Shqipëria ka humbur deri në 47 miliardë USD nga menaxhimi joefektiv i burimeve natyrore nëntokësore
Studimi i ri “Kontributi ekonomik i burimeve natyrore nëntokësore në ekonominë shqiptare” evidenton se, megjithëse sektori nxjerrës ka gjeneruar një kontribut të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare, Shqipëria ka humbur një potencial të madh zhvillimi për shkak të dobësive strukturore në menaxhimin e këtyre pasurive.
Raporti analizon kontributin ekonomik të naftës, gazit natyror, kromit dhe mineraleve të tjera gjatë periudhës 2000–2025, duke vlerësuar ndikimin e tyre fiskal, produktiv dhe mjedisor.
Sipas studimit, sektori nxjerrës ka gjeneruar një kontribut kumulativ prej rreth 15.8 miliardë USD gjatë viteve 2010–2025, ndërsa mundësitë e humbura ekonomike vlerësohen në intervalin 16–47 miliardë USD.
Analiza identifikon tre shkaqe kryesore të këtij hendeku:
- rentat minerare nën nivelin ndërkombëtar, me norma aktuale prej 4–6%, krahasuar me 8–15% në vende me profile të ngjashme;
- mungesën e një fondi sovran për kursimin dhe riinvestimin e të ardhurave nga burimet natyrore;
- eksportin e lëndëve të para pa përpunim vendas dhe pa zhvillim të zinxhirit të vlerës.
Studimi evidenton gjithashtu një ndikim negativ prej −2.51% në Produktivitetin Total të Faktorëve (TFP), duke konfirmuar praninë e elementeve të njohura si “mallkimi i burimeve”, ku pasuritë natyrore nuk përkthehen automatikisht në zhvillim afatgjatë.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me kostot mjedisore. Raporti vlerëson se mbi 5,000 puse të braktisura të naftës përbëjnë një pasiv të konsiderueshëm financiar dhe mjedisor, me kosto rehabilitimi që variojnë nga 150 deri në 500 milionë USD.
Sipas analizës së skenarëve alternativë, bazuar në përvojat ndërkombëtare dhe multiplier ekonomikë të Bankës Botërore dhe IFC-së, kontributi kumulativ i sektorit mund të arrinte 31.5–49 miliardë USD, nëse burimet natyrore do të menaxhoheshin në mënyrë më efektive.
Për të kthyer pasuritë nëntokësore në zhvillim afatgjatë, studimi propozon tre reforma prioritare:
- miratimin e një ligji për krijimin e fondit sovran, ku 30–40% e të ardhurave nga sektori nxjerrës të depozitohen automatikisht;
- rishikimin e rentave minerare përmes një skeme dinamike të lidhur me çmimet ndërkombëtare;
- vendosjen e detyrimit për përpunimin në vend të të paktën 30% të prodhimit si kusht për licencimin e operatorëve.
Autorët e studimit paralajmërojnë se koha për ndërhyrje po kufizohet. Rënia e prodhimit të naftës, shterimi gradual i rezervave dhe ulja e interesit investitor po ngushtojnë dritaren e reformës.
Tërheqja e kompanisë Shell nga Blloku 4 në vitin 2025 konsiderohet një sinjal i rëndësishëm për nevojën urgjente të përmirësimit të kuadrit fiskal dhe institucional të sektorit.
“Burimet natyrore janë një pasuri e kufizuar. Pyetja nuk është sa kemi nxjerrë deri më sot, por sa vlerë kemi arritur të krijojmë për brezat e ardhshëm,” theksohet në përfundimet e raportit.
Studimi është përgatitur nga ALTAX – Qendra e Kërkimeve Fiskale dhe Ekonomike dhe synon të kontribuojë në debatin publik mbi menaxhimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore të Shqipërisë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.