Nga buxheti i transfertave te financimi i territorit në 2027
Një qasje e re për Buxhetin 2027 dhe ndarjen administrative me bonot bashkiake.
Ndarja administrative-territoriale nuk mund të trajtohet më vetëm si një çështje e numrit të bashkive, kufijve territorialë apo shpërndarjes së kompetencave. Ajo është, në thelb, një çështje e kapacitetit ekonomik dhe financiar të territorit për të prodhuar të ardhura, për të financuar shërbime dhe për të investuar në zhvillimin e vet.
Kjo është pikërisht pika ku qasja tradicionale ndaj financave vendore fillon të tregojë kufijtë e saj. Një sistem ku bashkitë varen në masë të madhe nga transfertat qendrore mund të garantojë shpërndarjen e fondeve, por nuk garanton domosdoshmërisht ndërtimin e kapaciteteve financiare lokale. Nëse madhësia territoriale, baza ekonomike, popullsia, pasuria dhe potenciali i të ardhurave nuk përkthehen në kapacitet financiar, atëherë ndryshimi i hartës administrative nuk zgjidh problemin që synon të adresojë.
Në këtë kuptim, Buxheti 2027 duhet parë jo vetëm si një dokument i shpërndarjes së fondeve publike, por si një test për mënyrën se si Shqipëria e koncepton financimin e zhvillimit territorial.
Deri tani, debati mbi decentralizimin është fokusuar kryesisht në pyetjen se sa para kalojnë nga buxheti i shtetit te bashkitë. Debati për fazën e ardhshme duhet të përqendrohet te kapaciteti financiar që mund të krijojë vetë territori dhe te instrumentet që mund ta transformojnë këtë kapacitet në investim afatgjatë.
Kjo e zhvendos analizën nga transferta te kapaciteti, nga shpenzimi te investimi dhe nga ndarja administrative te arkitektura financiare e territorit.
Reforma territoriale e re e 2026 po synon të krijojë një strukturë më të konsoliduar të qeverisjes vendore, por konsolidimi administrativ nuk është i njëjtë me konsolidimin financiar. Një bashki mund të jetë më e madhe në territor dhe në popullsi, por kjo nuk do të thotë automatikisht se ka një bazë të mjaftueshme të ardhurash për të financuar investimet që kërkon zhvillimi i saj.
Kjo është arsyeja pse një rishikim i ndarjes territoriale, nëse do të bëhet nuk duhet të nisë vetëm nga numri i bashkive. Ai duhet të mbështetet te madhësia dhe struktura territoriale që krijojnë kapacitetin më të mirë për financimin e shërbimeve dhe investimeve.
Në këtë këndvështrim, popullsia është vetëm një nga variablat. Duhet të hyjnë në analizë baza e tatueshme, aktiviteti ekonomik, prona, turizmi, infrastruktura, vlera e tokës, kapaciteti administrativ, niveli i shërbimeve dhe mundësia për të krijuar të ardhura të qëndrueshme.
Një territor që ka potencial ekonomik, por nuk ka instrumente financiare për ta mobilizuar atë potencial, mbetet i varur nga qendra. Ndërsa një territor që mund të lidhë të ardhurat e veta me investimet afatgjata fillon të ndërtojë një formë tjetër autonomie: autonominë financiare.
Buxheti 2027 duhet ta hapë këtë kapitull.
Nëse Buxheti 2027 do të mbetet vetëm një mekanizëm për rritjen e transfertave dhe financimin e shpenzimeve vendore, atëherë Shqipëria do të vazhdojë të menaxhojë një model ku qeverisja vendore është kryesisht përfituese e burimeve të përcaktuara nga qendra.
Por nëse Buxheti 2027 shfrytëzohet për të krijuar një arkitekturë të re financiare, ai mund të bëhet pika e nisjes për një model ku bashkitë kanë më shumë mundësi të financojnë zhvillimin e tyre.
Këtu hyn një instrument që në Shqipëri ende nuk është pjesë normale e diskutimit të financave vendore, siç janë bonot bashkiake.
Në tregjet ndërkombëtare, bonot bashkiake nuk janë thjesht një mënyrë për të marrë borxh. Ato janë pjesë e një ekosistemi më të gjerë që lidh qeverisjen vendore, disiplinën fiskale, transparencën, investitorët institucionalë dhe financimin afatgjatë të infrastrukturës. Përvojat ndërkombëtare tregojnë se ky treg funksionon kur ekzistojnë njëkohësisht rregulla të qarta, menaxhim financiar, transparencë dhe institucione që krijojnë besim.
Pra, çështja nuk është të kopjohet një instrument financiar nga SHBA-ja, Japonia apo vendet nordike. Çështja është të kuptohet infrastruktura institucionale që duhet të ndërtojë Shqipëria për të krijuar mundësinë që territoret me kapacitet të financojnë projektet e tyre afatgjata.
Nga “municipal bond” te “municipal finance ecosystem”
Përvoja ndërkombëtare është e rëndësishme pikërisht sepse tregon se bonot bashkiake nuk zhvillohen në vakum.
Në Japoni, Suedi, Finlandë, Danimarkë, Francë dhe Zelandën e Re janë krijuar institucione ndërmjetëse që grumbullojnë kërkesën e shumë njësive vendore, standardizojnë financimin dhe u japin edhe bashkive më të vogla akses në tregjet e kapitalit.
Ky është një mësim veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë.
Nuk është e nevojshme që çdo bashki të jetë në gjendje të emetojë individualisht bono. Përkundrazi, një model shqiptar mund të fillojë me një mekanizëm të përbashkët financimi vendor, i cili do të mundësonte që projektet e bashkive të strukturohen, të vlerësohen dhe të financohen në mënyrë më të standardizuar.
Kjo do të ndryshonte edhe mënyrën se si shihet madhësia e bashkisë.
Një bashki e vogël, që individualisht nuk ka shkallën e nevojshme për të hyrë në tregun e kapitalit, nuk duhet të përjashtohet automatikisht nga financimi afatgjatë. Ajo mund të bëhet pjesë e një strukture të përbashkët financimi.
Kështu, ekonomia e shkallës nuk do të kërkohej domosdoshmërisht përmes bashkimit administrativ, por përmes bashkimit financiar.
Ky është një ndryshim thelbësor në mënyrën se si mund të mendohet reforma territoriale.
Ndarja territoriale duhet të matet edhe me “bankueshmërinë” e territorit
Një reformë e ardhshme territoriale nuk duhet të kufizohet në treguesit demografikë dhe administrativë.
Ajo duhet të përfshijë edhe kapacitetin financiar të territorit për të mbështetur investime afatgjata.
Në praktikë, kjo do të thotë se për çdo bashki mund të ndërtohet një profil financiar që përfshin:
- kapacitetin e të ardhurave të veta;
- bazën ekonomike dhe tatimore;
- pasurinë publike dhe potencialin e saj ekonomik;
- nivelin e borxhit dhe shërbimit të borxhit;
- kapacitetin për bashkëfinancim;
- portofolin e projekteve të investimit;
- kapacitetin administrativ për projektet;
- potencialin për financim të gjelbër dhe social;
- mundësinë për të gjeneruar të ardhura të lidhura me projektin.
Kjo do të krijonte një hartë të kapacitetit financiar të territorit, e cila është shumë më e dobishme për politikëbërjen sesa një hartë që tregon vetëm numrin e banorëve dhe kufijtë administrativë.
Bonot GSS+ hapin një dimension tjetër…
Përvoja ndërkombëtare tregon gjithashtu se financimi vendor po zhvendoset drejt instrumenteve të lidhura me impaktin. Bonot green, social dhe sustainability po përdoren për transport të pastër, eficiencë energjetike, infrastrukturë sociale, ujë, reziliencë klimatike dhe projekte të tjera me ndikim të matshëm.
Kjo është veçanërisht interesante për Shqipërinë sepse shumë prej investimeve që bashkitë kanë nevojë të financojnë janë pikërisht të këtij karakteri: ujësjellës-kanalizime, transport publik, menaxhim mbetjesh, eficiencë energjetike, shkolla, rikualifikim urban, mbrojtje nga përmbytjet dhe infrastrukturë turistike.
Prandaj, një qasje e re nuk do të duhej të fillonte menjëherë me ndërtimin e një tregu të gjerë të bonove bashkiake në Shqipëri.
Qasja më e dobishme është ndërtimi i një programi pilot të financimit të investimeve vendore, me standarde të qarta fiskale, transparencë dhe matje të impaktit, përpara krijimit të një tregu të plotë.
Përvoja ndërkombëtare sugjeron pikërisht një qasje të tillë: fillim me emetime të kufizuara, transparencë të lartë, disiplinë fiskale dhe mbështetje teknike përpara zgjerimit të tregut.
Ndryshimi më i rëndësishëm është pikërisht perceptimi i ndryshuar që kalon nga decentralizimi fiskal te decentralizimi i kapitalit.
Politika, ekspertët dhe publiku kanë diskutuar prej vitesh decentralizimin fiskal kryesisht në termat e kompetencave dhe të ardhurave. Faza tjetër duhet të jetë decentralizimi i kapitalit.
Një bashki nuk mund të konsiderohet financiarisht autonome vetëm sepse mbledh disa të ardhura lokale. Ajo duhet të ketë mundësi të ndërtojë një strategji investimi shumëvjeçare dhe të mobilizojë burime financiare për ta realizuar atë.
Kjo do të kërkonte një ndryshim të filozofisë së buxhetimit, nga transfertë → shpenzim → investim drejt kapacitet territorial → projekt → financim → të ardhura/impakt → shërbim afatgjatë.
Në këtë model, buxheti qendror nuk humbet rolin e tij. Përkundrazi, roli i tij bëhet më strategjik: vendos rregullat, standardet, kufijtë fiskalë dhe mekanizmat e sigurisë, ndërsa territori fiton më shumë hapësirë për të mobilizuar kapital.
Ky diskutim i hapur realisht e rikthen në qendër çështjen e ndarjes territoriale
Nëse kjo logjikë pranohet, debati për ndarjen administrative-territoriale ndryshon në mënyrë të ndjeshme.
Nuk mjafton më të diskutohet nëse një bashki është shumë e madhe apo shumë e vogël.
Duhet të vlerësohet nëse struktura aktuale:
krijon ekonomi shkalle;
mundëson ofrimin e shërbimeve me kosto të arsyeshme;
ka bazë të mjaftueshme ekonomike;
mund të mobilizojë të ardhura;
mund të financojë investime;
mund të tërheqë kapital
dhe mbi të gjitha, mund të ndërtojë një cikël të qëndrueshëm midis ekonomisë lokale, të ardhurave publike dhe investimit.
Nëse përgjigjja është negative, problemi nuk zgjidhet automatikisht duke bashkuar ose ndarë bashki.
Mund të jetë më efikase të ndërtohen mekanizma të përbashkët financiarë, shërbime të përbashkëta, projekte të përbashkëta dhe instrumente të përbashkëta financimi.
Kjo do të ishte një qasje shumë më moderne sesa rishikimi mekanik i hartës administrative.
Vendi nuk ka nevojë vetëm për bashki më të mëdha, por edhe për territore financiarisht më të afta
Pikërisht këtu bashkohen dy debatet që zakonisht zhvillohen të ndara: Buxheti 2027 dhe reforma territoriale.
Në fakt, ato janë pjesë e të njëjtit problem.
Një ndarje territoriale është funksionale vetëm nëse struktura që krijon është në gjendje të financojë shërbimet dhe zhvillimin që kërkohet prej saj.
Prandaj, reforma e ardhshme nuk duhet të synojë thjesht një numër tjetër bashkish. Ajo duhet të synojë një arkitekturë tjetër të financimit territorial.
Kjo do të kërkonte që Shqipëria të kalojë nga një model ku territori pret burime nga buxheti qendror, në një model ku territori ndërton kapacitet, strukturon projekte dhe mobilizon kapital.
Përvoja ndërkombëtare e bonove bashkiake tregon se kjo nuk është thjesht teori. Qytete dhe institucione lokale në SHBA, Japoni, vendet nordike, Francë, Afrikën e Jugut dhe vende të tjera kanë përdorur struktura të ndryshme financimi për të lidhur kapacitetin fiskal lokal me investimet afatgjata.
Mësimi kryesor për Shqipërinë nuk është se duhet të kopjojë këto tregje. Mësimi është se madhësia e territorit nuk është e vetmja mënyrë për të krijuar ekonomi shkalle. Institucionet financiare, standardizimi, transparenca dhe bashkëpunimi ndërvendor mund ta krijojnë atë shkallë edhe pa ndryshuar domosdoshmërisht kufijtë administrativë.
Buxheti 2027 mund të trajtohet si një ushtrim tradicional i planifikimit fiskal. Por ai mund të përdoret edhe si pikënisje për një çështje shumë më të madhe: financimin e territorit shqiptar në dekadën e ardhshme.
Nëse përgjigjja mbetet vetëm te transfertat qendrore, atëherë edhe decentralizimi do të mbetet i kufizuar nga kapaciteti i buxhetit qendror.
Nëse Shqipëria fillon të ndërtojë një sistem ku bashkitë kanë kapacitet për të gjeneruar të ardhura, për të strukturuar projekte, për të bashkëpunuar financiarisht dhe gradualisht për të hyrë në tregjet e kapitalit, atëherë decentralizimi merr një dimension të ri.
Në këtë kuptim, bonot bashkiake nuk janë qëllimi.
Janë vetëm një nga instrumentet e mundshme të një modeli më të madh, që lidhet me financimin e territorit përmes kapacitetit të tij ekonomik dhe kjo e ndryshon edhe logjikën e ndarjes administrative-territoriale.
Ndarja administrative-territoriale duhet të vlerësohet mbi bazën e arkitekturës territoriale që i jep Shqipërisë kapacitetin më të madh për të financuar shërbime, investime dhe zhvillim lokal në mënyrë të qëndrueshme.
Ky është debati që mund ta lidhë realisht Buxhetin 2027, decentralizimin fiskal dhe reformën territoriale në një axhendë të vetme të politikës publike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.