Çfarë është një ekonomi e fortë?

Çfarë është një ekonomi e fortë?

Në sqarimin e termit ekonomi e fortë, sipas shumë përcaktimeve dhe kritereve nga shumica e informacioneve, shihet se duhet të përmbledhë së bashku:

Normë të lartë të rritjes ekonomike. Sipas komentit tonë, kjo nënkupton një zgjerim të prodhimit ekonomik, i cili do të çojë në të ardhura mesatare më të larta, prodhim më të lartë dhe shpenzime më të larta. Nisur nga raporti i Bankës Botërore dhe raporte të ngjashme, për Shqipërinë mbeten rezerva të mëdha, për tu konsideruar se janë përmbushur tregues të tillë.

Inflacion i ulët dhe i qëndrueshëm (nëse rritja është shumë e lartë, mund të fillojmë të shohim rritje të inflacionit). Sipas komentit tonë për Shqipërinë, mund të thuhet se niveli i inflacionit është tashmë më i ulët, por qëndrueshmëria e kësaj tendencë mbetet e dyshimtë, nisur nga fakti që Shtatori 2023 regjistroi një rritje të lehtë, si dhe sezoni i fund vitit, që shoqërohet me rritje çmimesh për produktet ushqimore dhe lëndë të para. Po ashtu, duke u bazuar te hyrja në fuqi e ligjit në vitin 2024 për rikthimin e tatimit në masën 15% mbi të ardhurat neto[1] për shumicën e aktiviteteve (sipas një njoftimi nga mediat rritja ndodh për 284 aktivitete) është arsye për të parashikuar se do të ndikojë në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe prodhimeve të tyre.

Rritja e normave të interesit për të mbajtur inflacionin të ulët. Sipas komentit tonë, Banka e Shqipërisë nuk ka njoftim të paralajmëruar për një rritje tjetër të normës bazë të interesit përtej asaj që zbatohet aktualisht.

Papunësi e ulët. Sipas komentit tonë, niveli i papunësisë së ulët është një tregues pozitiv për statistikat e tregut të punës duke mbetur shqetësues niveli i lartë i papunësisë te mosha e re, që do të thotë se treguesi konsiderohet pozitivisht me rezerva.

Rritje të eksporteve. Sipas komentit tonë për Shqipërinë ka një rënie të nivelit të eksporteve dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshohet gjatë muajve të fundit të vitit 2023.

Produktiviteti i përmirësuar (produkte/shërbime të kryera më shumë në njësinë e kohës për punëtor). Sipas komentit tonë, produktiviteti i punës në Shqipëri u përmirësua me 0,50 % në vit në qershor 2023, krahasuar me një rënie prej 1,46 % në tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave më të fundit[2]. Ky tregues është një shenjë e përmirësimit të tij, por niveli në rritje vetëm në një tremujor është përsëri pasqyrë e një paqëndrueshmërie të ekonomisë.

Rritje të investimeve. Sipas komentit tonë, niveli i investimeve publike për 9-mujorin 2023 janë kryer sa 29.2% më pak se programi. Ndërsa, investimet e huaja kanë një rritje prej 7%[3] është një tregues që përforcon hyrjen e kapitaleve në sektorët e ekonomisë, si: pasuritë e paluajtshme, si dhe sektorin e energjisë.

Huamarrja në rënie e qeverisë. Sipas komentit tonë, huamarrja e qeverisë bazuar te akti normativ[4] i tetorit 2023 rritet tavani i huamarrjes së qeverisë deri në fund të vitit 2023.

Besim i lartë i konsumatorëve dhe biznesit. Sipas komentit tonë, bazuar te Analiza e besimit të biznesit dhe konsumatorit[5] shihet se nuk ka ndodhur rritja e besimit për të dy grupet.

Në një qartësim të mëtejshëm, me një ekonomi të fortë kuptohet sektorë të fortë të ekonomisë dhe një cilësi e lakmueshme jetese, e cila nuk do të mbështetej plotësisht në një sistem bankar të korruptuar dhe në një flluskë të paqëndrueshme konsumatore[6].

[1] Diferenca mes të ardhurave të faturuara dhe shpenzimeve të kryera

[2] https://www.ceicdata.com/en/indicator/albania/labour-productivity-growth

[3] https://altax.al/bilanci-i-pagesave-na-tregon-se-ekonomia-performon-dobet-dhe-pse-turizmi-tregon-shenja-rritje/

[4] https://qbz.gov.al/eli/akt-normativ/2023/10/18/5/dad8e920-357b-4eec-adb9-555a154e61f3

[5]https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vrojtimet/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/Analiza_VBBK_shtator-2023.html

[6] https://www.collinsdictionary.com/dictionary/english/strong-economy

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: