Fatura e rritjes së pagave, besimi dhe siguria ekonomike për njerëzit

Fatura e rritjes së pagave, besimi dhe siguria ekonomike për njerëzit

Në eurozonë, fatura buxhetore e pagave të qeverisë përbën pothuajse një të katërtën e shpenzimeve totale të qeverisë dhe rreth 10% të PBB-së, prandaj është e rëndësishme nga pikëpamja makroekonomike[1].

Në Shqipëri, fatura buxhetore e pagave të qeverisë në 2023 përbën 16% të shpenzimeve totale të qeverisë dhe rreth 5% të PBB-së, dhe me gjasa do të arrijë në 2024 sa 1/5 e shpenzimeve totale të qeverisë dhe rreth 6% të PBB-së.

Nëse i shtojmë edhe shpenzimet që qeveria kryen për veten e saj dhe pronat që zotëron, atëherë qeveria aktuale nuk konsiderohet më qeveri e vogël (që shpenzon pak për veten), por një qeveri e madhe[2].

Të punosh për qeverinë është tashmë një nxitje edhe më e madhe se më përpara, duke sfiduar dukshëm dhe hapur bizneset, të cilat nuk arrijnë dot deri më sot të jenë konkurente me qeverinë.

Por, rrisku për të mbajtur një administratë më cilësore dhe një menaxhim më produktiv kthehet në sfidën më të madhe të sektorit publik, pasi fenomeni i promovimit të njerëzve pa meritë dhe të gabuar do të dekurajojë edhe më tej njerëzit e zotë dhe veçanërisht profesionistët. Këta të fundit të vetmin aset të tyre, integritetin profesional do të duhet ta konvertojnë me kursin e këmbimit të politikës aktuale shumë më lirë se më përpara.

Përmbajtja e faturës së pagave të qeverisë pritet që të luajë një rol në episodin e radhës së konsolidimit fiskal. Veprimet në këtë front janë pjesë e paketave më të gjera të politikave që zakonisht varen më shumë nga instrumentet e tjera fiskale, si investimet publike, fatura sociale etj..

Megjithatë, ndryshimet në faturën e pagave të qeverisë duhet të vlerësohen në krahasim me zhvillimet në sektorin privat.

Për sa i përket politikës së pagave, rritja e tyre për punonjësit e qeverisë ishte më e ulët krahasuar me sektorin privat në periudhën para dhe pas krizës, 2019-2020. Por është një fakt i rëndësishëm që rritja e pagave të sektorit privat në këto tre vite të fundit është bërë kur ky i fundit u godit më rëndë dhe menjëherë nga recesioni ekonomik i vitit 2020, ndërkohë që pagat e punonjësve të qeverisë nuk patën problemin e ekspozimit ndaj krizës.

Masat e fundit për rritjen e kostove të pagave publike u nxitën kryesisht jo nga kërkesat e konsolidimit fiskal, por nga një nevojë e deklaruar për të ndikuar në rritjen cilësore të administratës, si një instrument që deklarohet kundër tendencës dhe arsyeve të korruptimit të administratës.

Në mungesë të konsultimeve bazuar mbi ndonjë analizë publike ne mendojmë se këto rregullime mund të sjellin më shumë kosto se sa përfitim në drejtim të cilësisë së punonjësve të qeverisë, pasi e vetmja meritë kryesore që ka pjesa më e madhe e drejtuesve dhe punonjësve nuk është profesionalizmi, por partitizmi dhe pështatja me frymën e kronizmit.

Është e vërtetë, se politikat dhe reformat e mirëprojektuara të pagave dhe punësimit të qeverisë mund të gjenerojnë fitime të përgjithshme të konkurrencës së ekonomisë dhe të rrisin efikasitetin e tregut të punës. Në kohë stresi fiskal, rregullimet e punësimit publik mund të ndikojnë pozitivisht në PBB dhe punësimin total në ekonomi, por nëse ka joefikasitet të madh në sektorin qeveritar.

Nga raportet e institucioneve qeveritare nuk evidentohet se efikasiteti është i ulët, madje digjitalizimi i shërbimeve llogaritet si një ndihmues në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike.

Atëherë, mbetet për të parë nëse politika e pagave publike mund të ketë efekte të dobishme në konkurrencë duke synuar që të ndikojnë në moderimin e pagave të përgjithshme të ekonomisë (nëpërmjet modelit të “udhëheqjes së pagave”).

Por, në kushtet kur ka një hendek në paga midis sektorit privat dhe publik, atëherë efekti i fundit pozitiv i rritjes së pagave publike dobësohet, pasi joefikasiteti i tregut të punës zvogëlohet, duke u ndikuar nga një vendimmarrje e bazuar në politika të dizenjuara jo në mënyrë korrekte.

Ndërsa kërkesa e sektorit publik është e nevojshme në rrethanat aktuale për të mbështetur rritjen ekonomike, përvoja historike tregon se procesi i rimarrjes së investimit publik në burimet e veta njerëzore duhet të presë të vijnë kohë të mira ekonomike. Këto kohë nuk ndikohen dot nga rritja e pagave, por nga faktorë të ndryshëm dhe të shumtë që nuk janë ende të bashkërenduar me njeri-tjetrin.

Për më tepër, duke qenë se Shqipëria ka nisur së fundmi reformimin strukturor fiskal, të orientuar drejt rritjes së efikasitetit në sektorin publik pritet që moderimi i pagave publike të mbështetë dhe të ndihmojë politikat qeverisëse për të luftuar rreziqet që i vijnë nga vetvetja (ndryshimi i shpeshtë i politikave).

Nën kushte të caktuara makroekonomike dhe institucionale[3], një racionalizim i pagave të qeverisë dhe politikave të punësimit mund të gjenerojë efekte të favorshme në tregun e punës në periudhën afatmesme dhe afatgjatë nëpërmjet rritjes së konkurrencës dhe efikasitetit.

Në vijimësi, rregullimi i mëtejshëm i faturës së pagave të qeverisë duhet të hartohet me kujdes dhe në lidhje me rrethanat specifike të vendit.

Në vendet me një demokraci efektive dhe me një treg të hapur dhe konkurues nuk ndodh që politika për vendime kaq të thella të ndërmerret përpara se të jetë konsultuar me financuesit e këtyre vendimeve, taksapaguesit.

Ndërkohë, një rritje e pagave publike në një ambjent me inflacion ende me ndikim në koston e jetesës dhe në bizneset çon në efekte më të mëdha dhe më të vazhdueshme në nivelin e çmimeve të konsumit në vendet, pasi tashmë madhësia e sektorit publik është bërë relativisht e madhe. Në këtë vendimarrje, ku tashmë Shqipëria hyn në kategorinë e vendeve me një sektor publik relativisht më të madh, duhet forcuar dhe rritur si platforma, po ashtu dhe fokusi për negociatat për pagat publike duke synuar me këtë që të vendosin pika referimi për negociatat e pagave të sektorit privat.

Pavarësisht nga efektet e drejtpërdrejta të pafavorshme fiskale afatshkurtra ka përfitime nga reforma e qeverisë për faturën e pagave që shkojnë përtej objektivit të konsolidimit fiskal.

Por a mund të kemi besim se do të ndodhë kjo që shprehim si më lart në kontekstin aktual të tregut të punës dhe marëdhënieve mes shtetit, biznesit dhe individit?

Së pari, nga analizat e kryera në të paktën vitet e fundit vërehet se se dy faktorë të ndërlidhur kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në luhatshmërinë e besimit, (a) pasiguria ekonomike dhe (b) perceptimet e performancës së dobët ose të korruptuar të qeverisë.

Garantimi i sigurisë ekonomike është një rol kyç i shtetit dhe institucioneve të tij dhe është themeli i kontratës sociale ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve. Kur pasiguria ekonomike bëhet e përhapur, besimi në institucionet mund të gërryhet.

Në të gjithë llogaritjet e bëra, kur njerëzit janë ekonomikisht më të sigurt, përkatësisht grupet me të ardhura të larta dhe të mesme, ata raportojnë besim më të lartë institucional se pjesa tjetër e popullsisë. Duke marrë parasysh sfidat e paraqitura nga kriza e vazhdueshme e konsumimit të politikave efektive sociale për pensionistët dhe shtresat nevojtare, si dhe shtimi i presionit fiskal dhe shpërndarja e burimeve publike dhe përqëndrimi i transaksioneve të ekonomisë në shumë pak individë dhe familje, atëherë ky rreth vicioz midis pasigurisë ekonomike dhe mosbesimit ka të ngjarë të përkeqësohet në vitet e ardhshme, nëse nuk ndërmerren veprime të bashkërenduara ashtu si kemi shprehur ne dhe organizata homologe për këto probleme të mprehta sociale, por kryesisht me arsye ekonomike.

Performanca e dobët e qeverisë, skandalet dhe korrupsioni gjithashtu kanë minuar besimin e njerëzve se institucionet publike po punojnë për interesat më të mira të tyre dhe të vendit. Por, ashtu si rënia e besimit institucional është një proces i ngadaltë, rindërtimi i tij është një objektiv afatgjatë. Ai do të kërkojë investime publike të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të ngushtuar ndarjet sociale, ekonomike dhe politike. Në terma afatshkurtër, veprime konkrete të politikave për të zgjeruar mbulimin e mbrojtjes sociale mund të tregonin një sinjal drejt forcimit të besimit të publikut.

Kjo politikë do të fillonte që së paku ndershmërisht të trajtoheshin ato grupet tradicionalisht të margjinalizuara ose të pashërbyera, që të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre, duke komunikuar rregullisht dhe në gjuhë të thjeshtë politikat që garantojnë sigurinë ekonomike të tyre. Dëshmitë që dalin sugjerojnë se përdorimi i mediave sociale nga qeveria për të informuar qytetarët dhe për të promovuar aksesin në shërbimet qeveritare mund të kenë përmirësuar perceptimin e qytetarëve për transparencën e qeverisë, por nuk kanë zgjidhur dot garantimin e një jetese dinjitoze dhe normale të tyre.

Së dyti, duke ju referuar analizës së ekspertëve të FMN-së[4], “një rritje e pagave publike çon në efekte më të mëdha dhe më të vazhdueshme në pagat private në vendet me densitet më të lartë të sindikatave dhe mbulim negocimi dhe vende me shkallë më të madhe të centralizimit të negociatave për pagat. Për shembull, një rritje prej një për qind pagave publike në këto vende rrit pagat mesatare private deri në rreth 0,31 dhe 0,52 për qind, respektivisht.

Efektet në vendet me mbulim më të ulët të sindikatave dhe negociatave dhe negociatave më pak të centralizuara janë shumë më të vogla (rreth 0.13 dhe 25 përqind, respektivisht) dhe janë më pak të qëndrueshme.  

Kushtet e tjera, si shkalla e stabilitetit të përgjithshëm të çmimeve dhe fuqia e ekonomisë, mund të rrisin përmasat dhe qëndrueshmërinë e efekteve të goditjeve të pagave publike në pagat private.”

Në kontekstin aktual, nëse negociatat për pagat në sektorin publik përcaktohen si pikë referimi për negociatat e sektorit privat, një rritje e pagave publike mund të pritet të ketë ndikime më të mëdha në pagat private nëse pas angazhimit të studimeve të thelluara dhe diskutimeve me bizneset arrihet që rritja e kostos së pagave të negociohet me një politikë lehtësuese e zbatueshme sin ë aspektin fiskal, por po ashtu edhe në aspektin rregullator me një qëndrueshmëri afatmesme.

Megjithatë, kur aktiviteti i sektorit publik plotëson produktivitetin e sektorit privat (përmes ofrimit të të mirave kolektive) politika të tilla do të ndikonin pozitivisht në punësimin privat vetëm nëse synohen të rrisin ofrimin efikas të këtyre të mirave publike.

Cilësia e shërbimeve publike ka rëndësi për angazhimin dhe besimin e njerëzve në institucione, megjithëse nivelet e besimit në institucione mund të ndikojnë gjithashtu në perceptimet për cilësinë e shërbimeve të marra.

[1] https://www.ecb.europa.eu/pub/pdf/scpops/ecbop176.en.pdf
[2] Qeveria e madhe është një term negativ për një qeveri ose sektor publik që konsiderohet tepër i madh ose i përfshirë në mënyrë të dyshimtë në fusha të caktuara të politikës publike ose sektorit privat.
[3] pra një performancë e buxhetit si në 2022, por pa përfituar nga xhepat e konsumatorëve dhe prej inflacionit
[4] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2023/English/wpiea2023064-print-pdf.ashx

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: