Trashëgimia dhe dhurimi, çfarë tatohet dhe çfarë përjashtohet nga tatimi mbi të ardhurën personale

Trashëgimia dhe dhurimi, çfarë tatohet dhe çfarë përjashtohet nga tatimi mbi të ardhurën personale

Në shumicën e vendeve, ashtu si edhe në Shqipëri të ardhurat individuale të përfituara tatohen nga qeveria përpara se ato të arrijnë te individi.

Kjo mënyrë tatimi quhet tatim në burimin e të ardhurës. Këtyre të ardhurave u mbahet ajo përqindje tatimi, i cili paguhet si tatim në emër të individit nga ai që e jep të ardhurën.

Paratë/ pasuria, që një individi i mbeten pasi ka llogaritur dhe paguar tatimin në burim, i cili zbritet nga të ardhurat/prona e përfituar nga kapitali quhen të ardhura të disponueshme.

Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat[1], përcakton qartësisht kush tatohet, sa tatohet dhe deri në çfarë niveli përjashtohet nga tatimi transaksioni i lënies si trashëgimi[2] të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme përfshirë edhe dhurimin si një akt transferimi të të drejtës së pronësisë mbi pasurinë.

Në vetvete, edhe ligji i mëparshëm arrinte të identifikonte tatimin e të ardhurave që rezultonin nga dhurimet dhe trashëgimitë, por pa ndarë qartë mënyrën e tatimit dhe të ardhurat që duhet të ishin pjesë e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Në secilin nga rastet si më poshtë, vepron tatimi mbi trashëgiminë:

  • Trashëgimi i një prone të paluajtshme[3]
  • Trashëgimi i parave fizike/ në llogari bankare/ bono apo obligacione thesari
  • Trashëgimi i aksioneve në një shoqëri private
  • Trashëgimi i titujve financiarë

Sipas Ligjit[4] objekt i tatimit të trashëgimisë janë individët rezidentë ose jorezidentë[5] në Republikën e Shqipërisë, të cilët marrin një dhuratë ose trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri ose jashtë saj, dhe

Norma e tatimit në çdo rast është 15% e vlerës bruto (sipas vlerës që prona është vlerësuar) të pasurisë së paluajtshme apo të luajtshme.

Në rast se tatimpaguesi (trashëgimlënësi) ka vdekur, deklarata plotësohet nga trashëgimtarët e tij ligjorë për të ardhurat e përgjithshme të krijuara deri në datën e vdekjes.

Përfituesit e pasurisë së paluajtshme/ të luajtshme kanë të drejtën ligjore të mos paguajnë tatimin mbi pronësinë që trashëgojnë në rastet e mëposhtme:

  1. dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil[6], si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;
  2. dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5 000 000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme dhe deri në 1 000 000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues;
  3. kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.

Pjesë të parasë që mbeten në dispozicion të individit për ti shpenzuar sipas vendimarrjes së tij janë edhe shumat për dhurime, si për organizata dhe evente, po ashtu edhe për familjarë dhe individë që kanë krijuar një lidhje rastësore apo interesash mes tyre.

Por, çfarë konsiderohet dhurim parash sipas një përcaktimi më të orientuar drejt sqarimit të këtij raporti midis dy apo më shumë palëve.

Në përgjithësimin e shumë përcaktimeve rreth këtij termi, dhurim konsiderohet çdo transferim paraje apo prone drejt një individi/organizate, në mënyrë direkte apo indirekte ku në këmbim të dhurimit nuk merret asnjë përfitim, i asnjë lloji nga dhënësi i shumës.

Në bazë të nenit 761 të Kodit Civil, dhurimi është një kontratë me anë të së cilës njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale të cilat ajo i pranon.

Dhurimi është një kontratë pa përfitime korresponduese, një kontratë bamirësie, ku dhuruesi ka vetëm detyrime, ndërsa përfituesi vetëm të drejta. Dy elementët që kërkohen për ekzistencën e dhurimit janë: elementi subjektiv (vullneti për të pasuruar përfituesin apo shpirti i bujarisë, i njohur si animus donandi) dhe elementi objektiv (varfërimi i dhuruesit që i korrespondon njëkohësisht pasurimi i përfituesit).

Dhurimi dhe testamenti mund të kuptohen në pamje të parë si të njëjta, por në fakt ato ndryshojnë me njëra tjetrën. Dhurimi është kontratë e njëanshme, pasi ai është veprim juridik inter vivos. Dhurimi mund të bëhet vetëm me vullnetin e dhuruesit. Testamenti është veprim juridik i njëanshëm, pasi ai është veprim juridik mortis causa. Në kontratën e dhurimit mund t’i lihet pasuria kujtdo pa asnjë kufizim ligjor, ndërsa me testament mund t’i lihet pasuria një personi vetëm pasi të jenë zbatuar disa kushte ligjore. Personi që përfiton me testament përgjigjet edhe për detyrimet e trashëgimlënësit. Kalimi i pasurisë te trashëgimia mund të bëhet jo vetëm me vullnetin e shprehur të trashëgimlënësit (me testament), por mund të kalojë edhe me anë të ligjit. Ndërsa, personi që përfiton me dhurim nuk përgjigjet për detyrimet e dhuruesit. Pranimi ose mospranimi nga ana e trashëgimtarit nuk cenon vlefshmërinë ligjore të testamentit, ndërkohë që te dhurimi pëlqimi i përfituesit të dhurimit është thelbësor për lidhjen e kontratës.

Kontrata e dhurimit ngjason më shumë me sponsorizimin, sepse të dyja kontratat janë të njëanshme, pa kundërshpërblim dhe me qëllim humanitar. Por, ato dallojnë nga njëra – tjetra për sa ju përket subjekteve, nga qëllimi për të cilin kryhen dhe nga lehtësirat tatimore që gëzon sponsorizuesi në lidhje me dhuruesin.

[1] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=13538
[2] Trashëgimi përfshin pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre, pasi janë zbritur detyrimet e trashëgueshme
[3] pasuri e paluajtshme është toka, burimet ujore, ndërtime të çdo lloji, objekte dhe çdo gjë tjetër e paluajtshme
[4] Neni 60
[5] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=11429
[6] Neni 361 (Kodi Civil)
Në radhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.
Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim.
Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.
Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit. Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.
Neni 362 (Kodi Civil)
Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.
Neni 363 (Kodi Civil)
Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.

 

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: