A do ta mbajmë eksportin si asetin më të çmuar të ekonomisë, apo…?

A do ta mbajmë eksportin si asetin më të çmuar të ekonomisë, apo…?

Sipas analizës më të fundit të Bankës Botërore për mangësitë dhe arritjet e ekonomive të Ballkanit Perëndimor duket se i mëshon faktit se “po i nënshtrohen presioneve në rritje ndaj sektorëve të tyre të jashtëm në një mjedis të jashtëm sfidues. Në pjesën më të madhe të rajonit, si eksportet ashtu edhe importet e mallrave pritet të shfaqin një tendencë në rënie këtë vit (2024) në terma të PBB-së.”

Dobësimi i eksporteve, së bashku me shtrenjtimin e kostove të prodhimit dhe të jetesës, si dhe ulja e ofertës nga tregu i punës, edhe pse është minimizuar nga vërshimi financimeve në një masë të madhe në drejtim të infrastrukturës dhe ndërtimeve rezidenciale, së bashku me remitancat dhe flukset hyrëse të parasë nga eksporti i shërbimeve dhe hyrjet e kapitaleve në pasuri të paluajtshme dhe shërbime, gjithsesi nuk e ka frenuar dot përkeqësimin e llogarisë korente 6-mujore për 5 vitet e fundit.

Edhe pse viti 2024 në Shqipëri prezanton në mënyrë statistikore një rritje të fortë të hyrjeve neto të eksportit të shërbimeve (vizitorët që kanë hyrë në Shqipëri), e parë si tendencë positive që nga viti 2021, duhet të theksojmë me përgjegjshmëri se kjo tendencë për vitin e ardhshëm dhe në vijim paraqet pasiguri dhe në periudhë afatgjatë ajo sin ë gjithë vendet mesdhetare pritet të marrë fund. Aq më tepër në kushtet kur konfliktet ushtarake në lindje të Mesdheut, por edhe pasiguritë e ekonomive të fuqishme europiane duket se nuk do të stimulojnë një rritje të lëvizjeve të njerëzve, që mbi të gjitha vlerësojnë sigurinë dhe kostot e lira.

Po ashtu, remitancat gjithashtu pritet të ngecin gjatë vitit 2024, në terma të PBB-së edhe pse mund të shënojnë vlera të larta, që në fakt kanë denatyralizuar kuptimin e remitancave në funksion të plotësimit të buxheteve familjare për konsum, pasi pjesa shtesë e tyre duket se është ofertë e shtuar për pasuri të paluajtshme. Në këtë rast, duket se remitancat nuk arrijnë të shërbejnë si një bazë për kursime dhe depozitime në llogari kursimi, pasi shkojnë në masën kryesore për konsum të mallrave dhe shërbimeve të përditshme, aktiveve të luajtshme (paisje dhe mjete motorrike), si dhe tendenca në rritje për active të paluajtshme (sipërfaqe ndërtimi dhe toka).

Në analizën e rritjes ekonomike në vitet e fundit dhe në 6-mujorin e parë 2024 vërehet se konsumi dhe investimet po luajnë një rol më të rëndësishëm në mbështetjen e rritjes duke shërbyer si bazë edhe për vitet e ardhshme. Ndërkohë, tendenca për eksporte ka një rënie të fortë duke konstatuar një rritje shumë të lartë të importeve që ka thelluar edhe deficitin tregtar, tendecë e cila mund të shihet nga statistikat zyrtare të tregtisë së jashtme (Tabela më poshtë).

Tendenca 2021 2022 2023 9m. 2024
Importe (mln. Lekë) 800.72 950.38 872.68 665.64
Eksporte (mln. Lekë) 486.79 468.78 440.31 285.81
Ndryshimi importe vit/vit 32.2% 18.7% -8.2% 2.4%
Ndryshimi eksporte vit/vit 35.5% -3.7% -6.1% -14.2%
Bilanci tregtar për mallrat (mln. Leke) – 431.95 – 481.6 – 432.4 – 379.8
Bilanci tregtar për mallrat (% e PBB) – 25.3% –  23.8% – 21.4% – 19.1%

 

Në treguesit që analizojmë shikohet se eksportet në 4 vitet e fundit post pandemike kanë një rënie deri në 22% (486.79 miliard lekë në 2021 – 285.81 miliard lekë për 9 mujorin). Importet për të njëjtën periudhë 4 vjeçare janë me rritje deri në 12% (800.72 miliard lekë në 2021 – 665.64 miliard lekë për 9 mujorin).

Nëse shikojmë në një krahasim horizontal  (vit me vit) të eksporteve vërehet një rënie prej vitit 2022, ndërsa importet janë me rritje përveç vitit 2023, në të cilin importet janë më të ulta se viti 2022.

Por, në krahasimin vertikal (bilanci tregtar) shihet se deficiti (importet minus eksporte) janë mesatar në nivelin e 445 miliard lekë. Kjo do të thotë që për çdo vit rreth 4.5 miliard Euro shkojnë për të fuqizuar ekonomitë e vendeve nga të cilat marrin mallrat bizneset dhe qeveria shqiptare. Përfituesit më të mëdhenj janë bizneset italiane, kineze, turke, greke, gjermane dhe vendet e tjera europiane dhe ndërkombëtare.

Por humbja më e madhe është se nëse ekonomia prodhuese do të ishte më shumë konkuruese (pra me mallra më cilësore dhe me kosto më të ulët se mallrat e ngjashme të importit), vetëm gjysma e kësaj shume të deficitit tregtar do të shërbente për fuqizimin e ekonomisë dhe rritjen e saj. Një rritje e tillë do të përkthehej në riaktivizimin e burimeve të rritjes ekonomike, si dhe një rritje të ofertës për punësim dhe rritje të të ardhurave për çdo qytetar nga niveli që është sot.

Në të njëjtin trend rritës do të vijonin edhe pagat e sektorit privat, si dhe rritja e konsumit në ekonomi.

Po kështu, të ardhurat tatimore të buxhetit do të shënonin po ashtu një rritje dyshifrore vetëm nga ndikimi i rritjes së qarkullimit të prodhimeve dhe konsumit brenda ekonomisë dhe për eksport (TVSH dhe akcizë), si dhe nga rritja e pagave (tatim mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve ), si dhe rritja e kërkesës për më shumë fuqi blerëse duke forcuar edhe në pozicionin ndërkombëtar rritjen e ndikimit ekonomik të Shqipërisë.

Ndërkohë, të gjitha këto nuk kanë ndodhur për arsye të orientimit të gabuar të ekonomisë nga qeverisjet e të paktën tre dekadave të fundit.  Në gjithë dekadat e fundit politikanët ende nuk kanë treguar një mentalitet në përshtatje me tregun e lirë në drejtim të kryerjes së privatizimeve efektive, efektivizimit të burimeve natyrore dhe forcimit të kapitalit social me efektin e pritur në zhvillimit të vendit dhe rritjen e fuqisë ekonomike. Një qasje e tillë që përkon me përgjegjshmërinë dhe pjekurinë politike do të ndihmonte për të frenuar fenomenet negative që po vuan sot qytetari, familjet, si dhe bizneset shqiptare prodhuese.

Kjo qasje duket se është e dukshme në faktin se si qëndron deficiti tregtar i Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Nga sa shihet në Tabelë, Shqipëria është ndër vendet që ka krijuar varësi ndaj importit të mallrave dhe me një bilanc negativ në dëm të eksporteve, që janë ulur bashkë me uljen e vlerës vjetore të importeve.

Deficiti tregtar – mallrat (% e PBB) 2021 2022 2023 2024
Shqipëri – 25.3% – 23.8% – 21.4% – 19.1%
Kosovë – 44.8% – 48.2% – 47.6% – 45.9%
Mali Zi – 38.7% – 45.1% – 42.9% – 43.1%
Maqedoni Veriut – 19.8% – 26.7% – 18.8% – 20.1%
Bosnjë-Hercegovinë – 18.3% – 22.3% – 20.8% – 20.3%
Serbi – 11.3% – 15.5% –  9.5% – 10.3%

 

Në një tjetër projeksion krahasues të lidhur midis deficitit tregtar të mallrave dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë përballë vendeve të tjera të rajonit, vërehet se rritja ekonomike në këto vende është e lidhur me konsumin e mallrave, por edhe të ndikuar nga shërbimet.

Rritja ekonomike (v/v në %) 2021 2022 2023 2024
Shqipëri 8.9 4.9 3.4 3.3
Kosovë 10.7 4.3 3.3 3.8
Mali Zi 13 6.4 6.3 3.4
Maqedoni Veriut 4.5 2.2 1 1.8
Bosnjë-Hercegovinë 7.4 4.2 1.7 2.8
Serbi 7.7 2.5 2.5 3.8

 

Ndikimi i fortë i rritjes nga shërbimet dhe kryesisht nga eksporti i shërbimeve duket qartë kur i referohemi vlerës neto të eksporteve për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Ndërsa, Shqipëria dhe Mali i Zi në masën dominuese eksportojnë shërbime që i përkasin industrisë së turizmit, Kosova eksporton shërbime të teknologjisë informimit dhe me ritmet që vërehen në tabelën më poshtë duket se kanë një ndikim të madh në rritjen ekonomike, që është dukshëm më lartë se tre vendet e tjera ballkanike.

Eksporti shërbimeve neto (% PBB) 2021 2022 2023 2024
Shqipëri 11.8 13.4 16.1 11.3
Kosovë 13 15.4 16.9 16.3
Mali Zi 19.3 22.2 24.2 23.7
Maqedoni Veriut 4.2 5.8 5.4 6.5
Bosnjë-Hercegovinë 7 8.6 8.1 7.4
Serbi 2.6 3.8 4.3 4.2

 

Në këtë panoramë të eksporteve ne mendojmë se vlera e lartë e importeve duhet të shoqërohet po ashtu me një vlerë të lartë të eksporteve, për të dhënë një dinamizëm ekonomisë dhe rritjes së mirëqenies kryesisht nëpërmjet prodhimit. Kjo duket se qëndron në këto raporte në vendet si Serbia dhe pjesërisht Maqedonia e Veriut si dhe Bosnjë-Hercegovina, që kanë një aktivizim të lartë të eksporteve,

Por, ndërkohë të tre këto vende kanë edhe të ardhura të larta nga tatami mbi pagat dhe kontributet, për arsye të rritjes së vlerës së kapitalit njerëzor.

Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova kanë një varësi nga importet dhe një deficit tregtar të lartë, për arsye se eksportojnë pak prodhime të vendit dhe kanë më shumë eksport të shërbimeve specifike  (turizëm dhe shërbime IT).

Kjo strukturë e ekonomisë bazuar te tregtia dhe shërbimet në vend të prodhimit dhe eksportit është mjaft e prirur të mbetet anemike në kohët që jetojmë dhe ato që parashikohen të vijnë.

Një ekonomi që varet nga importi, kryesisht për të konsumuar dhe më pak për ta përdorur me kosto të ulët për prodhimin, siç e kemi theksuar do të përballet shumë më shpejt me pasojat e krizave globale dhe shtrenjtimit të kostove për prodhimin dhe familjet. Arsyeja qëndron te fakti se dobësohet kërkesa e huaj për eksporte (mallra dhe shërbime), shtrenjtohen kostot e energjisë dhe tregut të punës, duke ndikuar në flukset hyrëse të investimeve, që si rrjedhojë çon në përkeqësim të kostos së jetesës dhe me ndikim në rënie te konsumi dhe të ardhurat e buxhetit e kështu me radhë efekte të tjera dytësore.

Ky skenar ndodhi për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën shumë më i ashpër se në tre vendet e tjera. Ndërkohë, të mos harrojmë që secili vend, natyrisht që nuk i ndjen efektet njësoj, pasi përkeqësimi varet edhe nga niveli i informalitetit, korrupsionit dhe në tërësi prej burimeve buxhetore.

Për rastin e Shqipërisë, flukset hyrëse të turistëve dhe udhëtimeve të diasporës që kthehen në shtëpi nuk mendojmë se janë nxitës afatgjatë të zhvillimit të ekonomisë, pasi pas pikut kulmues turizmi fillon e kthehet në problem për arsye të mosarritjes së pritshmërive që përmbajnë brenda tyre elementë jorealiste. Megjithëse po synohet edhe diversifikimi i shërbimeve për eksport, veçanërisht në shërbimet e Teknologjisë së Informacionit efekti I dukshëm në ekonomi do të kërkojë kohë pasi ato së pari po vijnë me vonesë dhe konkurueshmëria në tregun e huaj është mjaft e lartë.

Në përfundim të analizës sonë ne sugjerojmë se duhet një vullnet i rinovuar që duhet bazuar në konsensus politik me prurje kapacitetesh politike me mendësi të reja për një ndryshim në nxitësit e rritjes. Kjo bashkim energjish, mendësie dhe prurjesh të reja duhet të riorientojnë burimet drejt investimeve për prodhim dhe eksporte të mallrave dhe shërbimeve me qëndrueshmëri në treg, bazuar te vlera e lartë dhe afatgjatë që të gjenerohet një kontribut më i rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe rritjen e fuqisë ekonomike të Shqipërisë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.