Treguesit e performancës për administratën publike, patronazhi politik dhe plani i veprimit i miratuar për të luftuar korrupsionin
Shqipëria prezantohet sot me një pasqyrë të kuadrit strategjik gjithëpërfshirës të Reformës se administratës publike, që është zbatuar që nga viti 2015. Kjo bazohet në pesë dokumente strategjike: 1. Strategjia ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike (RAP), 2. Strategji e Menaxhimit të Financave Publike, 3. Strategji e Decentralizimit, 4. Strategjia Kundër Korrupsionit dhe 5. Strategjia e Shqipërisë Dixhitale. Edhe pse reformimi i administratës kërkon kohën e gjatë për tu zhvilluar i plotë qeveria duhet të sigurojë koherencë ndërmjet dokumenteve të ndryshme, si dhe me dokumente të tjera të planifikimit me synimin që të sigurojë përafrimin me versionin më të fundit të kuadrit evropian të ndërveprueshmërisë. Sipas Progres Raportit të KE-së së vitit 2023 për Shqipërinë vlerësimi është se ka një përgatitje mesatare për kuadrin e saj strategjik për reformën e administratës publike. Koordinimi institucional është ende në stadin që duhet të përmirësohet më tej pasi duhet të përforcohet funksioni qendror i kontrollit të cilësisë për planifikimin e politikave.
Në zbatimin e reformës, qeveria në këto 10 vite[1] ka synuar sipas strategjisë për administratën[2], që krahas teknologjisë të forcojë treguesit e performancës. Në historikun e saj, DAP sipas programit qeverisës për mbi dy mandate të fundit është përpjekur (1) të zvogëlojë shërbimin civil për ta bërë atë më të përballueshëm dhe për ta sjellë atë në përputhje me një rol të ri, të zvogëluar të qeverisë në aktivitetet ekonomike; (2) t’u sigurojë nëpunësve civilë stimuj, aftësi dhe motivim të duhur; dhe (3) të përmirësojë menaxhimin dhe llogaridhënien bazuar te transparenca.
Sipas strategjisë së reformës në administratën publike për peirudhën 2015 – 2020 është synuar që “të shërbejë si instrument planifikimi dhe monitorimi me qëllim krijimin e një administrate:
– të qëndrueshme dhe të aftë për të përballuar sfidat e zhvillimit të vendit dhe prioritetet e anëtarësimit në BE.
– të ofrojë një qeverisje inovatore si në profesionalizmin e punonjësve të saj, në përmirësimin e procesit të politikbërjes dhe hartimit të legjislacionit, në organizimin efiçent të strukturave, rritjen e përgjegjshmërisë së punonjësve, transparencë në aktivitet dhe përmirësim të shërbimeve ndaj publikut.
Në një perspektivë afatgjatë synohet:
– rritja e qëndrueshmërisë së punonjësve të administratës publike, nëpërmjet zbatimit me rigorozitet të procedurave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, forcimit të kapaciteteve nëpërmjet trajnimit të thelluar dhe të vazhdueshëm të nëpunësve të administratës publike qendrore dhe vendore, sidomos në fushën e përmirësimit të aftësive drejtuese.”
Nëse shikojmë numrin e punonjësve në institucionet buxhetore në vitin 2013 është 87.710 punonjës, ndërsa në vitin 2023 numri i punonjësve në institucionet buxhetore është 84.762 punonjës, me një rënie prej 2.948 punonjës[3].
Megjithëse numri i punonjësve buxhetorë është në një rënie të lehtë, veçanërisht për qeverisjen qendrore ashtu si dhe për qeverisjen vendore, planifikimi afatgjatë i sasisë dhe kostos buxhetore të punonjësve është i nevojshëm të vijë si një konkuzion i bazuar nga studime me tematikë gjithpërfshirëse, ku numrat e buxhetorëve duhet të pasqyrojnë më së paku zhvillimet demografike, por edhe elementë të tjerë me peshë që përbëjnë treguesit kryesorë të një tregu pune të denjë.
Në monitorimin e reformës në administratën publike nga organizatat e shoqërisë civileraportohet se është ende e nevojshme për të arritur standarde të larta të transparencës, llogaridhënies dhe[4] gjithëpërfshirjes në procesin e politikëbërjes, ashtu edhe kompleksitetin teknik dhe koordinimin ndërinstitucional të nevojshëm për t’i arritur ato.
Ndërkohë, në raportin e vitit 2022 të DAP[5] konstatohet se në analizën e përgjithshme të ecurisë së masave, si dhe në objektivat e përcaktuara për vitin 2023 konstatohet se një pjesë e mirë e objektivave për cilësi, qëndrueshmëri, organizim eficient të administratës dhe transparencë ka ende mospërmbushje, ashtu si përmendet edhe në raportin e performancës 2022 të KLSH[6].
Pavarësisht nga futja e rregullave të konsoliduara për shërbimin civil, praktikisht në të gjitha institucionet, politikanët (kryesisht pjesa e mazhorancës aktuale) mbajnë disa diskrecione (liri veprimi) në këtë proces përzgjedhjeje.
Ky fleksibilitet mund të lejojë politikanët të përzgjedhin individë që konsiderohen të aftë dhe të motivuar për të kryer punën, edhe pse ligji mund të jetë i ndjeshëm ndaj patronazhit. Por, ka mjaftueshëm raste të raportuara nga media dhe vetë bilbilfryrësit, që pozicionet në sektorin publik mund të përdoren për të shpërblyer mbështetësit politikë të partisë në pushtet[7].
Madje një risi në administratën publike rekrutimet në pozicione drejtuese të institucioneve kryhen në mënyrë jo të plotë dhe të përgjegjshme duke rezultuar që shumë drejtues të lartë të kenë një të kaluar etike dhe madje edhe penale të errët.
Në këto emërime është mbështetja politike, si kriter kryesor, e cila zëvendëson cilësinë/meritokracinë. Pas emërimeve të tilla që në nivel lokal ka denoncime edhe për lidhje nepotike është e sigurtë, që patronazhi politik aktivizohet si një pengesë potencialisht kyçe për rekrutimin efikas, motivimin bazuar te meritat dhe performanca e punonjësve të sektorit publik.
Edhe pse rrëfimet rreth këtij fenomeni janë të zakonshme, ne kemi pak prova sistematike mbi rolin e patronazhit në përzgjedhjen e punësimit publik.
Por, a po ndikon patronazhi në punësimin e meritokratëve dhe administratë?
A po ecën reforma në administratë në sinkron me dixhitalizimin dhe programin anti korrupsion[8]?
Efektet e njëtrajtshme të dëmshme të korrupsionit në sektorin publik e kanë bërë luftën kundër tij një prioritet për politikëbërësit, po aq sa edhe një prioritet absolut të institucioneve të prokurorisë së posaçme antikorrupsion me një mbështetje historike për Shqipërinë në ndihmë të integritetit dhe sigurisë kombëtare.
Në këtë prioritet kombëtar vjen si logjikë e veprimtarisë së një pjese të caktuar të organizatave të shoqërisë civile në orientimin e përpjekjeve të tyre të bazuara te ekspertiza për tu siguruar se, nëse të gjithë ne gjithpërfshihemi në mënyrë të koordinuar me misionin kundër korrupsionit për a) raportimin e procedurave jo sipas përshkrimit të ligjit, b) ekspozimin e aktiviteteve korruptive dhe rreziqeve, që përndryshe mund të mbeten të fshehura, c) mbajtjen e sektorit publik të ndershëm, transparent dhe të përgjegjshëm, d) kërkesën e llogarisë për mosmbajtjen e premtimeve politike, atëherë kemi arritur të ndikojmë në të tashmen dhe perspektivën e minimizimit të korrupsionit politik.
Strategjia dhe plan veprimi i miratuar për të luftuar korrupsionin[9] shihet se është lidhur me mënyrën se si janë konceptuar shkaqet e tij themelore. Shumë nisma kundër korrupsionit janë krijuar për të ndryshuar trendin e korrupsionit. Por, koordinimi dhe bashkëveprimi i dobët i institucioneve, si dhe burimet e organizuara jo mirë kanë rezuktuar në përmbushje të dobëta, ku niveli i perceptuar i korrupsionit[10] ende është në nivele kokëforta të qëndresës ndaj masave në zbatim.
[1] https://www.dap.gov.al/images/raportetvjetore/DAP_Raporti_Vjetor_2013_.pdf
[2] https://www.dap.gov.al/publikime/dokumenta-strategjik/64-strategjia-ndersektoriale-e-reformes-ne-administraten-publike- 2015-2020
[3] https://financa.gov.al/buxheti-ne-vite/
[4] https://idmalbania.org/wp-content/uploads/2021/11/WeBER2.0_Monitorimi-RAP-Shqiperi_2019-2020_ed.pdf
[5] https://www.dap.gov.al/images/raportetvjetore/2023-03-27_DAP_Raporti_Vjetor_2022.pdf
[6] https://drive.google.com/file/d/1XZ-FR__lyBJ5dbFUzELEychi6OX8FpZX/view?usp=drive_link
[7] https://www.reporter.al/2021/04/19/nepunes-police-dhe-ushtarake-ne-listen-me-mbi-9000-patronazhiste-socialiste/
[8] https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/1.-PLANI-I-VEPRIMIT-ANTIKORRUPSION-2020-2023_AL.pdf
[9] https://www.drejtesia.gov.al/strategjia-ndersektoriale-kunder-korrupsionit/
[10] https://altax.al/renditja-e-shqiperise-sipas-indeksit-te-korrupsionit-1999-2021/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.