Barra Tatimore në Ballkanin Perëndimor në 2022
Sipas Raportit të ALTAX, në vitin 2022, mesatarisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qeveritë gjeneruan të ardhura në masën 34.8% të PBB-së. Kjo përfaqëson një përqindje të ngjashme me nivelin e rritur në vendet e OECD (37.5%), por më e ulët se mesatarja e vendeve të BE-së (45.2%).
Për më tepër, tendencat ndryshojnë mesatarisht ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor: në krahasim me vitin 2008, ka pasur një rënie prej 1.2 p.p. në Ballkanin Perëndimor dhe një rritje prej 1.4 p.p. në BE[1].
Të ardhurat buxhetore në BP6 në vitin 2022 kanë qenë në funksion të programeve dhe reformave të ndërmarra me një synim gjithpërfshirës për promovimin e rritjes ekonomike, nxitjes dhe rritjes së punësimit, në përmirësimin e cilësisë së ambjentit makroekonomik dhe rritjen e penetrimit të inovacionit në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, si dhe mbushjen e boshllëqeve të natyrave të ndryshme në rrugëtimin për tu integruar në Bashkimin Europian.
Barra tatimore sipas tatimeve e taksave
Ekonomitë në BP6 kanë një bazë të vogël tatimore për gjenerim në rritje të të ardhurave, që tregon për potencial të ulët të zgjerimit të ekonomisë dhe formim të pakët të kapitalit fiks bruto, megjithëse në zgjerim në vitet e fundit[2].
Një situatë e tillë sfiduese pengon kapacitetin e qeverive për të promovuar rritjen gjithëpërfshirëse. Investimet në teknologjinë digjitale po sjellin një valë të re dixhitalizimi në rajon, duke nxitur zhvillimin e mjeteve të reja për mbledhjen e të ardhurave, veçanërisht taksat.
Por e nevojshme është një bazë më e madhe të ardhurash, gjë që mundëson zgjerimin e shërbimeve për popullsinë dhe një sfidë e vështirë është zbatimi në kohë i reformave përkatëse që kanë premtuar qeverisjet gjatë viteve.
Ndërsa investimet mund të jenë në rritje, ato përballen me sfidën e rritjes së mbledhjes së të ardhurave me të njëjtin ritëm si rriten shpenzimet.
Çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë kontribuan në rritjen e të ardhurave tatimore gjatë gjithë vitit 2022, por kjo rritje që duhet të vinte nga shpërndarja më e mirë e barrës fiskale nëpërmjet zgjerimit të bazave tatimore, në fakt i dembelosi edhe më shumë administratat duke u ndjerë të akomoduara me përmbushjen e nivelit të të ardhurave në rritje.
Të ardhurat tatimore në 2022 shënojnë nivelin e 31.5% të PBB-së së BP6. Në tendencën për të përafruar çdo aspekt të mundshëm fiskal me qasje pozitive në përmirësimin e shëndetit buxhetor vërehet ende boshllëk i dukshëm.
Sipas treguesve të prezantuar edhe në Grafikun më lart, në vitin 2022 barrën tatimore më të lartë e vërejmë në Serbi me një nivel arkëtimesh sa 38.7% e PBB-së së vendit. Por, këtë vit ka rritur më shumë arkëtimet Bosnjë-Hercegovina, e cila mban vendin e dytë për barrën tatimore më të lartë sa 37.4% e PBB-së së vendit. Në vend të tretë është Mali i Zi me barrën tatimore në nivelin sa 34.3% e PBB-së vendore. Këto tre vende të BP6 kanë barrë fiskale të lartë mesatarisht edhe për 5 vitet e fundit, 2018-2022 edhe sipas paraqitjes grafike më lart.
Performimi në nivele të lartë vjen si nga baza tatimore më të zgjeruara, por edhe një nivel administrimi më i mirë, si dhe një nivel më i lartë i kapaciteteve administrative dhe vizion i lidhur ngushtë me realitetin ekonomik duke kufizuar përjashtimet tatimore dhe hyrjen e investimeve që kanë rritur ndjeshëm kontributin fiskal në buxhetet e vendeve.
Të tre këto vende kanë një nivel të barrës fiskale mbi mesataren e BP6, por dukshëm më të lartë se vendet e tjera të BP6 me të paktën 14% më shumë bazuar te mesatarja 5-vjeçare.
Grupi i dytë i vendeve të BP6, Maqedonia e Veriut. Shqipëria Kosova, dhe kanë barrë fiskale respektivisht sa 27.2%, 26.3% dhe 25.2% e PBB-së respektive të secilit vend. Sipas renditjes më lart është edhe pozicionimi i tyre në BP6, respektivisht në vendin e katërt, të pestë dhe të fundit.
Nga krahasimi i barrave fiskale shpjegohet edhe elasticiteti i shpërndarjes së pjesës kryesore të shpenzimeve buxhetore të vendeve bazuar te burimet e veta të të ardhurave.
Barra e TVSH-së në BP6 mban rreth 36.6% të të hyrave tatimore gjithsej tregon ende një problem të bazës tatimore për tatimet e tjera, që duhet të adresohet për diversifikim të piramidës të të hyrave. Kosova mban peshën më të madhe të TVSH dhe pas saj vjen Bosnjë-Hercegovina (në grafik është vendosur TVSH dhe Akcizë), fakt që tregon varësinë e madhe të buxheteve në këto vende nga konsumi dhe importi. Ndërsa edhe vendet e tjera kanë nivele të larta të TVSH në përbërje të strukturës së të hyrave buxhetore, gjithsesi kanë një diversifikim më të mirë të burimeve të të ardhurave edhe nga tatimet direkte dhe taksa të tjera.
Kjo e fundit ka një barrë të lartë edhe për taksat e punës, duke bërë që barra fiskale të jetë e lartë. Kosova është ende larg administrimit afër potencialeve të taksave të punës dhe zhvendosjes së barrës së TVSH drejt barrës së tatimit mbi të ardhurat. Ndërkohë, përpjekjet për zhvendosje të barrës duhet të bëhen graduale dhe pa ndikuar në bazën tatimore.
P.sh. në Kosovë, ku uljet-ngritjet e normave të TVSH-së kanë sjellë si efekt dytësor pretendime të sektorëve të tjerë të papërfshirë në përfitimet nga ulja, që të kërkojnë edhe ata përfitime nga politika e luhatur dhe kontradiktore ndaj parimeve të TVSH-së, ku nuk tolerohet politika e përjashtimeve apo shkallëzimeve.
Rast tjetër vjen nga Shqipëria, ku politika e taksimit të fermerëve duke u ndryshuar skemën e rimbursimit të TVSH për lëndën e parë, apo ndryshimi i politikës për taksat e ambalazheve, të cilat sjellin efekte në prishjen e besueshmërisë te skema dhe uljen e nivelit të pajtueshmërisë vullnetare në zbatimin e ligjit nga taksapaguesit.
Nëse shikojmë performancën e tatimeve direkte, në vitin 2022, barra e tyre është sa 15.5% e të hyrave tatimore gjithsej në BP6. Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi janë 3 vendet që e taksojnë më shumë se të tjerat të ardhurat nga puna. Ndërkohë, vendet e tjera të BP6 kanë nivele që tregojnë taksim poshtë kapaciteteve, që ka specifika përkatëse në Bosnjë-Hercegovinë, në krahasim me Kosovën dhe M. e Veriut.
Nga paraqitja grafike, nëse e shikojmë punën të ngarkuar edhe me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, vërehet se barra më e lartë e punës është në Serbi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri, Malin e Zi dhe Kosovë barra e kontributeve është me ndikim të vogël në produktivitetin fiskale, megjithëse Kosova zbaton skemën totalisht private të kontributeve private të detyrueshme.
Politika e barrës së ulët mbi kontributet e sigurimeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është jo konkurruese krahasuar me vendet e tyre fqinje. Por ajo gjithashtu nuk i krijon mundësi buxhetit të shpenzojë më shumë për fondet sociale, fakt që u vërejt më shumë në Shqipëri dhe Kosovë. Ndërkohë, M. e Veriut ka kaluar në një skemë më elastike të pensioneve private të detyrueshme, e cila e ndihmoi shumë buxhetin e vendit, duke mos i ushtruar presionin që pati në Shqipëri dhe më pak në Kosovë për kostot e shtuara sociale.
Tatimi mbi fitimin e kapitalit është taksa që një investitor duhet të paguajë kur një investim shitet. Ky tatim është një detyrim tatimor për vitin tatimor gjatë të cilit është shitur investimi.
Normat afatgjata të tatimit mbi fitimet kapitale për vitet tatimore 2022 dhe 2023 janë 10%, 15% si normat standarte. Ndërkohë, norma të reduktuara të tatimit mbi fitimin zbatohen në kufijtë e reduktuar 3%, 5%, 9%, 12%
Barra e tatimeve mbi kapitalin është në nivele të ulëta dhe të përafërta midis vendeve të BP6 dhe në rastin më të mirë është sa 2.9% e PBB-së së Serbisë apo sa 2.3% e PBB0së së Shqipërisë.
Vendet e tjera regjistrojnë një nivel poshtë 2% të PBB-së vendore, si një tregues që tregon stade të ndryshme të qarkullimit të kapitalit, por edhe mundësi për të rritur bazën tatimore dhe arkëtimet nga ky tatim i rëndësishëm që tregon edhe nivelin e efektivitetit të investimeve të huaja dhe vendase.
[1] https://www.oecd-ilibrary.org/sites/2bf55d60-en/index.html?itemId=/content/component/2bf55d60-en
[2] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2023/English/wpiea2023031-print-pdf.ashx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.