1000 DITËT E QEVERISË RAMA 3.0

Nga analiza e detajuar e programit politik të Qeverisë shihet se në disa sektorë ai është më i qartë dhe i matshëm (arsimi, infrastruktura, energjia, politikat sociale, rindërtimi, lufta ndaj pandemisë Covid-19). Në sektorë të tjerë (shëndetësia, turizmi, bujqësia, fiskale dhe buxhetore, infrastruktura e ujësjellës-kanalizime, mjedisi, industria minerare dhe ushqimore, ekonomia publike, punësimi) pikat e programit janë jo të qarta, konkrete dhe të matshme.

Një konstatim tjetër është se programi qeverisës Rama 3.0 nuk ka përfshirë më shumë se 46% të premtimeve specifike të deklaruara nga lidershipi kryesor i PS-së gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Premtimet e pa përfshira në program janë pjesë e punës rutinë dhe projekte buxhetore në proces planifikimi/zbatimi. Këto premtime janë zëvendësuar me pika programi të reja, të cilat janë projekte buxhetore/ligjore në etapa ecurie të ndryshme sipas linjave ministrore të kabinetit qeveritar “Rama 2.0”. Nga ky këndvështrim i pozicionimit të programit qeverisës, duket se hartuesit e tij kanë hequr pjesët e detajuara në premtimet për infrastrukturën dhe transportin, për arsimin, për shëndetësinë, për ekonominë, për kulturën, për bujqësinë, si dhe për energjinë për ti zëvendësuar me të reja, por që në shumicën e tyre e përfshijnë logjikën e premtimit, si dhe kanë një orientim më elektoral.

Analiza na tregon, se detyrat e qeverisë nuk kanë performancën e pritshme dhe kjo përvojë e patronazhimit politik dhe kronizmit në drejtimin e institucioneve qendrore ka arritur të krijojë dublim dhe kosto financiare dhe etike. Në përgjithësi, programet e mirëqenies dhe infrastrukturës kanë tërheqje shumë më të madhe buxhetore sesa programet e tjera dhe këtë e kemi vërejtur në të gjitha qeveritë e kaluara dhe padyshim edhe në programin e qeverisë “Rama 3.0”.

Arsyeja kryesore është se ato përfshijnë përfitime politike të prekshme pasi shpenzimet në projekte të përqëndruara infrastrukture kanë shanse të kenë edhe suksesin e garantuar për të krijuar kapital politik. Kjo mënyrë, që vihet re veçanërisht, kur mandatet përsëriten.

Programet në qeverisjet në vijimësi prodhojnë grupe të fuqishme interesi për të mbrojtur dhe zgjeruar përfitimet politike, por edhe orientimin e votuesit klientelist. Për më tepër, qeveritë kanë gjetur se zgjidhja e disa problemeve që adresohen për shtresat në nevojë dhe ato të margjinalizuara mund të shmangë nevojën për një numër të madh ankesash nga votuesit.

Nga angazhimet më të mëdha financiare që Socialistët kanë marrë gjatë fushatës zgjedhore janë fatura e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i Nëntorit 2019, faturat e infrastrukturës, si dhe rritja e pagave për mësuesit, mjekësinë dhe gjithë administratën qendrore dhe vendore, të cilat minimalisht e rritin presionin fiskal ndaj buxhetit të shtetit me të paktën 2% të PBB-së.

Të tre këto grup shpenzimesh përbëjnë 82% të totalit të shpenzimeve shtesë, si pasojë edhe zbatimit të programit qeverisës “Rama 3.0”, në mbajtje të premtimeve të fushatës zgjedhore gjatë fillimvitit 2021.

Treguesi mesatar i rritjes ekonomike në 4 vitet e fundit (2020 – 2023) është 3.28%, ku edhe pse pas vitit 2020 rritja ekonomike një vit më pas arriti 8.54% dhe në 2022 në 4.84%. Por, pas këtij viti rritja ekonomike nuk kaloi 3.7% dhe pritshmëria për 2024 është në kufijtë optimistë të 3.1% rritje.

Nga kjo duket se objektivi për rritje mesatare 4.5% për periudhën 2021 -2025 nuk është i arritshëm edhe nëse do të plotësohen gjithë premtimet për investimet në infrastrukturën aeroportuale, infrastrukturën rrugore, turistike dhe investimet në sektorët e dedikuar të ekonomisë.

Ky target do të ishte i besueshëm, nëse reformat e mbetura pa finalizuar, të nisura në qeverinë “Rama 2” e madje edhe më herët (reforma në energji) do të fillonin të ribëheshin që në vitin e parë të qeverisë, duke patur një plan veprimi të plotë, gjithpërfshirje dhe një prioritizim të buxhetit të bazuar te prodhimi dhe konsumi.

Duket se sfidat e pazgjidhura nga qeveia “Rama 3” kanë nevojë të akomodohen në finalizimin e atyre që tashmë janë në faza të avancuara të zbatimit duke ruajtur edhe një transparencë solide dhe të bazuar te llogaridhënia prej ministrive, institucioneve të tyre dhe veçanërisht institucioneve që varen nga Kuvendi i shqipërisë apo edhe ato direkt nga Kryeministria.

Raporti përbëhet nga 4 pjesë, të cilat trajtojnë në mënyrë analiztike zbatueshmërinë e secilës pikë të programit, bazuar në ndarjen e kabinetit Rama 3.0.

Përshkrim

Raporti 1000 ditët e qeverisë RAMA 3.0 është bazuar në praktikat e zbatuara në publikime të mëparshme si: 100 ditët e qeverisë Rama 3.0, 444 ditët e qeverisë Rama 3.0, 600 ditët e para të qeverisë Rama 3.0, si dhe 800 ditë qeveria Rama 3.0 duke u bazuar në metodologjinë që është e publikuar te POLIFAKT. Të dhënat analitike dhe informacionet mbi përmbushjen e programit të qeverisë për periudhën 2021 – 2024 gjenden të detajuara te i njëjti portal i dedikuar.

Raporti prezanton pikat e forta dhe të dobëta të secilit aspekt në lidhje me objektivat e zhvillimit, duke paraqitur performancën dhe përmbushjen e pikave të programeve sipas sektorëve, për sa i përket niveleve dhe tendencave.

Përdorimi i të dhënave dhe gjetjeve të Raportit duhet të përmenden dhe citohen me burimet që janë brenda përmbajtjes dhe nëse nga secili përdorues i përmbajtjes do të bëhen përpunime nga të dhëna dhe publikime statistikore, duhet që të shprehet se janë shënimet dhe llogaritjet e bëra nga vetë përdoruresi.

Ky publikim është për qëllime jo fitimprurëse.

Përmbajtja e shprehur në këtë publikim, si dhe fjalët dhe termat nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht  QENDRËN ALTAX në rolin e hartuesit, si dhe specifikisht dhe gjithë partnerët e saj që përmblidhen nën këtë markë të pronësisë intelektuale.