Ndryshimet reformuese për pensionet e ardhme duan diskutime shteruese dhe debat publik

Ndryshimet reformuese për pensionet e ardhme duan diskutime shteruese dhe debat publik

Në një diskutim për t’ju përgjigjur pyetjes “A do të rritet mosha e daljes në pension?”në emisionin Box to Box, ndër të tjera përtej qartësimit në respekt të analizave të kryera nga qendra ALTAX për reformimin e skemës së pensioneve dhe pritshmëritë ne mendojmë se zgjidhjet duhet të jenë afatgjata dhe jo si deri më sot. Me këtë kemi parasysh që reformimi të jetë gjithpërfshirës dhe i matur në dallim nga proceset e nxituara dhe të mbyllura që ka bërë qeveria për shumë tema themeltare.
Tashmë qeveria ndodhet përballë një realiteti të prekshëm ku kontrata sociale e mëparshme është cënuar dhe presioni social po rritet. Kjo kërkon edhe zgjerim të detyruar të debatit public në kohë dhe në përmasa.

Në vitin 2023 pensioni mesatar urban ishte sa 26% e pagës mesatare mujore bruto, me një ulje mesatare 5-6% më pak krahasuar me vitet para pandemisë dhe inflacionit. Ndërkohë, pensionet e reja urbane arrijnë deri 50% e pagës mesatare bruto.

Ndërsa pensioni mesatar rural ishte sa 16% e pagës mesatare mujore bruto.

Pensioni mesatar urban dhe rural në 2024 në rastin më optimal mund të arrijnë të jenë 2% më shumë se në 2023 në raport me pagën mesatare bruto prej 75.5 mijë lekë/muaj.

Nisur nga kjo shihet se rritja e pagës mesatare tashmë e ka bërë detyrim rritjen e pensioneve. Rritja e pagave me pensionin janë në raportin 1 me 3, pra paga mesatare është 3 herë më shumë se pensioni mesatar.

Ndryshimet që po diskutohen gjatë vitit 2024 pritet të marrin në konsideratë:

  • uljen e viteve me kontribute për pension.
  • uljen e masës së kontributit (ndoshta)
  • subvencionim të diferencuar në ulje në raport me vlerën më të lartë të pensionit.

Përpara se të merren në konsideratë ndryshimet, le të shikojmë disa treguesë të lidhur me temën tonë.

Situata e skemës publike pensionale aktualisht ka një balancë, ku çdo vit numri i pensionistëve të rinj në skemë shtohet nga 16-18 mijë pensionistë dhe numri i punonjësve të rinj që hyjnë në tregun e punës rritet me 22-23 mijë punonjës, por ky numër ka ardhur në pakësim me kalimin e viteve.

Ndërsa skema private e pensioneve, si një funksion mbështetës menaxhon fondet e një numri të ulët individësh, që arrin në fillim të 2024 deri në 6% të numrit të pensionistëve aktualë. Tendenca për rritje të peshës së pensioneve private duket se ka pak gjasa të ndryshojë edhe pas miratimit të një ligji të ri për pensionet private. Por, ekspertët e pensioneve dhe të financave publike shprehen se ndryshimi i bërë nuk mjafton për forcimin e skemës private, pasi duhet bërë një reformim tërësor dhe i harmonizuar me skemën publike.

Këtu hyn në debat edhe diskutimi mbi betejat e humbura ndaj informalitetit të nisura me shumë bujë në vitin 2018 . Megjithatë, informaliteti është mjaft i lartë me përhapje në rreth 300 mijë të punësuar formalë (nëndeklarim page) dhe informalë (mosdeklarim punonjësi), pra që paguajnë vlerë të ulët apo nuk paguajnë fare.

Nga të punësuarit (1.3 milionë punonjës), gjysma e tregut janë të vetëpunësuar dhe në bujqësi.

Por, mbi çfarë kriteri bazohet aktualisht llogaritja e pensioneve për punonjësit?

 Kriteri i viteve të punës është kushti themeltar për llogaritjen e përfitimit të pensionit minimal (pjesshëm) dhe pensionit maksimal (të plotë). Deri më sot ky kriteret kohore janë respektivisht:

– 15 vite pune për sigurime për të përfituar pension minimal

– deri 38 vite punë me sigurime të paguara për pension të plotë.

Ekspertet e huaj të thirrur nga qeveria, na tregojnë se:

  • kriteret për vitet e pagesës së kontributeve në Shqipëri janë 5-6 vite më shumë për pensionin e plotë, si dhe 2-3 vite më shumë për pensionin e pjesshëm, krahasuar me vendet e zhvilluara

Në 2023, periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të vitit ishte 26.8 vite dhe kjo është ulur krahasuar me 10 vite më parë me të paktën 6 vite.
Por nga kjo statistikë si më lart shikojmë se reforma e vitit 2014 nuk ka parashikuar si duhet tendencat e kohëzgjatjes së kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë për të ardhmen, pasi thelbi i reformës lidhur me kohëzgjatjen ka qenë shtyrja në kohë duke e zgjatur periudhën kontributive deri në 40 vite për ata që mbushin moshën e pensionit në vitin 2032.

Pra, punonjësit e sotëm apo pensionistët e nesërm do të duhet te punojnë shumë e më shumë dhe masa e pensionit mund të vijë edhe në pakësim. Informaliteti, dhe pakësimi i numrit të punonjësve kontribues (largimi nga tregu) mund ta ulë vleren e pensionit të ardhëm drejt niveleve mesatare.

Nisur nga situata si më lart sot po tentohet ndryshimi i situatës. Në takimet me dyer të mbyllura mes specialistëve të Ministrisë së Financave dhe të Bankës Botërore në diskutim janë :

  • forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare (në 2023 indeksimi arriti 8,6%),
  • indeksojë elemente të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension, përfshirë rritjen e pensionit social në rastin më të mirë, sa niveli varferise relative (deri 21 – 22 mije leke/muaj apo 240 mije leke ne vit),
  • subvencioni me rritje më të lartë se deri më sot të skemës së pensioneve rurale,
  • ulja e masës së kontributeve dhe progresiviteti i tyre sipas bazave tatimore që paguhen më shumë

Një nga konsiderimet e skemës së ardhshme të pensioneve mund të jetë ndryshimi i qasjes së politikës për fuqizimin e skemave private, me stimuj fiskale për profesionistët dhe të vetëpunësuarit.

Natyrisht që skemat private për të vetëpunësuarit janë një drejtim i duhur i politikës financiare për pensionet. Por, diferencat në të ardhura ndërmjet të vetëpunësuarve dhe punonjësve të sektorit privat nuk mund të shpjegojnë plotësisht dallimet në normat e pjesëmarrjes në pension midis këtyre dy grupeve. Duke krahasuar normat e pjesëmarrjes në pension të të vetëpunësuarve dhe punonjësve të sektorit privat përgjatë shpërndarjes së të ardhurave, shihet se shkalla e pjesëmarrjes në pension midis të vetëpunësuarve ishte më e ulët se midis punonjësve privatë me pagë mesatare.

Ndërkohë, profesionistët e vetëpunësuar, që janë pranë dilemës së madhe edhe të taksimit të tyre të shtuar në raport aktivitetet e tjera mund të ulin përqindjen e pjesëmarrjes në skemat e pensioneve private, veçanërisht kur një pjesë e tyre do të shndërrohen në punonjës me të ardhura të ulta dhe të mesme në shoqëritë e lidhura me ta, apo do të punojnë në tregun informal.

Profesionistët e vetëpunësuar apo edhe në tërësi të vetëpunësuarit (përjashtuar bujqësinë në masë të madhe) priren të kenë të ardhura më të paqëndrueshme sesa punonjësit, dhe është argumentuar se kjo mund të çojë në një model ku të vetëpunësuarit kalojnë në dhe jashtë kursimeve pensionale bazuar në faktin nëse ata kanë një vit të mirë ose vit me të ardhura të këqija.

Nga kjo marëdhënie e tyre me tregun tashmë me kufizim të lirisë ekonomike, ne zbulojmë se të kesh të ardhura më të paqëndrueshme shoqërohet me një gjasë në rritje për paqartësi të madhe në lidhje me kursimet pensionale në skemat private.

Ndryshimet e propozuara do të mirëpriten nga personat me të ardhura më të larta që kërkojnë të kontribuojnë më shumë në pensionet e tyre dhe individët që tashmë kanë fonde pensioni me vlerë të lartë. Ne presim që rregullat e reja mund të çojnë në ndryshime në strategjitë e përdorura gjerësisht të kombinimit të zgjuar midis skemës publike me atë private.

Ndërkohë, çdo individ me një vlerë të madhe fondi të pensioneve tani duhet të kërkojë këshilla nga ekspertët për opsionet e tyre dhe implikimet tatimore të lidhura me financat e familjes së tyre.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.