Nga pensioni privat te kapitali individual i pensionit
Reforma e pensioneve në Shqipëri po hyn në një fazë ku, krahas qëndrueshmërisë financiare të skemës publike, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme aftësia e individit për të krijuar kapitalin e vet për moshën e pensionit. Demografia, emigracioni, rritja e jetëgjatësisë dhe presioni afatgjatë mbi financat publike e bëjnë kursimin individual një komponent gjithnjë e më të rëndësishëm të sigurisë ekonomike të familjeve.
Kjo nevojë shfaqet në një treg privat pensionesh që ka filluar të zgjerohet, por që mbetet ende në një fazë të hershme zhvillimi. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në fund të shtatorit 2025 fondet private të pensionit me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur kishin 48,864 anëtarë dhe aktive neto prej 14.36 miliardë lekësh, me rritje përkatësisht 8.77% dhe 11.55% krahasuar me fundin e vitit 2024.
Në raport me një popullsi rezidente prej 2.34 milionë banorësh në fillim të vitit 2026, kjo mbetet një bazë e kufizuar pjesëmarrjeje. Popullsia në moshë pune përcaktohet nga INSTAT si grupmosha 15–64 vjeç dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës për këtë grupmoshë ishte 75.9% në tremujorin e katërt të vitit 2025.
Këto shifra tregojnë një treg që po rritet, por edhe një hapësirë të madhe për zgjerim. Pensioni privat shqiptar ende përfaqëson një pjesë të vogël të popullsisë aktive dhe të kursimeve financiare të familjeve.
Struktura e investimeve e tregon një tjetër karakteristikë të tregut. Sipas AMF-së, gjatë vitit 2025 rreth 96.02% e aktiveve të fondeve private të pensionit ishin të investuara në obligacione të Qeverisë. Kjo strukturë ofron një profil konservator, por njëkohësisht tregon kufizimet e tregut vendas të instrumenteve financiare dhe nevojën për më shumë mundësi diversifikimi.
Në këtë realitet merr rëndësi ideja e një mekanizmi të ri: kapitali individual i pensionit.
Nga pensioni privat te kapitali individual
Modeli amerikan i llogarive individuale të pensionit ofron një pikënisje interesante për këtë diskutim. Në SHBA ekzistojnë Individual Retirement Arrangements, të njohura si IRA, përmes të cilave individi krijon një llogari të dedikuar për pension dhe përfiton trajtim të posaçëm tatimor sipas llojit të IRA-s.
Në vitin 2026, kufiri i përgjithshëm vjetor i kontributeve në Traditional IRA dhe Roth IRA është 7,500 dollarë, ose 8,600 dollarë për individët 50 vjeç e sipër, brenda rregullave përkatëse. Në sistemin amerikan ekzistojnë paralelisht edhe skema të lidhura me punësimin, si 401(k), ku kufiri bazë i kontributit të punëmarrësit në vitin 2026 është 24,500 dollarë.
Thelbi i modelit është krijimi i një pasurie financiare të lidhur drejtpërdrejt me individin. Qytetari kontribuon gjatë jetës aktive, kapitali investohet në instrumente të lejuara dhe vlera e llogarisë evoluon sipas kontributeve, kthimit të investimeve dhe kostove.
Institucioni financiar siguron infrastrukturën e llogarisë, ekzekutimin dhe kujdestarinë e investimeve dhe shërbimet profesionale. Në qendër të marrëdhënies mbetet llogaria individuale dhe kapitali i akumuluar për pension.
Kjo logjikë mund të përshtatet me kushtet shqiptare pa u kopjuar mekanikisht.
Shqipëria ka tashmë bazën institucionale
Shqipëria ka krijuar një bazë të rëndësishme ligjore me Ligjin nr. 76/2023 “Për fondet e pensionit privat”. Ligji rregullon krijimin, licencimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e fondeve private të pensionit, shoqërive administruese dhe depozitarëve.
Ligji njeh edhe llogarinë e pensionit në emër dhe në përfitim të individit brenda fondit. Kjo do të thotë se koncepti i pronësisë individuale mbi kursimin pensionale ekziston tashmë në arkitekturën shqiptare.
Megjithatë, struktura aktuale e vendos individin brenda një fondi të administruar profesionalisht:
Individi → fondi i pensionit → shoqëria administruese → investimet
Një sistem i llogarisë individuale do ta zgjeronte këtë arkitekturë:
Individi → llogaria individuale → zgjedhja e investimit → kapitali pensionale
Dallimi kryesor qëndron te shkalla e zgjedhjes dhe kontrollit mbi mënyrën se si investohet kapitali.
Kjo nuk e bën fondin privat një model të vjetëruar. Përkundrazi, administrimi profesional mbetet veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët që kanë pak njohuri financiare ose preferojnë një portofol të menaxhuar nga profesionistë.
| Elementi | Fondi privat i pensionit | Llogaria individuale e pensionit |
| Qendra e sistemit | Fondi | Individit dhe llogaria e tij |
| Administrimi | Shoqëri administruese | Institucion financiar, me zgjedhje individuale brenda rregullave |
| Investimi | Sipas politikës së fondit | Sipas alternativave të lejuara dhe profilit të individit |
| Rreziku | I shpërndarë përmes portofolit të fondit | Më shumë përgjegjësi mbi individin |
| Transparenca | Raportim nga fondi | Raportim i drejtpërdrejtë mbi llogarinë dhe investimet |
| Mbrojtja | Rregullim dhe mbikëqyrje | Rregullim, mbikëqyrje dhe kufizime prudenciale |
| Përdorimi | Pension shtesë | Kapital individual për pension |
Një shtyllë e tretë për sistemin shqiptar
Në këtë kuptim, sistemi shqiptar mund të zhvillohet në tre nivele.
Shtylla e parë është pensioni publik, i administruar përmes sistemit të sigurimeve shoqërore dhe ISSH.
Shtylla e dytë është pensioni privat, përmes fondeve private dhe skemave profesionale ku mund të kontribuojnë punëmarrësi dhe punëdhënësi.
Shtylla e tretë mund të jetë Llogaria Individuale e Pensionit, e ndërtuar rreth kursimit dhe investimit të drejtpërdrejtë të individit.
Kjo strukturë do të krijonte një kombinim midis sigurimit social, administrimit profesional të pensionit dhe akumulimit individual të kapitalit.
Shqipërisë i duhet një konkurrencë më e gjerë midis mënyrave të kursimit për pension, dhe jo vetëm konkurrencë midis fondeve private të pensionit.
Fondet mund të konkurrojnë për administrimin profesional të kursimeve, ndërsa llogaritë individuale mund të krijojnë një kanal të ri për qytetarët që kërkojnë më shumë kontroll mbi kapitalin e tyre.
Në një treg ende të vogël, kjo qasje do të mund të sillte më shumë kursimtarë në sistem dhe njëkohësisht të nxiste konkurrencën mbi kostot, transparencën, produktet dhe shërbimet.
Në këtë kuptim, objektivi i reformës do të ishte zgjerimi i tregut të kursimit pensionale, dhe jo transferimi i anëtarëve nga fondet ekzistuese drejt një instrumenti të ri.
Sa mund të krijojë një kursim i vogël?
Vlera e këtij mekanizmi bëhet më e kuptueshme kur shihet përmes kapitalizimit të kthimeve.
Një individ që kursen 3,000 lekë në muaj për 30 vjet kontribuon nominalisht 1.08 milionë lekë. Me 5,000 lekë në muaj, kontributet arrijnë në 1.8 milionë lekë.
Por kapitali përfundimtar varet nga kthimi i investimit. Për këtë arsye, një normë e vetme prej 6% nuk duhet përdorur si parashikim, por vetëm si skenar ilustrues.
Kapitali i akumuluar pas 30 vitesh
Kontribute mujore, kapitalizim mujor, para kostove dhe tatimeve.
| Kontributi mujor | 4% kthim vjetor | 6% kthim vjetor | 8% kthim vjetor |
| 3,000 lekë | 2.08 mln lekë | 3.01 mln lekë | 4.47 mln lekë |
| 5,000 lekë | 3.47 mln lekë | 5.02 mln lekë | 7.45 mln lekë |
Tabela tregon dy gjëra. Së pari, koha është një faktor i fuqishëm i akumulimit. Së dyti, rezultati varet ndjeshëm nga kthimi i investimit.
Për këtë arsye, shifrat nuk përfaqësojnë një premtim për pensionin e ardhshëm. Ato janë një ilustrim matematikor i efektit të kapitalizimit. Në praktikë, kthimet ndryshojnë nga viti në vit dhe rezultati përfundimtar ndikohet nga inflacioni, tarifat e administrimit, kostot e transaksioneve, tatimet dhe struktura e portofolit.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme që një sistem i tillë të raportojë jo vetëm kthimin bruto, por edhe kthimin neto pas kostove dhe inflacionit.
Rreziku kalon pjesërisht te individi
Këtu ndodhet dallimi më i rëndësishëm midis autonomisë dhe sigurisë.
Sa më shumë zgjedhje t’i jepen individit, aq më shumë përgjegjësi i kalon atij për rezultatin e investimit. Një investitor mund të zgjedhë një portofol tepër të rrezikshëm, të shesë në një moment të pafavorshëm të tregut, të ndjekë produkte që nuk i kupton ose të përqendrojë kursimet në një numër të vogël instrumentesh.
Në një treg si Shqipëria, ku edukimi financiar mbetet pjesë e sfidës së zhvillimit të tregut, një model i vetëdrejtuar kërkon mbrojtje të fortë të konsumatorit.
Kjo e bën të nevojshme një arkitekturë me disa nivele sigurie.
Individi mund të zgjedhë midis disa profileve të riskut, por brenda një universi të instrumenteve të lejuara. Për individët që nuk bëjnë zgjedhje aktive, sistemi mund të ofrojë një default option, pra një portofol të diversifikuar dhe të administruar profesionalisht. Për investitorët që kërkojnë më shumë autonomi, mund të ofrohen zgjedhje më të gjera.
Mund të përdoren gjithashtu kufizime për ekspozimin ndaj aktiveve me rrezik të lartë, kërkesa për transparencë të plotë mbi tarifat dhe informim standard për rrezikun.
Kështu, zgjedhja individuale shoqërohet me një rrjet mbrojtjeje institucionale.
Roli i shtetit si rregullator, jo si menaxher i kapitalit
Një sistem i llogarive individuale kërkon një rol të fortë të shtetit në rregullim.
AMF do të kishte një rol qendror në licencimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve, përcaktimin e standardeve të investimit, transparencën e tarifave, informimin e konsumatorit dhe kontrollin e përshtatshmërisë së produkteve.
Në fakt, kuadri rregullator shqiptar po zhvillohet në këtë drejtim. Në vitin 2024 AMF miratoi rregulla të posaçme për elementët dhe nivelet e tarifave dhe kostove të fondeve private të pensionit, ndërsa rregullat për vlerën neto të aktiveve, çmimin e kuotës dhe raportimin përcaktojnë mekanizma më të standardizuar transparence.
Në maj 2026, AMF deklaroi gjithashtu se po punohej për ndryshime të mëtejshme në Ligjin nr. 76/2023, në kuadër të përafrimit me IORP II, me fokus qeverisjen, administrimin e riskut, transparencën dhe mbrojtjen e interesave të anëtarëve.
Kjo krijon një moment të përshtatshëm për ta diskutuar llogarinë individuale si pjesë të evolucionit të tregut, në vend që të krijohet si një sistem paralel i shkëputur nga kuadri ekzistues.
Lidhja me sigurimet shoqërore
Ligji nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbetet baza e shtyllës publike të pensioneve.
Një llogari individuale pensioni do të funksiononte paralelisht me këtë sistem.
Kontributi i detyrueshëm në sigurimet shoqërore do të vazhdonte të financojë pensionin publik dhe të drejtat e tjera të sigurimit shoqëror.
Kontributi në llogarinë individuale do të përfaqësonte kursim personal të dedikuar për pension.
Kjo ndarje e bën më të qartë arkitekturën e sistemit:
ISSH → pensioni publik
Fondi privat → administrimi profesional
Llogaria individuale → kapitali personal
Tre mekanizmat mund të funksionojnë paralelisht dhe të plotësojnë njëri-tjetrin.
Ligji për fondet private si pikënisje
Ligji nr. 76/2023 ofron një bazë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij modeli. Ai tashmë rregullon fondet private, shoqëritë administruese, depozitarët dhe mbikëqyrjen e tregut.
Një reformë për llogaritë individuale mund të ndërtohet mbi këtë infrastrukturë përmes një zgjerimi të qartë të kuadrit ligjor.
Legjislacioni do të duhej të përcaktonte pronësinë mbi kapitalin, mënyrën e kontributit, instrumentet e lejuara, përgjegjësinë për investimin, kufijtë e riskut, tarifat, trashëgiminë, kushtet e tërheqjes dhe mënyrën e shndërrimit të kapitalit në të ardhura pensionale.
Një element vendimtar do të ishte edhe trajtimi fiskal.
Parimi më i rëndësishëm do të ishte neutraliteti fiskal sipas qëllimit të kursimit, jo sipas institucionit që administron paratë.
Nëse shteti dëshiron të nxisë kursimin afatgjatë për pension, avantazhi fiskal duhet të lidhet me destinacionin pensionale të kapitalit. Në këtë mënyrë, fondi privat dhe llogaria individuale do të konkurronin mbi shërbimin dhe mënyrën e administrimit, ndërsa incentiva fiskale do të mbështeste vetë objektivin e kursimit për pension.
Regjimi do të duhej të përcaktonte qartë edhe trajtimin në hyrje dhe dalje, si: kufirin vjetor të kontributeve që përfiton lehtësi, mënyrën e tatimit të kthimeve, trajtimin e tërheqjes në moshën e pensionit, rregullat për tërheqjet e parakohshme dhe trajtimin e kapitalit në rast vdekjeje.
Një mësim nga vendet e tjera
Përvoja ndërkombëtare tregon se kursimi individual për pension mund të organizohet në forma të ndryshme.
SHBA përdor një kombinim të llogarive individuale, si IRA, dhe skemave të lidhura me punësimin, si 401(k). Në vitin 2026 IRA ka kufi vjetor prej 7,500 dollarësh, ndërsa 401(k) ka kufi bazë prej 24,500 dollarësh për kontributet e punëmarrësit.
Në vende të tjera, sidomos në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Amerikën Latine, janë përdorur forma të ndryshme të shtyllave private, llogarive individuale, skemave të detyrueshme ose vullnetare dhe fondeve profesionale.
Këto modele kanë prodhuar rezultate të ndryshme dhe përvojat e tyre nuk mund të transferohen mekanikisht në Shqipëri. Ato ofrojnë, megjithatë, një mësim të përbashkët: dizajni i institucionit ka rëndësi po aq sa incentiva për kursim.
Në rastin shqiptar, madhësia e tregut, niveli i edukimit financiar, zhvillimi i tregut të kapitalit dhe besimi i publikut kërkojnë një model gradual dhe të mbrojtur.
Nga kursimtar në investitor
Një sistem i tillë do të kishte efekte edhe përtej pensioneve.
Nëse një numër i madh qytetarësh fillojnë të kursejnë rregullisht edhe shuma relativisht të vogla, krijohet gradualisht një stok kapitali vendas me horizont afatgjatë.
Ky kapital mund të investohet në tituj shtetërorë, obligacione korporative, fonde investimi, instrumente të tregut të kapitalit dhe, sipas kuadrit që do të miratohej, instrumente të diversifikuara ndërkombëtare.
Këtu shfaqet edhe një nga kufizimet aktuale të tregut shqiptar. Kur 96.02% e aktiveve të pensioneve private janë të investuara në obligacione të qeverisë, zgjerimi i kursimit pensionale duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e instrumenteve ku ky kapital mund të investohet.
Përndryshe, Shqipëria do të krijonte më shumë kursime pensionale pa krijuar njëkohësisht një treg mjaftueshëm të gjerë për investimin e tyre.
Prandaj reforma e pensioneve private duhet të ecë bashkë me zhvillimin e tregut të kapitalit.
Qytetari bëhet kursimtar dhe investitor. Familja ndërton pasuri financiare. Tregu fiton kapital afatgjatë. Bizneset fitojnë një burim potencial financimi. Ekonomia krijon një bazë më të gjerë të kapitalit vendas.
Një “IRA shqiptare” si reformë e besimit financiar
Një Llogari Individuale Pensioni shqiptare mund të ndërtohet mbi një filozofi të thjeshtë: qytetari krijon kapitalin e vet, e mban atë të identifikueshëm në emrin e tij, zgjedh nivelin e riskut dhe mënyrën e investimit brenda një kuadri të rregulluar dhe përfiton një trajtim fiskal që shpërblen kursimin afatgjatë.
Kjo filozofi e zhvendos qendrën e sistemit nga produkti financiar te individi.
Fondi privat mbetet një instrument i rëndësishëm. Shoqëria administruese mbetet një aktor profesional. Banka, brokeri, depozitari dhe institucionet e tjera financiare mbeten pjesë e infrastrukturës së tregut. AMF mbetet autoriteti i mbikëqyrjes.
Ndryshimi qëndron te zgjerimi i zgjedhjes.
Një qytetar mund të zgjedhë administrim profesional përmes një fondi. Një tjetër mund të preferojë një llogari me më shumë autonomi investimi. Një i ri mund të fillojë me një portofol të thjeshtë dhe konservator, ndërsa një investitor me më shumë njohuri mund të përdorë një gamë më të gjerë instrumentesh brenda kufijve të lejuar.
Në këtë mënyrë, konkurrenca zhvendoset nga konkurrenca vetëm midis fondeve drejt konkurrencës midis mënyrave të ndërtimit të pensionit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një treg që ende kërkon zgjerim. Në fund të shtatorit 2025, vetëm rreth 49 mijë persona rezultonin anëtarë të fondeve private të pensionit, ndërsa aktivet e tregut ishin rreth 14.4 miliardë lekë.
Prandaj, një llogari individuale do të kishte kuptim ekonomik nëse synon kryesisht të sjellë kursimtarë të rinj në sistem, duke i dhënë tregut një kanal tjetër hyrjeje dhe fondet ekzistuese një bazë më të gjerë potenciale klientësh.
Nga besimi te institucioni te besimi i informuar
Historia financiare e Shqipërisë e bën të rëndësishme këtë ndryshim kulture.
Përvoja e vitit 1997 tregoi koston e besimit të pakontrolluar. Përvoja e viteve të mëvonshme tregon edhe kufizimet e një sistemi ku qytetari e sheh pensionin kryesisht si një detyrim të ardhshëm të shtetit.
Modeli i kapitalit individual krijon një rrugë të ndërmjetme.
Shteti garanton rregullat.
Institucioni financiar siguron shërbimin.
Mbikëqyrësi kontrollon tregun.
Individi zotëron kapitalin.
Kjo është një marrëdhënie më moderne midis qytetarit dhe sistemit financiar.
Besimi nuk ndërtohet mbi premtimin se investimi do të fitojë gjithmonë. Ai ndërtohet mbi transparencën e riskut, ndarjen e aktiveve, raportimin e kostove, mbikëqyrjen dhe aftësinë e qytetarit për të parë se çfarë ndodh me paratë e tij.
Nga pensioni si pagesë te pensioni si pasuri
Në fund, ndryshimi më i rëndësishëm është konceptual.
Pensioni publik është një mekanizëm sigurimi social.
Fondi privat është një mekanizëm profesional i kursimit dhe investimit.
Llogaria individuale mund të bëhet një mekanizëm i akumulimit të pasurisë personale për pension.
Këto tre forma mund të funksionojnë së bashku.
Për Shqipërinë, kjo do të përfaqësonte një kalim nga kultura e kursimit pasiv drejt kulturës së pronësisë financiare.
Nga pritja për pensionin drejt ndërtimit gradual të kapitalit.
Nga një treg ku fondet konkurrojnë kryesisht me njëri-tjetrin, drejt një tregu ku qytetari mund të zgjedhë edhe mënyrën se si ndërton pensionin e tij.
Nga besimi personal te një institucion drejt besimit të mbështetur në rregulla, transparencë dhe kontroll.
Dhe mbi të gjitha, drejt një modeli ku një pjesë e pensionit të ardhshëm ndërtohet çdo muaj nga vetë qytetari, si kapital personal dhe si pasuri financiare e familjes.
Kjo e bën idenë e një “IRA shqiptare” më shumë se një përshtatje të një mekanizmi amerikan. Ajo mund të shërbejë si pikënisje për një reformë më të gjerë të kulturës së kursimit, të tregut të pensioneve private dhe të pronësisë financiare të familjeve shqiptare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.