Inflacioni dhe indeksimi i pagave duhet të bashkëjetojnë

Inflacioni dhe indeksimi i pagave duhet të bashkëjetojnë

Pas vitesh luhatjeje rreth objektivave, inflacioni në ekonominë shqiptare, ashtu si edhe në vendet e rajonit ballkanik është më i larti që ka qenë në 15 – 20 vitet e fundit, duke pësuar dy goditje të mëdha: ndikimin prej pandemisë dhe prej luftës Rusi – Ukrainë.

Ndërsa në Shqipëri rritja e çmimeve shënoi një nivel prej 5.7% në mars 2022, në tregjet e vendeve të Ballkanit inflacioni u përshpejtua akoma më shumë, ku në Kosovë  ishte 7.5%, Serbi ishte 8.8%, Bosnjë-Hercegovinë  ishte 6.9%, Malin e Zi ishte 9.7% dhe në Maqedoninë e Veriut ishte 7.6%, me një mesatare rritje prej 7.7%. Rritja e inflacionit fillimisht u nxit nga rritja e çmimeve të energjisë dhe çmimeve të ushqimit, por u bë më e gjerë, duke reflektuar inercinë e politikës monetare dhe praktikat e indeksimit/rritje së të pagave minmale apo pagave të tjera, si dhe një rikuperim i fortë i kërkesës, fillimisht për mallra, por më vonë edhe për shërbime.

Në këtë realitet të rritjes së inflacionit përtej parashikimeve, ku indeksimi i çmimeve duhet të ndjekë logjikën e rritjes mbi mundësitë për rritjen e të ardhurave do të ishte me shumë vlerë që në kontratat e punës, të ndërmerrej një nismë mbarëkombëtare për rregullimin e pagave duke u indeksuar automatikisht bashkë me inflacionin.

Indeksimi do ta bëjë “të jetuarit me inflacionin” më pak të kushtueshëm. Kostot dhe pabarazitë që kanë filluar të krijohen me inflacionin (së bashku me kostot e tjera të padeklaruara të informalitetit, korrupsionit dhe pastrimit të parave) do të ndikojnë shumë pak muaj më vonë në rishpërndarjen e të ardhurave sipas mënyrës së gabuar të rishpërndarjes së burimeve dhe këto qeveri, dhe Bankat qendrore nuk mund të thonë se nuk kanë lidhje me inflacionin e paparashikuar.

Bazuar në këtë argument, me indeksimin e duhur të punës edhe inflacioni nuk ka nevojë të prodhojë ndonjë kosto të konsiderueshme të mirëqenies sociale.

Pavarësisht nga pasiguria e konsiderueshme që rrethon shumicën e kostove dhe përfitimeve të pritshme që lidhen me zbatimin e indeksimit të pagave, raporti i zhdrejtë pagë-çmim do të ekzistojë me ose pa indeksim, por madhësia e këtij raporti mund të ndikohet nga indeksimi i pagave.

Indeksimi i pagave mund të ndihmojë në zbutjen e inflacionit (duke zëvendësuar normat aktuale të pritshme të inflacionit), për të balancuar pritshmëritë e larta të tregut dhe të bizneseve në përgjithësi për normën e ardhshme të inflacionit, sepse nëse kanë një nivel zbatimi automatik të indeksimit të pagave, menjëherë dhe pa kompromis, kjo do të amortizojë çmimin e inflacionit.

Në kushtet kur në tregun e punës, si në sektorin publik, por edhe në atë privat këto pritshmëri në kontratat e punës nuk kanë gjasa të ndodhin, atëherë indeksimi i pagave minimale, që është bërë fakt nga vendimet e qeverive së fundmi në Shqipëri me 6.6% rritje, Kosovë  me 47 % rritje[1], Serbi me 9.4% rritje, Malin e Zi me 202.7% rritje, Maqedoninë e Veriut me 18% rritje dhe Bosnjë-Hercegovinë me 9.2% rritje mund të çojë në një rritje të efektivitetit të politikës stabilizuese anti-inflacioniste, si:

  • duke reduktuar vonesën kohore ndërmjet ndryshimeve të kërkesës agregate dhe ndryshimet e çmimeve, po ashtu edhe
  • duke reduktuar përkohësisht humbjet e punësimit të shkaktuara nga reduktimet e kërkesës agregate.

Megjithatë, asnjë nga këto efekte të fundit nuk mund të parashikohet aktualisht me shumë besim.

Duke iu kthyer disa efekteve të tjera të tregut të punës, duhet analizuar me vëmendje politika e indeksimit të pagave, e cila mund të çojë në më pak ndryshueshmëri të pagave reale me kalimin e kohës dhe kështu si rrjedhojë edhe më shumë stabilitet në punësim.

Ashtu si me çështjen e inflacionit, asnjë nga këto efekte nuk mund të parashikohet me besim të madh, veçanërisht për sa i përket efektit të indeksimit të pagave në peshën e vlerës së punës në treg.

Ndërkohë që indeksimi i plotë i pagave mund të zvogëlojë fitimet e kompanive, veçanërisht atyre eksportuese, me ndikim ndoshta jo pozitiv në bilancin tregtar, ky moment nuk mund të përgjithësohet për gjithë sektorët dhe aktivitetet ekonomike. Njëpjesë e mirë e aktiviteteve nuk ndikojnë direkt në eksportin e mallrave dhe shërbimeve, por e kanë të nevopjshme të bëjnë një rritje të pagave për të rritur efektin e rritjes së vlerës së shërbimit dhe për të rritur efektin e tyre në tregun rajonal.

Lufta në Ukrainë është një tjetër goditje inflacioniste për rajonin. Vlerësimet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, sugjerojnë se një rritje prej 10 pikë përqindjeje në çmimet globale të naftës do të çonte në një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje të inflacionit në Europë[2], ku edhe vendet ballkanike janë të ndikuara edhe më shumë se kjo përqindje e rritur si më lart.

Ndërsa një rritje prej 10 pikë përqindjeje në çmimet globale të ushqimeve do të rezultonte në një rritje prej 0.9 pikë përqindjeje të inflacionit. Një goditje e kombinuar prej 10 pikë përqindjeje ndaj çmimeve të naftës dhe ushqimeve do të rriste inflacionin me 1.1 pikë përqindjeje me të njëjtën logjikë të përmendur më lart.

Përveç ndikimit makroekonomik, inflacioni aktual më i lartë është regresiv, ku familjet me të ardhura të ulëta po vuajnë nga një rritje më e madhe e kostos së jetesës. Për një rajon me nivele historikisht të larta pabarazie, erozioni i të ardhurave reale për shkak të rritjes së kostos së ushqimit dhe energjisë vetëm sa do t’i shtojë tendosjet ekonomike me të cilat përballen familjet vulnerabël në rajon.

Faktorët globalë, veçanërisht çmimet e mallrave dhe të importeve, ishin shtytësit kryesorë të inflacionit edhe në vitin 2021. Natyrshëm, që në këtë rritje të çmimeve kontribuuan edhe faktorët e brendshëm. Edhe pse ato shpesh janë specifike për secilin vend ka edhe disa faktorë të lidhur me pandeminë që janë të ngjashme për gjithë vendet në rajon. Ashtu si në mjaft ekonomi të përparuara stimulimi fiskal dhe masat e tjera mbështetëse rritën kërkesën për mallra në shumicën e vendeve ballkanike dhe kjo dha direkt efekt në rimëkëmbjen e konsumit privat në 2021.

Por, me rritjen e masave stimuluese fiskale, si dhe hyrjen e parave në forma të ndryshme (borxhe, para informale) inflacioni i mallrave bazë lëvizi së bashku me rimëkëmbjen dhe kjo filloi të dukej që në dy muajt e parë të vitit 2022. Kërkesa në rritje për shërbime, e mbështetur nga heqja e kufizimeve të lëvizshmërisë filloi të rriste nga pak edhe inflacionin.

Pas një politike të lehtësuar monetare për të mbështetur ekonominë gjatë muajve të pandemisë, në tremujorin e parë të vitit 2022, bankat qendrore të vendeve pjesëmarrëse në nismën “Ballkani i Hapur” ndryshuan me shpejtësi qëndrimin e tyre kur inflacioni filloi të rritet duke shtrënguar politikat monetare me normat e interesit, ndoshta edhe më shumë se sa pritej nga pjesëmarrësit e tregut financiar.

Banka e Shqipërisë ishte e para që ndryshoi normat e interesit të lekut nga norma 0.5% në 1% dhe bankat e tjera qendrore të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ndoqën këtë shembulli, duke çuar në rritje të normave të interesit të monedhave vendase në 1.5%.

Këto veprime, së bashku me besueshmërinë e fituar me vështirësi të bankave qendrore në luftimin e inflacionit, ende ka paqartësi nëse mund ti mbajnë të ankoruara pritjet afatgjata inflacioniste pavarësisht rritjes së inflacionit. Agjensitë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditimit të ekonomisë (S&P, Fitch), në vlerësimet e bëra publike për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë muajit Shkurt dhe Mars 2022 kanë vlerësuar qëndrueshmëri dhe stabilitet në tregjet financiare.

Por, situata e pazakontë e bën të nevojshme që Bankat Qendrore të jenë vigjilente dhe të vazhdojnë të ndërmarrin veprime vendimtare nëse është e nevojshme, për arsye të situatës së paqëndrueshmërisë së tregjeve dhe ekonomive, që ka 1 -2 dekada që janë harruar.

[1] https://www.monitor.al/qeveria-paga-minimale-ne-kosove-do-te-jete-250-euro/
[2] https://www.wionews.com/world/joe-biden-bans-us-import-of-russian-oil-global-economy-to-face-heat-460356

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: