Dinamizmi i biznesit, një faktor kyç në rritjen e ekonomisë, matet me ritmet me të cilat bizneset hyjnë në treg, rriten dhe largohen nga tregu. Dinamizmi më i fortë lidhet me ritmet më të larta të rritjes së produktivitetit, pasi bizneset joproduktive largohen dhe ato më produktive hyjnë ose rriten (Bartelsman dhe Doms, 2000).
Për modelin qeverisës aktual, dinamizmi i ekonomisë nuk ka një ecje mbrapa apo në vend numëro.
Por, faktet e rritjes ekonomike në dinamikën kohore në të paktën 15 vitet e fundit paraqesin një strukturë ekonomike dhe modelim të saj për të ardhmen që nuk tregon një moment optimist në rivendosjen e prosperitetit të premtuar. Përtej faktit që këto premtime dhe programe tejet optimiste kanë ndihmuar në rritjen e vlerësimit të udhëheqësve të tranzicionit gjatë dekadave të tyre të para në pushtet, mbetet fakt i pakundërshtueshëm se programet qeverisëse mezi arrijnë të realizohen në nivelin e gjysmës së tyre, në rastin më të mirë.
Në të vërtetën e treguesve kryesorë për biznesin dhe tregun, ekonomia e zhvilluar që nga viti 2014 mundet të përballojë disa rrisqe të përkohshme, veçanërisht kur çmimet e energjisë janë të larta, si tani.
Por, ekonomia e Shqipërisë, e cila i ngjan më shumë vetvetes, sesa ndonjë modeli qeverisje të suksesshëm në Europë nuk ka dinamizëm për të gjeneruar rritje të qëndrueshme dhe të fuqishme. Kjo shprehet edhe në rritjen ekonomike poshtë kapaciteteve gjeneruese nëse ekonomia do të ishte modeluar dhe zhvilluar ndryshe nga si është tani.
Udhëheqësit tanë nuk duket se përgatitin vendin për atë që vjen më pas. Në këtë drejtim, përtej politikës që zbatojnë në funksion të amullisë elektorale, Ata duhet që të shprehen për tendenca si këto më poshtë dhe të tregojnë bazuar mbi analiza të thelluara dhe gjithpërfshirje të palëve në procesin e vendimarrjeve strategjike.
Kështu, nga një lexim i thjeshtë i të dhënave statistikore dhe një ballafaqimi paraprak me realitete që preken shikohet se:
– Përqendrimi i tregut është rritur. Ky fakt tregohet në rastin më të dukshëm nëse shikojmë aktivitetet më të mëdha dhe pronarët përfituesë të tyre.
– Fitimet mesatare janë rritur. Përtej mungesës së treguesve realë të bizneseve, për shkak të informalitetit dhe evazionit, fitimet mesatare edhe pse deklarohen të ulta në pasqyrat financiare për të evituar pagesat reale të tatim fitimit dhe tatimeve të tjera në realitet nuk kanë ulje, pasi çdo rritje e kostos së bizneseve transferohet menjëherë në rritje të çmimit të mallrave/shërbimeve. Ky element kryesor i evazionit duket se është adresuar të zgjidhet nga procesi i fiskalizimit, por me mungesë të thellë të analizës transparente se si ky proces ka ndikuar deri tani në uljen e informalitetit, apo si janë parashikimet afatmesme për efektet e tij.
– Pjesa e punës në prodhim ka rënë. Ky fakt vërehet nga statistikat. Por, edhe në rastin e pjesëmarrjes masive të punës në bujqësi nuk shikohet se vlen për një produktivitet në rritje, pasi raporti midis pjesëmarrjes së punës me produktin që jep është në disfavor të konkurueshmërisë së tij.
– Rritja e përqendrimit të tregut dhe rënia e peshës së punës janë të lidhura pozitivisht, në funksion të rritjes së produktivitetit, si rrjedhojë e rritjes së kapaciteteve dhe përdorimit të teknologjisë. Kjo qasje është e mirë e domosdoshme aktualisht në zhvillimin e ekonomisë, por jo në rastin e bizneseve në Shqipëri. Treguesit pë penetrimin e teknologjisë dhe kapaciteteve zhvilluese informatike në vend janë më të ulët se rajoni. Edhe brenda vendit, teknologjia duket se është më e përhapur në sektorin publik (administratë), që në fakt nuk ndihmon direkt dinamizmin e ekonomisë.
– Disniveli i produktivitetit të bizneseve është rritur. Në këtë drejtim, bizneset që përfitojnë fonde publike dhe ushqehen nga buxheti kanë një produktivitet më të mirë se bizneset që operojnë në treg me fonde private. Këtë realitet e tregon rritja e nivelit të transaksioneve mes bizneseve bazuar te këmbimet barter (ndryshe kleringu).
– Pesha e firmave të reja në aktivitetin ekonomik ka rënë. Ky tregues mund të shihet në të dhënat statistikore.
– Rishpërndarja e vendeve të punës është ngadalësuar. Edhe ky fakt mund të verifikohet dhe të analizohet për arsyet se si duhet të ndryshojë në lidhur me produktivitetin e pritshëm që rrit ekonominë.
– Ritmi i rritjes së numrit të bizneseve është në vend numëro në raport me zgjerimin e PBB-së.
– Përqëndrimi dhe rritja e popullsisë në disa zona urbane është provuar të jetë një përcaktues kryesor i normave të dinamizmit (Karahan, Pugsley dhe Şahin, 2019). Qytetet e mëdha, si Tirana dhe qytetet përreth saj janë duke përjetuar një përqendrim në rritje të të rinjve, të cilët kanë më shumë gjasa të bëhen sipërmarrës, një shtytës tjetër i dinamizmit.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre shpjegimeve nuk i përgjigjet plotësisht tendencës rënëse të dinamizmit të ekonomisë. Argumentimet si më lart mund të shpjegojnë vetëm një aspekt të marrëdhënies në rritje midis dinamizmit dhe madhësisë së qyteteve të mëdha, kryesisht përreth kryeqytetit.
Dinamizmi i biznesit, nëse shikojmë Indeksin e Konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe variablat e tij dhe verifikojmë lidhjen midis dinamizmit të biznesit në shtetet e rajonit dhe karakteristikave ekonomike, si: vlera e shtuar me koston e faktorit rritës, norma e hapjes dhe mbylljes së bizneseve, sipas bazës së të dhënave nga INSTAT dhe EUROSTAT e prezanton qartë panoramën e mjegulluar të ekonomisë aktuale të vendit.
Duke përdorur treguesin e Indeksit të Konkurrueshmërisë, i fokusuar edhe mbi dinamikën e biznesit dhe një grup treguesish të analizuar vërehet qartë se sipas lidhjes së fortë midis dinamizmit të biznesit dhe vlerës së shtuar në ekonomi, shanset për të arritur programin e prezantuar të rritjes së ekonomisë mbi një zhvillim të qëndrueshëm ka pak gjasa të ndodhë.
Ende edhe sot, parashikimi i zhvillimit të ekonomisë shqiptare nuk bazohet te rritja e konkurueshmërisë, por te konsumi dhe investime në sektorët e infrastrukturës dhe shërbimeve parësore.
Një marrëdhënie midis dinamizmit të biznesit dhe këtij modelimi të zhvillimit të ekonomisë nuk vërteton dot ekuacionin e rritjes së një ekonomie konkuruese në rajon dhe si rrjedhojë edhe një dinamizmi më të madh se deri më tani. Thënë ndryshe, nga pikëpamja e madhësisë së tregut, duket se rritja e tregut jashtë kufijve të tregut shqiptar nuk prezanton treguesë të tillë që të garantojnë rezultate më të mira të përgjithshëm në sektorët prioritarë për të cilët shprehet programi qeverisës. Këtë realitet e kanë mbartur edhe programet qeverisëse të mëparshme.
Megjithatë, politikat e sotme, të cilat duhet të jenë ndër pikat bashkuese midis të majtës dhe të djathtës mund të ndihmojnë në rritjen e dinamizmit të biznesit duke reduktuar barrierat për hyrjen dhe përhapjen e njohurive, si dhe teknologjisë, por duke prioritizuar luftën ndaj informalitetit dhe evazionit, si pengesat dhe strehat kryesore të parasë informale dhe kriminalizimit të të ardhmes.
Vizioni dhe veprimet e derisotshme nuk arrijnë dot shkatërrimin e krimit në ekonomi, pasi ai tashmë është toleruar e madje është pjesë e një ekonomie që përbën pjesën malinje në dëm të dinamizmit të ekonomisë dhe duke mpakur kapacitetin absorbues dhe potencialin e bizneseve për të përfituar nga një ambjent i barabartë dhe nxitës për të përfituar nga ndryshimet teknologjike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.