Ekonomia e rajoneve shqiptare larg perspektivës së zhvillimit të qëndrueshëm

Krahasimi i normave të rritjes së PBB-së të rajoneve të ndryshme mund të luajë një rol në shpërndarjen e aseteve, duke ndihmuar vendimet për investimet në ekonomitë rajonale me rritje të shpejtë.

Por, ekspertët sqarojnë nga ana tjetër, se përtej investimeve të huaja që kanë hyrë në Shqipëri mbetet ende sfidë e pa adresuar dhe me ndikim të mprehtë për produktivitetin e ekonomisë mungesa e diversifikimit të sektorëve dhe rritja e kapaciteteve shfrytëzuese të sektorëve produktivë në vend.

Kjo duket në faktin se Shqipëria në 2022 me një peshë sa 16 përqind të popullsisë së Ballkanit Perëndimor (BP6) prodhon sa 13 përqind e tij, apo të paktën më poshtë edhe se pesha e popullsisë. Ky raport ka ndryshuar për keq në krahasim me 10 vite më parë, ku pesha e popullsisë së Shqipërisë ishte 14% e popullsisë dhe prodhonte përsëri sa 13% e tij.

Ndërkohë vendet e zhvilluara prodhojnë 2-3 herë më shumë vlerë të shtuar se pesha e popullsisë së tyre.

Puna efektive po rritet shumë më ngadalë dhe në disa raste është në rënie. Plakja po bëhet e theksuar, duke çuar në një rënie të raportit të mbështetjes. Në rajonet e vendit, PBB dhe të ardhurat për konsumator efektiv ka të ngjarë të rriten më ngadalë si rezultat i ndryshimeve demografike.

Asnjë rajon tjetër i vendit nuk është aq i begatë apo inovativ se sa Tirana, sipas treguesit të peshës rajonale në PBB-në kombëtare. Nga ana tjetër, sipas parashikimeve afatgjata, madhësia e ekonomisë së rajoneve të tjera nuk ka gjasa të afrohen shumë me atë të Tiranës.

Për shkak se Tirana dhe Durrësi me të ardhura të larta dhe ato me të ardhura të mesme të larta kanë ekonomi më të mëdha, zhvillimet atje mund të dominojnë tendencat ekonomike të vendit.

Popullsia parashikohet të ulet 15.8% midis 2020 dhe 2050[1], pavarësisht një ngadalësimi në normën e saj të rritjes.

Burimi kryesor i pengesës për rritje të mëtejshme dhe të qëndrueshme të rajoneve të vendit është mbështetja e dobët e novacionit dhe tregut ende te pahapur për të qenë pjesë përbërëse e zinxhirit të ekonomisë rajonale dhe kombëtare të bazuar në rregulla.

Ndërkohë, megjithëse zoti Rama ka të drejtë kur orienton fokusin dhe buxhetin për të përforcuar rrjetin e infrastrukturës rrugore dhe urbane, ajo qe mund të rrezikojë buxhetin e qeverise se tij janë problemet e pazgjidhura të sigurisë sociale, vizioni i tij ekonomik izolues i udhëhequr nga shteti.

Kjo qasje mund të gërryejë përfundimisht standardet e jetesës dhe ndikimin që ka Shqipëria te shqiptarët ne rajon, ashtu si dhe brenda vendit.

[1] https://www.visualcapitalist.com/ranked-the-20-countries-with-the-fastest-declining-populations/

Përshkrim

Ekonomia e rajoneve është e mbizotëruar nga bujqësia, ku nivelin më të lartë e gjejmë në Fier me 45.5% të ekonomisë rajonale dhe nivelin më të ulët e gjejmë në Tiranë me 3.8% të ekonomisë rajonale.

Rajoni verior i vendit[1] dominohet nga industria nxjerrëse dhe energjia, bujqësia dhe tregu i pasurive të paluajtshme duke prodhuar 22.3% të ekonomisë kombëtare.

Rajoni qendror[2] dominohet nga Ndërtimi, informacioni dhe teknologjia, pasuritë e paluajtshme, dhe shumicën e sektorëve të tjerë të ekonomisë duke prodhuar 50.5% të ekonomisë kombëtare

Rajoni jugor[3] dominohet nga bujqësia, pasuritë e paluajtshme dhe tregtia me pakicë dhe shërbimet turistike duke prodhuar 27.2% të ekonomisë kombëtare

Ekonomia kombëtare është e dominuar nga rajoni qendror, por kryesisht Tirana, për të gjithë sektorët e ekonomisë, përveç bujqësisë.

Shumë nga programet dhe strategjitë e zhvillimit të rajoneve ende nuk u përgjigjen tre kërkesave bazike të tregut:

  • Çfarë të prodhojnë
  • Si të prodhojnë dhe
  • Për kë të prodhojnë.

Edhe në vitin 2021 ashtu si në 2019, të ardhurat për frymë më të ulta paraqiten në Kukës, pasuar nga Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Dibra, Korça. Ndërsa, në grupin e rajoneve me ardhura të nivelit të mesëm përveç Durrës, Fier dhe Gjirokastër përfshihen edhe Berati, si dhe Vlora. Të ardhura të nivelit të lartë paraqiten përsëri vetëm në Tiranë.

Pesha në PBB në nivelin më të ulët e shikojmë në Kukës me 1.56 të PBB-së kombëtare. Në nivele të ulta pjesëmarrje në PBB-në kombëtare janë edhe Dibra, Lezha, Berati. Në nivele më të moderuara, pak më lart janë pesha e Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Në nivel më të lartë pesha e PBB-së rajonale shihet në Durrës, Fier dhe Tiranë që mban një peshë sa 43.72% e PBB-së kombëtare.

Nga diferenca në dy vitet 2021 dhe 2019, të treguesve sipas paraqitjes në tabelën më poshtë shihet se të ardhurat për frymë janë rritur më shumë në Fier, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan dhe Berat. Më pak janë rritur në Lezhë, Kukës, Shkodër, Dibër dhe Durrës.

Po kështu edhe shpenzimet familjare mujore janë rritur më shumë në Elbasan, Vlorë, Dibër, Berat dhe Gjirokastër. Rritje më e moderuar e shpenzimeve familjare shihet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Kukës dhe Lezhë. Shihet se pjesën kryesore të shpenzimeve të rritura e mbajnë ushqimet, transporti dhe udhëtimet.

Një tkurrje të popullsive rajonale vërehet në të 10 rajonet, përveç Tiranës dhe Durrësit.

Asnjë rajon tjetër i vendit nuk është aq i begatë apo inovativ se sa Tirana, sipas treguesit të peshës rajonale në PBB-në kombëtare. Nga ana tjetër, sipas parashikimeve afatgjata, madhësia e ekonomisë së rajoneve të tjera nuk ka gjasa të afrohen shumë me atë të Tiranës.

Burimi kryesor i pengesës për rritje të mëtejshme dhe të qëndrueshme të rajoneve të vendit është mbështetja e dobët e novacionit dhe tregut ende te pahapur për të qenë pjesë përbërëse e zinxhirit të ekonomisë rajonale dhe kombëtare të bazuar në rregulla.

[1] Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër

[2] Elbasan, Tiranë

[3] Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë