Ecuria e ekonomisë shqiptare në T1 2026 dhe perspektivat për vitin e plotë

Ecuria e ekonomisë shqiptare në T1 2026 dhe perspektivat për vitin e plotë

Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të 2026-shit vazhdon të shfaqë një model rritjeje të polarizuar dhe të brishtë, tipik për një ekonomi në tranzicion që mbështetet te disa shtylla të forta por vulnerabël, ndërsa sektorë tradicionalë prodhues po humbasin terren. Të dhënat e INSTAT për prodhuesit e të mirave, shërbimet dhe tregtinë e jashtme në muajt e parë të vitit tregojnë një realitet ku konsumi i brendshëm, turizmi, ndërtimi dhe energjia po kompensojnë dobësitë strukturore të industrisë përpunuese dhe nxjerrëse. Ky model, megjithëse gjeneron rritje sipërfaqësore, po thellon pabarazitë territoriale dhe sektorale, duke e bërë rimëkëmbjen afatgjatë më të vështirë pa ndërhyrje serioze politike.

sektorin e prodhuesve të të mirave, treguesit për T1 2026 nxjerrin në pah një kontradiktë të theksuar. Industria në tërësi shënon rënie të shitjeve neto në volum me 3.1% dhe të prodhimit me 4.9%, me ulje të punësimit 2.9%. Industri nxjerrëse është në kolaps (-28.1% shitje), ndërsa përpunuesja arrin një rritje modeste +2.5%. Kjo pasqyron vështirësitë e konkurrencës së jashtme, kursin e fortë të Lekut dhe mungesën e diversifikimit drejt prodhimeve me vlerë të shtuar.

Në anën pozitive, Energji elektrike, Gaz e Avull regjistrojnë një performancë spektakolare me shitje +17.6% dhe prodhim +45%, falë investimeve në kapacitete të reja (sidomos diellore). Ndërtimi vazhdon si motor i fuqishëm (+8.6% shitje, +7.2% prodhim, +5.6% punësim dhe +22.4% fondi i pagave), ndërsa furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve tregon rritje të qëndrueshme. Rritja e fortë e pagave në këta sektorë (shpesh mbi 13-22%) tregon presion mbi kosto, por edhe përmirësim të të ardhurave për të punësuarit.

Realiteti është se ekonomia po sillet si një ekonomi shërbimesh dhe ndërtimi me një komponent energjie në zhvillim, ndërsa baza industriale po erodohet. Kjo tendencë, nëse vazhdon, do të krijojë një varësi të lartë nga ciklet e ndërtimit dhe moti (për energjinë hidro), duke e bërë rritjen më pak rezistente ndaj goditjeve të jashtme.

Shërbimet mbeten shtylla kryesore e aktivitetit ekonomik. Në T1 2026, shitjet neto në volum rriten ndjeshëm në Pasuri të paluajtshme (+31.5%), Hotele (+12.6%), Bar-Restorante (+8.4%) dhe Tregti (+4.6%). Punësimi dhe pagat ndjekin trendin pozitiv, me rritje të pagave deri në +35% në pasuri të paluajtshme. Kjo reflekton vazhdimin e boom-it turistik dhe investimeve të huaja në prona.

Megjithatë, disa nënsektorë si Transporti (-3.8%), Informacioni & Komunikacioni (-1.6%) dhe Administrimi zyrash (-5.4%) tregojnë dobësi. Kjo tregon se rritja është e përqendruar në aktivitete konsumatore dhe spekuluese, jo në shërbime me produktivitet të lartë si teknologjia ose logjistika e avancuar.

Për periudhën 2027-2029, ky model mbështet konsumin e brendshëm dhe të ardhurat nga turizmi, por rrezikon ngopje dhe rendimente të zvogëluara në turizëm, si dhe një ekonomi të dy shpejtësive, një Tiranë dhe bregdetin në njërën anë dhe rajonet e brendshme në tjetrën.

Të dhënat për Maj 2026 konfirmojnë një deficit tregtar të thellë (48.2 mld lekë, +5.1% vjetor). Eksportet rriten modest +2.8%, të nxitura nga ushqimet, materialet e ndërtimit dhe makineritë, por tekstilet dhe këpucët (sektor tradicional) po humbasin terren. Importet rriten +4.1%, të dominuara nga energjia dhe mallrat e konsumit.

Kjo strukturë tregon një ekonomi që konsumon më shumë se sa prodhon për eksport, me një bilanc negativ që vazhdon të financojë rritjen përmes remitancave, turizmit dhe FDI-ve. Por mosmarrja e veprimeve për një kthesë drejt përpunimit dhe eksporteve me vlerë të lartë, do të thellojë më tej deficitin tregtar dhe kjo do të shtojë presionin fiskal edhe mbi rezervat e valutës, që kanë shënuar rritje deri më sot. Pra atë pozitiviet të tyre do ta konsumojë nga kjo politikë që e zhbën strategjinë industriale 2026-2030, ende në diskutim në institucione.

Parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (IMF rreth 3.4%, Banka Botërore pak më konservative) sugjerojnë një rritje të moderuar për vitin 2026, të mbështetur nga turizmi, energjia e rinovueshme, ndërtimi dhe konsumi i nxitur nga pagat në rritje. Megjithatë, tendencat e T1 2026 sinjalizojnë rrezik ngadalësimi, nëse kërkesa e jashtme nga vendet e bashkimit europian do të dobësohet ose nëse cikli i ndërtimit do të ftohet.

Si po sillet realisht ekonomia?
Është një ekonomi që po rritet, por nuk po transformohet thellësisht dhe ky cikël rritje është i destinuar të ngadalësohet, nëse nuk ndryshon modeli ekonomik. Modeli aktual favorizon rritje të bazuar te konsum dhe investime jo gjithmonë produktive, në vend të një rritjeje të bazuar te inovacion, eksporte dhe kapital njerëzor. Ky model e mban ekonominë tonë me një rritje modeste, por nuk po ndryshon dot mënyrën se si ajo të krijojë mirëqenie. Po krijohen vende pune dhe po rriten pagat në disa sektorë, por vendi po prodhon më pak, po varet ende nga importet dhe përfitimet e rritjes nuk po ndahen në mënyrë të barabartë. Kjo do të thotë se rritja aktuale mund të mos jetë e qëndrueshme në periudha afatgjata.

Çfarë pritet nga kjo tendencë?
skenarin bazë, Shqipëria pritet të ruajë një ritëm rritjeje ekonomike prej rreth 3.2–3.5% gjatë vitit 2026, duke sjellë përmirësim të ngadaltë të të ardhurave dhe të konsumit. Megjithatë, kjo rritje do të mbetet kryesisht sasiore dhe jo transformuese, e cila duhet tashmë më shumë se kurrë.

Kjo do të thotë, se në mungesë të reformave strukturore, si diversifikimi industrial, rritja e produktivitetit, menaxhimi më efikas i burimeve natyrore, reduktimi i informalitetit dhe investimet në aftësi e kapital njerëzor ekonomia shqiptare mund të mbetet e bllokuar në kurthin e të ardhurave të mesme.

Kjo do të thotë se ritmi i rritjes do të jetë i pamjaftueshëm për të frenuar emigracionin, për të krijuar vende pune me vlerë të shtuar dhe për të përballuar nevojat në rritje për financimin e shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe pensioneve.

Sipas ALTAX, kalimi drejt një modeli të ri zhvillimi, një model ekonomik “Albania 2.0” kërkon politika fiskale më progresive, mbështetje për prodhimin dhe përpunimin vendas, krijimin e një fondi sovran nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe një qasje më të balancuar ndaj zhvillimit territorial.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.