Remitancat, paratë e pista dhe problemet që na lënë pas

Remitancat, paratë e pista dhe problemet që na lënë pas

Flukset hyrëse të remitancave janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, me nivel rritje mesatarisht në 3 vitet e fundit (2021 -2023) prej 10.5% dhe dominojnë të gjitha flukset e tjera financiare vjetore nga burime jashtë vendit. Pavarësisht këtyre tendencave, të cilat filluan të rriten pas pandemisë, debati për hyrjet financiare është rrotulluar rreth flukseve të kapitalit dhe ndikimit të tyre.

Gjatë viteve, studiuesit i kanë kushtuar vëmendje gjithnjë e më të madhe flukseve hyrëse të remitancave, duke pasur parasysh tendencat e tyre dyshifrore të rritjes. Edhe pse Shqipëria nuk ka krijuar ende varësi ekonomike nga këto flukse, me remitancat që përbëjnë aktualisht 5-6 përqind të PBB-së janë vlerësuar deri më tani si një burim sigurie që financon konsumin midis segmenteve vulnerabël të shoqërisë dhe një hyrje neto e këmbimit valutor.

Por përtej përfitimit duket se ato e kanë një kosto në ekonominë shqiptare. Remitancat po ushtrojnë presion në rritje mbi kursin e këmbimit dhe mbi çmimet e brendshme dhe janë një injeksion likuiditeti që nuk është menaxhuar me koherencë duke qenë se rrisku i tyre rritet nga vërshimet e parave të tjera nga burime joformale.

Flukset hyrëse të remitancave kanë ndihmuar rritjen përmes zbutjes së pakësimit të konsumit nga lëvizjet e popullsisë, por kur ne përmendim menaxhim koherent kjo nuk duhet ngatërruar me paratë nga burime informale. Remitancat qarkullojnë dhe kanalizohen përmes sektorit financiar vendas (edhe kur i drejtohet segmenteve informale të ekonomisë) dhe ofrojnë kështu një burim të qëndrueshëm financimi (depozitash) për bankat.

Analiza jonë, e bazuar në periudhën nga viti 2008 deri në 6-mujorin e parë 2024, tregon se flukset hyrëse të remitancave nuk duket se kanë një efekt domethënës mbi depozitat, pasi niveli mesatar I fluksit të tyre afër 660 milion euro në vit tregon se janë destinuar në konsumin bazë të familjeve dhe drejt tregut të pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë, rritja e fluksit të remitancave pas vitit 2021 ka një shtesë që shkon jo në konsumin e mallrave dhe shërbimeve bazë, por direkt në tregun e pasurive të paluajtshme, i cili në këto vite të fundit ka patur një rritje të shitjeve të pasurive[1].

Rezultatet nga vlerësimet tregojnë se remitancat po përdoren për të rritur ofertën e banesave. Analiza pas këtyre rezultateve është se të ardhurat nga remitancat po përdoren për të financuar ndërtimin e banesave të reja.

Por, ajo që nuk përkon me rritjen e ofertës është fakti se oferta shtesë e banesave nuk ka krijuar presion në rënien e çmimit të banesave.

Ky fakt i mbajtjes së çmimeve në rritje tregon se ndikimi remitancave është i kufizuar në presionin që mund të vijë nga kërkesa dhe janë elementët e tregut informal, ata që ndikojnë në mosuljen e çmimit, pasi kjo ofertë e tregut të banesave nuk është e lidhur drejtpërdrejt me kërkesën e tregut të brendshëm dhe të jashtëm për pasuri të paluajtshme.

Çmimet e banesave në pesë vitet e fundit janë rritur me 23.8%[2], çfarë jep të kuptohet se kjo rritje nuk është ndikuar nga remitancat, të cilat kanë një rritje të fluksit të tyre mesatar deri 10.5% në vit.

Ndërsa rritja e kërkesës duke përfshirë blerësit e dyshimtë mund të nxisë këtë rritje të çmimit, ka të ngjarë që fluksi dërrmues i parave në sektorin e pasurive të paluajtshme po i nxit zhvilluesit që t’i japin përparësi pronave të pasurive të paluajtshme luksoze në vend të banesave të përballueshme.

Pastrimi i parave duket se ushtron një ndikim të rëndësishëm në tregun e pronave, duke shtrembëruar çmimet dhe duke krijuar kërkesë artificiale, e cila pengon përballueshmërinë e banesave dhe redukton ofertën. Blerja spekulative nga pastruesit e parave kontribuon në flluskat e pasurive të paluajtshme dhe paqëndrueshmërinë e tregut, dhe tashmë është kërcënues i vazhdueshëm i stabilitetit të tregut.

Mospërputhjet midis vlerës së pronës dhe të ardhurave të raportuara të blerësit mund të jenë tregues i përpjekjeve për të fshehur natyrën e vërtetë të transaksionit.

Përkeqësimi në gjithë këto vite nuk erdhi nga tregu por nga përfshirja e personave të ekspozuar politikisht, ose kriminelëve të njohur në transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Për më tepër, blerjet e shumta të pronave nga i njëjti subjekt, veçanërisht kur ato janë kryer brenda afateve të shkurtra kohore[3] (media raporton shumë nga këto raste), janë treguesit e shpërndarjes së parave të paligjshme nëpër asete të ndryshme.

Rrjedhat e parave të paligjshme në pasuri të paluajtshme vetëm sa e kanë përkeqësuar këtë problem.

Pasi efektet nuk kufizohen vetëm në çmimet e pronave.

Investimet e keqmenaxhuara të pasurive të paluajtshme, banesa dhe ambjente komerciale të blera për të justifikuar fitimet në mënyrë të paligjshme po çojnë në dëme të tregut të punës për punëtorët e zakonshëm. Paratë e pista ndikuan nëpërmjet hyrjes në tregun monetar shqiptar duke dhënë efekt në zhvlerësimin e tre valutave të huaja dhe kjo dha efekt në mbyllje të aktiviteteve prodhuese, apo rritjen e borxheve të tyre drejt tregut informal të parave. Presioni që vjen nga importi që blen më lirë se përpara është një presion konstant në këto vite për prodhimet agro-bujqësore dhe prodhimet në tërëi, pasi kostot e këtyre të fundit kanë edhe shpenzimet që paguajnë për politikat e shtrembërta dhe zyrtarët që fitojnë në kurriz të prodhuesit. Kostot e tjera të tregut (struktura e tregut, teknologjia e pakët, logjistika, transporti) janë gjithashtu kosto që janë rritur në favor të importuesve dhe përdorimit të parave të pista. Gjithë kjo situatë negative nga njeri kah është e njëjtë nga kahu i programeve buxhetore.

Në vitin që shkoi, por që po vijon edhe këtë vit kjo mënyrë e hyrjes së fluksit të lartë të parave të pista jo vetëm që po minon sigurinë publike, por më tej shton një tendosje në tregun e banesave në komunitetet e cenueshme, duke ndezur flakët e krizës së strehimit.

Nisur nga fakti se paratë e pista nuk mund të pastrohen dot në çdo lloj aktiviteti (pasi ndërtimi dhe shërbime të caktuara arrijnë të pastrojnë para në kohë të shpejtë), ky fenomen që po konkuron tregun formal, përveç paqëndrueshmërisë ekonomike dhe pabarazisë, po ndikon me përkeqësim të degradimit të mjedisit dhe krijimit të ndotjeve me efekte në shëndetin dhe koston e individëve, familjeve dhe bizneseve të tjera.

Kleptokratët, shmangësit e sanksioneve dhe subjektet korporative që përfitojnë nga degradimi i mjedisit pastrojnë paratë përmes pasurive të paluajtshme. Ata që trafikojnë drogë, qenie njerëzore, apo edhe mallra të ndaluara pastrojnë para përmes pasurive të paluajtshme.

Ka një rritje të konfliktit etik e social të shtuar kur shikon se ata që përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga paqëndrueshmëria ekonomike dhe degradimi i mjedisit, i vendosin ato të ardhura në pasuri të paluajtshme, kur qytetarët që i binden ligjit nuk munden ti përballojnë kurrë dhe nuk do të kenë kurrë akses në këto investime.

Megjithatë, bizneset e dërgesave të parave dhe këmbimit valutor nga praktika të shumta të raportuara[4] nuk përjashtohen nga aktivitetet e pastrimit, dhe kjo është pjesa më e prekshme e efektivitetit të institucioneve ligjzbatuese, që duket se deri më sot me zor po e sqarojnë se kiu mbaron remitanca nga emigrantët dhe ku fillon pastrimi i parave.

[1] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Vrojtim_mbi_Ecurine_e_Tregut_te_Pasurive_te_Paluajtshme_ne_Shqiperi_6MI_2024_28202.pdf

[2] https://altax.al/cmimet-e-banesave-dhe-perballueshmeria-e-tyre-nga-familjet-shqiptare/

[3] pronat e blera dhe shitura me shpejtësi janë përgjithësisht një teknikë e pastrimit të parave që përfshin transaksione të shumta për të errësuar origjinën e fondeve

[4] https://rm.coe.int/fatf-report-money-laundering-through-money-remittance-and-currency-exc/16807150ad

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: