ELBASAN: ADMINISTRIMI I MBJETJEVE DHE MJEDISI NE FUNKSION TE ZHVILLIMIT VENDOR DHE TURIZMIT
Dokumenti i politikave strategjike dhe plani kombëtar i menaxhimit të integruar të mbetjeve 2020 -2035 është në fazë fillestare zbatimi. Objektivat specifike të Dokumentit të Politikave Strategjike synojnë të japin zgjidhje praktike për (a) adresimin e problematikave në sistemin e deritanishëm të menaxhimit, (b) zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi dhe (c) përgatitjet e nevojshme për të përmbushur detyrimet nga ndryshimet në Direktivat e BE-së, përfshirë edhe objektivat ambicioze të Paketës së Ekonomisë Qarkulluese .
1. Në Buxhetin e Shtetit 2021, si dhe Buxhetin e bashkisë Elbasan 2021, sipas monitorimit të buxhetit faktik vërehet se për menaxhimin e mbetjeve dhe mjedisin ka një vëmendje prioritare në nivelin e shpenzimeve për programet e tjera në Elbasan.
Nisur nga përmbajta e të dhënave të Planit të Investimeve të Buxhetit të Shtetit për PBA 2022-2024, shihet se Buxheti i Shtetit për vitin 2021 ka planifikuar 49.1 milion lekë nga fondet e brendshme.
Nga performanca e deritanishme duke se nuk është shpenzuar 80% e fondeve gjithsej të programuara për pagesa shpenzimesh për inceneratorin e Elbasanit, i cili tashmë është nën administrimin e Bashkisë.
Pra, në këtë rast megjithëse adresimi i problematikës së menaxhimit të mbetjeve është zgjidhur me alokimin e fondeve direkt nga Buxheti i Shtetit për ndërtimin e tij dhe funksionalitetin, shihet se fizibiliteti i këtij projekti duhej të justifikohej me efiçencën e ulët, për arsye të mungesës së përvojës, por edhe problemeve me zbatimin e kontratave të tipit PPP, që në këtë rast tashmë nuk u shndërruan në vlerë të shtuar për secilin vit të zbatimit , por edhe taksa dhe përfitueshmëri të munguar në rast se investimi do të operonte sipas planifikimit.
Bashkia Elbasan ka performuar me efektivitet duke shpenzuar 99% të fondit të buxhetit vendor. Edhe në buxhetin vendor të Bashkisë vërehet vëmendje e veçantë për adresimin e zgjidhjeve duke alokuar 3% të fondit gjithsej të shpenzimeve gjithsej në 2021.
Kujdes!
Ky është rasti i një praktike problematike (e cila po hetohet për korrupsion) të cilën duhet ta ketë parasysh OSHC, për të përcjellë si një analizë shteruese diskutimet kosto-përfitim, të studiuara me vëmendjen e duhur ligjore të fizibilitetit afatgjatë të investimeve në zbatim të strategjisë kombëtare dhe zbatimit në terren.
2. Adresimi i problemeve mjedisore dhe furnizimit me ujë dhe fondet e alokuara nuk janë në nivele të njëjta të vëmendjes si në programin për menaxhimin e mbetjeve urbane duke lënë mundësi për akumulim të problematikave dhe zvarritje të tyre.
Në buxhetin e shtetit fondet e alokuara janë planifikuar në vlerën 1.06 miliard lekë (sa 3.5% e vlerës së programit “Furnizimi me ujë dhe kanalizime” për gjithë vendin, menaxhuar nga AKUM dhe SHA UK Elbasan). Këto projekte ka filluar në vitin 2019 dhe mbarojnë në vitin 2023 janë në proces zbatimi nga fondet e buxhetit të shtetit.
Programet me fonde të brendshme të Buxhetit të Shtetit, si më poshtë janë:
– “Instalimi i teknologjive te reja ne stacionet e pompimit ne sistemin Mengel-Samurr Godolesh (per zëvendësimin e pompave dhe pajisjeve elektrike),Bashkia Elbasan” dhe
– “Rikonstruksion i linjave te rrjetit te ujësjellësit ne disa rruge te qytetit Elbasan”
– “Përmirësimi i furnizimit me uje per lagjen Kraste e Vogel, Harmes dhe qytetin Elbasan” dhe
– “Rikonstruksion të rrjetit te ujësjellësit :Rruga Kongresi i Përmetit,(NSHU), J.Dyli, Haxhire, Elbasan;Linja kryesore STP -Byshek -depo Mlize, Shushice; Linja kryesore stp Bujqes- depo Mjekes dhe ndërtim pjesor rrjeti shpërndarës lagjja Kotor, fshati Bujqes+F.V” janë planifikuar në shumën e përbashkët prej 862 milion lekë (sa 3% e fondit gjithsej të Buxhetit të Shtetit për “Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime”), në zbatim nga AKUM duke filluar nga viti 2020 deri në 2023.
Rastet e financimeve me fonde të brendshme të buxhetit të nisura si investime në 2019 (edhe pse nuk ka konfirmime të plota nga Buxheti Shtetit) janë edhe tregues i një ecurie mbi performancën mesatare të financimeve me fonde të buxhetit në vlera të mëdha.
Nga Anketimi Albanian Tax-Economic Center – ALTAX:
Pyetjes për publikun se “Si do ta renditnit performancën aktuale të ofrimit të shërbimeve në Bashkinë tuaj”, përgjigjet e 65% të publikut të pyetur vlerësojnë “Menaxhimin e trafikut”, ndërsa 70% e publikut të pyetur vlerësojnë “Transportin Publik”.
Kjo përkon me paralajmërimin tonë lidhur me vëmendjen e analizës së kosto përfitimeve për çdo shërbim, për të dialoguar ato shërbime që janë të realizueshme me kosto më të ulët dhe përfitim më të madh. Kjo është një temë që duhet të tërheqë vëmendjen e Bashkisë dhe Ne do t’ja bëjmë të ditur.
Forcimi i rolit të shoqërisë civile dhe përfshirja në fondet e huaja si faktor ndihmës
3. Në mbrojtjen e interesit publik për fondet e mjedisit është i domosdoshëm roli imponues me fuqinë e ekspertizës dhe argumentit nga shoqëria civile në interes të politikës vendore (politikanë vendorë të gjithë partive dhe aktivistë të interesave qytetare) për të minimizuar transferimin e dëmit dhe fajit nga një krah politik te tjetri.
Sipas analizës së kryer nga një grup studiuesësh mbrojtja e mjedisit është një nga detyrat e mëdha të gjithë bashkëjetuesve brenda territorit të Bashkisë, por edhe institucioneve qendrore të cilat duhet të koordinohen për zbatimin e ligjit sipas fushës së tyre të veprimit ndaj krimeve mjedisore, të cilat “në vitin 2018 zënë 0.78% të krimeve gjithsej në nivel vendi”.
Në tërësinë e qarkut Elbasan përfshin 17 zona të mbrojtura, ku ndër problematike të evidentuara edhe nga media janë p.sh. zonat me pyje të Funarës , të cilat si në mjaft zona të tjera në vend nuk kanë mbrojtjen e duhur, por edhe kulturën shkatërruese të banorëve, të cilët nxiten nga mundësia për të përfituar të ardhura shtesë në dëm të mjedisit dhe pasurisë publike.
Bashkia Elbasan ka në pronësi të saj 40,349.58 ha sipërfaqe pyjore, 7,075.75 kullosore dhe 5,768.91 ha sipërfaqe me bimë pyjore. Sipërfaqe të konsiderueshme zënë tokat inproduktive dhe ato djerrë, përkatësisht 5,094.48 ha dhe 139,46 ha.
Bashkia Elbasan ka 17 zona të mbrojtura në territorin e saj, të përbëra nga 14 monumente natyrore (Zonë e mbrojtur Kategoria III) dhe 3 rezervate natyrore të menaxhuar (Zonë e mbrojtur Kategoria V).
Numri i specieve floristike dhe faunistike, që gjenden në Bashki dhe habitatet e tyre, nuk njihet. Megjithatë, njihet përafërsisht numri i specieve në rrezik zhdukjeje (Libri i Kuq i Florës dhe Faunës Shqiptare, 2007), i cili shkon në 83 specie (rreth 10% e specieve në zhdukje në vend). Këto i përkasin kryesisht specieve të florës, insekteve dhe shpendëve.
Fondet e Bashkisë të dedikuara për pyjet dhe kullotat janë sa 1% e totalit të shpenzimeve në 2021. Nëse përfshijmë edhe shpenzimet për mbrojtje civile dhe mbrojtje nga zjarri atëherë fondet gjithsej janë sa 4% e shpenzimeve gjithsej.
Kjo shumë është një shpërndarje e drejtë në lidhje me prioritete të caktuara të sqaruara në këtë raport dhe që përbëjnë moment, për një analizë për ta transferuar këtë rrisk për mbrojtjen e disa zonave me probleme në sezone të ndryshme drejt buxhetit të shtetit (MFE) gjatë periudhave të dialogimit për PBA 2023-2025
Përtej fondit modest për investime, që nuk është më shumë se 1% e investimeve të gjithë bashkisë për mbrojtjen e pyjeve është për tu vlerësuar një nismë që po përhapet në Bashkinë Elbasan, ajo e mbjelljes së pemëve të reja me angazhim edhe të komunitetit. Ky fond i vogël dhe jo reflektues ndaj problemeve mjedisore duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për mundësimin e alokimeve të fondeve nga donatorë dhe investitorë të huaj, që mund të krijojnë edhe forma bashkëpunimi me Bashkinë sipas kopetencave për autonominë vendore.
Ndër shqetësimet e mëdha qytetare është si cilësia e ujit, përtej problemit të furnizimit, por edhe cilësia e ujit dhe rritja e investimeve dhe zbatimit të ligjit në favor të uljes së ndotjes së ambjentit.
Vëmendje!
Një përvojë e mirë në këtë drejtim është te ndryshimi ligjor për moslejimin e ndotjeve plastike e qeseve plastike, si një angazhim kombëtar por me ndikim edhe prej OSHC-ve të specilizuara për mjedisin për aksionin për pastrimin e vendit nga mbetjet plastike, që është një nga praktikat e mira të ndërthurjes së objektivave qendrore me ato vendore, që duhen përgëzuar edhe në drejtim të Bashkisë.
4. Menaxhimi i mbetjeve trajtohen kryesisht në 2021 duke depozituar mbetjet në landfill dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të qeverisjes vendore.
Me fondet në dispozicion arrijnë të menaxhohen 76.7% (70.7 mijë tonë) e mbetjeve, ndërkohë që 23.3% e mbetjeve (21.5 mijë tonë), që është 131 kg mbeturina në vit për qytetar të Elbasanit të mbetura si ndotje ambjenti dhe papastërti. Tashmë me hetimin e nisur nga prokuroria për investime të kryera në të kaluarën për të njëjtën procedurë , menaxhimi i mbetjeve duket se ka hyrë në një histori dështimi për arsye të korrupsionit në momentin e tenderimit dhe prokurimit.
Në vitin 2020 sasia e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë në Shqipëri ishte 369.2 kg. Elbasani qëndron më lart nga ky nivel duke menaxhuar sasinë prej 433 kg. /Vit.
Turizmi, territori dhe kultura e shërbimit bazuar te sundimi ligjit
5. Politikat dhe programet për nxitje të turizmit nga bashkia dhe roli i monitorimit nga ekspertiza civile në parandalim të tendencave korruptive (për parqet natyrore, pyjet, HEC).
Turizmi për Elbasanit ka vlera të shumanshme jo vetëm të karakterit të turizmit natyror, por ka një përfshirje të disa modeleve të zhvillimit të turizmit sipas gjeografisë dhe traditës popullore me një projeksion që bazohet tashmë edhe mbi ndryshimin e panoramës urbane.
Zonat e rëndësisë kombëtare dhe të mbrojtura natyrore e kulturore
Më shumë se 70% e territorit të Bashkisë Elbasan është hapësirë natyrore dhe kjo tregon për potencialin që ka Elbasani për zhvillimin e turizmit kodrinor/malor. Skajet e bashkisë janë zonat panoramike me natyrë të mrekullueshme, të cilat po kthehen në parqe rajonale.
Për të garantuar mbrojtjen e zonave të caktuara, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 8906, date 06.06.2002, “Per zonat e mbrojtura” (i ndryshuar), i cili sipas qëllimit të tij kryesor mbi shpalljen, ruajtjen, menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm te tyre zbatohet edhe në Bashkinë e Elbasanit.
Një hap shume i rëndësishëm ne drejtim te menaxhimit te qëndrueshëm te zonave te mbrojtura ne vend ishte edhe miratimi i VKM-se nr. 102 i dates 12.02.2015, i cili krijoi dhe përcaktoi funksionet e Agjencisë Kombëtare te Zonave te Mbrojtura (AKZM) dhe te Administratave Rajonale te Zonave te Mbrojtura (AdZM). AKZM-ja dhe AdZM-ja kane përgjegjësi te drejtpërdrejtë per menaxhimin e zonave te mbrojtura ne vend, mbështetjen e ministrisë per hartimin dhe zbatimin e politikave per zonat e mbrojtura, hartimin dhe zbatimin e planeve te menaxhimit dhe te veprimit, monitorimin, mbledhjen e informacionit dhe lajmërimin e organeve kompetente kur vërehen shkelje ne zonat e mbrojtura.
Pas përpjekjeve per plotësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, mund te themi qe menaxhimi dhe administrimi i zonave te mbrojtura është qartësuar ne kontekstin e përgjegjësive institucionale.
Pas hartimit te programit strategjik afatshkurtër dhe afatmesëm 2015-2020 të Agjencisë Kombëtare te Zonave të Mbrojtura (AKZM) per menaxhimin e zonave te mbrojtura ne vend , AKZM-ja, ne bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka hartuar planet e menaxhimit per parkun kombëtar të Shebenik-Jabllanicës.
Nga monitorimi online, vërehet se Dega Rajonale e ZM ka kryer në vijimësi monitorimin e tyre dhe megjithë punën voluminoze të kryer mundet që të vijojë më tej në koordinim me bashkitë fqinje me menaxhimin më efektiv dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
6. Zbatimi sipas raportit për VSM dhe objektivat sipas PPV për shpërndarje të programeve mbetet një sfidë e monitorimit të transparencës së proceseve nga OSHC dhe ekspertiza sektoriale e tyre në kuadër të qasjeve të denoncuara nga media dhe individë për vullnet të korruptuar politik.
Plani i Përgjithshëm Kombëtar (PPK) “Shqipëria 2030” është instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili përcakton orientimet kryesore të zhvillimit të turizmit bazuar në potencialet e territorit.
Harta e potencialit turistik brenda këtij Plani ilustron zona të cilat klasifikohen si Zona me Rëndësi Kombëtare për vlerat që kanë në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
Një numër i konsiderueshëm i këtyre zonave rregullohet nga legjislacioni sektorial në fuqi, si p.sh: zonat e mbrojtura natyrore; burimet ujore dhe fashat e tyre mbrojtëse; zonat minerare; zonat industriale; zonat e trashëgimisë historike dhe kulturore; monumentet e kulturës; zonat dhe parqet arkeologjike; qendrat historike; brezi bregdetar, etj.
PPK në analizën që bën për sektorin turistik orientoi hartimin e Planit të Integruar Ndër sektorial për Brezin e Bregdetit, i cili vlerëson se tendenca e zhvillimit të turizmit në Shqipëri duhet të përqendrohet në këto lloje turizmi: (a) Turizmi bregdetar, (b) Turizmi kulturor, (c) Turizmi natyror/ekoturizmi, (d) Turizmi rural, (e) Agroturizëm, (f) Turizmi malor, (g) Turizmi i aventurës (sporte) dhe (h) Turizmi i shëndetit dhe mirëqenies.
Edhe pse në PPV për Elbasanin nuk ka Objektiv strategjik të dedikuar për turizmin, në programet në realizim që janë në funksion në zonën e Bashkisë janë “100 fshatrat”, ku Gjinari mbetet një projekt që mund të konsiderohet si veçantia për Bashkinë.
Një nga produktet infrastrukturore dhe në funksion të turizmit është projekti “Lungofiume”, i cili do të jetë një zonë zhvillimi urban përgjatë 1.7 km. Lumit Shkumbin si një simbol i urbanizimit të zonës qytetase.
Ndërkohë, nisur nga obligimet sipas Strategjisë së Zhvillimit të Territorit të bashkisë Elbasan mbetet një sfidë për monitorim të vazhdueshëm nga gjithë pjesëmarrësit e jetës ekonomike, sociale dhe politike në vend, pavarësisht pozicionit dhe statusit të tyre
Kujdes!
Në gjithë këto procese zhvillimore ekspertët dhe media investigative ngre shqetësimin e mungesës së transparencës cilësore. Në kuadër të këtij projekti, por edhe shqetësimit të ALTAX dhe OSHC të bërë publik në dalje dhe qëndrime publike në media të ndryshme dhe rrjet social është propozuar që “Në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies është e domosdoshme dhe etikë bazë e qeverisjes së hapur (duke qenë se fushata zgjedhore zgjat non stop), që pas çdo publikimi të fotografive dhe lajmeve për investime/shërbime publike të deklarohet edhe KOSTOJA BUXHETORE, si për pjesën që merren nga portofolat e tatimpaguesve nga taksat, po ashtu edhe për pjesën që financohet nga borxhet.
Qytetarët kanë të drejtë të informohen mbi kostot dhe të vlerësojnë sa u ka kushtuar investimi që jetësohet nga huatë dhe taksat.”
7. Zhvillimi i turizmit duhet të bazohet në zgjerimin e bazës dhe harmonizimin e tarifave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin publik duke zgjeruar konceptin “ndotësi paguan”.
Tarifa vjetore për pastrimin urban, ndriçimin, gjelbërimin kanë një nivel arkëtimi në vitin 2021 prej 148.9 milion lekë.
Niveli i mbledhjes së tarifave në 2021 është 51% më i lartë se në 2020 dhe 82.5% se në 2019, çfarë do të thotë për rezervat e mëdha në programimin dhe administrimin e kësaj tarife mjaft domethënëse në kuadër të Programit Kombëtar për Pastrimin.
Nisur nga parashikimet e të ardhurave që duhet të marrin në konsideratë performancën e mbledhjes, por edhe gjithë ndryshimet demografike, zgjerimin e bazës së kontribuesve, si dhe analizimin e vlerës së tarifës nevojitet që ky zë të jetë ngushtësisht e lidhur me një kosto bazë të shërbimeve që kanë lidhje direkte me mbrojtjen e ambjentit nga ndotja si dhe kostot oportune.
Kujdes! Një nivel progresiv i këtyre tarifave duhet të identifikohet si nevojë për të balancuar më mirë kostot e shtuara në kryerjen e shërbimeve të pastrimit të territorit.
8. Efekti i turizmit në rritjen ekonomike është monitoruar gjerësisht megjithatë ende nuk është kuptuar mirë se si ndikon turizmi në madhësinë e ekonomisë informale. Sipas të dhënave të hyrjeve dhe daljeve të numrit të vizitorëve në vitin 2021 në nivel vendi prezantohet e dhëna se kanë hyrë në Shqipëri 9.6 milionë vizitorë (shqiptarë dhe të huaj , ku 5.68 milionë vizitorë janë të huaj). Nëpërmjet këtij treguesi, perceptohet se turizmi ka ndikuar në rritjen e ekonomisë nëpërmjet konsumit të shërbimeve dhe produkteve të bizneseve shqiptare.
Nëse shikojmë bilancin e hyrjeve dhe daljeve, konstatohet se dalin më shumë shqiptarë se hyjnë në Shqipëri, si dhe e kundërta hyjnë më shumë të huaj se dalin nga Shqipëria. Kjo e dhënë tregon se kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një numër vizitorësh të huaj, të cilët janë me qëndrime më afatgjata se ditëqëndrimet për pushime dhe vizita turistike. Në mungesë të të dhënave të detajuara për bashkitë, si dhe nisur nga numri i ulët i strukturave akomoduese formale në Elbasan, mund të llogaritet se ky fluks është i përqëndruar në zonat e kryeqytetit dhe përreth tyre duke ndikuar edhe më shumë në konsumin e të paktën produkteve dhe mallrave rajonal të Tiranës.
Kujdes!
Në përgjigje të efektit nga numri i rritur i vizitorëve, nisur nga përvoja e shteteve që kanë evazion të lartë (Greqia me 30% nivel evazioni fiskal), si dhe të dhënat p.sh. që tregojnë numrin e strukturave akomoduese në Elbasan (mbi 50 struktura akomoduese, apo 3.6% të totalit të strukturave akomoduese në vend) duke u bazuar në analizat e kryera për efektin e turizmit në ekonominë informale është vërejtur se (a) pjesa e sektorit informal fillimisht zvogëlohet në fazat e hershme të zhvillimit të turizmit dhe (b) rritet më pas me vazhdimin e turizmit masiv për arsye që lidhen me faktorë ndikuesë që i vuan gjithë ekonomia dhe administrimi fiskal.
E njëjta mënyrë qasje duhet të analizohet edhe nga qeveria qendrore dhe vendore në prezantimin e efekteve të shtuara në ekonomi dhe në të ardhurat e individëve, për sa kohë informaliteti i llogaritur rezulton të paktën në nivelin 31.9% dhe konkuron seriozisht ekonominë dhe tregun formal.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.