Moody’s dhe Shqipëria, më shumë se një vlerësim, një sinjal për Eurobondin e ardhshëm

Moody’s dhe Shqipëria, më shumë se një vlerësim, një sinjal për Eurobondin e ardhshëm

Ndryshimi i fundit i Moody’s për Shqipërinë meriton të lexohet përtej lajmit se “u rrit vlerësimi i Shqipërisë”.

Në fakt, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit nuk e ka ndryshuar ende notën sovrane të Shqipërisë. Ajo ka konfirmuar vlerësimin Ba3, por ka ndryshuar perspektivën nga “Stable” në “Positive”.

Dallimi është i rëndësishëm.

Nota Ba3 përshkruan pozicionin aktual të kreditit të vendit, ndërsa perspektiva “Positive” sinjalizon se, nëse tendencat që kanë çuar në këtë vlerësim vazhdojnë, ekziston mundësia që nota të përmirësohet në të ardhmen.

Pra, Shqipëria nuk është ngjitur ende në një kategori tjetër të rating-ut, por është vendosur në një trajektore që mund të çojë drejt një përmirësimi të ardhshëm.

Ky është ndryshimi thelbësor edhe në raport me vlerësimin e mëparshëm dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij ekonomike.

Moody’s e mbështet perspektivën pozitive në disa zhvillime që lidhen me forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë, si dhe me përshpejtimin e reformave strukturore në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Agjencia vlerëson se rritja ekonomike mbetet relativisht e fortë, ndërsa borxhi publik pritet të vijojë të ulet. Sipas vlerësimit të publikuar, borxhi i qeverisë së përgjithshme mund të zbresë nga rreth 52.9% e PBB-së në fund të vitit 2025 në rreth 50.2% në vitin 2027. Po ashtu, Shqipëria ka regjistruar suficite primare në vitet e fundit, ndërsa deficiti fiskal i vitit 2025 ishte rreth 1.8% e PBB-së. Edhe pozicioni i jashtëm paraqitet më i fortë. Deficiti i llogarisë korrente është ngushtuar ndjeshëm, rezervat valutore janë rritur dhe investimet e huaja direkte mbeten një burim i rëndësishëm financimi për ekonominë.

Këto zhvillime, të kombinuara me procesin e integrimit në BE, krijojnë një profil më të qëndrueshëm përballë tregjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, një perspektivë pozitive nuk duhet interpretuar si një certifikatë pa kushte për ekonominë shqiptare.

Moody’s vazhdon të evidentojë dobësi institucionale dhe strukturore. Prandaj, mesazhi i saj duhet lexuar si një vlerësim i përmirësimit të disa treguesve kryesorë, por edhe si një pritshmëri që kjo përmirësim të jetë i qëndrueshëm dhe i shoqëruar nga reforma të mëtejshme.

Për Shqipërinë, rëndësia e këtij vlerësimi bëhet më e qartë kur ai vendoset në kontekstin e financimit të borxhit publik.

Një rating sovran nuk është vetëm një tregues reputacional. Ai është një nga elementët që ndikon në mënyrën se si investitorët ndërkombëtarë e perceptojnë riskun e një shteti dhe, rrjedhimisht, në çmimin me të cilin ai shtet mund të financohet në tregjet ndërkombëtare.

Kjo e lidh drejtpërdrejt vlerësimin e Moody’s me Eurobondin.

Shqipëria doli për herë të fundit në tregun ndërkombëtar në vitin 2025 me një Eurobond prej 650 milionë eurosh, me maturitet 10-vjeçar, kupon 4.75% dhe yield rreth 5%. Interesi i investitorëve ishte shumë më i lartë se shuma e ofruar. Ndërkohë, dokumentet zyrtare të menaxhimit të borxhit parashikojnë që dalja e ardhshme në tregun ndërkombëtar të kapitalit të bëhet në vitin 2027.

Kjo përputhje kohore është e rëndësishme.

Nëse 2026 shërben si një periudhë gjatë së cilës Shqipëria konsolidon pozicionin fiskal dhe financiar dhe në të njëjtën kohë fiton një perspektivë “Positive” nga Moody’s, atëherë viti 2027 mund ta gjejë vendin duke negociuar financimin e ardhshëm nga një pozicion potencialisht më i favorshëm se ai i mëparshëm.

Kjo nuk do të thotë automatikisht se Eurobondi i ardhshëm do të ketë një yield më të ulët. Çmimi i tij do të varet edhe nga normat ndërkombëtare të interesit, kushtet e tregjeve financiare, kërkesa e investitorëve, perceptimi për ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe kufitare, si dhe nga vetë struktura e emetimit.

Por një përmirësim i perceptimit të riskut sovran krijon një faktor potencialisht pozitiv në përcaktimin e kostos së financimit.

Në terma ekonomikë, mekanizmi është relativisht i qartë duke kuptuar, se nëse perceptimi i riskut të Shqipërisë bie, mund të ulet edhe primi i riskut që investitorët kërkojnë mbi normën bazë të tregut.

Nëse kjo ndodh, shteti mund të financojë të njëjtën shumë me një kosto më të ulët interesi ose të sigurojë maturitet më të gjatë për një kosto të krahasueshme.

Kjo është arsyeja pse përmirësimi i perspektivës nga Moody’s ka një vlerë që shkon përtej simbolikës.

Por këtu duhet bërë edhe një dallim tjetër i rëndësishëm.

Një rating më i mirë nuk duhet parë si mundësi për qeverinë që të marrë më shumë borxh thjesht sepse tregu është më i gatshëm t’i japë hua. Përkundrazi, përfitimi ekonomik i një rating-u më të mirë duhet të matet me mundësinë për të financuar nevojat ekzistuese dhe investimet publike me kosto më të ulët, me maturitet më të përshtatshëm dhe me një strukturë më të kontrolluar të riskut.

Kjo qasje bëhet veçanërisht e rëndësishme në rastin e Shqipërisë, sepse Eurobondi i ardhshëm mund të mos shërbejë vetëm për financimin e nevojave të reja buxhetore.

Ai mund të ketë edhe funksionin e rifinancimit dhe të menaxhimit të detyrimeve ekzistuese.

Në vitin 2027 Shqipëria përballet me maturimin e Eurobondit prej 650 milionë eurosh të emetuar më herët. Kjo krijon një arsye të natyrshme që një dalje e re në treg të përdoret edhe për të menaxhuar këtë maturim, krahas nevojave të tjera të financimit. Një operacion i tillë do t’i jepte qeverisë mundësinë të zgjaste maturitetin mesatar të portofolit të borxhit dhe të shmangte përqendrimin e madh të pagesave në një periudhë të shkurtër.

Prandaj, Eurobondi i vitit 2027 duhet parë më shumë se një instrument për të siguruar para, për ti shërbyer strategjisë së menaxhimit të borxhit.

Në këtë kuptim, përmirësimi i perspektivës nga Moody’s është bërë në një moment të përshtatshëm për qeverinë. Dokumentet zyrtare të menaxhimit të borxhit kanë parashikuar tashmë një dalje në tregun ndërkombëtar në vitin 2027.

Tani Shqipëria ka marrë edhe një sinjal pozitiv nga një prej agjencive kryesore të rating-ut. Nëse ky sinjal konsolidohet gjatë muajve të ardhshëm dhe në një fazë të mëvonshme, shndërrohet edhe në një rritje të vetë notës, atëherë qeveria mund të hyjë në treg me një profil më të favorshëm krediti.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga dimensionet më interesante të vlerësimit të fundit.

Moody’s nuk po thotë se Shqipëria ka kaluar tashmë në një nivel të ri krediti, por sinjalizon se disa prej faktorëve që përcaktojnë aftësinë e vendit për të përballuar borxhin janë përmirësuar mjaftueshëm sa për të ndryshuar perspektivën e ardhshme.

Në gjuhën e tregjeve financiare, kjo do të thotë se investitori nuk sheh vetëm nivelin aktual të riskut, por edhe drejtimin në të cilin ai risk mund të lëvizë.

Kjo është arsyeja pse dallimi ndërmjet “Ba3 Stable” dhe “Ba3 Positive” nuk është thjesht teknik.“Stable” nënkupton se, në vlerësimin e agjencisë nuk kishte në atë moment një argument të mjaftueshëm për të pritur ndryshim të drejtimit të rating-ut. “Positive” nënkupton se bilanci i zhvillimeve është zhvendosur në një drejtim që mund të justifikojë një përmirësim të ardhshëm, nëse faktorët pozitivë vazhdojnë të materializohen.

Në këtë pikë, Shqipëria ka një interes të drejtpërdrejtë ekonomik, që të provojë se përmirësimi nuk është vetëm ciklik, por strukturor.

Rritja ekonomike, të ardhurat nga turizmi, forcimi i rezervave valutore dhe rritja e investimeve të huaja janë faktorë të rëndësishëm.

Por për një përmirësim të qëndrueshëm të profilit të kreditit, rëndësi kanë edhe cilësia e institucioneve, administrimi fiskal, produktiviteti, formalizimi i ekonomisë, kapaciteti për të prodhuar rritje më të gjerë dhe të qëndrueshme, si dhe aftësia për ta kthyer procesin e integrimit evropian në reforma konkrete.

Prandaj, perspektiva “Positive” duhet parë edhe si një lloj testi për politikat ekonomike të periudhës së ardhshme.

Nëse reformat dhe konsolidimi fiskal vazhdojnë, atëherë perspektiva pozitive mund të shndërrohet në një përmirësim të vetë rating-ut.

Nëse përmirësimi i treguesve ngadalësohet ose rriten përsëri rreziqet fiskale, të jashtme apo institucionale, atëherë diferenca ndërmjet një perspektive pozitive dhe një rritjeje reale të rating-ut mbetet e hapur.

Kjo është edhe arsyeja pse ALTAX e lexon këtë zhvillim jo si një sukses të izoluar të qeverisë, por si një tregues që duhet të testohet përmes kostos reale të financimit publik.

Çfarë bëhet më e rëndësishme është nëse ky përmirësim i perceptimit të riskut do të shndërrohet në kushte më të mira financimi për shtetin shqiptar.

Nëse në vitin 2027 Shqipëria del përsëri në tregun ndërkombëtar, krahasimi më kuptimplotë nuk do të jetë vetëm shuma e Eurobondit të ri.m, por edhe raporti ndërmjet yield-it të ri dhe atij të Eurobondit të vitit 2025, duke kontrolluar për ndryshimin e normave ndërkombëtare të interesit dhe kushtet e përgjithshme të tregut.

Në fund, ky është edhe testi i vërtetë i një rating-u më të mirë: jo sa bukur duket në komunikimin publik, por sa më pak kushton financimi i shtetit shqiptar.

Për Shqipërinë, kalimi nga Ba3/Stable në Ba3/Positive është një sinjal pozitiv për drejtimin e mundshëm të profilit të kreditit, por jo ende një ndryshim i kategorisë së rating-ut.

Nëse ky sinjal konsolidohet dhe përkthehet në një përmirësim të ardhshëm të notës, atëherë ai mund të ketë rëndësi të drejtpërdrejtë për Eurobondin e planifikuar për vitin 2027.

Në këtë perspektivë, Moody’s nuk i ka dhënë qeverisë thjesht një “vlerësim më të mirë”. I ka dhënë tregut një sinjal për drejtimin e mundshëm të Shqipërisë. Sfida e qeverisë është që këtë sinjal ta shndërrojë në përmirësim real të kushteve të financimit, ndërsa sfida për ekonominë është që borxhi i marrë me kosto më të ulët të prodhojë rritje ekonomike dhe kapacitet të ardhshëm për ta shlyer atë.Nëse Eurobondi i ardhshëm do të jetë pjesë e kësaj strategjie, atëherë vlera e rating-ut nuk qëndron te mundësia për të marrë më shumë borxh, por te mundësia për të marrë financim më të lirë, më të gjatë dhe më të menaxhueshëm.

Ky është dallimi ndërmjet një përmirësimi të thjeshtë të perceptimit dhe një përfitimi real për financat publike.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.