Barra tatimore vendore në Bashkinë Tiranë në 2023

Barra tatimore vendore në Bashkinë Tiranë në 2023

Sipas analizës nga raporti i plotë mbi barrën tatimore dhe lirinë fiskale, 2024 në analizën e shpërndarjes së barrës tatimore sipas emërtimit të taksave dhe tarifave (përfshirë edhe tatimet dhe taksat që ndahen midis pushtetit qendror dhe atij vendor) vërejmë se barra tatimore në masë shumë të dukshme mbahet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

   Pesha e barrës tatimore vendore
Emërtimi taksës Pesha ndaj totalit
Taksa e ndikimit të infrastrukturës 44%
Taksa mbi ndërtesat 15%
Taksa per infrastrukturen arsimore 5%
Taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë 3%
Taksa për tabela dhe reklama 2%
Taksa e hotelit 1%
Taksa mbi tokën bujqësore 1%
Tarifa për mbetjet, gjelbërimin, etj. 15%
Tarifa për shërbime të bashkive 3%
Tarifa për zënie të hapësirës publike 2%
Të tjera 2%
Tarifa e parkimit 4%
TAP 1%
Taksa per mjetet e perdorura 3%

Kjo taksë përbën 44% të të ardhurave të veta të Tiranës dhe paraqet pikërisht atë pjesë të kontributit që paguhet indirekt nga një pjesë e qytetarëve rezidentë dhe jorezidentë (të ardhur nga bashkitë e tjera) nga vlera e sipërfaqeve të ndërtimeve të përfunduara, që janë në çdo zonë kryesore të juridiksionit të bashkisë.

Një tjetër taksë me peshë dhe që paguhet direkt nga familjet rezidente dhe pronare të ambjenteve në Tiranë është taksa e ndërtesës. Kjo taksë mban vendin e dytë dhe me peshë pasi zë 15% të barrës tatimore vendore.

Në vend të tretë është taksa për infrastrukturën arsimore me një barrë tatimore sa 5% e totalit.

Në vend të katërt është taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë me një peshë sa 3% e barrës tatimore vendore gjithsej.

Në një llogaritje përmbledhëse të 4 taksave si më lart, shihet se 67% e barrë tatimore në Tiranë vjen nga sektori i ndërtimeve të reja dhe të vjetra.

Përveç kësaj një tjetër tarifë me ndikim për bizneset dhe familjet është grupi tarifave për mbrojtjen e mjedisit dhe gjelbërimin që janë sa 15% të barrës tatimore gjithsej. Pjesa tjetër e taksave dhe tarifave zënë së bashku sa 18% e barrës tatimore gjithsej.

Barra tatimore nga taksat dhe tarifat vendore është 18.296 lekë për banor/vit. Nëse marrim në llogaritje vetëm të rriturit mbi 15 vite e lart, atëherë barra tatimore është 26.710 lekë për të rritur në vit.

Në një analizë të shpërndarjes së barrës tatimore nga Bashkia Tiranë shihet se ka ngarkesë tejet të madhe të taksave të lidhura me procesin dhe produktin e ndërtimit, nga i cili sigurohen mbi 2/3 e të ardhurave tatimore. Kjo shpërndarje e pabarabartë midis qytetarëve dhe biznesit është një politikë që synon të rritë barrën jo direkt nga politika tatimore e bashkisë, por duke rritur indirekt këtë barrë mbi qytetarët duke taksuar më rëndë një kategori të ngushtë të aktiviteteve.

Ndikimi i rëndësishëm pozitiv i katër taksave më të rëndësishme për bashkinë ndikojnë në të gjithë komponentët e të ardhurave totale tatimore në një mënyrë domethënëse.

Madhësia e sektorit ndërtimor dhe ndihma në të ardhurat për bashkinë nga ky sektor ndikon në aspektin afatgjatë negativisht pasi taksat e tarifat duhet të shpërndahen si një barrë tatimore në mënyrë proporcionale me të ardhurat e banorëve dhe familjeve dhe duke patur edhe funksion nxitës ose parandalues në varësi të efekteve që jep në mjedis dhe në jetën e përditshme. Nëse vijohet të taksohet më shumë një sektor në krahasim me të tjerët, kjo përveç interesit për të marrë sa më shumë të ardhura në periudhën afatshkurtër e bën të paqartë burimin e të ardhurave të bashkisë për të ardhmen, kur ndërtimi nuk do të ketë më këtë peshë që ka marrë sot.

Ndërkohë, lidhur me ndershmërinë dhe barazinë që duhet të ketë barra tatimore duket se jemi në kushtet e një mungese të drejtësisë tatimore, pasi shihet se mblidhet pak taksë për hotelet, për hapësirat publike, për tarifat e tjera duke e zhvendosur barrën e madhe ndaj biznesit. Kjo qasje e cila mbulon në vetvete edhe problemet e luftës ndaj informalitetit, si dhe moszgjerimit të bazës së tatimpaguesve ka ndikuar direkt në një shtrenjtim të çmimeve kryesisht të pasurive të paluajtshme më shumë se në zonat e tjera të vendit, por që ka dhënë ndikim si pjesë e kostos së biznesit edhe në çmimet që ata ofrojnë për konsumatorët.

Rezultatet tregojnë se ndërveprimi ndërmjet varësisë nga taksat mbi sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, korrupsionit dhe mobilizimit të të ardhurave tatimore është kompleks dhe varet nga vizioni për harmonizimin e barrës tatimore. Për shembull, ulja e korrupsionit stimulon mobilizimin e të ardhurave tatimore nga burime të tjera në krahasim me të ardhurat totale tatimore. Megjithatë, mobilizimi i të ardhurave tatimore është ndonjëherë një burim korrupsioni dhe evazioni nga nismat e nxituara dhe të padiskutuara me publikun.

Vini re! Të ardhurat tatimore duhet të forcohen duke konsideruar forcimin e mbledhjes së të ardhurave nga shumë burime dhe duke e marrë të ardhurën aty ku ajo krijohet dhe jo ku është më e lehtë për tu arkëtuar.

Vëmendje! Një problem që duhet analizuar me kujdes është edhe diskutimi mbi progresivitetin e taksave dhe tarifave vendore, të cilat duhet të jenë pjesë e sistemit tatimor në vend.

Një politikë tatimore e progresivitetit në taksat dhe tarifat vendore (metodologji e ngjashme me tarifat e parkimit sipas zonave) ndikon në rishpërndarjen e barrës në mënyrë më të drejtë.

 Shpërndarja e shpenzimeve të buxhetit të bashkisë në 2023

Në shpërndarjen e shpenzimeve sipas strukturave që duhet tu përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe komuniteteve të ndryshme, por dhe nevojave për zhvillim të qytetit ku përfshihen edhe investimet shikojmë se:

  • 27% e shpenzimeve në 2023 janë për administratën e bashkisë dhe institucioneve që ajo që drejton, ku fondi që është shpërndarë përgjatë vitit përfshin pagat dhe kontributet e paguara për personelin.
  • 29 % e shpenzimeve janë për vijimësinë e punës dhe shpenzimeve operative që jepen në formën e transfertave për ndërmarrjet e varura nga bashkia, si dhe ajo pjesë që shpenzohet për qytetarët dhe nevojat e tyre për përkrahje sociale.
  • 44% e shpenzimeve janë për investimet që bashkia ka zhvilluar por që janë ende në proces apo janë në përfundim.

Nëse llogaritim koston e qeverisjes së bashkisë Tiranë në 2023 ajo arrin deri në 1/3 e shpenzimeve gjithsej (Tab). Ky nivel shpenzimi është në grupin e nivelit mesatar të shpenzimeve nëse krahasohet me bashkitë e tjera të mëdha, por përsëri është tregues i një shpenzimi të lartë dhe varet nga numri i lartë i punonjësve. Ky shpenzim duhet të analizohet me vëmendje në buxhetin e vitit 2025, pasi ka nevojë që të kuptohet se është shpenzimi i duhur në raport me cilësinë e shërbimeve dhe produktivitetin e administratës.

  Shpërndarja e shpenzimeve të Bashkisë Tiranë, 2023
Shpenzimet sipas funksionit Pesha ndaj totalit
Administrata 33%
Bujqësia, pyje e kullota 4.1%
Mbrojtje sociale 2%
Ushqimi/Mbrojtja e konsumatorëve 1%
Mbështetje për zhvillimin ekonomik 0.2%
Transporti publik 21%
Kultura, arti 2%
Mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile 8%
Strehimi social 4%
Menaxhimi i mbetjeve 17%
Arsimi 1%
Rruge rurale dhe urbanizim 7%

Shpenzimi më i rëndësishëm në drejtim të komunitetit në 2023 vijon të jetë për rrugët rurale dhe urbanizimin, i cili merr 21% të shpenzimeve të bashkisë në vitin 2023. Punimet që financon ky zë së bashku me investimet për ndërtime private në zhvillim të tokës janë një nga burimet më të rëndësishme të punësimit.

Pagesat për sistemin arsimor parashkollor dhe parauniversitar zënë 17% të shpenzimeve vjetore të buxhetit të bashkisë. Ky shpenzim është në drejtim të pagave dhe shpenzimeve që lidhen me mbajtjen e këtij shërbimi për publikun. Nisur nga kërkesat e shprehura nga qytetarët në forma të ndryshme shihet se është të paktën deri 7% më i ulët se kërkesa e qytetarëve për rritjen e sasisë dhe cilësisë së shpenzimeve në këtë zë me mjaft ndikim për të ardhmen e qytetarëve të rinj, por edhe për të ndikuar në mënyrën se si nxitet frenimi për tu larguar nga vendi, me arsyen e një arsimi më të mirë.

Menaxhimi i mbetjeve, i cili burimin kryesor të financimit të tij e ka nga tarifat e mjedisit konsumon deri 8% të buxhetit të bashkisë. Në krahasimin midis të ardhurave që paguajnë qytetarët dhe bizneset për mbetjet, gjelbërimin, ndriçimin etj, shihet se buxheti për trajtimin e mbetjeve është sa gjysma e tarifave që paguajnë qytetarët dhe bizneset. Pra mblidhen më shumë tarifa se sa shpenzohen për këtë shpenzim nga buxheti i bashkisë.

Për strehimin social, buxheti i bashkisë shpenzon direkt deri në 7% të gjithë shpenzimeve që kryen bashkia në vit. Nëse e shikojmë me nevojat dhe kërkesat, ky shpenzim është i ulët. Në raport me të ardhurat që bashkia arkëton dhe për një rishpërndarje më të lartë për familjet e reja (një arsye për frenimin e emigracionit) dhe ato në nevojë, atëherë ky fond duhet të jetë më i lartë deri në 11% të buxhetit gjithsej. Megjithatë, në pamundësi të rritjes së buxhetit, bashkia në lobim me qeverinë kanë hartuar dhe miratuar në Kuvend një ligj, që detyron ndërtuesit/investitorët të transferojnë në llogari të bashkisë 3% të sipërfaqes së ndërtuar shtesë mbi pragun 2000m². Kjo mënyrë taksimi në natyrë me produkt të gatshëm përbën një tjetër burim që përdoret për strehimin social nëpërmjet tarifimit të pronarëve/investitorëve në ndërtim.

Mbrojtja sociale ka një fond të dedikuar sa 1% e totalit të buxhetit të bashkisë dhe natyrisht kjo mënyrë rishpërndarje e të ardhurave është shumë e ulët dhe ka nevojë për një rishikim të gjithë mënyrës se si është ndërtuar politika sociale në vend. Natyrisht, bashkia ka shpenzuar shumë pak në këtë drejtim dhe kjo është një tjetër tregues se si rishpërndahet barra tatimore, e cila nuk vendos në plan të parë nevojat e qytetarëve, por një harmonizim të programeve të zhvillimit me atë që mund të përmbushë pjesërisht nevojat e qytetarëve.

Mbështetja e bashkisë për ekonominë e qytetit dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimin e tregjeve për shitje ka të dedikuar 3% të gjithë buxhetit të bashkisë. Kjo qasje e buxhetit për gjithë problematikat dhe nevojën për një fokus të ri e shikojmë si mjaft të parëndësishëm përsa lidhet me fondet e dedikuara dhe kjo është një moment për të analizuar me kujdes nevojat dhe kërkesat në rritje.

Në drejtim të kulturës, artit shihet se bashkia shpenzon 4% të buxhetit të saj, por që për një kryeqytet ky nivel shpenzimi është të paktën dyfishi i këtij niveli shpenzimi.

Në fund të shpenzimeve si fonde të dedikuara janë edhe ato që planifikohen për bujqësinë, pyjet dhe kullotat, të cilat janë sa 0.2% e buxhetit gjithsej të bashkisë. Nisur nga niveli i shpenzimit në këtë rast është urgjente një riorientim të fokusit për këtë pjesë shumë themelore për stimulimin e bazës furnizuese ushqimore jo vetëm për qytetarët, por edhe turizmin në rritje. Politika aktuale buxhetore është larg nevojave për këtë sektor të nënvlerësuar edhe nga qeveria qendrore.

Mbrojtja kundër zjarrit ka një buxhet të dedikuar për tu shpenzuar në nivelin 4% të shpenzimeve gjithsej të bashkisë dhe konsiderohet se është pranë nevojave minimale për këtë shërbim, por larg kërkesave për investime në burime njerëzore dhe materiale.

 Vini re! Në analizimin e vitit 2024 rreth rritjes së kostove të të bërit biznes dhe uljes së produktivitetit, nga shqyrtimi në mënyrë specifike prej ndikimit ndaj ekspozimit ndaj PM2.5[1] dhe PM10[2], si  dhe produktivitetit të ulët të shërbimeve bashkiake për parandalimin efikas të ndotjeve të qytetit në studimin e kryer për këtë shqetësim[3], shihet se në zonat me rritje të ndotësve, ka:

  • rritje në kostot për paisje dhe shërbime ndaj ndotjeve (amortizimi i lartë i paisjeve, dëmtimet e shpeshta, kosto për pastërtinë etj.)
  • rënie të kërkesës dhe çmimit të ambjenteve dhe aktivitete tregtare
  • rritje në kostot ambulatore dhe të shëndetit familjar
  • ulje të konsumit në zonën e ndotur krahasuar me zona të tjera

Kujdes! Vetë sektori i infrastrukturës dhe ndërtimit duhet të konsiderohet me rrisqe nga pushteti vendor dhe Këshilli Kombëtar i Territorit lidhur me ndikimin e lejeve pa konsideruar intensitetin e ndërtimeve për sipërfaqe, por edhe shumë kantiere ndërtimi në të njëjtën kohë.

Sugjerime të politikave për menaxhimin e kërkesave buxhetore dhe ekonomike

Nisur nga burimet e pamjaftueshme në dispozicion të bashkisë, ekspertët tanë pas analizave dhe ballafaqimeve me mjaft situata të ngjashme kanë parashtruar në këtë format disa propozime për diskutim, ku në synim të mirëmenaxhimit financiar duhet të kërkohen burime dhe mjete të reja që mund të dialogohen me MF, por edhe me donatorë dhe me institucionet qendrore që ndërveprojnë dhe komunikojnë me qeverisjen vendore

Pa synuar që këto propozime të konsiderohen shteruese më poshtë kemi renditur disa që i konsiderojmë më kryesoret.

  • Përdorimi i blerjeve të përbashkëta.

Programet e blerjeve të përbashkëta lejojnë dy ose më shumë bashki për të blerë pajisje ose furnizime mjetesh, të cilat mund të rezultojnë në rritjen e kursimeve në kosto për shkak të krijimit të ekonomisë së shkallës. Kjo është një praktikë që ende nuk ka zbatim të përhapur në bashkitë e vendit.

Një shembull i blerjes së përbashkët është blerja e p.sh. një sistemi zjarrfikse, drona etj., i shtrenjtë si investim kapital, ku secila bashki nëse do ta blinte për nevojat e veta do ta përdorte vetëm mbi një bazë të kufizuar.

Megjithatë, kur ndahet mes bashkive, kjo bashkëpronësi bëhet më shumë i përballueshëm si investim dhe ka një kosto të ulët në raport me buxhetet e vogla të bashkive me buxhet të ulët për blerjet e aktiveve.

  • Pjesëmarrja në programet bashkëpunuese të reagimit ndaj emergjencave (zjarri dhe përmbytjet).

Programet bashkëpunuese të reagimit ndaj emergjencave lejojnë bashkitë fqinje për të kombinuar burimet për një emergjencë më efikase dhe me kosto më efektive të sistemit të reagimit. Edhe pse janë nisma të ngjashme nga qeverisja qendrore duket se kjo nuk mjafton

Një shembull në këtë rast është krijimi i enteve të përbashkëta rajonale, p.sh.  mbi bazë qarku që kanë të njëjtën strukturë organizimi si riorganizimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave dhe kanalizimeve etj.

  • Përdorimi në mënyrë të përshtatshme i burimeve njerëzore

Strategjitë e burimeve njerëzore përfshijnë kombinimin e orëve të reduktuara të punës së punonjësve me angazhimet e studentëve dhe fuqisë punëtore të lirë (përtej moshës me raste), duke shmangur shkurtesat në punonjës që kërkojnë procedura dhe kritere të zgjatura dhe që mund të dëmtojnë programet produktive.

Në këtë mes shfrytëzimi i kontributit të moshave të reja dhe vullnetarëve, duhet të lidhet me stimuj të tillë si programet ofrimi i stimujve për daljen në pension më herët (duke u njohur kohën e punës si kontribut në sigurime) dhe zbatimin e një politike promovimi punësimi, sipas hapësirave të Kodit të Punës.

Zbatimi i strategjisë së duhur të burimeve njerëzore mund të rezultojë në kursime në kosto, gjë që mund të ndihmojë qeverisjen vendore të balancojë buxhetin në mënyrë më efektive.

  • Shmangia e angazhimeve të tepërta ndaj shpenzimeve fikse, si ato për energjinë, udhëtime dhe marketing etj.

Shmangia e angazhimeve të tepërta për shpenzimet fikse është një strategji afatgjatë që ndihmon bashkinë të ruajë disiplinën fiskale.

  • Edukimi i publikut vendor për vendimet me të cilat ndeshet bashkia gjatë një krizë fiskale

Një shembull i një nisme pozitive për edukimin publik janë Këshillat komunitare, të cilat promovojnë diskutime publike dhe reagime rreth shërbimeve dhe investimeve bashkiake. Investimi në arsimin publik dhe parashkollor mund të rritë kuptimin e qytetarëve për çështjet komplekse të politikave publike, të cilat në periudha të vështira mund të çojë në diskutime dhe vendime më efikase dhe produktive.

  • Rritja e stimujve për programet e zhvillimit ekonomik që tërheqin banorët dhe bizneset.

Përdorimi i stimujve të zhvillimit ekonomik në nivel lokal, të cilat mund të përfshijnë subvencione, mund të gjenerojnë vende pune dhe të ardhura tatimore gjatë një periudhe recesioni janë mënyrë më efikase sesa ato që angazhohet qeverisja qendrore në nivel kombëtar.

Këto stimuj mund të ndikojnë që një zhvillues biznesi të lëvizë në një rajon të caktuar, i cili nga ana tjetër mund të krijojë një ekonomi të qëndrueshme brenda juridiksionit të bashkisë.

Në këto raste, bashkia p.sh. në rastin e turizmit luan rolin e agjentit për të bërë bashkë burimet dhe mjetet në dispozicion duke nxitur gjithë donatorët dhe politikat për arritjen e qëllimit dhe dhënien e një emri të personalizuar të një qasje ekonomike

[1] Krijohet nga ngritja e pluhurit. Ekspozimi afatgjatë (muaj deri në vite) ndaj PM2.5 lidhet me vdekjen e parakohshme, veçanërisht te njerëzit që kanë sëmundje kronike të zemrës ose mushkërive, dhe ulje të rritjes së funksionit të mushkërive tek fëmijët.

[2] Krijohet nga ngritja e pluhurit. Ekspozimi afatshkurtër (disa orë në ditë) mund të çojë në irritim të syve, hundës dhe fytit. Përkeqësim të astmës dhe sëmundjeve të mushkërive, si: bronkiti kronik, sulmet në zemër dhe aritmitë te njerëzit me sëmundje të zemrës.

[3] https://altax.al/product/ndotja-e-ajrit-kostot-ekonomike-te-shtuara-dhe-nxitjet-e-politikave-gjithperfshirese/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: