Vlorë: Turizmi, territori dhe kultura e shërbimit bazuar te sundimi ligjit

Vlorë: Turizmi, territori dhe kultura e shërbimit bazuar te sundimi ligjit

Turizmi për Vlorën ka vlera të shumanshme jo vetëm të karakterit të turizmit historik, por ka një përfshirje të disa modeleve të zhvillimit të turizmit sipas gjeografisë, historisë, por edhe traditës popullore me një propjeksion që bazohet tashmë edhe mbi ndryshimin e panoramës urbane.

Zonat e rëndësisë kombëtare dhe të mbrojtura natyrore e kulturore[1]

Për të garantuar mbrojtjen e zonave të caktuara, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 8906, date 06.06.2002, “Per zonat e mbrojtura” (i ndryshuar), i cili sipas qellimit të tij kryesor mbi shpalljen, ruajtjen, menaxhimin dhe përdorimin e qendrueshëm te tyre zbatohet edhe në Bashkinë e Vlorës.

Nje hap shume i rëndësishëm ne drejtim te menaxhimit te qëndrueshëm te zonave te mbrojtura ne vend ishte edhe miratimi i VKM-se nr. 102 i dates 12.02.2015, i cili krijoi dhe percaktoi funksionet e Agjencisë Kombëtare te Zonave te Mbrojtura (AKZM) dhe te Administratave Rajonale te Zonave te Mbrojtura (AdZM). AKZM-ja dhe AdZM-ja kane përgjegjësi te drejtpërdrejtë per menaxhimin e zonave te mbrojtura ne vend, mbështetjen e Ministrise per hartimin dhe zbatimin e politikave per zonat e mbrojtura, hartimin dhe zbatimin e planeve te menaxhimit dhe te veprimit, monitorimin, mbledhjen e inforrnacionit dhe lajmerimin e organeve kompetente kur verehen shkelje ne zonat e mbrojtura. Pas përpjekjeve per plotësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, mund te themi qe menaxhimi dhe administrimi i zonave te mbrojtura eshte qartësuar ne kontekstin e përgjegjësive institucionale.

Pas hartimit te programit strategjik afatshkurtër dhe afatmesëm 2015-2020[2] të Agjencisë Kombëtare te Zonave të Mbrojtura (AKZM) per menaxhimin e zonave te mbrojtura ne vend[3], është kërkuar dhe pranuar edhe Deklarata Mjedisore[4] me qëllimin e vlerësimin e efekteve ne mjedis nga PPV Vlore. AKZM-ja, ne bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka hartuar planet e menaxhimit per parkun kombëtar te Llogarasë.

Ndërkohë, Dega Rajonale e ZM[5] ka kryer në vijimësi monitorimin e tyre dhe megjithë punën voluminoze të kryer mundet që të vijojë më tej në koordinim me bashkitë fqinje me menaxhimin më efektiv dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Përdorimi i planit të përgjithshëm kombëtar për shpërndarje të programeve sipas qasjeve të vullnetit të korruptuar politik mbetet një sfidë e monitorimit të transparencës së proceseve nga OSHC dhe ekspertiza sektoriale e tyre. Plani i Përgjithshëm Kombëtar(PPK) “Shqipëria 2030”[6] është instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili përcakton orientimet kryesore të zhvillimit të turizmit bazuar në potencialet e territorit. Harta e potencialit turistik brenda këtij Plani ilustron zona të cilat klasifikohen si Zona me Rëndësi Kombëtare për vlerat që kanë në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Një numër i konsiderueshëm i këtyre zonave rregullohet nga legjislacioni sektorial në fuqi, si p.sh: zonat e mbrojtura natyrore; burimet ujore dhe fashat e tyre mbrojtëse; zonat minerare; zonat industriale; zonat e trashëgimisë historike dhe kulturore; monumentet e kulturës; zonat dhe parqet arkeologjike; qendrat historike; brezi bregdetar, etj. PPK në analizën që bën për sektorin turistik natyrshëm orientoi hartimin e Planit të Integruar Ndërsektorial për Brezin e Bregdetit, i cili vlerëson se tendeca e zhvillimit të turizmit në Shqipëri duhet të përqëndrohet në këto lloje turizmi: (a) Turizmi bregdetar, (b) Turizmi kulturor, (c) Turizmi natyror/ekoturizmi, (d) Turizmi rural, (e) Agroturizëm, (f) Turizmi malor, (g) Turizmi i aventurës (sporte) dhe (h) Turizmi i shëndetit dhe mirëqenies.

Një nga produktet infrastrukturore dhe në funksion të turizmit është projekti i nisur prej mbi 6 vite më parë dhe i emërtuar jo zyrtarisht “Lungomare”, si një simbol i urbanizimit të zonës brendetare qytetase. Në vitin 2021, nëpërmjet FSZH vijojnë projektet urbane dhe infrastrukturore infrastrukturore në drejtim të:

  • Vazhdimit të shëtitores së Vlorës – Segmenti Jugor nga Fusha e Sportit deri te Tuneli”
  • Rikualifikimit urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit, Kulla e Sahatit dhe Sheshi i Flamurit
  • Rivitalizimit urban të zonave me potencial te larte turistik ne Rajonin 4, Ballina Ujore e Vlores
  • Rivitalizim urban dhe rruga hyrëse në Portin e Vlorës

Kujdes!
Në gjithë këto procese zhvillimore ekspertët dhe media investigative ngre shqetësimin e mungesës së transparencës cilësore. Në kuadër të këtij projekti, por edhe shqetësimit të ALTAX dhe OSHC të bërë publik në dalje dhe qëndrime publike në media të ndryshme dhe rrjet social[7] është propozuar që “Në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies është e domosdoshme dhe etikë bazë e qeverisjes së hapur (duke qenë se fushata zgjedhore zgjat non stop), që pas çdo publikimi të fotografive dhe lajmeve për investime/shërbime publike të deklarohet edhe KOSTOJA BUXHETORE, si për pjesën që merren nga portofolat e tatimpaguesve nga taksat, po ashtu edhe për pjesën që financohet nga borxhet. Qytetarët kanë të drejtë të informohen mbi kostot dhe të vlerësojnë sa u ka kushtuar investimi që jetësohet nga huatë dhe taksat.”

Duke marrë si një referencë mbështetëse edhe Raportin “Infrastruktura e Integritetit”[8] gjejmë me vend të përfshijmë në raportin tonë se orientimet në të cilat përmenden në këtë publikim vlejnë si angazhime që duhen mbajtur në konsideratë edhe në kontekstin e këtij projekti, për të paktën monitorimin dhe analizën:

  • e prokurimeve publike, i cili kryhet nga disa OSHC të specializuara në vend;
  • e të ardhurave dhe shpenzimeve fiskale
  • e administrimit të burimeve natyrore mbitokësore dhe nëntokësore;
  • e Vendimeve të drejtësisë lidhur me aktet korruptive të kallëzuara në drejtësi

Sipas parimit “ndotësi paguan” zhvillimi i turizmit duhet të bazohet në zgjerimin e bazës dhe harmonizimin e tarifave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin publik. Tarifa vjetore për pastrimin urban, ndriçimin, gjelbërimin kanë një nivel arkëtimi në vitin 2021 prej 86.3 milion lekë. Niveli i mbledhjes së tarifave është në një mesatare prej 103% arkëtim duke tejkaluar programimin. Nisur nga parashikimet e të ardhurave që duhet të marrin në konsideratë performancën e mbledhjes, por edhe gjithë ndryshimet demografike, zgjerimin e bazës së kontribuesve, si dhe analizimin e vlerës së tarifës nevojitet që ky zë të jetë ngushtësisht e lidhur me një kosto bazë të shërbimeve që kanë lidhje direkte me mbrojtjen e ambjentit nga ndotja si dhe kostot oportune.

Vini re! Një nivel progresiv i këtyre tarifave duhet të identifikohet si nevojë për të balancuar më mirë kostot e shtuara në kryerjen e shërbimeve të pastrimit të territorit.

Efekti i turizmit në rritjen ekonomike është monitoruar gjerësisht megjithatë ende nuk është kuptuar mirë se si ndikon turizmi në madhësinë e ekonomisë informale. Sipas të dhënave të hyrjeve dhe daljeve të numrit të vizitorëve në vitin 2021 në nivel vendi prezantohet e dhëna se kanë hyrë në Shqipëri 9.6 milionë vizitorë (shqiptarë dhe të huaj[9], ku 5.68 milionë vizitorë janë të huaj). Nëpërmjet këtij treguesi, perceptohet se turizmi ka ndikuar në rritjen e ekonomisë nëpërmjet konsumit të shërbimeve dhe produkteve të bizneseve shqiptare.

Megjithatë, nëse shikojmë bilancin e hyrjeve dhe daljeve, konstatohet se dalin më shumë shqiptarë se hyjnë në Shqipëri, si dhe e kundërta hyjnë më shumë të huaj se dalin nga Shqipëria. Kjo e dhënë tregon se kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një numër vizitorësh të huaj, të cilët janë me qëndrime më afatgjata se ditëqëndrimet për pushime dhe vizita turistike. Në mungesë të të dhënave të detajuara për bashkitë, si dhe nga numri i ulët i strukturave akomoduese formale në Vlorë, mund të llogaritet se ky fluks është i përqëndruar në zonat e kryeqytetit dhe përreth tyre duke ndikuar edhe më shumë në konsumin e të paktën produkteve dhe mallrave rajonal të Tiranës.

 Megjithatë, në përgjigje të efektit nga numri i rritur i vizitorëve, nisur nga përvoja e shteteve që kanë evazion të lartë (Greqia me 30% nivel evazioni fiskal), si dhe të dhënat p.sh. që tregojnë numrin e strukturave akomoduese në Vlorë (<50 struktura akomoduese, apo 3.6% të totalit të strukturave akomoduese në vend)[10] duke u bazuar në analizat e kryera për efektin e turizmit në ekonominë informale është vërejtur se (a) pjesa e sektorit informal fillimisht zvogëlohet në fazat e hershme të zhvillimit të turizmit dhe (b) rritet më pas me vazhdimin e turizmit masiv për arsye që lidhen me faktorë ndikuesë që i vuan gjithë ekonomia dhe administrimi fiskal.

 E njëjta mënyrë qasje duhet të analizohet edhe nga qeveria qendrore dhe vendore në prezantimin e efekteve të shtuara në ekonomi dhe në të ardhurat e individëve, për sa kohë informaliteti[11] i llogaritur rezulton të paktën në nivelin 31.9% dhe konkuron seriozisht ekonominë dhe tregun formal.

 Gjithsesi, nga treguesit që mundet të stimulojë numri i rritur i vizitorëve ndër ndikimet kryesore të tij duken, nëse:

  • është forcuar rritja ekonomike duke shtuar rezervat valutore (4.2 miliard Euro në 2021)[12] apo 200 milionë Euro më shumë se fillimi vitit 2021[13],
  • janë stimuluar investimet në infrastrukturën e re dhe në kapitalin njerëzor[14] dhe
  • në forcimin dhe rritjen e konkurrencën[15] (treguesit ende të ulët),
  • në nxitjen e zhvillimit industrial[16] (nivele në rritje),
  • në krijimin e vendeve të punës[17] (rritje 2.1% ne fund të 2021) dhe
  • për rrjedhojë në rritjen e të ardhurave për buxhetin [18] (rritje) dhe për individët[19] (rritur të ardhurat e disponueshme me 8.3% në 2020)

Në zbatimin e gjithë programeve kombëtare në kontekstin vendor të Bashkisë Vlorë gjejmë një zbatim të varur nga respektimi i urbanistikës dhe territorit. Dokumenti i Politikave të Planifikimit të Territorit do të shërbejë si pjesë e përqasjes strategjike për zhvillimin, nevojës për qeverisje urbane, të mirë, demokratike dhe të përmbushjes së përgjegjësisë madhore, ndaj qytetarëve, për zhvillim (territorial) të qëndrueshëm. Ky dokument do të jetë baza, mbi të cilën do të mbështeten iniciativat reformuese, ligjore të Qeverisë, Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit, hartimi i planeve të dy prej zonave më të rëndësishme të territorit shqiptar si bregdeti dhe qendra ekonomike Tiranë-Durrës dhe për të gjitha programet dhe projektet e pritshme, të Qeverisë për periudhën 2013–2017[20].

Kujdes!
Ndërkohë, angazhimi për autonomi vendore në këtë qasje të diktuar në masën mbi 90% nga qeverisja qendrore është një moment që duhet kuptuar qartë se zhvillimi vendor është në vullnetin e qeverisjes qendrore për arsye të varësisë politike dhe buxhetore.

Planifikimi i territorit i konsideron instrumentet financiare si mundësi për zgjerimin e burimeve financiare vendore, ku të ardhurat e gjeneruara mund të përdoren për financimin e infrastrukturës publike. Bashkia duhet të hartojë një program për zbatimin e një instrumenti financiar dhe një formulë dhe/ose kritere për përcaktimin e përfitimeve. Programi dhe formula/kriteret duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë dhe transparente për të gjithë pjesëmarrësit. Instrumentet financiare kanë mundësinë të prodhojnë të ardhura të konsiderueshme, por mbartin edhe rreziqe.[21]

Këto rreziqe, që duhet të kuptohen prej bashkisë, janë:

Tregje ciklike të pronave të patundshme. Sasia e të ardhurave të krijuara nga instrumentet financiare mund të rritet ose ulet, shpesh, në mënyrë të paparashikueshme për shkak të ndryshimit në ekonomitë vendore dhe kombëtare, apo ndryshimeve në politikat e zhvillimit ekonomik.

Në përgjithësi, intensiteti i ndërtimit me kushte, transferimi i të drejtave të zhvillimit dhe tarifat e përmirësimit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe ndërtimin e ri. Kur zhvillimi është i madh, këto instrumente mund të sigurojnë të ardhura të konsiderueshme për bashkinë, ndërkohë, në rastin e kundërt, të ardhurat janë më të pakta.

Të ardhurat nga programet e instrumenteve financiare mund të luhaten njësoj siç luhaten të ardhurat nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë (TNI). Për shembull, totali i të ardhurave të vjela nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në raport me totalin e të ardhurave vendore luhaten nga 32% të totalit të ardhurave nga taksat dhe tarifat e Bashkisë në 2020 në 19% në 2021. Bashkia Vlorë ka arkëtime nga kjo taksë për vitin 2021, të cilat duhen konsideruar se me rritjen e investimeve në infrastrukturën rrugore kjo taksë do të jetë prezente nga kërkesat që do të bëhen për leje ndërtimit.

Vini re!
Bashkia duhet të parashikojë luhatje të të ardhurave nga programet e instrumenteve financiare dhe nuk duhet të varet vetëm te këto instrumente për të financuar pjesën më të madhe të përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese apo dhënies së infrastrukturës së re.

Kur sigurohen të ardhura të konsiderueshme nga instrumentet financiare, sektorët e ndryshëm të bashkisë konkurrojnë për të marrë nga këto fonde, duke penguar, si rezultat, investimin e te ardhurave në infrastrukturë sipas përparësive të PPV-së. Pa ushtruar kontroll të fortë nga bashkia dhe publiku, disiplinë fiskale dhe pa udhëheqjen e kryetarit të bashkisë, programi i instrumenteve financiare mund të kthehet në një mekanizëm për favore politike dhe korrupsion.

Tundimi për të maksimizuar të ardhurat.

Me qëllim maksimizimin e të ardhurave nga instrumentet financiare, bashkia mund të tundohet për të dhënë leje ndërtimi për raste që nuk plotësojnë tërësisht kushtet e zhvillimit, si për shembull, kufizimet për lartësinë apo intensitetin e ndërtimit, apo kërkesat për parkim. Për të shmangur korrupsionin apo abuzimin me pushtetin, instrumentet financiare duhet të zbatohen sipas një programi dhe formule të përcaktuar dhe miratuar publikisht nga bashkia, siç kërkohet nga Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

Kujdes! Bashkia duhet të krijojë programin e zbatimit të secilit instrument financiar, përfshirë këtu kriteret për përcaktimin e përfitimeve, dhe duhet ta zbatojë atë njësoj për të gjithë dhe me transparencë.

[1] Zonat e mbrojtura përfaqësojnë territore tokësore, ujore, detare e bregdetare të caktuara për mbrojtjen e diversitetit biologjik, të pasurive natyrore dhe kulturore bashkëshoqëruese, të cilat menaxhohen në rrugë ligjore dhe nëpërmjet metodave shkencore bashkëkohore
[2] http://akzm.gov.al/wp-content/uploads/transparenca/Programi%20strategjik_final-AKZM-shq%20%282%29.pdf
[3] https://www.cbd.int/doc/lifeweb/albania/Network%20of%20Protected%20Areas%20in%20Albania.pdf
[4] https://turizmi.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/DM-Bashkia-Vlore.pdf
[5] https://www.facebook.com/AdZMVlore
[6] https://planifikimi.gov.al/index.php?eID=dumpFile&t=f&f=5154&token=da636af1a1a4ffe0d0973a5cfc7eedbca62f49cc
[7]https://www.facebook.com/eduart.gjokutaj/posts/pfbid035UDNvGtwWAY29HhaN8MtBaDWLEa2CVXi6d96ZyCN4QTsMxAYaUm9LHNuNUQo19edl
[8] https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/10/Infrastructure-of-integrity-34-GITOC.pdf
[9] http://www.instat.gov.al/media/9508/lëvizjet-e-shtetasve-në-shqipëri-dhjetor-2021.pdf , faqe 2
[10] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf, faqe 192
[11] https://www.worldeconomics.com/National-Statistics/Informal-Economy/Albania.aspx
[12] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/njoftim_statistikor_BOP_T3_2021_20023.pdf
[13] https://www.monitor.al/rezerva-valutore-u-rrit-me-17-3-per-vitin-2020/
[14] https://ndiqparate.al/?p=14709
[15] https://altax.al/renia-e-dinamizmit-te-biznesit-ne-ekonomi/
[16] http://www.instat.gov.al/media/8623/pbb-tr1-2021.pdf
[17] http://www.instat.gov.al/media/9662/atfp-t4-2021_press-release_final_fare.pdf
[18] https://financa.gov.al/ekonomia-rritet-me-8-54-ne-2021-mbeshtetur-nga-politikat-fiskale-rritja-e-investimeve-dhe-konsumi/
[19] http://www.instat.gov.al/media/9395/matja-e-të-ardhurave-dhe-nivelit-të-jetesës-në-shqipëri-2020.pdf
[20] https://infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2017/10/DOKUMENTI_I_POLITIKAVE_TE_PLANIFIKIMIT_DHE_ZHVILLIMIT_TE_TERRITORIT.pdf
[21] http://www.co-plan.org/wp-content/uploads/2019/03/Planet-e-Detajuara-Vendore-dhe-Instrumentet-Financiare-p%C3%ABr-Zhvillimin-e-Tok%C3%ABs.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: