Jo një ekonomi si dielli që shkëlqen, por nuk të ngroh
Në analizat ndërkombëtare lidhur me situatën aktuale financiare përmendet, se “inflacioni erdhi nga askundi”, ashtu si ka deklaruar dhe presidentja e BQE, Zj. Lagarde[1].
Megjithëse, inflacioni në Shqipëri erdhi më shumë si imponim nga jashtë, në fakt zbuloi gjithë problematikat e tregut të çrregullt, pa rregulla të qarta dhe me liri të cunguar nga klientelizmi dhe kultura e dobët e një tregu të vogël. Shpejt ai gjeti ambjent të përshtatshëm dhe tashmë po bëhet pjesë e ekonomisë së brendshme.
Ndërsa të dhënat e fundit mbi inflacionin kanë treguar tendenca inkurajuese, eleminimi i faktorëve çekuilibrues, që kanë rritur çmimet do të duhet të kërkohen të eleminohen/minimizohen për të rivendosur stabilitetin e çmimeve.
Por, në realitet problemi duhet të fillojë që të diskutohet gjerësisht me bankat dhe koha kërkon një analizë serioze të vizionit për tregun financiar për të ardhmen.
Deri më tani, rritja e normave të interesit ka ndihmuar në ngadalësimin e rritjes së kërkesës, duke lejuar që oferta të arrijë, veçanërisht për mallrat. Rreziku më i madh është devijimi i kërkesës kreditore në tregun informal, i cili vijon të jetë aktiv dhe kreditues i një pjese të mirë të investimeve, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe pasurisë së paluajtshme, por edhe në sektorë të tjerë që kanë të nevojshme kreditimin e shpejtë të investimeve dhe shpenzimeve.
Po atëherë, nga cilat burime kreditohen (furnizohen) me likujditete sektorët/aktivitetet?
Kontaktet tona rajonale vënë në dukje se normat e larta të interesit nuk e kanë ngadalësuar sipas pritshmërive tregun e banesave, si në lidhje me shitjet ashtu edhe në ndërtimet e reja të banesave. Projektet e pasurive të paluajtshme dhe infrastrukturore (përfshirë dhe ato spekulative) gjithashtu vijojnë të zhvillohen, ku shihet se kompanitë kanë vazhduar me projekte që lidhen me zgjerimin ose përmirësimin e tyre. Mungesa e lëndëve të para që rriti çmimet e ndërtimit në 2022 nuk është më shqetësuese dhe tashmë çmimet e tyre kanë rënë.
Nga analiza, kërkime dhe investigime të ndryshme ka një shqetësim të rritur se kreditimi i frenuar nga sistemi financiar tashmë po zëvendësohet në mjaft projekte nga paraja dhe tregu informal i kreditimit.
Në këto situata të paqarta, bazuar edhe te kaosi dhe paqartësia prezente në tregun e brendshëm shqiptar, shqetësimi kryesor për institucionet financiare ashtu si e kemi shprehur edhe më përpara[2] është monitorimi i rreziqeve në hije, që mund të fshihen pa u shfaqur në sistemet monitoruese në banka dhe institucione financiare jobanka, ose në institucione të tilla, si AMF, DPT dhe institucione të tjera monitoruese dhe rregullatore.
Vigjilenca është e domosdoshme, pasi pritshmëria është me pasoja të mëdha.
Megjithëse sistemi financiar rezulton se është në vijimësi një sektor që nuk vuan nga mungesa e besimit dhe mungesa për likujditet, ende mbetet sfidë e pa sistemuar rindërtimi i themelit për të mbështetur zhvillimin e ardhshëm të tregut duke vepruar sa më parë për të çuar përpara transformimet strukturore dhe për të luftuar fragmentimin e ekonomisë dhe mungesën e diversitetit, për të kaluar te produktiviteti në raport me konkurencën rajonale.
Mendësia për digjitalizimin me disa hapa para të sektorit publik për të përshpejtuar revolucionin dixhital, përveç çorientimeve të forta të besimit publik dhe të investitorëve në sigurinë e munguar ka nevojë për një politikë më vizionare, që duhet të nisë pikërisht nga tregu financiar për të përmirësuar mjedisin digjital të biznesit dhe për të rritur kapitalin njerëzor dhe përfshirjen e tyre në vlerën e shtuar të ekonomisë. Politika aktuale po ecën mjaft ngadalë në këtë qasje disavjeçare.
Dhe nëse zgjerimi dhe rritja e sigurtë e tregut financiar, (përtej investimeve në bono dhe obligacione) nuk synon transformimin e tregut financiar në një portal të fuqishëm dhe të madh për të përballuar zhvillimin e turizmit, si dhe zgjerimin e fondeve private të pensioneve, investimeve, si dhe ekspansionin më tej të burimeve të gjenerimit të energjisë dhe shërbimeve, atëherë gjithë politika do vijojë njësoj të konsumojë shumë për të prodhuar pak.
Kjo qasje vizionare e re orientimi e politikave mund të financojë më shumë për sa i përket rritjes dhe vendeve të punës, por edhe do të ndikojë në rimëkëmbjen e vërtetë të Shqipërisë.
Në këtë kontekst është e natyrshme edhe rritja e bashkëpunimit rajonal dhe më tej se Ballkani, pasi kjo tashmë është kuptuar se ndikon pozitivisht për të reduktuar dëmin në ekonomi nga fragmentimi. Por, fragmentimi i flukseve të kapitalit, duke përfshirë investimet e huaja direkte, do të ishte një tjetër goditje për rritjen e vendit.
Informacioni ekonomik i ardhur gjatë pjesës së parë të vitit 2023 ka treguar për elasticitetin në kërkesën bazë në tregun e mallrave dhe shërbimeve, si dhe në atë të punës, por dhe për qëndrueshmërinë e inflacionit. Pjesërisht në përgjigje të normave më të larta të interesit, standardeve më të shtrënguara të kreditimit në banka dhe kushteve të përgjithshme financiare më të shtrënguara, aktiviteti ekonomik duhej të ngadalësohej.
Në matjet më të fundit të tendencës së ekonomisë për 2022, por edhe në parashikimet për 2023, si deklarohet nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, PBB-ja u rrit me një ritëm prej të paktën 1.6% më shumë se pritshmëria për vitin e kaluar, por pritet që të rritet me të paktën po kaq edhe në 2023.
Përshpejtimi i aktivitetit vërehet më qartë në sektorin e ndërtimit dhe banesave. Investimet rezidenciale vazhdojnë të rriten ndjeshëm në një reagim jashtë logjikës së politikës së BSH me rritje të normave më të larta të interesave.
Ekziston ende një mungesë strukturore afatgjatë e banesave në dispozicion, gjë që sugjeron më pak presion mbi çmimet sesa mund të pritej duke pasur parasysh rritjen e normave të interesit. Kontaktet e ndërtimit treguan gjithashtu se ata presin që shpenzimet e sektorit publik dhe shpenzimet e ardhshme të kompanive të infrastrukturës të mbështesin aktivitetin, ndryshe nga sa pritet efekti në vendet e tjera me ekonomi formale të avancuar dhe me një strukturë të fortë të sektorëve të saj.
Inflacioni edhe pse ra në Mars 2023[3], mbetet tepër i lartë dhe tepër kokëfortë për ato mallra dhe produkte që përbëjnë pjesën më të madhe të buxheteve familjare dhe po ashtu edhe të bizneseve të vogla dhe mikro. Të dhënat e Shkurtit për inflacionin ishin ende të larta, por kujtojmë se në janar, të dhënat ishin pak më të forta. Pra, ndërsa niveli i inflacionit është më i ulët se sa ishte pranverën e kaluar[4], duket se problemet e trashëguara për ekonominë, tregun financiar në veçanti dhe performanca e politikës monetare dhe fiskale nuk kanë pritshmëri të njëjta me vendet fqinje, si dhe ato të tregut të BE-së.
Politikëbërësit padyshim që do të përballen me zgjedhje më të komplikuara dhe komunikime të vështira, pasi shkëmbimet midis inflacionit dhe punësimit bëhen më të dukshme. Pasiguria rreth rrugës së politikës mund të rritet sapo publiku dhe tregjet të fillojnë të vlerësojnë se si Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave po peshojnë inflacionin dhe ndikimet e tij në lidhje me një zbutje të tregut të punës.
Reflektimet mbi stabilitetin e inflacionit mund të shërbejnë për të zhvendosur diskutimin e politikave rreth analizës më të thelluar të faktorëve strukturorë që ndikojnë dhe pengojnë rritjen.
Para pandemisë, konsideratat e rritjes ekonomike ishin fokusuar pothuajse ekskluzivisht në dobësinë e kërkesës, siç supozohet të dëshmohet nga normat e ulëta të interesit dhe inflacioni i ulët. Periudha 3 vjeçare na tregoi, se nëse kërkesa do të mund të rritej, oferta do të ishte e afërt dhe do të rritej.
Por, një analizë më e thelluar e pasuar nga një komunikim më transparent mbetet të realizohet nga BSH dhe qeveria mbi sasinë e stërmadhe të likuiditetit në sistemin financiar dhe pamundësia e ofertimit të saj për familjet dhe bizneset. Individët dhe bizneset[5] për shembull po mbajnë si kursime 6.4 miliard Euro në fund të muajit Shkurt 2023. Kjo para shtesë përkon me një rritje të mprehtë të kursimeve që gjatë pandemisë, pasi shpenzimet u kufizuan dhe programet e transfertave të qeverisë u përpoqën të ruanin të ardhurat e familjeve.
Nëse familjet vendosin të qëndrojnë në nivele më të larta të likuiditetit, ndoshta nga një ndjenjë e kujdesit duke pasur parasysh përvojën e goditjeve nga inflacioni, atëherë efekti në ekonomi, inflacion dhe politikë mund të jetë minimal. Nëse në vend të kësaj, ky likuiditet më i lartë u lejon familjeve të rrisin shpenzimet, rezultati mund të jetë presioni i vazhdueshëm mbi disbalancat dhe inflacionin. Një skenar i tillë mund të kërkojë rritje të mëtejshme të normave të interesit për të nxitur kursimet dhe jo shpenzimet.
Në fakt, si stabiliteti i çmimeve ashtu edhe stabiliteti financiar janë të rëndësishëm për një ekonomi të shëndoshë edhe pse nuk mund të ketë një kompromis mes të dyjave. Politika monetare e mirëformuluar dhe e komunikuar mirë, që arrin objektivin për stabilitetin e çmimeve duke ndikuar pozitivisht edhe për punësimin maksimal do të ishte realisht në mbështetje të stabilitetit financiar duke i lejuar familjet, firmat dhe institucionet financiare të marrin vendime më të mira për investime, kursim, hua dhe huadhënie.
Viti 2023 deklarohet se ka filluar me një ecuri më pozitive sesa pritej, por duke u bazuar te financat e familjeve dhe bizneseve, pasiguria dhe rreziqet negative nuk duket se janë pakësuar.
Kjo e bën gjithë parashikimin e muajve të ardhëm, të mbështetur te pasiguria dhe te besimi konservator, se nëse politikat nuk harmonizohen bazuar mbi gjithpërfshirje do të vijojë të kemi një vit të mirë që ngjason me shprehjen “si dielli që shkëlqen, por nuk të ngroh”.
[1] https://www.youtube.com/watch?v=2YeJ8_WCA4U
[2] https://altax.al/rikuadrim-i-politikave-per-moslejimin-e-flluskave-financiare-ne-ekonomi/
[3] https://www.instat.gov.al/al/temat/%C3%A7mimet/indeksi-i-%C3%A7mimeve-t%C3%AB-konsumit/#tab3
[4] https://www.instat.gov.al/media/9791/ick_mars_2022.pdf
[5] https://www.monitor.al/rritja-e-depozitave-ne-euro-nuk-ndalet-as-ne-muajt-e-pare-te-2023/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.