Normat e interesit dhe inflacioni kërkojnë zgjerimin e tregut financiar
Ekonomia e sotme duket shumë e ndryshme në krahasim me atë të vitit të kaluar dhe shqetësimet për inflacionin, ulje-ngritjet e kursit të këmbimit, rritja e normave të interesave bankare dhe kostos së kredive individuale dhe biznesore dhe madje edhe një recesion të mundshëm po rëndojnë në mendjet e secilit nga ne.
Një nga temat që gjen një optimizëm për kalimin e periudhës tranzitore të rritjes së çmimeve është edhe mekanizmi i politikës së Bankës së Shqipërisë rreth mënyrës sesi rritja e normave të interesit mund të ndihmojë në uljen e inflacionit. Por, duke qenë se ky efekt direkt krijon edhe efekte dytësore, një temë e hapur për debat është edhe fakti se një veprim i tillë mund të rezultojë në ndikues domethënës për një recesion.
Ndërsa jo të gjitha mallrat dhe shërbimet janë ndikuar njësoj nga inflacioni, kategoritë si ushqimi dhe transporti pësuan rritjet më të mëdha.
Rritja e çmimeve në të gjithë këta muaj është shkaktuar nga shumë faktorë të ndryshëm duke filluar me ndikimet nga tregjet e huaja. Këto ndikime përmblidhen që nga çrregullimet e kërkesë-ofertës, që erdhën nga situata e pandemisë në tregjet nga ku importon Shqipëria, nga ndikime indirekte nga lufta në Ukrainë që çoi në një rritje të shpejtë të çmimeve të energjisë, si dhe deri në mungesat e zinxhirit të furnizimit që ndikuan po me efekt domino në çmimet e mallrave të tjera të konsumit përfshirë edhe shërbimet e lidhura direkt me to. Me fjalë të tjera, ndikimi kryesor nga jashtë vendit erdhi se çmimet e larta të mallrave dhe shërbimeve nuk arriti dot të përballonte kërkesën nga shumë vende në të njëjtën kohë. Tashmë ky efekt ka filluar të ulet, por jo në nivelet e fillim vitit 2022.
Ndërkohë, rritja e çmimeve është shkaktuar edhe nga faktorë të brendshëm, të tillë si vazhdimësia e abuzimit me çmimet në mungesë të një ekonomie formale dhe mosfunksionimit në pajtim me detyrat të institucioneve përgjegjëse për reagim në situata abuzivizmi me tregun dhe kuadrin rregullator. Ndërhyrja në treg me vendime të Bordeve për të ngrirë liritë për të operuar bizneset e karburanteve me pakicë, si dhe për disa nga mallrat bazike për jetesë kanë ndikuar në ruajtjen e një rregjimi çmimesh uniforme jashtë realitetit të tregut të lirë të bazuar te kërkesë – oferta. Edhe pse ky mekanizëm kontrolli është deklaruar në ndihmë të konsumatorëve, në praktikën e përditshme ka ndikuar në shmangien e falimentit të disa prej bizneseve të mëdha tregtare në vend, por me ndikim dytësor në kufizimin e lirisë tregtare për gjithë të tjerët. Ky mekanizëm e mban inflacionin në një nivel të lartë. Në gjithë këtë vit duket se evazioni nuk ka ulje, madje shumë raste të përmendura nga krimi ekonomik konfirmojnë reagimin e dobët të institucioneve për kryerjen e detyrave të tyre dhe një favorizim të dukshëm për buxhetin e shtetit si një politikë që përfiton nga tatimet mbi konsumin për të forcuar të ardhurat tatimore dhe konsolidimin fiskal.
Menjëherë pas politikës fiskale është banka e Shqipërisë, e cila në zbatim të funksionit të saj kryesor për të mbajtur një normë të ulët inflacioni me ndikim ndër të tjera edhe në nivelin e papunësisë ka reaguar në vitin 2022 duke kontrolluar normën e interesit me rritje të tyre deri në 2.75%. Duke rritur normën e interesit aktualisht është bërë më e shtrenjtë huadhënia për bankat dhe për rrjedhojë është shtrenjtuar kredia për konsumatorët dhe bizneset. Pra të marrësh hua nga bankat tregtare sot është një vendim mjaft me rrisk për arsye të rritjes së kostove. Pra, për një vit kësti i kredisë është shtrenjtuar me disa mijëra-qindramijëra lekë më shumë apo deri në 40%.
Për konsumatorët, normat më të larta të interesit do të thotë se u është bërë më e shtrenjtë blerja e shtëpive, makinave, mobiljeve dhe pajisjeve të mëdha, si dhe shpenzimeve për shërbime shëndetësore, arsimore, argëtuese etj.
E njëjta logjikë e kostove të rritura është edhe për bizneset, të cilat tashmë frenohen edhe më shumë nga kostot e rritura të huamarrjes duke tentuar burime kreditimi alternative.
Këtu vlen të përmendim përsëri, se nëse do të egzistonte një treg formal dhe një para informale shumë më pak se aktualisht, pra nëse do të kishim një administrim të ngjashëm me vendet e tjera me të cilët krahasohet Shqipëria, atëherë edhe kreditimi nga burime informale (fajde, para informale nga krimi dhe korrupsioni etj.) atëherë edhe vetë tregu financiar do të ishte në nivel më optimal për të ofruar kredi me norma më të ulëta interesi nga sa ofron në çdo moment kur rritet kostoja e parasë nga politika monetare.
Në rast se shtigjet për të huazuar para nga tregu informal monetar do të ishin minimale dhe do të ishte krijuar premisa për bursë këmbimi, atëherë edhe vetë tregu financiar për një vend të vogël si Shqipëria nuk do ti ndjente presionet e jashtme njësoj si i ndjen.
Nga ana tjetër, nëse do të kishte një politikë vizionare lidhur me pagat në Shqipëri, tashmë edhe niveli i tyre më i lartë nga sa është aktualisht mund të ishte një mekanizëm që do të vlente për minizimin e dëmeve, ku paratë që mund të kishin tepruar nga konsumi në kohët më të mira dhe do të ishin pjesë e depozitave, do të vlenin për konsumin në këto kohë të shtrenjtimit të parasë.
Mirëpo, me zhvlerësimin e euros në treg duket se kjo do të krijojë pasiguri për të rritur depozitimet për ata individë apo biznese që kanë mundësi.
Në këtë mes, nevojite nxitja e politikave të reja të diversifikimit dhe zgjerimit të tregut financiar dhe një nga më efektivet që vlen për periudhën inflacioniste në të cilën ka hyrë vendi janë fondet e ndryshme, ku më i vlefshmi është fondi i pensioneve.
Në vendet e ndryshme, që tashmë e kanë zhvilluar tregun financiar, rritja e normave të interesit po nxit planet e pensioneve të bizneseve dhe individëve, duke u ofruar edhe politika fiskale një opsion për të lehtësuar bilancet e kompanive të tyre dhe për të transferuar detyrimet tek siguruesit.
Në kushtet, kur inflacioni është prezent dhe nuk do të largohet me kalimin e kohës, atëherë edhe kursimet e qytetarëve sipas planeve të pensioneve mund të përshtaten nga këto fonde. Në momentet që ato bëhen efektive në tregun shqiptar për individët, do të jetë i garantuar të kenë një plan pensioni plotësisht të financuar nga ta për të ardhmen (të afërt ose të largët) për ta transferuar atë tërësisht te vetvetja apo te një palë e tretë.
Nga ana tjetër, si një lajm i mirë për ekonominë rezulton se fondet e pensioneve kanë ndikim me peshë dhe shërbejnë si garanci financiare në zhvillimin e një vendi. Ndikim kryesor dhe me i dukshëm është në mundësitë e hapura për financimin me një burim shtesë formal në zhvillimin e nevojave për kreditim të ekonomisë së vendit. Kjo qasje e fondeve të pensioneve rrit ofertën e kapitalit në treg, por pa konkuruar direkt me bankat, pasi vetë tregu është më I plotësuar në rastin e një mundësie oferte më të larmishme se deri më sot, ku edhe pse nuk ka konkurencë përsëri nuk ka atë zhvillim të pritshëm .
E gjithë kjo politikë kursimi i parave, që tashmë është në një fazë diskutimi edhe nga qeveria kërkon një orientim ndryshe të perceptimit të fondeve personale në interes të të ardhmes personale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.