Bursat e Këmbimit në Ballkanin Perëndimor, 2020

bursa

Bursat e Këmbimit në Ballkanin Perëndimor, 2020

Bursat e këmbimit (BK) në vendet e vogla të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk funksionojnë me sukses apo nuk funksionojnë aspak.[1]

Çfarë nuk shkon me to?

Qarkullimi mujor i parave nuk ka parë rritje në vitet e fundit dhe numri i transaksioneve është aq i vogël sa që ky institucion simbol për tregtimin e kapitaleve nuk mund të konsiderohet si një bursë funksionale. Një bursë duhet të jetë gjithnjë me likujditet që qarkullon në mënyrë që investitorët të jenë në gjendje të shndërrojnë aksionet e tyre në para lehtësisht. Ndërkohë, ajo që pritet nga bursat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet një përfshirje me shumë mundësi investimesh, me profesionalizëm dhe me opsione për diversifikim investimesh. Kjo do t’i lejojë investitorët të zgjedhin nga një larmi investimesh dhe gjithashtu të zvogëlojnë rreziqet e tyre duke ndarë paratë e tyre midis disa llojeve të investimeve.

Një bursë është një treg financiar shumë i rëndësishëm. Ajo është një instrument shumë efikas dhe i dukshëm i financimit. Në vendet që kanë një traditë në lidhje me bursat, ajo përdoret për të financuar shumicën e nevojave të korporatave, më shumë sesa financimi që mund të garantohet nga vetë bankat. Individët dhe firmat kursejnë një pjesë të të ardhurave të tyre dhe e kanë të qartë institucionin ku t’i investojnë ato. Bursa vlen për të  të përmbushur nevojat për kursyesit që dëshirojnë të investojnë kursimet e tyre dhe për firmat që kërkojnë investime por nuk i marrin nëpërmjet huave nga bankat dhe institucionet financiare.

Një funksion tjetër i bursave është të ndihmojë qeveritë në financimin e kërkesave të tyre të huamarrjes së brendshme. Qeveritë u shesin detyrime (të quajtura obligacione) investitorëve përmes bursave në vendet e tyre. Prandaj, një bursë është një mjet i domosdoshëm për ri-financimin e borxhit kombëtar. 

Por, përpara se një bursë të funksionojë siç duhet nevojitet që të mbizotërojnë në tregun financiar edhe disa kushte jetike për to. 

Kushti më i rëndësishëm është ekzistenca e një ekonomie të shëndetshme dhe në rritje në vendin ku bursa operon. Investitorët grumbullohen drejt ekonomive të fuqishme dhe largohen nga ato ekonomi që preken shpesh apo janë të “sëmura” që në lindje. Përballë këtij konteksti, ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor vuajnë nga sëmundja e stanjacionit ekonomik dhe mungesa e një tregu të madh dhe konkurrues.

Panorama makro e ekonomisë në tërësi paraqet një papunësi të lartë krahasuar me kapacitetet në dispozicion, nivel të ulët të kursimeve, ritëm të ulët të rritjes së ekonomisë, një deficit kronik të bilancit tregtar dhe të bilancit të shtetit. Është fakt që ekonomia po rritet, por ekonomia e zezë është ende e madhe dhe zë një pjesë që shkon me raste deri afër  gjysmës së PBB-së zyrtare. Megjithëse kjo ekonomi informale ulet sa herë zhvillohen reforma pjesore dhe operacione anti informalitet, ajo përsëri tenton të rikthehet në “territoret” e mëparshme të informalitetit. Deficitet mbulohen nga infuzione të mëdha kapitale nga vendet donatore, si dhe nga borxhet e brendshme, që në pjesën e madhe të rasteve janë transaksione që nuk prodhojnë asgjë të vlefshme për buxhetin. 

Kur një ekonomi rritet, fitimet e kompanive (përfshirë ato të listuara në BK) do të rriten bashkë me të. Kjo i bën aksionet e këtyre kompanive një ofertë interesante për blerje nga ata që kërkojnë të investojnë.  Meqenëse askush nuk po blen kohët e fundit ne duhet ta kërkojmë problemin diku tjetër. Një bursë e mirë është e lidhur me ekzistencën e një administrimi të duhur mikro dhe makro.

Në nivelin makro, ambjenti kapitalist i Ballkanit Perëndimor ka pjesën më të madhe të problemeve me bursat në këtë drejtim, përfshirë edhe kulturën dhe traditën e munguar.  Nga ana tjetër, procesi i transformimit të bizneseve me kapital shtetëror në kandidate për të hyrë në bursa rezultoi dhe vijon dhe vijon në të njëjtën mënyrë me mangësinë më themelore: menaxhimin dhe krijimin e klasës së menaxherëve. Hyrja në bursa nuk u shoqërua me asnjë element ndryshe në menaxhim, ide ose kapital të ri për kompanitë, të cilat “u shndërruan” në kompani me ofertë të hapur. Tregu thjesht nuk i besoi dhe ende nuk i beson se ato janë transformuar dhe mund të jenë të afta të gjenerojnë fitime për periudha afatgjata dhe të garantojnë një treg të stabilizuar të kapitalit.  

Ndërkohë, të njëjtët menaxherë të djeshëm vijojnë të drejtojnë të njëjtat kompani, por ka ndryshuar vetëm “skena dhe dekori” i shfaqjes. 

Çfarë ndryshimi mund të vijë nga i njëjti grup menaxherësh të lodhur?  

Si mund të vendosin këta pronarë të përmirësojnë kushtet e punës për fuqinë punëtore, nëse pronarët dhe punëtorët nuk dallojnë në lidhje me aftësitë e tyre menaxheriale?  

Si mund të quhet menaxhim i suksesshëm, nëse arritja më e madhe menaxheriale është të bërit biznes me lekët e buxhetit dhe ndërkohë kompania nuk krijon kapacitete për të konkuruar jashtë tregut vendas? 

Pra, menaxhimi ndotet nga konsideratat jo të rëndësishme dhe jo-ekonomike. Kapitalet janë bërë pjesë e një lufte midis grupeve të punëtorëve dhe pronarëve të kompanive, por që më së shumti mbizotërohen nga konsideratat sociale dhe ato politike. Ndërsa më e keqja është se në vendet me qeverisje të korruptuara dhe qasje nepotike nuk ia vlen të huazohen para dhe të investohet në aksione, pasi tregu i kapitaleve nuk është i hapur për përfitime nga të gjithë dhe për të gjithë. Në këto kushte është më joshëse të investohen para në depozita bankare, duke ju nënshtruar normave të interesit që aktualisht janë në nivelet e ulta historike,  sesa të tentohet të investohet në blerje e shitje aksionesh.  

Në fakt, aty ku ka bursa aktive normat e larta të interesit janë helmi i tyre. E njëjta gjë vlen edhe për normat e ulëta të kursimeve. Nëse njerëzit dhe firmat nuk kursejnë nuk ka kapital në dispozicion për investime në aksione. Kjo, saktësisht është situata aktuale në Ballkan. Normat e ulëta të interesit të shoqëruara me kursime të ulëta po ndodhin tani në rajon. Ekziston mosbesim themelor midis klientëve dhe bankave të tyre. Ata preferojnë mënyra të tjera për të mbajtur paratë e tyre. 

Por të gjitha më sipër janë ende larg nga pikat e listës së parakushteve për funksionimin e duhur të një burse. 

Çfarë tjetër? 

Investitorët duhet të kenë informacion në kohë, të saktë dhe të plotë në lidhje me firmat në të cilat ata kërkojnë të investojnë. Kjo do t’i lejojë ata të përgjigjen në kohë reale për zhvillimet në kompani dhe për të parandaluar humbjet. Kjo gjithashtu do të bëjë të vështirë mundësitë për mashtrimin e tyre, ku në rajonin tonë ka shumë pikëpyetje lidhur me zbatimin korrekt të standardeve të kontabilitetit. Standartet e kontabilitetit në Ballkanin Perëndimor janë duke u rishikuar vazhdimisht për të patur një konformitet të plotë në zbatueshmëri me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Sistemin Ndërkombëtar të Raportimit Financiar.

Por, ende praktika dikton pjesën e referencave ligjore në zbatim të këtyre standarteve. Problemi më i madh lidhur me zbatueshmërinë është realiteti. Firmat e rajonit të Ballkanit Perëndimor mbajnë një sistem kontabël të dyfishtë. Një pjesë e aktivitetit të kompanive janë të regjistruara dhe deklarohen në zyrat e taksave. Një skemë e hollësishme e rezervave të fshehura qëndron në zemër të pasqyrave financiare tipike të bizneseve. Librat e tjerë të kontabilitetit që pasqyrojnë realitetin, pra ato që janë e kundërta e informalitetit mbahen të paraportuara për zyrat e taksave.

Kjo është një pengesë e madhe për investimet e huaja dhe investitorët e huaj pasi transparenca është forca lëvizëse në çdo bursë moderne. Besimi i investitorëve në bursë bazohet në legjislacionin për të mbrojtur të drejtat e tyre pronësore kundër autoriteteve dhe ndaj investitorëve të tjerë që mund të dëshirojnë të manipulojnë tregun ose manipulojnë çmimet e aksioneve. 

Legjislacioni pa një sistem të efektshëm gjyqësor dhe zbatim të ligjit është si një bursë pa para. Për të zbatuar të drejtat e pronës p.sh. në Maqedoninë e Veriut apo Shqipëri, duhet një jetë e tërë dhe madje edhe atëherë, rezultati nuk është i sigurt. Ligjet, rregulloret janë në fazën e tyre ende të pazhvilluar sa duhet dhe disa prej tyre duket se kanë pësuar dështim në praktikën e përditshme.

Një arsye e fortë pse ka ndodhur kështu është se ato u kopjuan me nxitim dhe pa dashje nga referencat ligjore të vendeve të tjera. 

Një arsye tjetër është mungesa e një tregu të drejtë, transparent dhe jo të korruptuar. Që tregu të jetë plotësisht efikas, ai duhet të jetë plotësisht i lirë nga çdo konsideratë dhe motivet e mësipërme. Korrupsioni shtrembëron mekanizmat dhe fuqitë alokuese të tregut.

Në fund të fundit, një bursë është njësoj si vitrina e ekonomisë kombëtare. 

Së fundmi, një problem i madh, i cili ndihmon në shpjegimin e pjesës më të madhe të gjendjes së bursës në Ballkan është fakti që në treg mungon aktori më i rëndësishëm i tij: sektori publik. Investitorët, si të huaj ashtu edhe të brendshëm, kërkojnë që sektori publik të jetë aktiv në bursën e secilit vend. Qeveritë në të gjithë botën përdorin bursat e tyre për të shitur aksionet e ndërmarrjeve shtetërore te qytetarët e tyre.

Bursa bëhet një mekanizëm për shpërndarjen e pasurisë kombëtare. Ndërkohë, qeveritë përdorin edhe bursën për të marrë hua para nga qytetarët e tyre. Sektori publik në Ballkanin Perëndimor nuk është pjesë në shumicën e transaksioneve të bursave. Asnjë kompani nuk është privatizuar përmes Bursës. Nga ana tjetër, mbetet fakt i pamohueshëm se një aktivitet i qeverisë në bursë është dëshmi që qeveria beson në të. Prandaj, nëse ajo nuk operon në bursë vërteton njëkohësisht se nuk beson në të.  

Nëse qeveria nuk beson në bursën në vendin e vet pse duhet të besojnë investitorët në të?

 

[1] Komenti vlen vetëm për vendet ku BK është e hapur, sepse Shqipëria nuk ka ende BK të vet.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: