Si ndikojnë ndryshimet e normave të interesit në përfitimin e bankës dhe të qytetarëve e bizneseve?

Si ndikojnë ndryshimet e normave të interesit në përfitimin e bankës dhe të qytetarëve e bizneseve?

Industria bankare përfshin jo vetëm bankat tregtare (si i kemi në Shqipëri), por kryesisht bankat e investimeve, institucionet financiare të mikrokreditit (jo banka) dhe kompanitë e pensioneve dhe sigurimeve[1].

Të gjithë bankat kanë posedime të mëdha parash. Ato mbajnë një pjesë të vogël të parave të gatshme për të siguruar likuiditet dhe plotësuar kriteret e garantimit të depozitave të kursimit si dhe rezerva të tjera ligjore që detyrohen me standartet e kontabilitetit.

Pjesa tjetër është investuar ose në bono thesari, letra me vlerë, ose në investime direkte apo në partnership me të tjerë partnerë në treg. Edhe normat shumë të ulëta të interesit që japin bonot e thesarit në çdo rast janë më të mëdha se interesi që bankat u paguajnë klientëve të tyre. Kjo është vala e parave të gatshme që buron nga thesari I shtetit dhe rrjedh vazhdimisht nëpër sistemin bankar.

Ndërsa partneritetet në fonde të tjera investimesh, apo në investime direkte janë pjesë e një marëdhënie biznesi, që banka e zgjedh ta bëjë për të maksimizuar sa më shumë fitimin e saj[2].

Një pjesë e parave të bankës është edhe ajo që investohet në kredi për bizneset dhe konsumatorët.

Është e ngjashme me mënyrën se si një rritje e çmimeve të bukës, ku prodhuesit përfitojnë direkt rritje nga rritja e çmimit të saj. Pra, ata bëjnë më shumë para për të njëjtin volum shpenzimesh.

E njëjta logjikë financiare ndodh edhe me rastin kur normat e interesit rriten. Normat më të larta të interesit rrisin fitimin e investimeve të tyre.

Në këtë rast, përfitimi në sektorin bankar rritet. Fitimet rriten kryesisht sepse bankat mund të fitojnë një yield[3] më të lartë për çdo para që investojnë apo japin me kredi për individë/biznese. E gjithë kjo rritje e fitimit vjen nga kontratat e reja të kreditimit/huasë, pasi çdo ndryshim i vlerës së kredisë bazohet mbi kontratën midis palëve dhe nuk mundet të ndryshohet në mënyrë të njëanshme nga banka.

Vini re! Në çdo rast kur kërkohet ndryshim kontrate, apo konstatoni se keni një ndryshim të pagesës së këstit të kredisë duhet ndjekur hapat e komunikimit për sqarim nga bankat me shkrim dhe më tej edhe një ankesë për Bankën Qendrore.

Fitimi i bankës është diferenca midis interesit që u paguajnë depozituesve të tyre dhe fitimit që ato marrin nëpërmjet investimit/kreditimit. Bankat fitojnë para duke pranuar depozita në para nga klientët e tyre në këmbim të pagesave të interesit dhe më pas duke i investuar apo dhënë me kredi ato para klientëve të ndryshëm që plotësojnë kriteret për të marrë hua nga banka[4].

Le të marrim një shembull

Supozojmë se një bankë ka 1 miliard Euro në depozitë. Banka u paguan klientëve të saj një përqindje vjetore prej 1% interes, por banka fiton 2% nga ato para duke i investuar në bono thesari.

Pra, banka po fiton 20 milionë Euro nga llogaritë e klientëve të saj, por po kthen vetëm 10 milionë Euro për klientët e saj, që kanë depozituar paratë në bankë.

Nëse banka qendrore rrit normën e interesit me 1%, atëherë norma e bonove të thesarit do të rritet nga 2% në 3%. Banka më pas do të fitojë 30 milionë Euro nga llogaritë e klientëve. Pagesa për klientët, që kanë depozituar paratë do të jetë ende 10 milionë Euro.

Ndërkohë, banka mund të detyrohet të rrisë normat e interesit që paguan për depozitat nëse vazhdojnë normat më të larta të interest për shumë periudha. Por, kjo nuk ndodh automatikisht. Nevojitet që shumica dërrmuese e klientëve të saj të shkojnë në kërkim të një kthimi më të mirë për kursimet e tyre dhe kjo kërkon një dialog që duhet të mbështetet edhe nga banka qendrore.

Rritjet e normave të interesit priren të ndodhin kur rritja ekonomike është e fortë. Bizneset në këto periudha zgjerohen dhe konsumatorët shpenzojnë më shumë. Kjo do të thotë një kërkesë më e madhe për kredi.

Me rritjen e normave të interesit, përfitimi i kredive rritet, pasi ka një diferencë më të madhe midis normës së bonove të thesarit, që fiton banka nga kreditë e saj afatshkurtra dhe normës së interesit që ajo u paguan klientëve të saj.

Në fakt, normat afatgjata priren të rriten më shpejt se normat afatshkurtra.

Kur normat e interesit rriten, bonot e reja që emetohen duhet të kenë një normë më të lartë kthimi në mënyrë që të jenë tërheqëse për blerësit.

Megjithatë, pronarët e bonove të vjetra janë të mbërthyer me normat e tyre më të ulëta të kthimit. Në tregun sekondar ku obligacionet rishiten, vlera e tyre do të ulet për të kompensuar kthimin më të ulët. Investitori që mban obligacione në një portofol investimi nuk humbet para, por humbet mundësinë për të investuar në obligacione me përqindje (Yield) më të lartë.

Normat më të larta të interesit janë të mira për Lekun. Kur ndryshohen normat afatshkurtëra të interesit, ndryshimi ndodh nëpër të gjitha llojet e tjera të huave, duke përfshirë huatë që përfaqësohen nga bonot e thesarit dhe të gjitha investimet e tjera të shprehura në Lekë.

Kur normat janë të larta në krahasim me ato të vendeve të tjera, paratë mund të vijnë nga investimet e huaja dhe kjo mundet të bëjë që Leku të rritet në vlerë kundrejt monedhave të tjera. Në fakt, norma e interest në dy vitet e fundit në Shqipëri nuk ka qenë më e lartë se në vendet e tjera (rajonale apo të BE-së)

[1] https://www.investopedia.com/ask/answers/041015/how-do-interest-rate-changes-affect-profitability-banking-sector.asp

[2] https://www.thebanker.com/How-are-rising-interest-rates-affecting-banks-1689593378

[3] Rimarrje e shpenzimit apo investimit

[4] https://www.esm.europa.eu/blog/are-banks-profits-here-stay

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: