Skaneri i T1 2026, Turizëm >1 Mld €, FDI 404 M€ dhe stabilitet i Bilancit të Pagesave
Ekonomia shqiptare konsolidon pozicionin e saj të jashtëm në fillim të vitit 2026.
Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë një vazhdimësi të fortë të modelit të rritjes së bazuar në flukset e jashtme, me performancë rekord në disa komponentë kyç.
Të ardhurat nga udhëtarët (turizëm) arritën mbi 1 miliard euro.
Ky nivel shënon rritje prej rreth 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025 (874 milionë euro). Bilanci neto i turizmit u rrit në 362.9 milionë euro (+23%). Shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit arritën 640.9 milionë euro (+10.7%).
Turizmi mbetet kontribuesi dominues në llogarinë e shërbimeve, duke gjeneruar rreth 62% të hyrjeve valutore nga eksporti i shërbimeve.
Investimet e Huaja Direkte (FDI) arritën 404 milionë euro.
Kjo vlerë përfaqëson rritje 11.8-12% krahasuar me T1 2025 dhe nivelin më të lartë historik për këtë periudhë. Pjesa më e madhe (173 milionë euro ose 43%) u drejtua drejt pasurive të paluajtshme. Ky orientim thekson dinamikën e ndërtimit dhe pronës si shtyllë tërheqëse për kapitalin e huaj.
Remitancat u regjistruan në hyrje me 274 milionë euro. Fluksi mbetet i qëndrueshëm dhe mbështetës për konsum privat, duke ruajtur rolin e tij si stabilizator social dhe ekonomik.
Bilanci tregtar i mallrave mbetet deficitar por i kontrolluar.
Surplusi i llogarisë së shërbimeve, kryesisht nga turizmi zbut ndjeshëm presionin e përgjithshëm.
Llogaria korrente paraqet deficite të ulëta historike, ndërsa rezervat valutore ruajnë forcën e tyre rekord.
Sipas optikës së ALTAX, modeli ekonomik shqiptar vijon funksionimin me efikasitet të lartë në periudhë afatshkurtër.
Kombinimi turizëm + remitanca + FDI në pasuri të paluajtshme krijon një cikël pozitiv që financon deficitin tregtar, forcon rezervat dhe mban stabilitetin makroekonomik. Performanca e T1 2026 konfirmon trajektoren e rritjes së të 2024-2025, ku deficiti i llogarisë korrente u ngushtua ndjeshëm dhe rezervat u rritën mbi 1.13 miliardë euro në vitin e plotë 2025.
Megjithatë, shenjat e ndryshimit strukturor mbeten të moderuara deri në pak ndryshim.
Përqendrimi i FDI në pronë rrit aktivitetin ndërtues por nuk gjeneron kapacitete prodhuese dhe eksportuese.
Turizmi, edhe pse rekord, mbetet sezonal dhe i varur nga faktorë të jashtëm (moti, konkurrenca rajonale, çmimet).
Remitancat ofrojnë likuiditet por nuk krijojnë punësim të qëndrueshëm me vlerë të lartë të shtuar.
Prognoza për 2026 si periudhë 6 mujori i dytë orientohet te turizmi, i cili pritet të tejkalojë nivelet e 2025 gjatë sezonit kryesor, duke mbajtur hyrjet valutore mbi 5.5-6 miliardë euro vjetor.
FDI ka gjasa të kalojnë 1.6-1.8 miliardë euro në total, me dominim të vazhdueshëm të pronës.
Llogaria korrente do të mbetet në territor deficiti të ulët, i financuar lehtësisht nga flukset e jashtme.
Rritja ekonomike pritet rreth 3.5-3.8%, e mbështetur kryesisht nga shërbimet, ndërtimi dhe konsum i nxitur nga remitanca.
Stabiliteti aktual krijon një dritare unike mundësish.
Qeveria dhe aktorët privatë duhet të kanalizojnë flukset e tepërta drejt diversifikimit, të tilla si: turizëm me vlerë të lartë gjatë gjithë vitit, investime në industri eksportuese, bujqësi moderne dhe digjitalizim.
Bazuar në këtë ridrejtim, rreziku i varësisë strukturore nga faktorët e jashtëm mund të fillojë të shfryhet, duke ndihmuar në forcimin e rezistencës ndaj goditjeve të mundshme globale.
Ekonomia shqiptare po hyn në pjesën e mbetur të 2026 me besim të moderuar dhe me pozicion financiar të fortë.
Por e gjithë kjo nevojitet që ti adresohet zhvillimit afatgjatë, i cili varet nga aftësia për të transformuar flukset e sotme në kapacitete prodhuese të nesërme.
Në mbyllje, ekonomia duket e stabilizuar për sa kohë ka punë në turizëm, ndërtim dhe shërbime edhe pse të ardhurat rriten ngadalë dhe ndikimi te shtresat vulnerabël do të jetë i pandjeshëm në përballjen me kostot e tyre. Por, nëse rritja në një nga sektorët e fortë sot për sot do të ngecë dhe nuk do të bazohet edhe te bujqësia, industria, teknologjia e zgjuar dhe në tërësi vlera e shtuar e punës, atëherë pagat mund të mos rriten mjaftueshëm, emigracioni do të vazhdojë me ritme të njëjta dhe punët do të vijojnë të mbeten kryesisht me vlerë të ulët.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.