Kosova: Performanca e të hyrave bazuar te investimet dhe nevoja për adresimin e informalitetit

Kosova: Performanca e të hyrave bazuar te investimet dhe nevoja për adresimin e informalitetit

Sipas raportit për barrën e tatimeve në Kosovë, në vlerë absolute të hyrat buxhetore në 2021 janë 1.94 miliard Euro. Të hyrat tatimore direkte janë 343 milion Euro, të hyrat tatimore indirekte janë 1.59 miliard Euro, si dhe të hyrat jotatimore dhe të ardhura të tjera e grante janë 10 milion Euro.

Struktura e të hyrave buxhetore, përbëhet në pjesën kryesore nga të hyrat tatimore (88%), nga të hyrat jotatimore, pjesa që nuk përbëjnë taksa dhe ngarkesa (11%) dhe Grantet e të ardhurat e tjera (1%). Të ardhurat tatimore qendrore përbëjnë një shumë sa 24.7% të BPV-së, ndërsa të hyrat tatimore nga pushteti vendor përbëjnë një shumë sa 1.1% të të hyrave të buxhetit. Në të hyrat tatimore, ku përfshihen edhe renta minerare dhe disa taksa dhe ngarkesa nga niveli qendror dhe lokal i qverisjes që janë zëra përbërës në treguesit buxhetorë, si të hyrat jotatimore.

Nëse shikojmë të ardhurat nga tatimi mbi individin shihet se ky tregues është në nivele të krahasueshme me vendet e tjera të BP6, madje edhe më i lartë se Shqipëria. Dukshëm vërehet se të ardhurat nga TAP janë rritur në vite për shkak të heqjes së përjashtimeve, por edhe për arsye të rritjes së kapaciteteve të administratës duke dhënë një ndikim tjetër edhe në kufizimin e madhësisë së ekonomisë joformale. Megjithatë, të ardhurat nga tatimi korporativ janë në nivele ende të ulëta dhe kjo është një politikë, e cila duhet që të përshtatet me trendin pozitiv që ka ndodhur me tatimin mbi të ardhurat personale.

Të hyrat e mbledhura brenda vendit, historikisht kanë përcjellur trendin e aktivitetit ekonomik ne vend, me një përmisrim gradual. Megjithëse baza e këtyre të hyrave vazhdon të jetë e ulët, falë dizajnimit dhe implementimit të reformave strukturore ka sinjale pozitive për një trend më të përshpejtuar të rritjes përtej asaj të shtyrë nga rritja e aktivitetit ekonomik (si rezultat i rritjes së përmbushjes vullnetare dhe ngushtimit të hendekut tatimor).

Kosova është zotuar për zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila përfshin 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe 169 objektiva, shumë prej të cilave janë pasqyruar në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës (SKZH).[1]

Ndikimi i mundshëm pozitiv i ndërhyrjeve të sjelljes më shumë sesa thjesht tregon koston e administrimit, në vetvete është një përshtatja e strategjive të pajtueshmërisë midis tatimeve direkte me indirekte dhe diversifikimit të modelit të ekonomisë nga tregtare në prodhuese.[2] Kjo qasje duket edhe në faktin se IHD tashmë nuk janë në nivele të ulta krahasuar me vite më përpara, por kanë filluar të ndihen si një pjesë e madhe plotësuese e ekonomisë së Kosovës duke mos u mbështetur vetëm në remitancat. Megjithatë, edhe për vitin 2021 ndryshe nga ekonomitë e tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, IHD-të në Kosovë nuk janë ende një shtytës i rëndësishëm i transformimit strukturor, veçanërisht drejt rritjes të orientuar më shumë drejt eksportit.

Kjo qasje e investimeve të huaja, si dhe një ruajte e normave tatimore në pozita konkuruese konfirmon hipotezën se ekziston një lidhje pozitive midis IHD-ve në sektorin e minierave, produktivitetit tatimor dhe rritjes. Koeficienti i IHD-ve në miniera është pozitiv, por është mjaft i vogël duke sugjeruar një efekt shumë minimal në PBB për frymë, megjithatë sugjeron se ekziston nevoja për të mbështetur dhe tërhequr më tej IHD në mënyrë që ekonomia të përfitojë.

Një synim që nevojitet të vlerësohet nga politikat e qeverisë aktuale është përpjekja për forcim të klimës së mikpritjes së investimeve në vend duke ndërmarrë disa masa politike për arritjen e synimit për rritjen e IHD-ve dhe rritjen e përfitimeve nga IHD-të për pjesën tjetër të ekonomisë. Këto masa përfshijnë: krijimin e një “one-stop-shop” për të gjitha procedurat që lidhen me themelimin e një kompanie të re, uljen e taksave të eksportit për kompanitë që investojnë në fabrikat e përpunimit në mënyrë që të stimulojnë pozitivisht investimet në fabrikat e përpunimit që do të lokalizojnë përfitimet e IHD-ve.

Informaliteti, evazioni dhe ndikimi në barrën tatimore

Madhësia e ndjeshme e sektorit informal, si dhe punësimi i konsiderueshëm informal brenda sektorit formal, kanë kufizuar shtrirjen e masave që synojnë mbrojtjen e të ardhurave dhe punësimin e njerëzve në sektorët më të prekur. Meqenëse informaliteti është i përhapur në sektorët më të prekur nga kriza prej pandemisë, por edhe tashmë prej ndikimeve nga tregjet e huaja, përfshirë tregtinë me pakicë dhe turizmin, ata nuk kanë mundur të përfitojnë nga masa të tilla si subvencionet e qeverisë, kushtet e favorshme të kredisë apo garancitë e kredisë. Zhvillimi i një ekonomie më elastike varet gjithashtu nga shkalla në të cilën mund të rriten stimujt për formalizimin dhe sa mund të përmirësohet mbikëqyrja dhe sanksionimi i mospërputhjes.

Konkurrenca e pandershme, veçanërisht nga sektori informal, paraqet një kufizim të rëndësishëm për bizneset në Kosovë. Në një studim të fundit, 63.4% e firmave deklaruan se konkurrenca nga bizneset informale paraqesin një pengesë të dukshme për biznesin e tyre. Nivele të larta dhe të qëndrueshme e informalitetit janë kryesisht për shkak të zbatimit të dobët dhe kostove frenuese të kryerjes biznesi në sektorin formal, pasi që normat e taksave në Kosovë janë relativisht të ulëta, por evazioni i lartë fiskal lidhet me korrupsionin mes politikanëve dhe administratave tatimore dhe doganore.

Informaliteti i lartë dhe evazioni fiskal ka pasur një ndikim të rëndësishëm negativ në mbledhjen e të ardhurave. Përveç kësaj, shpenzimet aktuale të larta dhe në rritje, veçanërisht transfertat sociale shumë bujare dhe të synuara dobët, kanë rritur shpenzimet fiskale jodiskrecionale. Kjo ka penguar investimet publike në infrastrukturë dhe shpenzimet në sektorë kritikë si shëndetësia dhe arsimi duke penguar në tërësi një shpërndarje edhe më efikase të të hyrave të buxhetit.

Ndër masat që mundet të vlejnë më së miri për të adresuar shumë nga problematikat e përmendura në raportet e organizatave të ekspertëve vendase dhe të huaja mund të ndahet komenti se:

  • Rritja e të ardhurave tatimore dhe diversifikimi i normave tatimore duke forcuar rolin e TAK, TAP dhe kontributeve të sigurimeve do të ndikonin në uljen e varësisë nga taksat mbi mallrat dhe shërbimet, përsa i takon politikës fiskale duke patur një nevojë për dialog me pushtetin vendor lidhur me hapësirën ​​për diversifikim në përzierjen e taksave. Ndërkohë që edhe skema aktuale për fondet pensionale ka nevojë për një tjetër frymëmarrje pasi një rimodelim i kësaj skeme do të ndihmonte në financimin e sistemit të mirëqenies për brezin që po vjen.
  • Nisur nga ballafaqimi me politikat fiskale të vendeve fqinje me Kosovës (Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut e Serbia) do të duhet të analizohej hyrja e një sistemi normash tatimore më progresive në sistemin tatimor për të ardhurat e individëve, por edhe ato korporative, pasi që sistemi aktual duket se ka ardhur në shterim për të gjeneruar të ardhura shtesë.
  • Diversifikimi i portofolit për tatimet vendore, kryesisht me reformën e nevojshme për taksimin e pronës si dhe taksat e lidhura me mjedisin duhen eksploruar si një opsion politikash, që janë jo vetëm për të plotësuar më së miri hapësirat e shpenzimeve vendore, por edhe si një burim dhe nxitje për kulturën tatimore.

Frenimi i ekonomisë informale, e cila gjeneron evazion tatimor duhet parë në dy drejtime, (a) në drejtimin e frenimit të korrupsionit, i cili është edhe strehë për evazionin, por edhe si (b) një fushatë edukimi dhe nxitje me nisma zhvillimore për bizneset fillestare duke synuar jo vetëm inkurajimin për tu regjistruar, por edhe duke i stimuluar veçanërisht dhe në mënyrë të dedikuar aktivitetet e teknologjisë dhe novacionit dhe ato që rritin punësimin.

[1] https://www.oecd-ilibrary.org/kosovo-profile_573f3543-en.pdf?itemId=%2Fcontent%2Fcomponent%2F573f3543-en&mimeType=pdf
[2] https://www.worldbank.org/en/country/kosovo/publication/promoting-tax-compliance-in-kosovo-with-behavioral-insights

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: