Sa devijon nga realiteti PD me programin ekonomik e fiskal 2019?

opozita

Sa devijon nga realiteti PD me programin ekonomik e fiskal 2019?

Në një prezantim, i cili ka formatin e paketës ekonomike dhe fiskale të një qeverie hije, qe është një përditësim i propozimeve të viteve të mëparshme nga opozita po mundohemi të analizojmë dhe krahasojmë disa fakte të thjeshta me logjikën e përvojës dhe te zbatimit te ligjit.

Arsyeja pse i kushtohet vëmendje propozimeve të prezantuara në këtë fillimviti 2019 është për të nxitur dhe prurë në fokusin e ekspertëve të ekonomisë dhe financave, por edhe politikbërësve me formim ekonomik atë që vlen për tu konsideruar ose jo duke u shmangur nga ideja e kundërshtimit dhe mohimit të idesë së tjetrit.

Opozita e sotme, e cila i përket krahut të djathtë të politikës shqiptare, propozon një platformë jo të re, që vijon të premtohet si modeli i djathtë i sistemit të taksave dhe të bërit ekonomi, të paktën për tu zbatuar disa muaj ose vite më vonë.

Propozimet e paketuara nën sloganin e çlirimit të sistemit nga trinomi krim-oligarki-burokraci, me synimin që fillimisht kjo të ndodhi (a) nga njëra anë duke hapur ekonominë dhe rritur konkurencën e lirë, (b) nga ana tjetër duke luftuar oligarkët njësoj si krimin, si dhe (c) për të krijuar shanse të barabarta në një treg të lirë për bizneset është një premtim që nuk mundet të realizohet, qoftë edhe sikur Shqipëria të kthehet në një monarki absolute, apo regjim komunist të shekullit të kaluar.

Pse?

Oligarkët, që e kanë marrë këtë nofkë nga tendenca për të etiketuar një grup të biznesmenëve me më shumë asete dhe likujditete se të tjerë, në fakt janë klientët kryesore të buxhetit të shtetit prej dy dekadash. Nisur nga kjo, aktualisht kanë një peshë sa 35% e fuqisë punëtore në vend, si dhe sa 45% e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve. Ky grup është brezi i kapitalistëve qe eshte bere i tille edhe me ndihmen e pakursyer te politikaneve.

Këta oligarkë, në kuadër të projekteve PPP, të përfolura prej opozitës kanë krijuar edhe bashkime aktiviteti me partnerët e huaj dhe na janë bërë pjesë e identitetit ekonomik të vendit. Në vetvete tentativa për shkatërrim të tyre është e ngjashme me vetvrasjen e ekonomisë së vendit dhe më gjerë se kaq, pasi maredheniet jane bere komplekse.

Por, kush do të shkatërrojë kë?

Qeveria që pretendon të vijë nesër premton të mbyllë kontratat koncesionare. Por, në fakt nuk ka theksuar që PPP e shpallura si projekti 1 miliard Euro në vitin 2018 janë jo më shumë se gjysma e atyre që janë dhënë nga vetë opozitarët e sotëm, por për projekte të tjera.

A i quan oligarkë bizneset qe kane marre firmen nga po vete opozita e sotme?

Nëse flitet për zbatim të ligjit njësoj për të gjithë dhe për shanse të barabarta, ashtu si pretendon opozita, atëherë devijimi i këtij premtimi është më se 180 gradë nga realiteti. Besimi se kjo qasje është realiste për nesër është në kufijtë e zeros për të ndodhur. Ashtu, si dhe pozita e sotme, e cila nuk arriti dot të prishte asnjë nga PPP-të që gjeti të firmosura dhe që premtoi se do ti prishte sapo të vinte në qeverisje të vendit, po ashtu edhe e nesërmja nuk prezanton seriozitet dhe ngjarje të besueshme për të ndodhur.

Ndërkohë, në aspektin e financave publike kur premtohet për prishje te kontratave të firmosura në emër të qeverisë nuk mund të ketë asnjë argument të justifikojë barrën e madhe financiare, që i shkaktohet jo më një qeverie, por ndoshta një brezi të tërë.

Përse duhet paguar kjo kosto nga ne, madje pa marrë në këmbim as shërbimet dhe as produktet e kontraktuara?

E gjithë kjo qasje, që është një kryepremtim nga opozita është një devijim me efekte të mëdha (financiare, juridike, imazhi) për investitorët dhe në dëm të sigurisë së ekonomisë dhe integritetit ekonomik të vendit.

E njëjta logjikë argumentesh vlen edhe për premtimin e ngjashëm për shfuqizimin e kontratave, lejeve dhe licencave abuzive. Nëse kjo qasje e opozitës është realiste dhe e studiuar, përtej krijimit të një ambjenti të pasigurtë për biznesin, për nisma të tilla nevojitet te thuhet me liste të plotë dhe të argumentuar me fakte, arsyeja e këtij operacioni. Qasje të tilla janë me pasoja për gjithë bizneset, pasi marëdhëniet mes tyre janë jo të ndara, por të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kur një mazhorancë vjen në pushtet mban më afër ata që i qasen më shumë administratës së saj dhe anasjelltas. Zarfe të adresuara sipas nismave partiake, pa specifika të qarta për arsyen pse ndodhin do kthehen mbrapsht, pasi janë njësoj si letrat pa adresën e marrësit.

Ndërsa premtimet 100 ditëshe është mirë të mos i konsiderojmë si të vërteta, pasi çështjet që duan të trajtojnë nuk largohen edhe për me shume ditë se kaq. E besueshme është nëse programi nuk shpallet por është pjese përbërëse e vullnetit të pandërprerë, pasi si burokracia, po ashtu edhe gjobëvënia e punonjësve te administratës (virus qe mbart edhe media) ka hedhur rrënjë dhe nuk luftohet vetëm me angazhime të natyrës elektorale.

Opozita premton se brenda një mandati, Shqipëria do të hyjë në listën e 30 vendeve më reformatore. Nëse e dëgjon për herë të parë, por pa e njohur historinë e tre dekadave të fundit do të besoje se qenka një premtim realist. Në fakt, kjo historia e renditjes së Shqipërisë në këtë dekadë të fundit është si lëvizja e një ashensori ngjitje-zbritje, por pa kaluar asnjëherë në vendet që mbajnë shtetet e tjera të rajonit. Nisur nga historia dhe njohja e realitetit shqiptar kjo qasje e opozitës është një tjetër devijim 180 gradë nga realiteti faktik. Në fakt, më se shumti ky premtim mund të konsiderohet një model populist, që përdoret nga të dy krahët politikë. Te thuash se do e realizoj këtë premtim nevojitet te japësh një për një detaje për gjithë treguesit që përmban ky indeks dhe qe duhen plotësuar për ta arritur. Ndërkohë, disa tregues qe lidhen me politiken, “bashkëjetesën e detyruar me oligarkët”, demokracinë, te drejtat e pronësisë nuk janë vetëm në dorë të qeverisë, por janë pjesë e bashkëpunimit me opozitën dhe një koalicioni mbarë qytetar.

Kur lexon premtime të tipit “më shumë vende pune”, punonjësit publikë shërbëtorë të qytetarit”, “më shumë lekë për njerëzit”, “kujdes për sipërmarrjen”, të mbetet në mendje vetëm fakti se ato janë thjesht për të mbushur fletët e prezantimit dhe asgjë me tepër. Nëse këto tip premtimesh do të ishin realiste, atëherë së pari do të duhej që të thirreshin përsëri oligarkët e tu kërkohej ndjesë (pasi të bëhesh oligark i ri kërkon vite), e më tej të kërkoheshin punonjës publikë jashtë Shqipërisë, pasi punonjësit aktualë nuk kanë më mundësi të bëhen shërbëtorë të biznesit, pasi u deklaruan një herë si të tillë nga pozita aktuale.

Le të shikojmë premtimet për politikën fiskale dhe buxhetin.

Premtimi që biznesi i vogël të kthehet në gjenerator të punësimit është një qasje që nuk ka mundësi reale për të ndodhur. Tatimpaguesit e vegjël janë komuniteti i biznesit, që ka qenë kryefjala në çdo fushatë elektorale dhe pas elektorale, por që në fakt është sot më i keqpërdoruri prej politikanëve të të dy krahëve.

Biznesi i vogël mund të jetë gjenerator punësimi në Sh.B.A, pasi aty ka një historik emigracioni, kulture fiskale, ndarje territoriale, mundësi te të bërit biznes, si dhe një politikë fiskale që ka krijuar hapësirat qe ky segment taksapaguesish prej 150 vite te shndërrohej ne komunitet ne rritje për tregun e punes.

Në rastin e Shqipërisë, baza tatimore me luhatje, prania e informalitetit dhe qasja e politikës fiskale janë shumë ndryshe nga rasti më lart. Biznesi i vogël, në Shqipëri i ndodh që herë të shijojë keqardhjen e një krahu politik dhe i falen disa taksa, si dhe herë të tjera kutjohen se duhen taksuar të gjithë njësoj dhe u vërsulen me administratën fiskale për ti regjistruar, për tu marrë tatimet që biznesi i vogël e di se i ka të falura si dhe i gjobitin për punonjësit që janë kategoria më e patrajnuar e fuqisë punëtore në vend.

Transformimi në gjenerator punësimi në fakt nënkupton në radhë të parë të krijohen kapacitetet për gjenerim dhe pastaj të mendosh se si ta bësh realitet këtë transformim të këtij segmenti që përdoret sipas humorit të politikanëve sa herë ka fushata elektorale.

Propozimet e prezantuara kanë një vend të rëndësishëm edhe premtimet për ulje të shkallëve të tatimeve kryesore, por edhe përmirësim të plagës së rimbursimit të TVSH-së. Kjo e fundit është problem lekësh gjendje, që në fakt për buxhetin shqiptar është mision i pamundur te grumbulloje fonde të tilla për ti përdorur për një qellim, pasi çorganizimi në qeverisje nuk ka lejuar te organizohen ashtu si është nevoja për adresimin e problemeve te buxhetit.

Pyetja vijuese lind natyrshëm, a është e realizueshme platforma fiskale, e mbështetur te ulja e TVSH-së në nivelin 9% (premtimi para 1 viti ishte 15%) dhe te tatimi të sheshtë 9% mbi të ardhurat personale dhe korporative?

Përgjigja për propozimet për ulje taksash në fakt jo vetëm që nuk kanë lidhje dhe janë devijim nga realiteti, por janë edhe mjaft të rrezikshme për atë pjesë të biznesit, që beson se ulja e taksave e ndihmon. Ndërkohë, investitorët e huaj, që investojnë me fonde të tyre nuk e imagjinojnë të nxiten, pse u thuhet nga një qeveri e caktuar se taksat e ulta do ju japin më shumë fitime. Siguria e investimit së pari shikon ambjentin dhe sigurinë për investim, kualifikimin e fuqisë punëtore, kapacitetet administrative dhe stabilitetin e politikave dhe në fund shikon edhe nivelin e barrës, për të plotësuar aritmetikën e planit të biznesit.

Në premtimet fiskale nuk mund te flitet për ulje, për sa kohe harrohet informaliteti qe nuk është shkulur dhe ka ruajtur status quo prej dy dekadash. Dhe ky fakt e ka dëmtuar jashtë mase të bërit biznes. Ndërkohë, luhatjet e shkallëve të taksave sa lart-poshtë janë përsëri një çorientim dhe jo një nxitje. Ajo që mbetet në thelb të premtimeve, kur ato kanë edhe pak sinqeritet është fakti se nuk ka vend për ulje taksash kur informalitetit nuk ja ndjen fare për politiken partiake fiskale.

Ndërkohë, sa herë flitet për ulje taksash pyetja që të mundon dhe nuk i gjen përgjigje është se ku do i gjejë paratë buxheti kur kostoja e premtimeve shkon dhjetëra miliarda leke?

P.sh. ulja e propozuar e tatimit mbi fitimin me 9%, pra 6 pike % më poshtë nga sa është aktualisht do te thotë për të ardhurat buxhetore 13 miliardë leke minus. Por edhe nëse argumentohet se këto lekë mund të rikuperohen me nxitjen e bizneseve për tu formalizuar, apo për të deklaruar xhiron reale është përsëri një histori dhe përvojë dëshpërimisht negative për buxhetin e shtetit.
Zgjerimi i madh i bazës tatimore ne vitin kur u vendos taksa e sheshte ishte në sasinë e 30 mije bizneseve. Por, me një kontribut fiskal jo me shume se 5 miliardë leke, qe do te thotë se buxheti nuk e mori dot ushqimin e duhur për tu realizuar shpenzimet e nevojshme.

Po kështu edhe taksa e sheshte 9% për tatimin mbi te ardhurat personale dhe TVSH e energjisë kanë një efekt direkt ne buxhet në masën 13 miliardë leke. Nuk mundet të premtohet ulja e TVSH për energjinë e shkëputur nga reformat në sektor.

Po për sa premtohet për ulje të kontributeve të sigurimeve në nivelin e 18% të pagës. Efekti direkt ne buxhet është 30 miliardë leke. Por, dëmi më i madh vjen nga prishja e ekuilibrave të skemës së përfitimit, kur në fakt problematikat që janë mbartur dhe që krijohen janë pjesa ku duhet fokusi, dhe jo te ideja e uljes së kostos së fuqisë punëtore nëpërmjet uljes së barrës fiskale. Fuqia punëtore është e vlefshme për investitorët nëse kushton dhe të përballojë sfidat e teknologjisë dhe kërkesave të tregut.

Por, ndërkohë nuk flitet në asnjë rresht si do forcohet administrimi dhe si do ulet evazioni.

Nga ana tjetër, a do vazhdojnë qeveritë ende me plan të ardhurash, njësoj si ne socializëm duke zhgarravitur çdo parim te sistemit mbi te cilin operon ekonomia dhe financat publike.

Por, pse duket sikur është e kundërshtueshme pothuajse gjithshka që është propozuar?
Pasi nuk kanë gjasa zbatimi dhe nuk merret seriozisht, as ligji për buxhetin, por as kuadri rregullator dhe ambjenti i të bërit biznes.

Ndërkohë, merret e mirëqenë se politikat po të premtohen dhe të ruhet vullneti për ti zbatuar ato ndryshojnë po aq shpejt sa koha që zgjat një mandat 4-vjecar qeverisje. Në fakt zgjidhjet nuk vijnë nga vullneti i një pjese të shoqërisë, të bizneseve dhe politikanëve, por nga bashkëpunimi dhe koordinimi i gjithë burimeve dhe kapaciteteve të udhëhequra nga interesi kombëtar dhe jo nga historia e urrejtjes, përçarjes dhe ndërtimit të suksesit mbi shkatërrimin e palës tjetër.

E gjitha kjo është thjesht historia 100 vjeçare që kemi dëgjuar dhe jetuar.  Ekspertët, që janë angazhuar dhe politikanët që premtojnë nuk merren dhe të adresojnë zgjidhje për shkaqet, por merren me pasojat.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: