Barra Tatimore në Shqipëri dhe të hyrat e buxhetit shqiptar

Barra Tatimore në Shqipëri dhe të hyrat e buxhetit shqiptar

Ashtu si barra tatimore e ekzagjeruar mund të pengojë rritjen, në Shqipëri mungesa e strukturave tatimore është shkaku kryesor i qeverisjes së dobët dhe jo të përgjegjshme. Me tatimin dhe kulturën për të paguar, publiku mund të mbajë të hapur dialogun social me qeverinë që të japë llogari për vendimet e saj dhe nga ana tjetër taksapaguesit të mos ndihen të lidhur me vullnetin e donatorëve. Për shkak se të ardhurat tatimore janë relativisht të parashikueshme, qeveritë mund të planifikojnë përpara me siguri më të madhe.

Barra tatimore është një tregues që merr një kuptim të veçantë për Shqipërinë, nisur nga konteksti ekonomik dhe social me variacione të vazhdueshme, si dhe nga mungesa e stabilitetit të sistemit fiskal dhe social.

Në këtë kontekst, ky teskt do t’i përgjigjet pyetjes kryesore, se cili qark paguan më shumë apo më pak tatime në buxhetin shqiptar[1]. Paraprakisht do të prezantojmë ndikimet e faktorëve që e bëjnë vlerësimin të mundshëm.

Kur marrim në konsideratë faktorët ndikuesë, matja e barrës tatimore nuk është matje e shtrirjes se efektit buxhetor të qeverisë apo administratës publike (përbërja e saj). Nga ana tjetër nuk është as matja e gjithë detyrimeve që mbart një tatimpagues në funksion të të ardhurave që ai realizon brenda një viti (pagesa për institucione jofiskale).

Përpara se të trajtohet niveli i barrës tatimore sipas rajoneve (qarkut) të Shqipërisë do të shikohen elementët përbërës që përfaqësojnë këtë barrë në buxhetin e shtetit.

Të ardhurat tatimore në buxhetin e vitit 2017 zënë 92.6% të gjithë totalit të të ardhurave buxhetore duke u rritur në strukturë me 1.7 pikë përqind më shumë. Ndërkaq të ardhurat jotatimore zënë 4.8% të totalit të të ardhurave të buxhetit, me një ulje në strukturë prej 1.1 pikë përqind. Pjesën tjetër të të ardhurave të buxhetit e zënë ndihmat me 2.6% të totalit të të ardhurave gjithsej.

Të ardhurat tatimore, që janë pjesa kryesore e buxhetit kanë një rritje me 2 pikë përqind në raport me PBB për periudhën 2014 – 2017 ( nga 23.9% e PBB-së kanë arritur në 25.9% e PBB-së).

Në strukturën e të ardhurave tatimore, tatimet dhe doganat kanë një rënie të peshës së tyre në 2017 me 1.1 pikë përqind krahasuar me 2016 dhe 2.3 pikë përqind krahasuar me dy vite më parë. Rritjen në peshë e ka marrë pushteti vendor me taksat që ka mbledhur me një rritje prej 0.5 pikë përqind në 2017 dhe krahasuar me 2015 rritja është me 1.2 pikë përqind. Edhe kontributet sociale kanë rritur peshën e tyre në strukturën e të ardhurave tatimore me 0.6 pikë përqind më tepër në 2017 e krahasuar me 2016 dhe me 1.1 pikë përqind më tepër krahasuar me 2015. Kjo rritje e peshës së taksave të mbeldhura prej pushtetit vendor është edhe një administrim më korrekt dhe efektiv i ligjit për taksat vendore, por edhe një rritje e instrumentave nxitës të përdorur për biznesin e vogël të shoqëruara edhe me rritje të tarifave vendore dhe taksave për disa kategori kryesisht në zonat urbane. Ndërkohë, lufta ndaj informalitetit ka dhënë ndikimin e vet më të dukshëm në rritjen e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore duke ndikuar edhe në rritjen e të ardhurave të mbledhura.

Barra tatimore që vjen si rezultat i veprimeve të administratës tatimore qendrore dhe doganore përbëjnë pjesën kryesore të barrës tatimore si raport ndaj PBB-së. Respektivisht për 2015, 2016 dhe 2017 barra tatimore për vetëm tatimet dhe taksat që administrohen nga tatimet dhe doganat ka një peshë sa 18.2% dhe 18,7% dhe 18.9% e PBB-së. Kjo rritje e peshës së të ardhurave tatimore dhe doganore me 0.2 pikë përqind në 2017 është përcaktuar prej rritjes së peshës së TVSH-së, akcizës, taksave nacionale dhe rritjes së tatimeve direkte. Barra tatimore, që vjen si kontribut nga administrimi tatimor vendor (administratat tatimore të bashkive) në vitet 2015, 2016 dhe 2017 është respektivisht sa 0.9%, 1% dhe 1.3% e PBB-së. Në vitin 2017, forcimi i administrimit të taksave vendore, veçanërisht në Tiranë, si dhe ndikimi nga taksat që filluan të shfrytëzohen me kapacitet më të lartë se më parë çoi në nivele performimi më të mirë me 0.2 pikë përqind më mirë në 2017 se viti i mëparshëm. Barra e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitet 2015, 2016 dhe 2017 mban një peshë në rritje në barrën tatimore me 0.5 pikë përqind në 2017 krahasuar me 2016, ku respektivisht pesha e saj specifike ndaj PBB-së sipas viteve më lart është 5%, 5,2% dhe 5.7%.

Struktura e tatimeve ka mbetur e pandryshuar në vitin 2016 dhe 2017. Nisur nga pesha që mbajnë tatimet indirekte me 65% të peshës në të ardhurat tatimore është treguesi i qartë se barra tatimore kryesore mbartet nga konsumatori shqiptar.

Nga ana tjetër, kjo ndarje jo korrekte midis dy grupeve tatimore pasqyron nevojën e ndryshimit të qasjes së politikës me synimin për zhvendosjen e barrës tatimore nga konsumi te kapitali dhe puna, ku kryesisht duhet të jenë individët e pasur ata që duhet të mbajnë peshën kryesore të barrës tatimore.

Në një renditje analitike, në tabelat më poshtë mund të shihet pesha sipas tipit të tatimit në raport me totalin e barrës. Në shikimin analitik të peshës së tatimeve kryesore strukturë, nga krahasimi midis secilit tatim për vitet 2015 – 2017, vërehet se pesha e TVSH ka një rritje në 2017 me 1.4 pikë përqind më tepër se 2015. Kjo rritje është ndikuar nga të ardhurat e TVSH nga importet. Rritje të lehta në bazën tatimore ka patur edhe tatimi mbi fitimin, taksat nacionale, akcizat. Ndërsa është me rënie të lehtë tatimi mbi të ardhurat personale.

Të ardhurat e taksës së pasurisë që mbldhen prej pushtetit vendor kanë një ulje të bazës tatimore me 5 pikë përqind. Taksa e biznesit të vogël nuk egziston më prej vitit 2016. Ndërkohë, gjithë taksat dhe tarifat e tjera lokale kanë një zgjerim të bazës tatimore me 7 pikë përqind në 2017 krahasuar me 2016 dhe 23 pikë përqind krahasuar me 2015.

Këto treguesë vlejnë për transparencë në lidhje me peshën që mbajnë konsumatorët dhe investitorët duke kuptuar se tendenca në rënie e peshës së tatimeve indirekte (presioni mbi çmimet e konsumit) dhe tendenca në rritje e tatimeve direkte (ndikimi mbi fitimin korporativ dhe të ardhurat personale) pasqyrojnë efektet e politikës fiskale të qeverisë, e cila synon një rishpërdnarje të të ardhurave duke përfituar më tepër tatime nga fitimi mbi kapitalet.

[1] e shprehur si përqindje e tatimeve dhe taksave e tarifave të paguara ndaj PBB-së

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: