A munden dhurimet të përjashtohen nga detyrimi për t’u tatuar?

A munden dhurimet të përjashtohen nga detyrimi për t’u tatuar?

Në rastin e dhurimit të parasë nuk kemi të bëjmë me krijimin e një të ardhure, por me dhurimin pa kushte të shumës, duke bërë dallim edhe nga rasti i huazimit të parasë[1] midis individëve.

Në rastin e huasë, paratë e përfituara nga individi nuk kategorizohen si të ardhura të tatueshme, edhe pse kemi rastin e kryerjes së një transferte, me nënshkrim të kontratës, dhe plotësim të kushteve për përmbushje të kthimit të parasë huadhënësit.

Në rastin e dhurimit të parasë nga një individ apo organizatë në emër të një individi tjetër, nevojitet të sqarohet përcaktimi i dhurimit të parasë nëse përmbush kriteret e pikës 2.3.9 të udhëzimit.

Sipas kësaj pike, në të ardhurat e tatueshme përfshihen edhe të ardhura të tjera që nuk paraqiten me emërtim rasti në udhëzim, ku edhe dhurimi i parasë nuk është përshkruar si rast i të ardhurës së tatueshme.

Në Ligj, por edhe në udhëzim nuk përshkruhet në asnjë vend tatimi mbi dhurimet (gift tax).

Edhe pse në kuptimin e ligjit, konsiderohet se çdo e ardhur me burim në republikën e Shqipërisë e realizuar nga individët rezidentë ose jo është objekt tatimi (përveç të ardhurave që ligji i përjashton specifikisht) në rastin e dhurimit të parasë kemi vetëm një vullnet për transferim fondesh, por që nuk përkon me përcaktimin ligjor për realizim të ardhurash individuale.

E njëjta logjikë ligjore si më lart vlen edhe në rastin e dhurimit të pasurisë së luajtshme (mjet, send, etj.)

Përvoja botërore për trajtimin tatimor të dhurimit

Një logjikë të tillë e përforcon më tej nëse analizojmë mënyrën e trajtimit tatimor për dhurimet në legjislacionet e disa vendeve fqinjë me Shqipërinë, apo dhe në botë.

Sipas legjislacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhurimet në para lejohen të mos tatohen deri në nivele të caktuara shumash monetare prej 14 mijë dollarë në vit. Në legjislacionin tatimor përfshihen kategoritë që përjashtohen nga koncepti i dhurimit për qëllime taksimi duke mos përfshirë dhurimet e parave midis burrit dhe gruas në një familje, dhurimet ndaj partive politike etj.

Shembull

Babi dhe nëna i japin djalit të tyre një Çek, i cili është në shumën 28.000 dollarë. Nisur nga përcaktimet në legjislacionin tatimor të SHBA, prindërit mund të dhurojnë për vitin 2016 secili nga 14.000 dollarë nga paratë që ata disponojnë pasi janë tatuar. Kjo shumë parash nuk është objekt tatimi mbi individin, pasi njihet si shumë kufi e cila lejohet të dhurohet pa u tatuar më tej.

Një rast tjetër, lidhet me faktin se nëse një familjar kërkon të bëjë një dhuratë në formën e pronës ndaj një familjari tjetër atëherë, ai mundet që të bëjë një shitje nën vlerën reale të pronës, ku pjesa tjetër si diferencë midis vlerës reale tregtare të pronës dhe vlerës së shitur të familjari konsiderohet si dhurim. Natyrisht, që vlera e dhurimit nuk duhet të jetë më e lartë se pragu i lejuar që nuk është objekt tatimi.

Francë, një dhuratë është quajtur një dhurim dhe në gjuhën franceze, tatimi për dhurimin prononcohet si droits de donation.

Nga koncepti i dhurimit përjashtohen nga tatimi ato dhurime që bëhen zakonisht përgjatë rutinës së jetës së përditshme, si p.sh. Dhuratat për martesë apo ditëlindje, vlera e të cilave është  e justifikuar me standartet e jetesës së dhuruesit.

Dhurimet mund të jenë në formë monetare apo si pronë dhe që prej vitit 2012 mund të aplikohen çdo 15 vite.

Dhurimet që lejohen të mos jenë objekt tatimi, kanë një vlerë të caktuar përjashtimi ku dhurimet midis burrit dhe gruas lejohet deri në vlerën 80.724 Euro, ndërsa për fëmijët deri në vlerën 100.000 Euro e kështu me radhë per gjithë kategoritë e lidhjeve familjare.

Britaninë e Madhe mundësia e dhurimit është e përjashtuar nga tatimi për shuma më të vogla se 50.000 paundë dhe jo më shumë se 3.000 paundë në vit.

Por, për arsye të klasifikimit të të ardhurës, që të mos përfshihet si trashëgimni, atëherë kjo e drejtë përjashtimi të dhurimit mundet të përfitohet nëse dhuruesi shkruan një letër ku përfshihet shuma dhe data e dhurimit. Nëse personi që bën dhurimin vdes brenda 7 vitesh nga data e dhurimit, atëherë shuma e dhuruar nuk konsiderohet si dhurim, por si trashëgimni.

Itali tatimi mbi dhurimin varet nga niveli i lidhjes familjare dhe vlera e dhurimit. Për dhurimet midis burrit dhe gruas, midis prindit dhe fëmijës dhe lidhjeve të gjakut deri në nivelin e katërt nuk ka tatim për dhurimet nëse vlera e dhuruar nuk kalon mbi 180.760 Euro.

Nëse shikojmë zbatimin e tatimit për dhurimin në Serbi, egziston tatim proporcional ( i sheshtë) prej 2.5%. Dhurimet midis prindit dhe fëmijës, midis burrit dhe gruas janë të përjashtuara nga tatimi.

Kroaci një individ, i cili përfiton një pronë apo një dhurim në para me vlerë më pak se 6.670 Euro është i përjashtuar nga tatimi.

Maqedoni, paguhet tatim për dhurimet në para, prona të luajtshme nëse vlera e dhurimit kalon mbi pagën mesatare vjetore, sipas publikimeve të zyrës së Statistikave shtetërore.

Malin e Zi, nuk paguhet tatim për dhurimet që bëhen nga një person që përfiton një shumë brenda rrethit familjar

[1] Sipas Nenit 1050 te Kodit Civil, me kontratën e huasë njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës tjetër (huamarrësit) një shumë të hollash ose sende që përcaktohen në numër, me peshë ose me masë dhe huamarrësi detyrohet t’i kthejë huadhënësit aq të holla, ose aq sende të atij lloji dhe të asaj cilësie, brenda afatit të caktuar në kontratë ose, kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e huadhënësit

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: