Përmbledhje nga Barra tatimore në Ballkanin Perëndimor – Shqipëri, Kosovë dhe Liria Fiskale 2024
Kjo përmbledhje prek ato pjesë të ndjeshme të studimit analitik Barra Tatimore në Ballkanin Perëndimor – Shqipëri, Kosovë…Dita e Lirisë Fiskale 2024. Ky raport trajton barrën tatimore në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë dhe Kosovën në veçanti duke u ndalur në studimin edhe në faktorët që ndikojnë dhe që ndikohen nga barra tatimore dhe shpërndarja e saj nëpërmjet buxhetit vjetor
Ekonomia dhe situata fiskale
Në vitin 2023, popullsia e Ballkanit Perëndimor (BP6) është 16.98 milionë banorë nga 17.34 milionë banorë dy vite më parë, me një pakësim prej 2.1% ( 360.000 persona).
Në raport me popullsinë gjithsej duket se:
– Serbisë i mungon 3.3% e popullsisë,
– Shqipërisë i mungon 2.4% e popullsisë,
– Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës u mungojnë respektivisht 1.3%, 0.8%. 0.7% dhe 0.6 e popullsisë së vendeve të tyre.
Gjashtë ekonomitë në 2023 janë me rritje ekonomike që variojnë nga 1% në Maqedoninë e Veriut deri në 6% në Malin e Zi, me një mesatare rritje për BP6 prej 3%. Ekonomia e BP6 përfaqëson 13% të PBB-së së Bashkimit Evropian.
Nëse shikojmë lirinë ekonomike në vendet e BP6 duket se asnjera prej tyre nuk përmbush kriteret për tu vlerësuar si një ekonomi e lirë, pasi konsiderohen si ekonomi pjesërisht të lira. Qeveritë kanë alikuar barrë tatimore jo sipas taksimit të ndershëm, ku ndër të tjera me rregullat dhe aktet që kanë miratuar i kanë penguar njerëzit dhe bizneset të blejnë ose shesin me njerëz në vende të tjera, duke zvogëluar lirinë e tyre.
Fluksi i investimeve të huaja direkte (IHD) shihet se mesatarisht për vendet e BP6 është në të njëjtat vlera si në vitin 2022. Megjithatë, vijon që vendin e parë për fluksin hyrës të IHD-ve e mban Serbia (4.52 miliardë Euro) dhe vendin e dytë e mban Shqipëria (1.49 miliardë Euro). Vendet e tjera kanë një vlerë investimesh poshtë nivelit 1 miliard Euro dhe kanë një fluks hyrës nga 487 milionë Euro në Malin e Zi, në 650 milion Euro në Maqedoninë e Veriut duke vijuar me 816 milionë Euro në Kosovë dhe 874 milionë Euro në Bosnjë-Hercegovinë.
PBB-ja mesatare për frymë e BP6 është 14.250 EURO (PPP) në 2023 me një rritje me 1.958 Euro/individ krahasuar me vitin 2021. Kjo rritje në vlerë absolute është e ndikuar nga ndryshimi me 3.520 Euro/individ në Malin e Zi, me 2.530 Euro/individ në Shqipëri, me 2.070 Euro/Individ në Serbi dhe më pak në Bosnjë-Hercegovinë (1.780 euro/individ), Kosovë (1.280 Euro/Individ) dhe Maqedoninë e Veriut (570 Euro/individ).
Papunësia në vitin 2023 në BP6 është mesatarisht 12% me rënie mesatare 3% nga viti 2021. Niveli më i ulët i papunësisë është në Serbi me 9.5%, në Shqipëri me 10.7%, në Kosovë me 12.4%. Në Maqedoninë e Veriut dhe në mal të Zi niveli i papunësisë është 13.1% dhe në Bosnjë Hercegovinë niveli i papunësisë është 13.2%.
Nëse shikojmë shkallën e punësimit në fund të tremujorit të katërt 2023, shihet se Shqipëria është me shkallën më të lartë të punësimit me 66.7%.
Paga mesatare në BP6 përgjatë vitit 2023 është mesatarisht 857 Euro/muaj me një rritje nominale me 191 Euro (me 29%) nga viti 2021. Paga mesatare më e lartë në 2023 është Serbi me 1.011 Euro/muaj e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 995 Euro/muaj, Mali i Zi me 987 Euro/muaj dhe Maqedonia e Veriut me 892 Euro/muaj. Pagat mesatare më të ulta në BP6 janë në Shqipëri me 648 Euro/muaj dhe në Kosovë me 610 Euro/muaj.
Inflacioni në vitin 2023 në BP6 është mesatarisht në nivelin 8% dhe sipas shikimeve të fundit të kryera nga ekspertët rezulton se çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë mbajtur inflacionin në nivele të larta, në dallim nga vendet e BE-së dhe OECD-së.
Rënien më të madhe të inflacionit mesatar vjetor e shikojmë në Bosnjë Hercegovinë me 7.9% më pak, në Kosovë me 6.7% më pak, në Maqedoninë e Veriut me 4.8% më pak, në Malin e Zi me 4.4% më pak. Shqipëria ka uljen më të vogël vit me vit me 1.9% më pak
Deficiti buxhetor është në nivelin mesatar për BP6 me minus (-) 2% të PBB-së me një rënie të tij me 1% nga viti 2021. Rënien më të madhe të deficitit buxhetor e ka Shqipëria me 3.2% më pak se në 2021, e ndjekur nga Mali i Zi me 3.1% më pak se në 2021, Serbia me 1.9% më pak se në 2021, Bosnjë Hercegovina me 1.3% më pak. Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë ulur deficitin buxhetor, respektivisht me 1% dhe 0.5% më pak se në 2021.
Borxhi publik, si një tregues më i plotë i politikave fiskale në vitet e fundit shihet me rënie në nivelin mesatar tregues për BP6 me 8% më pak.
Niveli mesatar i borxhit publik për BP6 është në 2023 sa 46% e PBB-së së përbashkët. Në rënien e dukshme të nivelit mesatar të borxhit publik në BP6 ndikimin më të madh e ka dhënë Shqipëria (15% më pak borxhe), Mali i Zi (13.5% më pak borxhe) dhe Bosnjë-Hercegovina (7.2% më pak borxhe).
Një rënie më të vogël të borxhit publik e shikojmë në Serbi (4.8% më pak borxhe), në Kosovë (3.9% më pak borxhe) dhe në Maqedoninë e Veriut (1.4% më pak borxhe).Nivelin më të ulët të borxhit publik në 2023 e ka Kosova (sa 17.2% e PBB-së), Bosnjë-Hercegovina (sa 26.7% e PBB-së).
Barra tatimore në Ballkanin Perëndimor në 2021 – 2023
Në dy vitet e fundit 2021 – 2022 barra tatimore është në nivelin e 31.8% dhe 31.2% të PBB-së së Ballkanit Perëndimor. Kjo peshë e barrës fiskale është në rënie me 0.6% të PBB-së.
Në vitin 2023, barra tatimore është sa 31.6% e PBB-së së BP6 dhe tregon mesatarisht rënie në krahasim me vitin 2021. Gjithsesi niveli i barrës fiskale në vendet e BP6 është 9.4% pikë përqind poshtë nivelit të barrës në BE.
Barra tatimore në 2023:
- në Shqipëri është sa 8% e PBB-së me rritje nga viti 2022 dhe 2021.
- në Kosovë është sa 7% e PBB-së me rritje nga viti 2022 dhe 2021.
- në Maqedoninë e Veriut është sa 5% e PBB-së me rritje nga viti 2022 dhe 2021
- në Bosnjë-Hercegovinë është sa 1% e PBB-së me rritje nga viti 2022 dhe rënie nga vitit 2021.
- në Malin e Zi është sa 2% e PBB-së me rritje nga viti 2022 dhe rënie nga 2021
- në Serbi është sa 1% e PBB-së me rënie nga viti 2022 dhe 2021
Barra fiskale e BP6 përbëhet në nivelin mbi 38% nga TVSH (përveç Bosnjë-Hercegovinës që përfshin edhe akcizën), 12% nga tatimi mbi kapitalin dhe 37% nga tatimet mbi punën (TAP dhe kontribute). Pjesa tjetër prej 13% përbëhet nga taksat nacionale, taksat dhe tarifat vendore dhe taksa doganore dhe akciza.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina janë më shumë të varura nga barra e TVSH dhe Akcizës dhe më pak e varur nga tatimet direkte (Tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale).
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë më pak të varura nga barra e TVSH dhe Akcizës dhe më shumë duke u varur nga tatimet direkte.
Nivelin më të lartë të barrës së tatimeve direkte në vitin 2023 e mban Shqipëria, ku qytetarët paguajnë tatime sa 20.5% e PBB-së. Peshën kryesore në tatimet direkte e mban tatimi mbi fitimin (sa 10.9% e PBB-së).
Më tej vijojnë qytetarët dhe bizneset e Serbisë që paguajnë tatime direkte sa 18.6% e PBB-së. Peshën kryesore në tatimet direkte e mban tatimi mbi të ardhurat personale (sa 11.3% e PBB-së).
Në vend të tretë janë qytetarët dhe bizneset e Kosovës që paguajnë tatime direkte sa 18.3% e PBB-së së tyre. Peshën kryesore në tatimet direkte e mban tatimi mbi të ardhurat personale (sa 10.5% e PBB-së).
Në nivele pak më të ulta paguajnë edhe qytetarët dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut, me një barrë tatimesh direkte sa 17.9% e PBB-së së tyre. Peshën kryesore në tatimet direkte e mban tatimi mbi të ardhurat personale (sa 10.9% e PBB-së).
Ndërkohë, dy vendet e tjera (Mali i Zi dhe BiH) vërehet se janë larg nga ky nivel barre tatimore si më lart dhe mbajnë një barrë të tatimeve direkte respektivisht sa 14.1% e PBB-së malazeze dhe sa 10% e PBB-së së BiH.
Peshën kryesore në barrën e tatimeve direkte në Malin e Zi e mban tatimi mbi të ardhurat personale (sa 8.8% e PBB-së). Ndërsa peshën kryesore në barrën e tatimeve direkte në BiH e mbajnë njësoj të dy llojet e tatimeve (sa 5% me 5% të PBB-së).
Nga barra e tatimeve direkte në vitin 2023 në secilin vend të BP6 shikojmë se brenda këtij grupi që taton punën dhe kapitalin duhet të shikojmë edhe peshën që mbajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.
Vendi me barrën më të lartë në BP6 për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore është BiH me nivelin sa 14.5% të PBB-së së vendit. Po kështu edhe Serbia bën pjesë në vendet me barrë të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore pasi qytetarëve u mblidhet një shumë pagesash sa 13% e PBB-së së vendit.
Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një nivel të moderuar deri në nivel të ulët krahasuar me dy vendet më lart në këtë drejtim.
Maqedonia e Veriut mbledh kontribute të sigurimeve si të hyra në buxhetin e shtetit një nivel sa 10.2% e PBB-së, ndërsa Mali i Zi sa 8% e PBB-së. Shqipëria është në vendin e fundit për barrën e ulët të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me një barrë që është sa 6.2% e PBB-së.
Normat tatimore
Lidhur me tatimet direkte, vendet si Shqipëria dhe Serbia që zbatojnë norma të tatim fitimit më të larta se të tjerët në BP6 nuk kanë produktivitet të njëjtë në arkëtimet e tatimeve direkte, pasi në efektivitetin e tatimeve direkte ka ndikim kryesor harmonizimi i normave me zgjerimin e bazave dhe luftën ndaj evazionit dhe korrupsionit, duke forcuar më tej kapacitetet për shfrytëzimin optimal edhe të investimeve në teknologji.
Normat tatimore për TVSH-në janë më të larta në Malin e Zi, Shqipëri dhe Serbi, respektivisht me 21% dhe 20%.
Normat tatimore standarte më të ulta për TVSH-në janë në Bosnjë-Hercergovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, respektivisht me 17% dhe 18%.
Të gjitha vendet ballkanike përdorin norma të reduktuara për TVSH-në, përveç Bosnjë-Hercegovinës. Të detajuara normat tatimore gjenden në fund të Raportit.
Pabarazia në të ardhurat
Polarizimi i të ardhurave është më i ulët në Shqipëri, ku indeksi tregon se pabarazia është rritur me 1.8 pikë. Ndërkohë, vendet e tjera kanë një rritje më të lartë të pabarazisë, që varion nga 2.4 pikë në Malin e Zi, në 2.9 pikë në Bosnjë-Hercegovinë dhe 5.9 pikë në Serbi.
Korrupsioni dhe barra tatimore
Për vitin 2023 situata është si më poshtë:
- në Malin e Zi, korrupsioni është më i ulëti[1] dhe ka një barrë tatimore më të lartë se vendet e tjera, por edhe një informalitet më të ulët.
- në Maqedoninë e Veriut, korrupsioni është më i ulët se katër vendet e tjera, por ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë informalitetin e ka më të ulët.
- në Kosovë, korrupsioni është më i ulët se tre vendet e tjera, por ka barrën tatimore më të ulët, por ka edhe një nivel informaliteti që është te nivelet e larta të rajonit.
- në Shqipëri, korrupsioni është më i lartë se tre vendet fqinje dhe ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë informalitetin e ka më të lartë.
- në Serbi, korrupsioni është më i lartë se vendet fqinje, por ka një barrë tatimore më të ulët se ato, por ndërkohë e ka më të lartë edhe informalitetin.
- në BiH, korrupsioni është më i larti ndër vendet e rajonit, por ka një barrë tatimore të lartë, si dhe nivel informaliteti më të lartë
Shpenzimet buxhetore në BP6
Shpenzimet buxhetore kanë në secilin prej vendeve të rajonit një pjesë më të madhe në raport me të ardhurat buxhetore, mesatarisht sa 2.3% e PBB-së në tri vitet e fundit. Sipas treguesve të volumit të shpenzimeve sipas vendeve, shihet se nivelin më të lartë në raport me PBB-në e shikojmë në Serbi (sa 44.9% e PBB-së), në Malin e Zi (sa 42% e PBB-së) dhe në BiH (sa 41.6% e PBB-së).
Këto shpenzime të larta në rajon janë në proporcion me nivelin e lartë të të ardhurave buxhetore.
Tre vendet e tjera të rajonit, i shikojmë me shpenzime buxhetore deri 15.7% më të ulëta (nëse krahasojmë Serbinë me Shqipërinë). Maqedonia e Veriut ka mbajtur të njëjtin nivel shpenzimesh buxhetore prej 2022 që janë sa 36.4% e PBB-së. Kosova në 2023 ka rritur nivelin e shpenzimeve buxhetore me 4.2% të PBB-së më shumë nga 2022. Shqipëria e ka ulur nivelin e shpenzimeve buxhetore në 2023 me 1.2% të PBB-së, kryesisht për arsye të moskryerjes së investimeve kapitale të planifikuara për 2023. Edhe për këto vende shihet se kanë një nivel më të ulët shpenzimesh buxhetore pasi janë të varur nga niveli më i ulët i të ardhurave buxhetore.
Nëse e analizojmë buxhetin mbi pjesën që shpërndan për mbrojtjen sociale, shihet se Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë shpërndarë për shpenzime sociale, respektivisht sa 15.7% dhe 14.9% e PBB-së, me vullnet konsistent në vitet e fundit.
Mali i Zi dhe Serbia kanë një vijueshmëri të lartë të shpërndarjes së buxhetit për politikat sociale me nivel që respektivisht është sa13.1% dhe 12.9% e PBB-së së tyre.
Shqipëria në 2023 ka rënie të pjesës së buxhetit për politikat sociale me një nivel sa 11.1% e PBB-së, por me 2.8% të PBB-së më pak se dy vite më parë.
Kosova ashtu si Shqipëria nuk ka shpërndarë pjesë të madhe të buxhetit për politikat sociale (sa 11.2% e PBB-së), por tregon një vullnet në rritje krahasuar me dy vite më parë.
Në vendet e BP6, shpenzimet e përgjithshme të qeverive mesatarisht janë sa 13.2% e PBB-së së tyre, me një nivel që është i njëjtë në vitet e fundit, por i ulët në raport me vendet e BE-së (më pak për 6.3% në raport me PBB-në).
Për shpenzimet për administratën e qeverisë, Bosnjë Hercegovina ka nivelin më të lartë që tregon sa 10.6% të PBB-së e në këto nivele është edhe Mali i Zi me shpenzime për administratën sa 10% e PBB-së.
Serbia vijon me të njëjtin nivel shpenzimesh si viti i kaluar edhe në 2023 duke dhënë fonde nga buxheti për administratën sa 9.7% të PBB-së së vendit.
Edhe Kosova ka dhënë fonde nga buxheti për administratën në nivel të konsiderueshëm apo sa 7.6% e PBB-së duke na treguar për një qeveri me dimensione të mëdha nisur nga niveli i shpenzimeve.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nivele të ulta të shpenzimeve në raport me mesataren e vendeve të BP6 dhe respektivisht kanë shpenzuar për administratat sa 4.3% dhe 4.2% e PBB-së së tyre apo të paktën 1.7-1.8% më pak se mesatarja e shpenzimeve të vendeve të BE-së për shërbimet publike.
Barra tatimore në Shqipëri në 2023
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve dhe të ardhurat tatimore vendore (të ardhurat tatimore) kanë një peshë sa 25.8% e PBB-së, me 0.44% më shumë se viti 2021. Barra tatimore është pjesa kryesore e të ardhurave fiskale të buxhetit. Në vitin 2023, të hyrat tatimore përbëjnë 92.8% të të ardhurave buxhetore, me rënie – 1.6% të peshës së tyre nga 2022 dhe – 0.1% nga 2021.
Në vitin 2023 të ardhurat tatimore qendrore janë sa 70.6% ndaj totalit dhe me peshë më të ulët ndaj PBB-së nga viti 2022 dhe 1% më të larta nga viti 2021.
Ndërkohë, 61 bashkitë së bashku kanë arkëtuar të ardhura tatimore vendore sa 5.3% e totalit, me një rritje me 0.2% nga viti 2022, por me peshë më të vogël nga viti 2021.
Të ardhurat nga kontributet janë sa 20.8% e të ardhurave tatimore gjithsej me një rritje sa 1.3% e PBB-së nga viti 2022 dhe 2021.
Performanca më e mirë në 2023 i dedikohet të ardhurave nga:
- kontributet e sigurimeve (sa 38% e të ardhurave më shumë prej 53.7 miliardë lekë),
- nga tatimi mbi fitimin (sa 29% e të ardhurave më shumë)
- nga tatimi mbi pagat (sa 22% e të ardhurave më shumë)
- nga tatimet e konsumit (TVSH dhe akciza) me ndikim sa 10% e të ardhurave më shumë, ku pesha kryesore është nga akcizat
- nga taksat dhe tarifat vendore kanë ndikim sa 7% e të ardhurave më shumë.
TVSH është dominuesi kryesor mjaft i madh në të ardhurat tatimore me 32% tyre. Pastaj peshë të madhe mbajnë edhe kontributet e sigurimeve sa 24% e të ardhurave tatimore. Tatimi mbi fitimin mban një peshë sa 11% e tyre, dhe tatimi mbi të ardhurat personale mban një peshë sa 10% e tyre.
Problem i madh në administrimin tatimor është barra e ulët e tatimpaguesve të mëdhenj në totalin e të ardhurave dhe në raport me PBB-në.
Kontributi dhe barra tatimore që mbajnë tatimpaguesit e mëdhenj në vitin 2023 është sa 34% e të ardhurave të administratës tatimore. Ky kontribut vijon njësoj në të paktën tre vitet e fundit.
Nëse llogaritim gjithë tatimet dhe taksat qendrore dhe vendore bashkë me kontributet e sigurimeve barra tatimore për banor është sipas hartës dhe renditjes më poshtë.
Nëse shikojmë barrën tatimore vetëm nga taksat dhe tarifat vendore, atëherë llogaritjet nxjerrin se është si më poshtë.
Barra Tatimore për Tiranën
Vetëm 4 taksa në Tiranë plotësojnë 67% të barrës tatimore (detajet te pika 4.3.1. e Raportit). Përveç këtyre një tjetër barrë tatimore me ndikim për bizneset dhe familjet është grupi tarifave për mbrojtjen e mjedisit dhe gjelbërimin që janë sa 15% të barrës tatimore gjithsej. Pjesa tjetër e taksave dhe tarifave zënë së bashku sa 18% e barrës tatimore gjithsej.
Në një analizë të shpërndarjes së barrës tatimore nga Bashkia Tiranë shihet se ka ngarkesë tejet të madhe të taksave të lidhura me procesin dhe produktin e ndërtimit, nga i cili sigurohen mbi 2/3 e të ardhurave tatimore. Kjo shpërndarje e pabarabartë midis qytetarëve dhe biznesit është një politikë që synon të rritë barrën jo direkt nga politika tatimore e bashkisë, por duke rritur indirekt këtë barrë mbi qytetarët duke taksuar më rëndë një kategori të ngushtë të aktiviteteve.
Shpërndarja e shpenzimeve bashkiake
Nëse llogaritim koston e qeverisjes së bashkisë Tiranë në 2023 ajo arrin deri në 1/3 e shpenzimeve gjithsej.
Shpenzimi më i rëndësishëm në drejtim të komunitetit në 2023 vijon të jetë për rrugët rurale dhe urbanizimin, i cili merr 21% të shpenzimeve të bashkisë në vitin 2023.
Pagesat për sistemin arsimor parashkollor dhe parauniversitar zënë 17% të shpenzimeve vjetore të buxhetit të bashkisë.
Menaxhimi i mbetjeve, i cili burimin kryesor të financimit të tij e ka nga tarifat e mjedisit konsumon deri 8% të buxhetit të bashkisë.
Për strehimin social, buxheti i bashkisë shpenzon direkt deri në 7% të gjithë shpenzimeve që kryen bashkia në vit.
Mbrojtja sociale ka një fond të dedikuar sa 1% e totalit të buxhetit të bashkisë.
Në drejtim të kulturës, artit shihet se bashkia shpenzon 4% të buxhetit të saj.
Mbështetja e bashkisë për ekonominë e qytetit dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimin e tregjeve për shitje ka të dedikuar 3% të gjithë buxhetit të bashkisë.
Mbrojtja kundër zjarrit ka një buxhet të dedikuar për tu shpenzuar në nivelin 4% të shpenzimeve gjithsej të bashkisë.
Në fund të shpenzimeve si fonde të dedikuara janë edhe ato që planifikohen për bujqësinë, pyjet dhe kullotat, të cilat janë sa 0.2% e buxhetit gjithsej të bashkisë.
Barra Tatimore në Kosovë
Pesha e të hyrave tatimore (qendrore dhe vendore) është sa 25.7% e BPV-së dhe është rritur ndjeshëm me 1.4% të BPV-së nga viti 2022 dhe në nivele të afërta edhe nga viti 2021.
Vlera absolute e të hyrave tatimore gjithsej është 2.6 miliardë Euro.
Të hyrat tatimore qendrore përbëjnë një shumë sa 25.2% të BPV-së, ndërsa të ardhurat nga të hyrat tatimore komunale përbëjnë një shumë sa 0.5% të të hyrave të buxhetit.
Struktura e të hyrave sipas llojeve të tatimeve, shihet se përbëhet në pjesën më të madhe TVSh-ja me 52%, por me rënie nga 2022 për 0.6% të BPV-së.
Akciza përbën 22% të të hyrave tatimore gjithsej me një rënie të lehtë sa 0.1% e BPV-së nga 2022.
Tatimi në të Ardhurat e korporatave përbën 8% të të hyrave tatimore gjithsej, ndërsa tatimi në të Ardhura Personale përbën 10.5% të të hyrave tatimore gjithsej.
Të hyrat e tjera (tarifa doganore dhe komunale) përbëjnë 7.5% të të hyrave tatimore gjithsej.
Në 2023 të hyrat tatimore vetanake janë rritur me 12.7% më shumë se 2022. Në vlerë absolute të hyrat vetanake tatimore arrijnë sa 66% e totalit të të hyrave vetanake komunale.
Në analizën sipas metodologjisë së llogaritjes për të gjitha të hyrat si më lart rezulton se barra tatimore mesatare në Kosovën është 1.358 Euro në vit për banor.
Barra tatimore e shpërndarë mesatarisht gjatë vitit për Kosovën është 113.2 Euro në muaj për çdo banor.
Të hyrat tatimore qendrore dhe vendore, doganore bashkë me fondet pensionale dhe që janë të hyra në buxhet në vitin 2023 në raport me numrin e popullsisë sipas regjioneve, paraqiten në një renditje sipas grafikut dhe tabelës në krah të tij që i shikojmë më poshtë.
Liria Fiskale 2024
Dita e Lirisë Fiskale për Ballkanin Perëndimor për vitin 2024 është dita e 114të e tij. Në vitin 2024, në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kjo ditë bie më herët. Në Bosnjë – Hercegovinë, Malin e Zi dhe në Serbi dita e lirisë fiskale është më shumë se 1 një muaj më vonë se në tre vendet e tjera.
Edhe në vitin 2024 kjo ditë ka ardhur pa ndryshime të ndjeshme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur midis dy viteve gjendet në Kosovë, e cila në vitin 2024 e feston lirinë fiskale në të njëjtën ditë si në Shqipëri.
Në Shqipëri dita e lirisë fiskale 2024 është në të njëjtën ditë si në vitin 2023.
Dita e Lirisë Fiskale përfaqëson tatimpaguesit e një vendi përballë ngarkesës së tyre nga administrata fiskale për mbledhjen e detyrimeve tatimore për buxhetin.
Kjo ditë është data treguese për tu njohur, se në çfarë dite të vitit barra ndaj buxhetit të shtetit është përmbushur apo për ti treguar tatimpaguesve se sa ditë u duhet të punojnë me qëllim që të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve tatimore për llogari të buxhetit.
Pas kësaj dite të ardhurat e mbetura mbeten si logjikë në xhepin e biznesit apo individit, për të paguar shpenzimet individuale, familjare apo shpenzime për bizneset.
Nga llogaritja e ditëve që konsumohen në secilin vend për të paguar taksat që përbëjnë barrën tatimore, sipas të dhënave që ka deklaruar secila nga administrata e të hyrave fiskale dhe të konfirmuara nga Ministria e Financave për secilin nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, rezulton se në varësi të nivelit barrës tatimore ndaj PBB-së, Dita e Lirisë Fiskale në 2024 në Ballkanin Perëndimor vjen në 24 Prill 2024
Liria Fiskale fillon udhëtimin nëpër rajon duke trokitur së pari në Kosovë dhe në Shqipëri në të njëjtën ditë, 3 Prill. Dhjetë ditë më vonë kjo ditë festohet në Maqedoninë e Veriut në 13 Prill, me 6 ditë më vonë se viti 2023.
Muaji Prill nuk ka më asnjë datë për tu festuar si ditë e Lirisë Fiskale për secilin vend, por në mënyrë simbolike data 24 Prill është dita e lirisë fiskale në gjithë rajonin.
Dita e Lirisë Fiskale vijon udhëtimin në muajin Maj, në Malin e Zi më 11 Maj dhe në të njëjtën ditë edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Në 14 Maj udhëtimi i lirisë fiskale mbyllet në Serbi
[1] Pikët e larta tregojnë renditje më të ulët për korrupsionin
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.