Kontributi ekonomik i burimeve natyrore nëntokësore në ekonominë shqiptare

Ky material paraqet një analizë të integruar mbi ecurinë dhe sfidat strukturore të sektorit të burimeve natyrore në Shqipëri gjatë periudhës 2010–2025, me fokus në ndikimin ekonomik, fiskal, mjedisor dhe afatgjatë të modelit aktual të shfrytëzimit.

Gjetjet kryesore tregojnë se, pavarësisht realizimit të rreth 15.8 miliardë USD të ardhurave nga burimet nëntokësore, ekonomia shqiptare përballet me humbje të konsiderueshme të oportunitetit, të vlerësuara në intervalin 16–47 miliardë USD, si pasojë e dizajnit fiskal joefikas dhe mungesës së zhvillimit të zinxhirit të brendshëm të vlerës.

Prodhimi i naftës ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 46% gjatë viteve 2016–2024, duke zbritur nga 24,000 në 13,000 fuçi në ditë, ndërkohë që rezervat e mbetura prej rreth 150 milionë barelësh rrezikojnë të shterojnë pa krijimin e një fondi sovran apo mekanizëm stabilizimi afatgjatë.

Në nivel makroekonomik, sektori nxjerrës shfaq një efekt negativ prej −2.51% mbi produktivitetin total faktor (TFP), duke konfirmuar prirjen e “resource curse” dhe ndikimin frenues në diversifikimin ekonomik të vendit.

Në aspektin mjedisor dhe fiskal, ekzistojnë mbi 5,000 puse të braktisura nafte, me një kosto rehabilitimi aktuale prej 150–300 milionë USD, e cila, në mungesë ndërhyrjeje, pritet të rritet në 400–500 milionë USD deri në vitet 2035–2040.

Analiza sugjeron se tre ndërhyrje strategjike—krijimi i një fondi sovran, rritja e rentës fiskale në 10–15%, dhe zhvillimi i përpunimit vendas në nivelin 30%—mund të dyfishojnë kontributin ekonomik të sektorit brenda pesë viteve. Megjithatë, dritarja e mundësisë për reformë është duke u ngushtuar me shpejtësi, në një kontekst ku interesimi i investitorëve po bie dhe shterimi i burimeve po përshpejtohet.

Përshkrim

Ky raport analizon kontributin ekonomik të sektorit nxjerrës (naftë, gaz natyror, krom dhe minerale të tjera) në ekonominë shqiptare gjatë periudhës 2000–2025, me fokus të veçantë tek hendeku mes vlerës aktuale të realizuar dhe potencialit të mbartur. Duke zbatuar një kornizë analitike treshyllëshe (fiskale, produktivitet dhe mjedis), studimi vlerëson se Shqipëria ka gjeneruar një kontribut kumulativ prej 15.8 miliardë USD gjatë 2010–2025, por ka lënë pa realizuar deri në 16–47 miliardë USD si mundësi ekonomike, pasojë e tri dështimeve strukturore: rentat minerare nënçmuese (4–6% kundrejt normës ndërkombëtare 8–15%), mungesa e fondit sovran dhe vlera e munguar nga mospërpunimi në vend. Studimi dokumenton gjithashtu një efekt negativ prej −2.51% mbi Produktivitetin Total të Faktorëve (TFP), konsistent me hipotezën e ‘mallkimit të burimeve’ (resource curse), dhe kosto mjedisore të pa-internalizuara prej 150–500 milionë USD nga puset e braktisura. Analiza e skenarëve alternativë e bazuar në multiplier empirikë 1.8–3.0× (IFC/Banka Botërore, 2023) tregon se me menaxhim efektiv, kontributi kumulativ mund të arrinte 31.5–49 miliardë USD. Raporti propozon tri reforma strukturore prioritare: (R1) ligj për fond sovran me caktim automatik 30–40% të të ardhurave; (R2) rishikim i rentave minerare me shkallë rrëshqitëse bazuar në çmim; (R3) detyrim përpunimi në vend ≥30% si kusht licencimi. Dritarja e reformës mbetet e hapur, por po mbyllet me shterimin e shpejtë të rezervave dhe rënien e interesit investitor, ku në 2025 është kompania Shell, e cila u tërhoq nga Blloku 4.