerë, por cilësia e saj strukturore mbetet e kufizuar.

Nëse rritja e eksporteve do të ishte tregues i një transformimi më të thellë ekonomik, do të pritej një kontribut më i balancuar nga sektorë të ndryshëm. Do të shihnim një stabilizim ose rritje të industrisë fason, zgjerim të produkteve të përpunuara, forcim të eksporteve ushqimore me vlerë të shtuar, rritje të prodhimeve industriale më komplekse dhe një rol më të madh të produkteve me përmbajtje teknologjike.

Aktualisht, fotografia eksportuese është tjetër. Dy sektorë kryesorë (materialet e ndërtimit dhe metalet, si edhe mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike) kanë prodhuar pjesën dërrmuese të shtysës pozitive të korrikut. Në të njëjtën kohë, tekstilet dhe këpucët kanë tërhequr poshtë rezultatin.

Pra, eksportet mund të rriten, ndërsa baza eksportuese mund të mos bëhet domosdoshmërisht më e fortë.

Një ekonomi e mbështetur shumë te lëndët e para dhe produktet ciklike mund të regjistrojë norma të larta rritjeje në periudha të favorshme, por është më e ekspozuar ndaj ndryshimit të çmimeve, kërkesës rajonale, kushteve klimatike dhe luhatjeve të prodhimit. Ndërsa një strukturë më e diversifikuar, edhe kur rritet me ritme më të moderuara, krijon zakonisht qëndrueshmëri më të madhe për punësimin, produktivitetin dhe të ardhurat në afat të gjatë.

Çfarë duhet të lexojë publiku përtej shifrës +10,6%?

Mesazhi i të dhënave të korrikut nuk është se rritja e eksporteve duhet minimizuar. Përkundrazi, ajo duhet njohur si një zhvillim pozitiv, veçanërisht pas dobësisë së vitit 2025.

Ekonomia jonë po përjeton një rikuperim të eksporteve, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se ka nisur një transformim të qëndrueshëm të modelit eksportues.

Sfida e vërtetë për politikën ekonomike nuk është thjesht të prodhojë një muaj tjetër me rritje dyshifrore dhe rritja e ardhshme të mos varet në mënyrë disproporcionale nga çmimet e lëndëve të para, prodhimi energjetik apo cikli i ndërtimit në tregjet rajonale.

Një rritje eksportesh me cilësi më të lartë do të ishte ajo ku rriten njëkohësisht vlera, diversifikimi, produktiviteti dhe punësimi. Deri atëherë, shifra e korrikut prej +10,6% është një lajm pozitiv, por jo ende provë se ekonomia shqiptare ka zgjidhur problemin e saj strukturor të konkurrueshmërisë.

Ky është dallimi që duhet bërë mes rritjes së eksporteve dhe forcimit të kapacitetit eksportues. E para mund të ndodhë nga një cikël i favorshëm dhe e dyta kërkon transformim ekonomik, investim, teknologji, produktivitet dhe politika që ndihmojnë sektorët shqiptarë të konkurrojnë në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.

Treguesit e korrikut tregojnë rikuperim, por struktura e tyre tregon se transformimi ende nuk ka ardhur.

Burimi janë të dhënat zyrtare të INSTAT, “Tregtia e Jashtme e Mallrave, Korrik 2026”, publikuar më 17 gusht 2026.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.