Rrisku i kursit të këmbimit midis Lekut dhe Euros në tregun shqiptar

Rrisku i kursit të këmbimit midis Lekut dhe Euros në tregun shqiptar

Në terma të gjerë, rreziku i kursit të këmbimit[1] është madhor kur një kompani ose investim mbështetet në një monedhë të huaj që duhet të konvertohet në lekun shqiptar.

Rrisku i këmbimit valutor mund të shkaktohet nga mbiçmimi/zhvlerësimi i Lekut, mbiçmimi/zhvlerësimi i monedhës së huaj (Euro, Dollar, Pound, Franga), ose një kombinim i të dyjave. Është një rrezik i madh për t’u marrë parasysh për eksportuesit/importuesit dhe bizneset që tregtojnë në tregjet ndërkombëtare.

Si ndikon kursi i këmbimit valutor në ekonomi?

Kursi i këmbimit ndikon më drejtpërdrejt në ekonominë reale nëpërmjet ndryshimeve në kërkesën për eksporte dhe importe. Një nënçmim real i Lekut ndaj Euros i bën eksportet më konkurruese jashtë vendit dhe importet më pak konkurruese brenda vendit, duke rritur kështu kërkesën për mallra të prodhuara në vend. Ky moment është pjesa rregullatore e qeverisë në harmonizim me Bankën e Shqipërisë sipas detyrave që ato duhet të kryejnë respektivisht, për të zbatuar një politikë stimuluese dhe anti dumping, me qëllim që të mos kemi ende një situatë ekonomie që varet nga fatet e importeve.

Përpara se të menaxhojnë rriskun nga këmbimi valuator, nevojitet që qeveria dhe Banka e Shqipërisë, si dy kolonat kryesore që ndikojnë direkt dhe indirect në parandalimin e pasojave nga rrisku spekulativ I këmbimit dihet që të menaxhohen faktorët që ndikojnë në kursin e këmbimit

Së pari, në momentet aktuale ndryshimet në inflacionin[2] e tregut shkaktojnë variacione në kurset e këmbimit të Euros. Diferencat e inflacionit në BE me Shqipërinë janë një ndër arsyet me peshë pse Euro ka fuqi blerëse të ndryshme dhe si rezultat, normë të ndryshme të këmbimit të saj gjatë vitit. Si rezultat, vendet me inflacion të ulët priren të kenë monedha më të forta se ato me norma më të larta inflacioni. Kështu gjatë vitit 2022, norma më e ulët e inflacionit  ishte një ndër arsyet pse vlera e Lekut zakonisht mbeti e rritur gjatë vitit.

Së dyti, devijimet në normën e interesit të shpallura nga Banka e Shqipërisë ndikojnë në vlerën e Lekut dhe normën e konvertimit të Euros me lekun. Inflacioni[3] dhe kursi e këmbimit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me normat e interesit.. Për shembull, vendosja e normave më të larta të interesit jep mundësinë për të thithur kapital të huaj, i cili kërkon të fitojë me norma më të larta[4]. Rezultati është se kursi i këmbimit valutor të vendit rritet, duke e bërë Lekun më të fortë. Megjithatë, nëse këto norma mbahen shumë të larta për një kohë të gjatë, inflacioni do të fillojë të rritet, duke rezultuar në zhvlerësim e Lekut dhe ky është një rrisk që vlen të konsiderohet shpejt nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ky vendim vlen shumë në këtë periudhë historike të pasigurive të tregut financiar pasi ndryshimi i normave të interesit ndikon në balancimin e përfitimeve dhe humbjeve.

Mund të ndodhë që pavarësisht rritjes së normës së interesit, inflacioni të mos ulet sipas parashikimeve, që do të thotë se do të ketë më pak efekte nga sa pritej në kursin e këmbimit. Në të kundërt, ulja e normave të interesit priret të ulë normat e këmbimit. Megjithatë, një inflacion i ulët dhe norma të larta të interesit mund të tërheqin fonde të huaja në vend, duke forcuar kursin e këmbimit të lekut.

Së treti janë parametrat e balancës buxhetore të shtetit ata që ndikojnë direkt mbi kursin e këmbimit. Një nga parametrat më kritikë është deficiti i llogarisë vjetore të buxhetit të shtetit[5]. Nisur nga vendimi politik i qeverisë për angazhimin në projekte infrastrukturore në shkallë të gjerë prej vitit 2017, si dhe duke e ditur se nuk mund të kishte të gjitha fondet për to, ajo ka marrë hua fonde brenda dhe jashtë vendit (bono thesari, obligacione dhe Eurobond etj.).

Këto projekte kanë arritur të stimulojnë ekonominë.

Megjithatë, rritja e borxhit publik, të akumuluar nga vite në vijim me deficit buxhetor ka dhënë ndikimin e vet në tendencën e rritur të inflacionit, i cili nuk ndihet në një masë të madhe direkt, pasi qeveria kontrollon direkt (çmimet e energjisë elektrike) dhe indirekt çmimet e tjera të tregut. Një argument që e mbështet këtë parashtrim është fakti se në vitet e fundit borxhi i qeverisë është rritur pak më shpejt se ekonomia, duke ndikuar direkt te inflacioni, por duke u neutralizuar pikërisht nga paraja informale dhe ekonomia që amortizon tendencat inflacioniste në rastin e një ekonomie që funksionon bazuar mbi tregun e lirë dhe sundimin e ligjit.

Një borxh i madh publik është një recetë për inflacion të lartë[6], d.m.th., Leku me gjasa është ndikuar në zhvlerësim të tij. Për rrjedhojë, të ardhurat në valutë nga eksportet nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe kjo ka diktuar daljen për të marrë hua nga jashtë për të bërë diferencën, por edhe pranimin e së keqes së domosdoshme, qarkullimin me tepri të parasë informale. Kështu, nga njëra anë, nisur nga kërkesa e lartë për Euro për pagimin e borxhit, kjo kërkesë e lartë ka ndikuar në kursin e këmbimit duke ushtruar presion për uljen e vlerës së Lekut. Nga ana tjetër, qarkullimi I Euros në mënyrë informale dhe i pashqetësuar nga institucionet për tu frenuar ka rritur ofertën më shumë se kërkesa për Euro dhe ka neutralizuar ndikimin e borxhit të lartë public në uljen e vlerës së Lekut në tregun e këmbimit monetar.

Së katërti, ndikim direkt në kursin e këmbimit është edhe bilanci tregtar (eksportet dhe importet) dhe i pagesave. Një bilanc pozitiv midis eksporteve dhe importeve është edhe treguesi se ekonomia po rritet. Ndërsa nga eksportimi vendi përfiton eurot, nga importimi eurot brenda vendit ikin jashtë tij, si shpenzim për blerjet e mallrave dhe shërbimeve. Nëse eksportet e Shqipërisë do të rriteshin me një ritëm më të lartë se importet, kjo do të ishte një lajm i mirë për kursin e këmbimit të Lekut, pasi eksportet më të larta janë rritje e kërkesës për Lek, dhe rrjedhimisht ndikojnë mbi vlerën e saj për ta forcuar.

Thënë ndryshe, nëse kushtet e biznesit[7] janë të favorshme, kjo do të ndikojë pozitivisht në kursin e këmbimit dhe anasjelltas. Nëse çmimi i eksporteve të një vendi rritet më shpejt se importet e tij, kushtet e tij të tregtisë janë përmirësuar. Rritja e kushteve tregtare tregon rritjen e kërkesës për eksportet e vendit. Vlera e Lekut do të bjerë në lidhje me partnerët e saj tregtarë, kur eksportet rriten me një ritëm më të ngadaltë se çmimi i importeve.

Llogaria rrjedhëse e një vendi i bën jehonë bilancit të tregtisë dhe të ardhurave nga investimet e huaja. Bilanci i pagesave ndryshon kursin e këmbimit të Lekut. Deficiti i llogarisë korente dhe bilanci tregtar janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Bilanci tregtar krahasohet me atë të partnerëve tregtarë në këtë skenar. Nëse, deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë do të ishte më i rëndësishëm se ai i një partneri tregtar fqinj, ai mund të dobësonte monedhën e tij. Si rezultat, Leku në këtë rast do të prirej të ishte më i fortë. Në realitetin tregtar të Shqipërisë me vendet fqinje ndodh rrallë dhe në volume shumë të vogla, për të ndikuar me peshën e këtij argumenti mbi kursin e këmbimit të Lekut.

Rritja e ekonomisë rrit vlerën e Lekut, duke çuar në kurse më të mira këmbimi dhe anasjelltas. Por, kontradiktat e treguesve në rastin e Shqipërisë nuk e bëjnë argumentimin të plotë dhe të kuptueshëm në çdo rast. Për shembull, duke qenë se në Shqipëri në vitet e fundit është regjistruar një papunësi të ulët, kjo do të thotë se qytetarët kanë më shumë para për të shpenzuar, gjë që duhet të ndihmonte në zhvillimin e një ekonomie më të fuqishme. Por, në realitet qytetarët nuk kanë ato sasi parash në duar për të mbështetur këtë logjikë ekonomike. Vlen të përmendet se shëndeti ekonomik është më shumë një fjalë tërheqëse që përfshin një sërë faktorësh të tjerë si normat e interesit, inflacioni dhe bilanci tregtar.

Së pesti, stabiliteti politik është I lidhur me ekonominë dhe si rrjedhojë ka ndikim edhe mbi kursin e këmbimit valuator. Nëse statusi politik i vendit është i qëndrueshëm, investitorët do të investojnë më shumë dhe më në fund do të ndikojnë në kursin e këmbimit valutor të vendit. Nga ana tjetër, stabiliteti i dobët politik zhvlerëson kursin e këmbimit të Lekut.

Së fundmi, tregu i këmbimit valutor është i ndikuar edhe  nga spekulimet e vetë operatorëve të këtij tregu. Duke qenë se informacioni në tregun valutor është jo i mbështetur mbi bursën e kapitalit apo edhe instrumenta të tjera të tregut, bizneset dhe qytetarët priren të kërkojnë më shumë Euro, nëse vlera e saj priret të ulet, ku si rezultat, vlera e Lekut do të rritet dhe do të ndikojë në kursin e këmbimit. Nëse spekulatorët besojnë se vlera e Euros do të rritet në të ardhmen, ata do të kërkojnë një çmim më të lartë tani për të përfituar. Si rezultat i rritjes së kërkesës, çmimi do të rritet. Si rezultat, ndryshimet në kursin e monedhës shpesh ndikohen nga qëndrimet e tregut informal dhe jo nga realitetet ekonomike.

Në mbyllje, të gjithë këta faktorë kontrollojnë variacionet e kursit të këmbimit valutor.

Kështu, ne shikojmë se:

– stabiliteti i dobët politik e ka zhvlerësuar Lekun në raport me Euron sistematikisht ndër vite;

– vlera e Lekut ka prirje të vazhdueshme të bjerë në raport me partnerët e saj tregtarë, nisur nga fakti se eksportet rriten me një ritëm më të ngadaltë se çmimi i importeve.

– kur borxhi i qeverisë është rritur më shpejt se ekonomia, ai duhet të rriste inflacionin duke parandaluar hyrjen e më shumë investimeve të huaja në vend dhe duke zhvlerësuar Lekun, por kjo përtej ndikimit te dobët ne tregun valutor nuk ka qene e dukshme per publikun.

– vendosja e normave më të larta të interesit gjatë 2022 nga Banka e Shqipërisë  me gjasa ka mundur të tërheqë një sasi të kapitalit të huaj, duke ndikuar edhe në forcimin e Lekut ndaj Euros.

-mbajtja e normës së inflacionit më të ulët se norma e inflacionit të partnerëve tregtarë të Shqipërisë ka dhënë një ndikim në forcimin e Lekut;

– rritja e ulët e PBB-së në mos ka ndikuar në forcimin e Lekut, të paktën nuk ka dhënë një ndikim të kundërt;

– ndikimi nga spekulatorët e tregut valutor, nga informaliteti i ekonomisë, si dhe hyrjet e mëdha të parasë informale (sidomos vitet e fundit) nga bizneset dhe individët që pastrojnë para ka ndikuar në forcimin e lekut, pasi ka rritur tej mase ofertën në tregun valutor.

Si rezultat i kombinimit të gjithë faktorëve që kontrollojnë ndryshimet në kursin e këmbimit kanë dhënë efektin aktual në treg të një Euro më të dobët dhe që do ta mbajnë në këto nivele për sa kohë që disa nga faktorët ndikuesë kryesorë për vlerësimin e Euros nuk do të ndryshojnë tendencën e tyre.

[1] Rrisku i kursit të këmbimit është rrisku i ndikimit financiar për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit. Rrisku ndodh kur një kompani angazhohet në transaksione financiare ose mban pasqyra financiare në një monedhë të ndryshme nga ajo ku ka selinë e saj. Për shembull, një kompani me vendndodhje kryesore në Shqipëri që bën biznes në Kosovë, pra merr transaksione financiare në Euro dhe i raporton pasqyrat e saj financiare në Lekë është e ekspozuar ndaj rrezikut të këmbimit valutor. Transaksionet financiare, të cilat merren në Euro duhet të konvertohen në Lekë për t’u raportuar në pasqyrat financiare të kompanisë. Ndryshimet në kursin e këmbimit midis Euros (monedhës së huaj) dhe Lekut (monedhës vendase) do të ishin pika rreziku, qe përkon me termin e rrezikut te këmbimit valutor.
[2] Inflacioni është fuqia blerëse relative e një monedhe në krahasim me monedhat e tjera
[3] Bankat e Shqipërisë e përdor normën e interesit për të kontrolluar inflacionin
[4] Nëse një vend ka një normë interesi të lartë, huadhënësit kanë mundësinë të fitojnë më shumë
[5] diferenca midis shpenzimeve të buxhetit dhe asaj që ai fiton nga të ardhurat që mbledh nga taksat dhe ndihmat
[6] Vendet me borxh të madh publik mund të shohin uljen e kursit të tyre të këmbimit, sepse ato shihen si destinacione jo tërheqëse investimi. Kjo do të thotë se vendi duhet të paguajë më shumë për të shërbyer borxhin e tij
[7] krahason çmimet e eksportit me çmimet e importit dhe lidhet me llogaritë rrjedhëse dhe bilancin e pagesave

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: