Dalja e mallrave dhe aktiveve jashtë përdorimit dhe TVSH

Dalja e mallrave dhe aktiveve jashtë përdorimit dhe TVSH

Sipas pikave 2 dhe 3 të nenit 79 të ligjit, nuk kryhet rregullimi i zbritjes së TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave për shkak se janë të papërdorshme, ose u ka kaluar afati i përdorimit të tyre, të provuara apo të konfirmuara. Për mallrat për të cilat nuk zbatohet rregullimi i TVSH-së së zbritshme, ku personi i tatueshëm përfiton dëmshpërblim për arsye të sigurimit të mallit, atëherë për vlerën e përfituar, personi i tatueshëm llogarit TVSH. Vlera e tatueshme ne këtë rast është vlera e përfituar minus TVSH-në përkatëse. Nëse personi i tatueshëm nuk dokumenton mungesën e mallrave sipas procedurës së parashikuar më poshtë, atëherë mallra të tilla do të konsiderohen si mallra të shitura.

Skadenca e afatit të përdorimit dhe të ngjashme

Personi i tatueshëm duhet të mbajë një regjistër për mallrat ku të shënojë llojet e mallrave të skaduar, datën e blerjes së mallit të nxjerrë jashtë përdorimit, datën e skadencës së mallit, sasinë përkatëse, arsyen për nxjerrjen e mallrave jashtë përdorimit, si dhe personat e pranishëm në kryerjen e procesit të daljes jashtë përdorimit.

Personi i tatueshëm i cili do të kryejë nxjerrjen jashtë përdorimit të mallrave duhet të bëjë një njoftim me shkrim drejtuar autoritetit tatimor, përkatësisht drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar. Nëse zyra e tatimeve nuk respekton procedurën, veprimi asgjësues kryhet pa praninë e tyre dhe nuk ka nevojë për faturë tatimore. Në rast kontestimi nga tatimet, atëherë nevojitet sistemimi i situatës së TVSH së mallrave të nxjerrë jashtë përdorimit.

Në rast shkatërrimi aktivesh nga forca madhore nuk zbatohet TVSH. Nëse personi i tatueshëm përfiton dëmshpërblim për arsye të sigurimit të mallit, atëherë për vlerën e përfituar, personi i tatueshëm llogarit TVSH.

Në rast vjedhje apo humbje të aktiveve, do të zbatohet lëshimi faturës tatimore dhe sistemimi TVSH së zbritshme.

Mbetjet industriale

Sipas pikës 2, neni 79 i Ligjit për mallrat që pësojnë firo/humbje gjatë procesit të prodhimit, magazinimit, transportit, për të cilat nuk ka përcaktime në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë normativat e firove, përllogaritjet do të bazohen në kartën teknologjike. Kështu për sasinë e humbjeve të lejuara sipas kartës teknologjike nuk do të kërkohet të kryhet rregullimi i zbritjes së TVSH-së.

Në rastin e furnizimit të energjisë elektrike, humbje gjatë shpërndarjes së energjisë elektrike do të konsiderohet përqindja e humbjeve të energjisë elektrike në shpërndarje e miratuar sipas VKM “Për rimëkëmbjen e sektorit elektroenergjetik”.

Personi i tatueshëm i cili do të kryejë nxjerrjen jashtë përdorimit të mallrave duhet:
i) të bëjë një njoftim me shkrim drejtuar autoritetit tatimor, përkatësisht Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar. Nëpërmjet njoftimit, autoriteti tatimor informohet në lidhje me:
a. Listën e mallrave që do të nxjerrë jashtë përdorimit,
b. arsyet e nxjerrjes jashtë përdorimit për secilin artikull dhe
c. numrin e njësive/sasinë e mallrave,
d. çmimin e blerjes së secilit prej mallrave;
e. vlerën e mallrave;
f. datën kur do të kryhet ky proces.

ii) Njoftimi duhet të dërgohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore jo më vonë se 5 ditë kalendarike, para datës së nxjerrjes jashtë përdorimit të mallit.

iii) Drejtoria Rajonale Tatimore cakton për të marrë pjesë në këtë proces dy inspektor, të cilët mbajnë një procesverbal për këtë qëllim, të konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i personit të tatueshëm dhe personat e tjerë të pranishëm gjatë këtij procesi.

Nëse inspektoret nuk paraqiten brenda afatit të përcaktuar, personi i tatueshëm ka të drejtë të vazhdojë normalisht me nxjerrjen jashtë përdorimit të mallit. Në këtë rast janë të nevojshme dokumentet e institucioneve përkatëse të cilat kanë verifikuar shkatërrimin e mallrave, kur kërkohet prania e tyre.

Nëse procedura e mësipërme nuk ndiqet ose inspektorët tatimor kundërshtojnë kërkesën e personit të tatueshëm ose në rast kontrolli konstatojnë se personi ka vepruar në kundërshtim me përcaktimet ligjore tatimore apo me ligjet specifike të sektorit ku vepron, atëherë ai është i detyruar të kryejë rregullimin e TVSH-së së zbritur për mallin në përputhje me ligjin.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: