Vështrimi Civil: Projektbuxheti 2024 për Beratasit

Një qasje produktive që vlen në situatën dhe kontekstin ekonomik është përmbledhja me komentet e përfaqësuesve të biznesit vendor, individëve të spikatur, studentëve, por edhe me përfshirja e fortë e pjesës aktive të shoqërisë civile, e cila merr pjesë edhe në përhapjen e gjerë të tij.

Kontributi i qytetarëve është i kufizuar vetëm në pak hapësira për ndërhyrje dhe ndikim te projekt buxheti. Përmbledhtazi ato janë në formën e propozimeve për shtimin ose heqjen e projekteve ose zvogëlimin/rritjen e ndonjë shume të dedikuar për një subvencionim. Gjithsesi, referenca e pandryshueshme sipas formatit të hartuar tashmë nga bashkia e bazuar te modeli tip i udhëzuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk pranon ndryshime esenciale, pasi ato konsiderohen se janë e drejtë autori e qeverisjes.

Në angazhimin sipas ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, për të cilin ne kemi komunikuar përveç publikut të gjerë edhe me Komisionet e Kuvendit dhe Njësinë e mirëqeverisjes të Qeverisë ne jemi angazhuar lidhur me ndryshime esenciale për t’iu përmbajtur disa parimeve bazë të qeverisjes së mirë. Mbajtja e konsultimeve në procesin e buxhetimit, dhe përtej kësaj periudhe buron nga detyrimi për llogaridhënie, e cila duhet të burojë nga analizat e detajuara dhe shteruese që konsiderojnë zbatueshmërinë e programit politik nëpërmjet monitorimit të vendimeve të Këshillit Bashkiak, por edhe performancës së Bashkisë dhe kryetarit të saj. Ndërkohë komentet e opinionit të publikut, ku përfshihen kategori dhe shtresa të ndryshme të komunitetit vendor duhet të kryhen duke u bazuar te komenti i kualifikuar i qytetarit nëpërmjet ekspertizës së përzgjedhur.

Përshkrim

Buxheti vendor 2024, i cili hartohet si çdo vit duke u bazuar te të ardhurat nga paratë publike, përcakton projektet dhe shërbimet që do t’u ofrohen qytetarëve dhe bizneseve vendore. Prandaj, duhet të shpërndahet mirë dhe të konsultohet thellësisht me qytetarët. Sistemet e monitorimit të performancës duhet të zhvillohen më tej nga qeveria me mbështetjen e ekspertizës vendase, si një oponencë e shëndetshme dhe e koordinuar me mbështetjen financiare dhe teknike të buxhetit të shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Analiza e përgatitur nga informacionet dhe statistikat dhe raportet e të dhënave financiare dhe fiskale të Bashkisë, përpunimet e ekspertëve sektorialë, financiarë dhe ekonomikë është një qasje që tenton të prezantojë situatën e financimit të aktivitetit, funksionimit dhe projekteve të pushtetit vendor për komunitetin, si dhe adresimet e shqetësimeve të tyre, të prezantuara si përmbledhje dhe koment të anketimit të kryer me komunitetin nga ekspertët e ALTAX.

Buxheti i pregatitur nga bashkia bazohet dhe ndahet në pesë kategori, të cilat mbulojnë a) Pagat dhe kontributet, b) Mallra dhe mirëmbajtje, c) Shërbimet vendore, d) Borxhe dhe subvencione dhe d) Investime kapitale.

Ndryshimet e mëdha në fushat politike, sociale, kulturore dhe ekonomike çuan në dallime të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve në sektorin publik dhe privat. Për këtë duhet theksuar se edhe kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve nga sektori publik janë diversifikuar. Për shkak të ndryshimeve në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, qytetarët presin një shërbim cilësor dhe efikas dhe kërkojnë ofrimin e tij të shpejtë.