-75%

Barra tatimore në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan, 2018

Në serinë e publikimeve, një traditë e krijuar për të gjashtin vit për analizën mbi barrën tatimore, QENDRA ALTAX prezanton edhe këtë vit, barrën tatimore më të lartë dhe më të ulët, për secilin nga 12 qarqet dhe qytetin bregdetar të Sarandës në Shqipëri, si dhe për 7 regjionet që përfshijnë 38 komunat në Kosovë.
Pesha e barrës tatimore paraqitet në studim edhe në krahasimin midis vendeve të gadishullit të Ballkanit duke bërë klasifikimin për barrën më të lehtë dhe barrën tatimore më të rëndë të regjistruar në vitin 2017 dhe të krahasuar me klasifikimin e një viti më përpara.

Përshkrim

Llogaritja e peshës që ato mbajnë në raport me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm rajonal është një tregues që synon të prezantojë disproporcionet midis rajoneve në dy shtetet shqiptare të Ballkanit, por edhe midis vetë rajoneve të Ballkanit, ku një pjesë të veçantë mbajnë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, gjeografikisht i rrethuar nga anëtarë të BE-së. Popujt e BE-së dhe të rajonit kanë një trashëgimi të përbashkët dhe histori e të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. BE ka kohë që është angazhuar fort në rajon. Prej Këshillit Evropian të Selanikut në vitin 2003, ajo ka mbështetur të ardhmen e rajonit si pjesë integrale e BE-së.

Një vend të veçantë mban barra tatimore edhe për Kosovën duke e trajtuar në nivel shteti dhe regjionesh, që prezantohet për herë të dytë nga Qendra ALTAX.

Qëllimi i prezantimit të këtij studimi është prezantimi i implikimeve të rëndësishme për qytetet dhe shtetet e përfshira në objektin e studimit, sepse tatimet, taksat dhe tarifat janë një pjesë kyçe e barrës së taksave dhe si një burim për mundësimin e shërbimeve publike, që ndikojnë në konkurrencën dhe në cilësinë e jetës, ekonomisë dhe mirëqenies së vendeve dhe qyteteve.

Të dhënat e përdorura për llogaritjet janë marrë nga burime statistikore zyrtare, nga financat, tatimet dhe organizata që mbajnë të dhëna dhe publikojnë, si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e të dhënave janë përpunuar dhe përdorur për të krahasuar dhe shërbyer si referencë kryesore për prezantimin.

Me anë të studimit tentohet të tërhiqet vëmendja e politikës dhe studiuesve, medias fiskale, politikes fiskale dhe administrimit, si dhe kritikëve që mund të rezervojnë komente për vlerësimin apo kanë pyetje në lidhje me llogaritjet dhe faktet e prezantuara në dokument.