Vështrimi civil në Berat për projekt buxhetin me qytetarët dhe pa Bashkinë

Vështrimi civil në Berat për projekt buxhetin me qytetarët dhe pa Bashkinë

Të mërkurën ekipi i ekspertëve të ALTAX vijoi rrugëtimin për bashkëbisedim me qytetarët dhe pushtetin vendor të Beratit, me qëllim që të jetë pjesë e vështrimit civil për diskutimin në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së procesit të projekt buxhetit 2024 duke prezantuar edhe gjetjet dhe punën e ekspertëve civilë te përmbledhura ne raportin “Vështrimi civil: Projekt buxheti 2024 për Beratasit”.

Në këtë takim në qytetin e Beratit munguan për të tretën herë përfaqësuesit e Bashkisë. Kjo sjellje që nuk përkon me gjithë ato që ka angazhime qeverisja vendore për të qenë e hapur dhe bashkëpunuese në formatet që kërkon edhe Kodi i integritetit duket që ka ende probleme të komunikimit dhe një qasje ndryshe nga sa mund të konceptohet nga qeverisja vendore e Beratit.

Berati si bashki ka një prapësim në transparencën e procesit të konsultimit publik, pasi ende nuk ka të publikuar asnjë dokument për buxhetin 2024 në faqen online, si dhe asnjë procedurë të konsultimit publik të publikuar duke shkelur në këtë mënyrë edhe kodin e integritetit. Kjo transparencë dhe frymë e mungesës së bashkëpunimit duket edhe në rastin e kërkesës së ALTAX te kjo bashki për informacion dhe ku nuk mori asnjë përgjigje.

Kontributi i qytetarëve në Bashkinë e Beratit duket se është shumë i kufizuar dhe vetëm në pak hapësira për ndërhyrje dhe ndikim te projekt buxheti. Përmbledhtazi ato janë në formën e propozimeve për shtimin ose heqjen e projekteve ose zvogëlimin/rritjen e ndonjë shume të dedikuar për një subvencionim.

Ndërkohë do të ishte e këshillueshme sipas përvojës tonë edhe një diskutim me disa seanca lidhur me zbatimin e buxhetit vjetor të miratuar, nga të cilat qytetarët dëgjojnë zbatimet dhe performancën vendore, por edhe për kufizime të caktuara buxhetore të përcaktuara nga Ministria e Financave. Një informacion paraprak, si dhe veçanërisht publikimi i tij do të ndihmonte ekspertizën për të dhënë ide, do të nxiste debatin brenda qytetarëve dhe do të shërbente si një mbështetje e fortë në dialogun e pushtetit vendor me institucionet qendrore.

Në analizën tonë konstatohen raste ku janë shfaqur nisma të projekteve për investime kapitale të pakërkuara apo që nuk janë prioritet i publikut, por pjesë e grupeve të caktuara të interesit. Nga mungesa e informacionit këto diskutime publike edhe nëse janë bërë kanë shërbyer për qëllime formalizimi të investimeve, ndoshta kanë patur të nevojshme një analizë dhe diskutim edhe nga oponenca civile qytetare.

Nisur nga kjo qasje, takimet duhet të mbahen shumë më herët se sa aktualisht, për të siguruar që qytetarët kanë mundësi të shprehin nevojat e tyre dhe propozimet për investime në lagjet dhe zonat e tyre dhe ky input duhet të pasqyrohet në fazat e hershme të hartimit të buxhetit. Kjo do të inkurajojë qytetarët të marrin pjesë në seancat dëgjimore pasi shohin mundësinë reale për idetë e tyre për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në shpërndarjen e fondet publike dhe kompetencave rregullatore.

Në situatat kur Këshilli Bashkiak dhe Bashkia nuk kanë marrë ende mjaftueshëm pikëpamjet qytetare përpara marrjes së një vendimi, shoqëria civile që përçon me vështrimin e ekspertizës vullnetin e qytetarëve mund të përpiqet të bindë një ose më shumë anëtarë të këshillit, komisioneve të tij dhe drejtuesit e bashkisë , që ti rishqyrtojnë çështjet, që kanë sensibilitet për qytetarët.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: