Analizimi i të ardhurave tatimore në sqarim të rezultateve prej fiskalizimit, 2023

Analizimi i të ardhurave tatimore në sqarim të rezultateve prej fiskalizimit, 2023

Në vitin 2022 (11-mujori), raporti mesatar e të ardhurave tatimore[1] ndaj PBB-së në Shqipëri llogaritet në 0.8 pikë përqindjeje (p.p.) më shumë e krahasuar me vitin 2021, duke arritur një peshë sa 26% e PBB-së[2].

Ndërsa PBB-ja në 2022 llogaritet se u rrit me 3.7%, ndryshe nga 2021 ku rritja e ekonomisë ishte 8.5%.

Megjithëse raporti i taksave ndaj PBB-së[3] u rrit gjithashtu në vitin 2021 (me 1 p.p.) krahasuar mem vitin 2020, kjo ishte në kontekstin e rikuperimit të gjerë të të ardhurave tatimore dhe PBB-së në terma nominalë[4].

Të ardhurat tatimore gjithsej në terma nominalë, Janar – Nëntor 2022 janë 494.7 miliard lekë (4.2 miliard Euro). Tendenca vjetore e të ardhurave tatimore pritet të arrijë në rreth 510 miliard lekë (4.4 miliard Euro) pas llogaritjeve sipas mesatareve shumëvjeçare dhe të korrektuar edhe me normën e inflacionit.

Nga totali i të ardhurave tatimore gjithsej, doganat kanë mbledhur 16.7% të ardhura më shumë se në 2021. Tatimet[5] kanë mbledhur 14.9% të ardhura më shumë se në 2021.

Në strukturën e të ardhurave tatimore në 2022, rritja më e madhe vihet re në raportin e TVSH-së ndaj PBB-së, e cila peshon në buxhetin e shtetit sa 9.2% e PBB-së me një rritje prej 0.7 p.p. për shkak të rritjes së inflacionit.

Rritje tjetër e vetme ishte në raportin e tatim fitimit ndaj PBB-së, i cili peshon në buxhetin e shtetit sa 2.2% e PBB-së me një rritje prej 0.3 p.p. Por edhe tatimi mbi të ardhurat personale (tatimi nga puna dhe kapitali) ishte në po të njëjtin raport sa 2.2% e PBB-së, me një rritje krahasuar me vitin 2021 me 0.1 p.p.

Gjithë tatimet, taksat dhe kontributet e tjera në vitin 2022[6] (përfshirë edhe tatimet dhe taksat vendore) janë më pak me 0.1 p.p. se në 2021 në raport me PBB.

Në analizën krahasuese midis peshës që mbajnë të ardhurat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe të ardhurat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD), duket se:

  • administrata tatimore ka mbledhur 53% të të ardhurave tatimore gjithsej[7]
  • administrate doganore ka mbledhur 41% të të ardhurave tatimore gjithsej
  • administrata tatimore vendore ka mbledhur 5% të të ardhurave tatimore gjithsej
  • administrata e kontributeve sociale ka arkëtuar 1% të të ardhurave tatimore gjithsej

Kush është kontribuesi më i madh i TVSH-së në 2021 dhe 2022?

Të ardhurat nga TVSH-ja në vitin 2021 përbëjnë pjesën kryesore dhe më të madhe të të ardhurave të buxhetit (38.8% të të ardhurave tatimore gjithsej) me një vlerë nominale prej 166.6 miliard lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka mbledhur 49.7 miliard lekë ( 29.8% e gjithë TVSH së mbledhur).

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka mbledhur 116.8 miliard lekë ( 70.2% e gjithë TVSH së mbledhur).

Të ardhurat nga TVSH-ja në vitin 2022 përbëjnë pjesën kryesore dhe më të madhe të të ardhurave të buxhetit (38.8% të të ardhurave tatimore gjithsej)[8] me një vlerë nominale prej 192.4 miliard lekë për 11 mujorin.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka mbledhur 51.5 miliard lekë ( 26.7% e gjithë TVSH së mbledhur).

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka mbledhur 140.9 miliard lekë ( 73.3% e gjithë TVSH së mbledhur).

Ndërkohë, nga TVSH-ja e mbledhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë rimbursuar 15.57 miliard lekë për bizneset, të cilat kanë mbipaguar TVSH në doganë apo nga blerjet brenda vendit.

Në vitet 2020 – 2022, mesatarisht kanë kërkuar rimbursim sa 2.6% – 3% e subjekteve të totalit të personave të tatueshëm[9] me TVSH.

Shuma e kërkuar është mesatarisht sa 11% deri 15% e TVSH-së gjithsej të mbledhur nga tatimet dhe doganat. Në vitin 2020 janë rimbursuar sa 76% e shumës së kërkuar nga bizneset. Në vitin 2021 janë rimbursuar sa 111% e shumës së kërkuar nga bizneset. Në vitin 2022 (11-m) janë rimbursuar sa 70% e shumës së kërkuar.

Akciza e arkëtuar në vitin 2021 (11-m) në shumën 46.6 miliard lekë është mbledhur kryesisht duke u bazuar në importimin e 561.7 mijë tonë karburante, 2,648 tonë cigare, 8,268 tonë kafe dhe 46.5 mijë hektolitra birrë.

Akciza e arkëtuar në vitin 2022 (11-m) në shumën 48.6 miliard lekë është mbledhur kryesisht duke u bazuar në importimin e 508.8 mijë tonë karburante, 2,886 tonë cigare, 7,056 tonë kafe dhe 46.6 mijë hektolitra birrë.

Nga krahasimi midis arkëtimeve të akcizës për mallrat kryesore nga importi midis 2 viteve, duket se edhe pse ka një rënie të importeve të karburanteve me 52.9 mijë tonë më pak (9.5% më pak), si dhe të kafesë me 1,212 tonë (15% më pak), një ndikim të vogël në akcizë mund të jetë nga një shtesë prej 238 tonë cigaresh (8.9% më shumë).

Por, në një analizë më të thelluar, duke marrë në konsideratë edhe akcizën që paguhet nga prodhuesit vendas të birrës, pijeve alkoolike, verës, mallrave të tjera të akcizueshme vërehet se 2 miliard lekë akcizë të arkëtuar më shumë në 11-mujorin 2022 konstatohet se vjen pikërisht nga akciza e brendshme.

Sa llogaritet se ka ndikuar fiskalizimi në uljen e informalitetit?

Në mungesë të analizave dhe komunikimeve për transparencë të rezultateve të fiskalizimit, ekspertët dhe partnerët e rrjetit të profesionistëve kanë realizuar një krahasim të thjeshtë.

Në një këndvështrim analizues të efektit të vlerësuar nga instrumenti i fiskalizimit[10] për vitin 2021 dhe 2022, i cili mund të verifikohet nga viti 2021 në vitin 2022 nëpërmjet arkëtimeve nga TVSH, por pjesërisht edhe nga akciza për mallrat e akcizueshme duket se të ardhurat e arkëtuara në llogari të DPT-së janë vetëm 1.8 miliard lekë më shumë në vitin 2022. Ne analizojmë vetëm të ardhurat e brendshme të TVSH-së, pasi efekti i fiskalizimit të importeve nuk ka asnjë ndikim në informalitetin e ekonomisë, përtej argumentit të kontrabandës.

Ndërkohë, ndikimi nga politika fiskale përjashtuese dhe lehtësuese nuk ka ndryshuar në këto dy vite dhe në këtë krahasim merret si një ndikim njësoj dhe konstant.

Por, në vitin 2022 ka një normë inflacioni mesatar që është mesatarisht 7.4% dhe kjo normë është përdorur si korrektues i të ardhurave nga TVSH-ja, që e mbartin në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të konsumuara.

Nëse kemi përballë dy vitet shihet se efekti i fiskalizimit nuk ka ndikim më shumë se 0.2% në rritjen e totalit të të ardhurave nga taksat e konsumit.

Ky vlerësim bazuar në llogaritjet tona duke konsideruar edhe projeksionin e të ardhurave nga TVSH për vitin 2023 na tregon se gjithë procesi i fiskalizimit, i cili duket se është i shpërndarë  në fund të vitit 2022 për gjithë tatimpaguesit shqiptarë ende nuk mund të konsiderohet i suksesshëm.

Në vitin 2023 duke supozuar që lufta ndaj informalitetit të jetë në fokus njësoj si anti korrupsioni mbetet që në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies të kemi një situatë të ndryshuar, ku gjithë kalvari prej disa vitesh i fiskalizimit të jetë produktiv në kuadër të analizës së kostos dhe përfitimit.

[1] Tatimet qendrore, taksat kombëtare, taksat doganore, kontributet sociale, si dhe tatimet, taksat dhe tarifat vendore
[2] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/CR/2022/English/1ALBEA2022004.ashx, faqe 34
[3] Raporti i tatimeve dhe taksave ndaj PBB-së mat madhësinë e të ardhurave tatimore të një vendi në krahasim me PBB-në e tij. Sa më i lartë të jetë raporti i taksave ndaj PBB-së, aq më i mirë është pozicioni financiar i vendit. Raporti tregon aftësinë e qeverisë për të financuar shpenzimet e saj. Një raport më i madh i taksave ndaj PBB-së tregon se qeveria mund të krijojë një rrjet fiskal më të gjerë.
[4] Vlera nominale i referohet çmimit aktual, pa marrë parasysh inflacionin ose faktorë të tjerë në krahasim me vlerat reale.
[5] duke përfshirë edhe kontributet sociale
[6] Akciza, taksat nacionale, kontributet sociale
[7] përfshirë edhe kontributet sociale, që më pas transferohen në llogari të sigurimeve shoqërore
[8] Në vitin 2022 raporti i TVSH-së mbi të ardhurat tatimore gjithsej është i njëjtë me vitin 2021
[9] http://gazetashqiptare.al/2023/02/01/perfundon-fiskalizimi-12-pak-te-bizneseve-aktive-tatimet-105000-biznese-leshojne-fatura-te-fiskalizuara/
[10] Procesi i fiskalizimit bazohet në vërtetimin e transaksioneve nëpërmjet lëshimit të faturave elektronike të nënshkruara elektronikisht. Biznesi duhet të pajiset me certifikatë të lëshuar nga AKSHI. Ky dokument rinovohet çdo vit dhe është i integruar, si te pajisja fiskale, ashtu edhe te programi software. Tarifa vjetore e certifikatës elektronike është 4,000 lekë, përveç kostove të instalimit, internetit, paisjeve elektronike, punonjësit në dispozicion dhe financierit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: